Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqërore > Historia > Historia e Shqipërisë dhe Shqipëtrëve mbas luftës së dytë botërore > Shumë pak shqiptarë kanë refuzuar bashkëpunimin me Sigurimin (hapja e dosjeve)
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër
Autori
Titulli Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
amoxil
I perjashtuar nga forumi

Regjistruar: 13/06/2004
Vendbanimi: •
Mesazhe: 3949

Shumë pak shqiptarë kanë refuzuar bashkëpunimin me Sigurimin (hapja e dosjeve)

Përse nuk duhet të hapen dosjet dhe çfarë pasojash do të kenë ato për Shqipërinë? Kush janë të rekrutuarit dhe sa është numri i tyre. Cila është baza mbi të cilën rekrutoheshin agjentët dhe cilët janë të privilegjuarit dhe të privuarit e kësaj "ushtrie spiunësh". Hollësi nga rekrutimi dhe pasojat e tij në shoqërinë shqiptare

Gjeneral Astrit Mehja

Që me lindjen e shtetit, është organizuar edhe shërbimi i fshehtë, i quajtur rrjet spiunazhi, agjenturor, informativ, inteligjent e gjithfarë emërtimesh sipas çdo vendi e shteti përkatës. Ndërsa tek ne është quajtur përgjithësisht rrjeti agjenturor, bashkëpuntorë, dhe së fundmi, informatorë të kategorive të ndryshme.

"Rrjet agjenturor" kanë organizuar brenda sistemit të Ministrisë së Punëve të Brendshme organet e Sigurimit të Shtetit (përfshi dhe ato të Sigurimit të ushtrisë) si dhe organet e policisë, kryesisht ato të policisë kriminale (që para vitit 1992 quheshin seksione apo degë të ndjekjes së krimeve.

Jo se them ndonjë gjë të re, por, sa për kujtesë duhet përmendur se ky rrjet shtrihej në të gjitha institucionet qendrore e vendore deri në vitin 1984, përjashtuar organet e Partisë Punës në qendër dhe në bazë, Presidiumi, Qeveria dhe në ministrrinë e Punëve të Brendshme (përjashtuar repartet e kufirit, gardës dhe të policisë në rang ushtari, nënoficeri e polici).

Në vitin 1984, pas goditjes se grupeve "armiqësore" të M. Shehut, K. Hazbiut, F. Shehut etj., në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte ëmëruar Hekuran Isai, nën drejtimin e të cilit u ripunua platforma e punës operative, që mesa mbaj mend, u miratua nga ish Byroja politike pak para vdekjes së E. Hoxhës. Ndryshimet ishin thelbësore, kryesisht duke ndaluar kategorikisht ndërtimin e punës agjenturore operative, tashmë jo vetëm në organet e Partisë Punës, por në të gjitha dikasteret dhe institucionet qendrore, përfshi dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, si dhe në organet e pushtetit vendor, deri në këshillat popullore dhe fshatrave, shkollat etj., (përjashtmar ministrinë e Mbrojtjes).

Kuptohet që veprimtaria e mëparshme e organeve të Sigurimit të Shtetit u konsiderua jo vetëm e gabuar, sektare, koçixoxizëm, rankoviçizëm e deri dhe armiqësore. Në shumë pak raste mbi bazën e ankesave dhe me iniciativën e H. Isait iu fal dënimi personave të arrestuar për agjitacion e propagandë, çka në raport me numrin shumë të madh të të dënuarve, ishte i papërfillshëm, pa efekte edhe propagandistike.

Por, deri në këtë periudhë, për hir të së vërtetës duhet thënë se ishin rekrutuar dhjetëra mijëra informatorë, një shifër galopante që, për arsye të sekretit nuk mund ta deklaroj.

