i_lire
^^i_lire^^
Regjistruar: 02/08/2003
Vendbanimi: ^^__^^
Mesazhe: 1610
|
VATIKANI ZBULON VULËN MBRETËRORE TË SKËNDËRBEUT
Bashkangjitje: vula-skenderbeu.jpg
Ky file është shkarkuar 143 herë.
Vatikani zbulon një dëshmi sekrete të historisë shqiptare. Për herë të parë del në dritë dokumenti ku është shpallur Skëndërbeu mbret. Një akt diplomatik, mandat, në të cilin emërohet Martin Muzaka ambasador i Skëndërbeut. Është një letër origjinale në pergamen me një vulë shtetërore të varur, që ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit në fondin; Miscellanease, volumi XXXIX, dokumenti 2398, nga viti 1458. Pikërisht në këtë mandat Skëndërbeu quhet "mbret". Ka qenë dr. Musa Ahmeti një hulumtues i ka kohshëm i arkivave të Vatikanit që ka publikuar disa ditë më parë, në internet, mandatin e mbretërisë shqiptare.
Si u gjet vula e mbretit
Hulumtimet nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme, kanë mundësuar zbulime të reja të këtyre akteve, për të cilat më parë është menduar se janë zhdukur apo nuk kanë ekzistuar fare. Duke u nisur nga këto hulumtime, të kohëve të fundit (viti 2000)], studiuesi nga Zagrebi, Ahmeti, në Arkivin Sekret të Vatikanit në Vatikan, në fondin: Miscellaneae, nga viti 1458, zbulon një mandat (akt diplomatik) origjinal të Skenderbeut, me të cilin emërohet Martin Muzaka si përfaqësues i tij "legjitim dhe legal".
"Dokumenti është i shkruar në pergamen. Është ruajtur mjaft mire", pohon Ahmeti. Dokumenti ka dimensione: 68 x 92.5 cm. Në të janë varura edhe dy vula origjinale. E para vula shtetërore e Skenderbeut dhe e dyta ajo e notarit Johannes Borcius de Grillis. "Ne na është bërë e njohur edhe një kopje e këtij mandati që ruhet po ashtu në Arkivin Sekret të Vatikanit, në Vatikan në Fondin: Diversa Cameralia, vëll. 30, f. 134r-v. Kjo kopje është e saktë dhe tepër besnike, pa asnjë lëshim nga ana e përshkruesit", pohon studiuesi Ahmeti.
Kur u bë Skëndërbeu mbret?
Ishte zgjedhur Rodoni, në jug të Shqipërisë, për të nënshkruar mandatin e mbretit. Siç shënohet nga origjinali, mandati është lëshuar më 28 tetor të vitit 1458. I drejtohet papës Piu i II-të, i cili kishte më pak se dy muaj që kishte filluar pontifikatin e tij (Piu i II-të fillon pontifikatin më 3 shtator të vitit 1458 dhe vdes më 15 gusht 1464). "Papa Piu njihej si luftëtar i rreptë për mbrojtejn e fesë së krishterë edhe sa ishte cardinal", shkruan studiuesi Ahmeti. Një moment tjetër i rëndësishëm që tërheq vëmendjen te ky mandat është edhe pohimi i notarit publik Johannes Borcius de Grillis se ai "me urdhër dhe autorizim të mbretit..." dmth. Skendërbeun e quan Mbret. "Ky moment është tepër domethënës ngase edhe në vulën shtetërore të varur që e shoqëron këtë dokument e gjejmë të shkruar tekstin: Sigil (um)o Regni(ae) o Macedonia(e)o et oAlbania(e) që në gjuhën shqipe do të ishte: Vula e Mbretërisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë".
Skëndërbeu trashëgon zyrën nga i ati, Gjoni
Nga dokumentat mendohet që zyra kancelarike që ishte pranë Skenderbeut të ishte vazhdimësi e të njëjtës zyrë, e cila funksiononte te i ati Gjon Kastrioti. Sipas Ahmetit, flitet që kjo zyrë daton në shek XIV dhe fillimi i shek. XV. "Natyrisht që kancelaria e Skenderbeut ishte shumë më moderne dhe ju ishte përshtatur rrethanave dhe kohës kur vepronte. Sipas hulumtimeve të bëra, kemi në dorë një të dhënë tepër interesante, se nga zyra e Skenderbeut, ka ndodhur që mbrenda një dite të nxirren 13 akte të ndryshme diplomatike, të shkruara në 5 gjuhë. Kjo e dhënë tregon se cili ishte komunikimi i Heroit tonë kombëtar me shtetet tjera mjesjetare dhe me fqinjët, si dhe roli shumë i rëndësishëm që luante kjo diplomaci ruajtjen e pavarësisë shtetërore dhe teritoriale", shpjegon studiusi Ahmeti.