Kush ishin ata që rekrutoheshin

Por natyrshëm lind pyetja, në cilat shtresa e institucione e organizoi me gjerësisht këtë rrjet? Në radhë të parë në radhët e elementëve armiq e keqbërës (ish monarkistë, ballistë, ish zyrtarë të regjimeve të mëparshme, tregtarët, kulakët, elementi antiparti që lindi nga disidenca e viteve të pasçlirimit, të burgosurve e internuarve, në radhët e forcave të armatosura (përjashtuar në mënyrë kategorike oficerët e sistemit të ministrisë Punëve të Brendshme).

Tërheqja në bashkëpunim apo rekrutimi bëhej përgjithësisht mbi baza "vullnetare" patriotike dhe me material shtrëngues (duke i vërtetuar dhe falur veprën penale të kryer). Për personat që për momentin e bisedimeve pranonin, i merrej një deklaratë me shkrimin e tij, duke i caktuar dhe pseudonimin e parrullë e kundërparrullë, i hapej dosje e kartela të ndryshme. Një burokraci e madhe, e mundimshme për të dy palët, edhe për zyrtarët, edhe për personin që i propozohej të bashkëpunonte. Ishte një moment shumë delikat saqë shpesh herë të krijoheshin dhe komplikacione të ndryshme, sepse personi nuk kishte ardhur vetë të bashkëpunonte, por ishte thirrur nëpërmjet disa kombinacioneve të fshehta dhe shumë të vështira.

Edhe unë kam bërë jo shumë, rreth 100 rekrutime në radhët e elementëve keqberës, por edhe të personave 'patriotë' siç thuhej rëndom për ata persona që nuk ishin nga radhët e kontigjenteve armiq e keqbërës. Fillimisht, shumica dërrmuese, jo vetëm mua, por pothuajse të gjithë agjenturistëve u ka ndodhur të mos pranohet bashkëpunimi, sepse u mungonte një dëshirë e tillë duke e konsideruar një veprim që i cenonte karakterin e dinjitetin personal e familjar. Mirëpo në kushtet e një regjimi të rreptë diktatotrial rreth 70 përqind e tyre pranonin, dhe nga këta një minimum aktivizoheshin dhe jepnin informacione rregullisht, ndërsa pjesa tjetër ose vinte në takim dhe s'jepte asgjë, ose jepte informacione të pavlera dhe dita-ditës shkëputeshin duke nxjerrë justifikime nga më të ndryshmet, deri sa përjashtoheshin nga rrjeti formalisht me dokumente se de fakto ata ishin vetëpërjashtuar, pavarësisht se kishin pranuar të nënshkruanin deklaratën, të mermin pseudonimin etj..

Shumë pak shqiptarë kanë refuzuar bashkëpunimin

Personat që refuzonin në mënyrë kategorike qysh në fillim të bisedave, realisht janë një numër i vogël, rreth 3000, për të cilët hapej kartela: "Personi që ka refuzuar të bashkëpunojë me organet e Sigurimit dhe të Policisë", - kartelë e cila ruhej dhe ndiqte personin sipas vendbanimit, deri sa vdiste. Kjo kartelë plotësohej që kuadro të tjerë agjenturistë, të mos merrnin mundimin për t'i propozuar herë tjetër. Persona që mburren duke thënë se unë në atë kohë kam qenë trim dhe s'kam pranuar të bashkëpunoj dhe është jashtë këtij fondi kartelash, nuk thotë të vërtetën, për të mos thënë që gënjen. Inaktiviteti i agjenturës ose mungesa e dëshirës së popullit për të bashkëpunuar me shërbimet e fshehta të asaj kohe, u bë i dukshëm në vitet '70, por ajo arriti kulmin në mesin e viteve '80 dhe këtë problem, si asnjëherë tjetër, e mori në dorë vetë Komiteti Qendror i Partisë Punës, ku krahas studimit dhe një analize të hollësishme, u përcaktuan detyra, sipas tyre, të rëndësishme, që do të çonin në efektivitetin e informatorëve. Për të qenë korrekt në ministri për ketë pati reagime nga kuadro të veçantë, duke e konsideruar si diçka të jashtëzakonshme dhe jo në përputhje të paktën me praktikën e deriatëhershme. Prapëseprapë veprimtaria, asokohe e quajtur armiqësore dhe ajo keqbërëse, po shtohej dhe informacioni po minimizohej. Kjo mungesë u zëvendësua me veprime të tjera të ashpra, jo ligjore që nga një drejtor në atë kohë, pavarësisht shumë gabimeve, i quajti masa drakoniane duke u deklaruar hapur se ishte kundër tyre dhe se i zbatonte jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij.

Si filloi të degradonte agjentura?

Në fundin e viteve '90 ndodhën ato ndryshime që tashmë i mbajmë mend të gjithë e situatat e krijuara, sidomos vendosja e pluralizmit politik, jo vetëm e gjeti të papërgatitur ministrinë e Brendshme, por e çorientoi jashtë mase. Kuptohet që, agjentura jo vetëm u tërhoq edhe më shumë, por shumica dërrmuese kërkonin që t'i asgjësohej dosja e materiale të tjera që komprometonin figurën e tyre dhe pak a shumë kjo u realizua. Me akte normative të ministrit u asgjësuan me dhjetëra mijëra dosje të informatorëve në ministri dhe në degët e Brendshme. Dhe deri këtu gjysma e të keqes, sepse ndoshta nga hutimi, apo edhe shkarkimi i shumë zyrtarëve të meparshëm, ngelën pa u djegur regjistrat dhe një nga llojet e kartelave ku ishin të evidencuar të gjithë personat që kishin pranuar të bashkëpunojnë, ku ndodhej krahas gjeneraliteteve, edhe pseudonimi e ndonjë hollësi tjetër profesionale. Për fat të keq, në këto lista janë edhe ata mijëra të quajtur informatorë apo agjentë dhe që s'kanë dhënë qoftë dhe një informacion e janë seleksionuar si inaktivë.

Ndryshimet që ndodhën pas 2 korrikut 1990 e në vazhdim dhe sidomos pas rrëzimit të sistemit komunist dhe vendosjes së pluralizmit, shkaktoi pështjellim të madh në rrjetin agjenturor, pati nga ata që vranë veten apo u vranë nga persona të dënuar, qindra e mijëra shkuan në shtete të ndryshme familjarisht, deri në Zelandën e largët dhe s'kanë për t'u kthyer ndonjëherë në Shqipëri. Megjithatë shumë ngelën se s'iu dha mundësia të largoheshin dhe një pjesë u përfshinë në proceset demokratike për përmbysjen e sistemit. Një diçka e tillë ishte llogjike, pasi për hir të ideve, bindjeve politike apo origjinës, ata, pavarësisht bashkëpunimit "vullnetar", ishin persekutuar, internuar, dëbuar e dënuar vetë ose pjesëtarë të familjes dhe farefisit e, padyshim e kishin ëndërruar e dëshiruar me kohë përmbysjen e diktaturës. Rrjedhimisht, ata si gjithë të tjerët u integruan në administratë, por dhe në sfera të larta të politikës, disa prej të cilëve u bënë deputetë, deri edhe ministra apo shefa të institucioneve të larta qendrore.

Komisionet për pastërtinë e figurës

Edhe pas marrjes se pushtetit nga Partia Demokratike, është bërë zhurmë e madhe për hapjen e dosjeve të informatorëve dhe sidomos për pastrimin e politikës dhe administratës prej tyre, për çka në vitin 1996 u bë një ligj për verifikimin e pastërtisë së figurës së një grup personave të caktuar, duke u krijuar një komision me z.Hajri Mezini ne krye. Por puna e këtij komisioini ishte e cekët, sipërfaqësore se s'kishte s'i bëhej ndryshe, pasi hapja e dosjeve për të gjithë politikën e administratën, për mendimin tim do të hapte probleme të mëdha.