Historia e kancelarive shqiptare
Gjatë mesjetës, sundimtarët dhe princërit shqiptarë kishin zyrat e tyre të kancelarive në nivele të ndryshme si noterë, sekretarë apo përkthyes. Këto zyra ishin mjaft të zhvilluara dhe mund të renditen në radhën e kancelarive të ngjashme më të njohura, në Evropë, gjë që tregonte për nivelin e lartë të zhvillimit dhe kujdesit që tregonin sunduesit shqiptarë në komunikim me sundimtarët tjerë. Nga këto zyra dolën akte, diploma, mandate dhe dokumente nga më të ndryshmet, në disa gjuhë që në atë kohë ishin në përdorim zyrtar. Porse deri më sot ka pak njohur të mbledhura dhe që ekzistojnë për këto dokumenta orgjinale. Pjesa dërmuese e tyre siç duket janë zhdukur përgjithmonë; pjesa tjetër pret hulumtuesit që ato t'i nxjerrin në dritë dhe t'i botojnë, Ndërsa vetëm në këto vite po hyhet në këtë mister dëshmish historike ku disa fakte të zbuluara rishtazi. Sipas studiuesit Ahmeti, karakteristikë e përgjithshme e këtyre akteve të botuara është se ato nuk ndryshojnë nga ato të sundimtarëve të tjerë, fqinjë apo evropianë. Zakonisht në këto kancelari janë përdorur gjuhët kulturore të kohës si: latine, greke, sllave, italijane osmane dhe ndonjë tjetër. Ndërsa ende nuk ka asnjë document që është shkruar në gjuhën shqipe nga aktet noteriale.
Hidhet poshtë datimi i studiuesve shqiptarë
Përmbyset një nga datimet e nxjerra nga studiuesit shqiptarë. Më zbulimin e mandatit të Skëndërbeut nga Arkivat sekrete të Vatikanit, hidhet poshtë data e shkruar deri më tani për këtë document. Viti 1963 e vënë nga studiuesit shqiptarë nuk vlen më. Kjo datë thuhet se është vendosur pa pasur në dorë dokumentin, as origjinalin dhe kopjen. Ndaj argumentohet gabim ky datim. Me daljen e mandatin të Skëndërbeut nga nga Vatikani kjo datë kalon rreth pesë vite më përpara, pra në vitin 1458, pra koha kur Gjergj Kastrioti shpallet mbret. Siç vërehet nga origjinali, mandati është lëshuar në Rodon të Shqipërisë me 28 tetor të vitit 1458. I drejtohet papës Piu i II-të, i cili kishte më pak se dy muaj që kishte filluar pontifikatin e tij (Piu i II-të fillon pontifikatin më 3 shtator të vitit 1458 dhe vdes më 15 gusht 1464) dhe njihej si luftëar i rreptë për mbrojtejn e fesë së krishterë edhe sa ishte kardinal.
Përkthimi në gjuhën shqipe i mandatit nga viti 1458
Mandati i Skëndërbeut për Papën
Duke qenë se kohë më parë jemi njoftuar nga raporti i Martin Muzakës, këshilltarit dhe oratorit (zëdhënsit) tonë, të cilin, kohë më parë e kemi dërgue te shenjtëria dhe fortlumturija e Tij Hyjnore, papë Piu i II-të; që shenjtëria e Tij, papa ynë, duke u kujdesur për pozitën e fesë së krishterë, e cila është sulmuar nga fatkeqësia e njerzimit, tirani turk, Mehmeti (i II-të, m.a.) dhe bashkëluftarët e tij, armiq të emrit, i krishterë; duke dëshiruar që të ndihmoj me shërbimin e tij dhe t'iu vijë në ndihmë forcave të tija; ka paralajmëruar, ftuar dhe shtytur një numër të madhë të mbretërve të krishterë, që të ofrojnë shërbimet e tyre, për një vepër kaq të shenjtë dhe të dobishme; dhe se duhet bërë këtë nga obligimi dhe pranimi i dobive që kanë ndaj fesë së krishterë; ka ftuar shumë mbretër të krishterë që të bashkohen personalisht ose duke dërguar përfaqësues të tyre me autorizime të plotëfuqishme dhe zyrtare.