Edhe tani pas 14 vjetësh demokracie, ridel në skenë problemi i hapjes së dosjeve, tashmë nga shkrimtari i madh Ismail Kadare, i mbështetur nga një tjetër shkrimtar dhe politikan Dritëro Agolli. Sipas shtypit del se edhe presidenti zoti Moisiu na qenka dakord për t'i hapur dosjet, sepse sipas shkrimtarëve tanë të shquar, të urtë dhe të mençur ata ish spiunë (siç thote i shquari Kadare) na e paskan pasur përgjegjësinë për burgosjen, ndjekjen apo persekutimin e shkrimtarëve dhe asnjëherë s'kam parë të flitet për dëshmitarët që kanë dalë hapur në gjyq kundër tyre, apo dhe për shkrimtarët apo artistët kamikaze të regjimit që me akt-ekspertimet e tyre artistike pohonin, vlerësonin apo argumentonin se veprimtaria e X shkrimtari, skenaristi, regjizori, piktori, skulptori, muzikanti etj., na qenkëshin jo në përputhje me vijën e politikën e partisë, të realizmit socialist, me pikëpamje borgjezo revizioniste, pra një krijimtari e bërë me dashje për të minuar dhe dobësuar pushtetin popullor (agjitacion e propagandë).

Ose ku qëndron ndryshimi i ish informatorëve në art nga qëndrimi denigrues disa herësh i plenumit të ish Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për dhjetëra shkrimtarë e artistë të shquar të vendit. Mbaj mend qëndrimin e turpshëm të këtij plenumi për novelën e shkrimtarit realist Koço Kosta në vitet '70 etj..

Pse jam kundër hapjes së dosjeve?

Unë personalisht pata fatin e keq të njihem me emrat e informatorëve edhe në radhët e shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë dhe duke pasur parasysh që regjimi i Hoxhës ishte regjimi më i egër, më brutali dhe më kriminali në Europë, ndihem i obliguar që të jap doemos mendimin tim për këtë problem kaq delikat duke u deklaruar kategorikisht kundër hapjes së dosjeve dhe publikimit të emrave të ish informatorëve.

Them se të nderuarit Kadare, apo edhe Agollit e ndonjë tjetri, mund t'ia kenë sugjeruar këtë për t'i futur në qorrsokak e për të cenuar sadopak dinjitetin e madhështinë e tyre si shkrimtarë dhe burra të mençur të kombit.

Gabim. Gabim i madh dhe me pasoja të pallogaritshme do të ishte ndërmarrja e një veprimi të tillë, jo vetëm për ish informatorët, por do t'i vihej një njollë e zezë historisë së letërsisë dhe artit shqiptar. Jo zoti Kadare, sepse prej tyre kemi shkrimtarë që na kanë dhënë romane, novela, poezi, drama të mrekullueshme, kemi piktorë e skulptorë të shquar, aktorë, skenaristë regjisorë brilantë që vazhdojnë të na mahnisin me artin e tyre, Une kam parë që me "ish"-ët është shoqëruar dhe i ka jo vetëm kolegë, por edhe miq vetë Kadareja, Agolli e të gjithë ne... Sepse ata pavarësisht "një gabimi të së kaluarës diktatoriale", janë njerëz e shqiptarë të mirë dhe me kontribute të mëdha që populli ua vlerëson dhe i admiron. Prandaj të mos kënaqemi me atë që unë do ta quaja një rast fatkeq të gjithsecilit prej tyre.

E, nëse propozimi i Kadarese mund të merrej në konsideratë, një ligj i tillë do të bëhej jo vetëm për shkrimtarët, por për të hapur dosjet e të gjitha shtresave. Dhëntë zoti të mos ndodhë, pasi për vetë specifikën që ka Shqipëria, kjo do të ishte një '97 e dytë dhe do ta kthente dhe 20 vjet prapa shoqërinë shqiptare, aq hallemadhe për momentin dhe që po përballet mbi të gjitha me një varfëri të tejskajshme.

Disa dosje apo regjistra aty janë, brezat e ardhshëm do t'i studiojnë, do të shkruajnë histori apo ndoshta edhe romane e skenare filmash me to.