Ne, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, zot i Shqipërisë, si të krishterë të mirë, dëshirojmë të renditemi në mesin e atyre besimtarëve të krishterë, të përmendur, duke u treguar besnikë dhe shërbëtorë të denjë; emrojmë të lartëpërmendurin, Martin Muzakën, te i cili kemi besim të pakufishëm dhe kofidencë, për legalitetin e tij ndaj nesh, eksperiencën, ndershmërinë, zotësinë dhe përgaditjen e lartë intelektuale; pikërisht të njëjtin, Martin Muzakën, e vëmë, përcaktojmë dhe autorizojmë që sipas përmbajtjes së këtij mandati të jetë oratori (zëdhënësi) dhe përfaqësuesi ynë legjitim dhe legal; që në emër Tonin dhe për Ne të paraqitet pranë të lartëcekurit, shenjtërisë së Tij, papës tonë dhe para shumë të nderuarit Kolegj të Kardinalëve, në Kongregacionin e përmendur; dhe me mbretërit tjerë apo me oratorët (zëdhënësit) e tyre, aty, për të njëjtën problematikë (temë) ose për ndihmë fesë sonë të shenjtë, e cila në të shumtën varet nga ata; për nder dhe emër të Zotit, të debatojë, të bisedojë, të japë mendim, të shqyrtojë dhe të nxierr përfundime, që do të ishin në favor të një ndërmarrje të tillë ose të bënte çdo gjë që është e mundur, duke pohuar, sajuar, bashkuar, mbledhur ose konkluduar, për një veprim të tillë; në emër Tonin dhe për Ne, të marr obligime duke treguar atë që është për tu lavdëruar, lejuar dhe zbatuar; çka do të pranonin të gjithë të pranishmit, por edhe individualisht; dhe përsa ka të bëj me ne; ose sa do të kishte të bënte me ne, si dhe për personalitetin Tonë; me të mirat tona; tokën tonë; qytetet tona të fortifikuara; vendbanimet tona; kështjellat tona dhe në popullin tonë; besnikët tonë të armatosur, në njerzit tonë, pjesërisht apo në tërsi; për të mbrojtur fenë e krishterë dhe në dëm të armiqëve tonë të përmendur; siq do të vërehet edhe nga mandati ynë i hapur, të cilin e dërgojmë; dhe si mund të konkludohet, që ligjërisht obligohemi, që me vulën tonë, dhe me vulën e tij, me të cilën siguron për çdo premtim dhe obligim të bërë; duke u përgjigjur me çfardo shume të hollash, si dhe me të gjitha të mirat tjera, të çfardo natyre qofshin ato, nga të gjithë personat, kolegjet apo bashkësitë, duke mbështetur të përmendurin, shenjtërinë e Tij, zotin tonë, papën dhe Selinë e Shenjtë, shumë të nderuarin Kolegj të Kardinalëve nga Kongregacioni i përmendur, si dhe mbretërit, sundimtarët, dhe gjithë të tjerët, që me forcën e një marrëveshje, për të cilën edhe ne jemi shumë të interesuar, siç jemi deklaruar edhe më lartë; dhe të gjitha këto i bëjmë personalisht; pranojmë paqen, veprojmë dhe marrim nga të gjithë, pa dredhi, duke hequr çdo lloj dyshimi për mashtrim; ndërsa juve, të lartëpërmendurit, të gjithëve dhe secilin, ju vëjmë dhe emrojmë, duke dhënë fjalën e sundimtarit (mbretit); duke shprehur devotshmërinë, nderin dhe besnikërinë tonë; e konsiderojmë si të përhershëme dhe premtojmë: se të gjitha oblgimet tona do ti përmbushim. Duke ju siguruar ju se, veprimet e përmendura; obligimet; pa dredhi, të gjitha deri në një, për të cilat kemi dhënë fjalën, përmes oratorit (zëdhënësit) ose ambasadorit tonë Martin Muzakës, si të pohuara, shqyrtuara, paralajmëruara, debatuara dhe përfunduara, i pranojmë dhe obligohemi për to.
Dëshminë e të gjithë këtyre, e forcojmë, duke urdhëruar vulosjen me vulën tonë të zakonshme, të varur.
Lëshuar në Rodon, në vendin e Shën Mërisë, në prezencën e dëshmitarëve të ftuar dhe të lutur (nderuar); në prezencën e shumë të nderuarit në Krisht, atit dhe zotit Pal, me mëshirën hynjore, kryeipeshkv i Durrësit dhe i krahinës së Ilirikut; dhe të nderuarit atë, Pjetër Dukës, abat prothosengulator (i betuar) në Aleksandrin nga Moledina dhe shumë të nderuarit vëlla Bardh, prior i Kuvendit të Shkodrës nga Urdhëri i predikuesve (domenikanëve) dhe nuncit apostolik në Shqipëri, shumë të nderuarit zotit Raione Celnicho.
Në vitin e Krishtit, 1458, indikti i I-të, ditën e 28 të tetorit.
Noteri Grillis firmos botërisht mbretërinë shqiptare
Unë, Johannes Borcius de Grillis, prift i ipeshkvisë së Durrësit, notar publik me urdhër dhe autorizim të mbretit, firmos të gjitha këto dhe secilën; isha prezent, për këtë dhe i lutur; botërisht pohoj dhe firmos mandatin; por meqë isha i zënë me punë, kam urdhëruar që të tjerët ta shkruajnë; e unë e kam firmosur me shenjën time të zakonshme, të notarit publik dhe me emrin tim, së bashku me vulën varëse të të lartëpërmendurit dhe shumë të ndriturit zot Skenderbe, e kam forcuar besimin, me dëshminë e gjithë kësaj dhe secilës, që është përmendur më lartë.
__________________
s...._d._m... says: for nothing that happened this time...!!
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|