Unë shpresoj ta takoj personalisht Kadarenë, të bisedoj dhe besoj se do ta bind që dosjet për nja 50 vjet a më shumë duhet të rrinë të konsevuara.



Shënim

Autori Astrit Mehja ka qenë ish zv.ministër i Rendit dhe drejtor i Përgjithshëm i Policisë.

__________________
Në faktin se jemi askushi dhe nuk kemi me të vërtetë kurrgja. Sa më pak kemi, aq ma tepër mundemi me dhan. Duket diçka e pabesushme, por kjo ashtë llogjika e dashunis.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 06 Shtator 2005 08:47
amoxil nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të amoxil Vizito faqen personale të amoxil't! Kërko mesazhe të tjera nga: amoxil Shto amoxil në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto amoxil në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
amoxil
I perjashtuar nga forumi

Regjistruar: 13/06/2004
Vendbanimi: •
Mesazhe: 3949

Dihen shkrimtarët e implikuar me Sigurimin e shtetit

Shkrimtarët Bardhyl Londo dhe Visar Zhiti flasin në lidhje me hapjen e dosjeve të shkrimitarëve dhe intelektualëve



"Hapja e dosjeve, sa do të shkaktonte dhimbje në planin individual dhe kolektiv, po kaq do të shkaktonte lehtësim", thotë Zhiti

"Do të jetë gjë e mirë hapja e dosjeve, sepse pas kësaj transparence do të dalin përgjegjësit e vërtetë të lidhjeve me sigurimin e shtetit, censurimin e botimeve etj", thotë Londo

Alida Beqiri

Kohët e fundit, po flitet gjithmonë e më shpesh për hapjen e dosjeve të shkrimitarëve dhe intelektualëve. Disa ndjejnë nevojën për të bërë transparencën për të gjithë veprimtarinë e shkrimtarëve gjatë regjimit komunist, nga lidhja me sigurimin e shtetit, deri tek censurimi i botimeve. Shkrimtari Ismail Kadare ka propozuar hapjen e dosjeve dhe e ka cilësuar këtë një lehtësim të ndërgjegjes. Më këtë fakt, janë ndeshur edhe popuj të tjerë edhe tani në kohët moderne. I pyetur mbi opinionin që ka në lidhje me hapjen e dosjeve, shkrimtari dhe politikani Bardhyl Londo përgjigjet: "Do të jetë më mirë të hapen dosjet, sepse për çdo gjë, transparenca është më e mirë se heshtja. Do të jetë gjë e mirë sepse pas kësaj transparence do të dalin përgjegjësit e vërtetë të lidhjeve me sigurimin e shtetit, censurimin e botimeve etj. Deri tani akuzat kanë rënë mbi një grup të tërë shkrimtarësh, ndërsa nëse hapen dosjet do të zbulohen ata që kanë abuzuar vertët. Dhe pak a shumë dihen ata që janë të përlyer".

Edhe shkrimtari Visar Zhiti pohon se ka patur shumë intelektualë që i kanë shërbyer me vullnet regjimit, intelektualë që kanë përdorur ideologjinë për të larë hesapet me rivalët e tyre në art. "Natyrisht, që do të ketë patur edhe idealistë, madje sot njihen sociologë modernë, të cilët sqarojnë se prapa zilive të njerëzve, sidomos atyre të artit e shkencës, qëndron ideologjia. Psh. në kohën e nazizimit thuhet që kolegët përdornin një ideologji naziste për të goditur Frojdin. Pra, edhe këtu tek ne ideologjia është përdorur për të larë hesapet mes njëri-tjetrit", thotë Zhiti.

Shkrimtarët mendojnë se hapja e dosjeve duhej të ishte bërë më parë, megjithatë, edhe tani nuk është vonë. "Duhet një rregull për hapjen e tyre dhe besoj se mënyra më e mirë të lihet në vullnetin e njerëzve. Pra, kush dëshiron që t'i hapet dosja nëse e ndjen veten se është njeri publik, do të ishte një nga normat më të bukura dhe më origjinale që ekziston. Nëse nuk do të kemi kurajën e nuk kërkojmë hapjen e dosjes, atëherë zbulohet se në njëfarë mënyre personi do ndjehej keq dhe do të kishte arsye", thotë Zhiti.

Një formë tjetër që propozojnë shkrimtarët është ajo e hartimit të një ligji, që të veprojë edhe mbi ata që kanë përdorur dhunë për të "rekrutuar" sa më shumë individë brenda klaneve të tyre. "Kur them të bëjmë kujdes, nuk e kam fjalën që të mos i dënojmë ata janë bërë spiunë (e thënë në mënyrë të ashpër), por është mëse e domosdoshme që të dalë edhe emri i atij që e ka kthyer personin në fjalë në një spiun. Këtu gjërat trajtohen së prapthi, u kërkohet llogari atyre që u thyen dhe abolutisht nuk kërkohen shpjegime për ata që kanë përdorur dhunë, kanë mashtruar e kanë kryer mizorira për të arritur qëllimin e tyre", vazhdon Zhiti.

Përsa i përket reagimit të intelektualëve nëse mësonin se kolegu i tyre ka qenë pjesë e sigurimit të shtetit, shkrimtarët mendojnë se sa do të shkaktonte dhimbje në planin individual dhe kolektiv, po kaq do të shkaktonte lehtësim, ashtu siç e ndjen trupin e tij një njeri pas heqjes së tumorit.

Intelektualët mendojnë se as politikanët nuk duhet t'u shpëtojnë hapjes së dosjeve, së pari krerët e partive, më pas drejtuesit e institucioneve politike dhe institucioneve ekzekutive. Sipas tyre, iniciativën për këtë duhet ta marrë opozita.

__________________
Në faktin se jemi askushi dhe nuk kemi me të vërtetë kurrgja. Sa më pak kemi, aq ma tepër mundemi me dhan. Duket diçka e pabesushme, por kjo ashtë llogjika e dashunis.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 06 Shtator 2005 08:50
amoxil nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të amoxil Vizito faqen personale të amoxil't! Kërko mesazhe të tjera nga: amoxil Shto amoxil në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto amoxil në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
amoxil
I perjashtuar nga forumi

Regjistruar: 13/06/2004
Vendbanimi: •
Mesazhe: 3949

Bezhani: Hapja e dosjeve shkakton kaos

“Nuk do të lejojmë të na drejtojnë të inkriminuarit”


Agim Baçi

Debati për dosjet është pa arsye dhe i padobishëm, sepse do të krijonte një kaos. Ish-kreu i Komisionit të Verifikimit të Figurave, Nafiz Bezhani, vazhdon të jetë i prerë në mendimin e tij, se hapja e dosjeve do të ishte një fenomen i papërballueshëm për shoqërinë shqiptare.

Por ai sugjeron gjetjen e rrugëve me më pak efekte sociale për të nxjerrë jashtë vendimarrjes së rëndësishme të gjithë ata persona që kanë bërë krime, duke qenë pjesëmarrës të drejtëpërdrejtë të lojës që ka kryer ish-Sigurimi i Shtetit. “Nuk ka moral të na drejtojnë ata që kanë kryer krime”, thotë Bezhani.

Si një mbështetës i drejtëpërdrejtë i iniciativës së dy deputetëve, Nard Ndoka e Alfred Cako, të cilët kanë përgatitur amendamente shtesë për ligjin aktual mbi të cilin funksionon Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive, Bezhani kërkon nga politika që t´i hapë rrugë sa më parë verfikimit të pastërtisë morale të deputetëve dhe drejtuesve të lartë shtetërorë, për t´i dhënë kështu mundësinë ngritjes së institucioneve të besueshme. “Në të gjithë botën, ata që zgjidhen apo emërohen në poste të rëndësishme kanë një biografi të plotë. Eshtë koha që edhe ne të dimë për të zgjedhurit apo zyrtarët e lartë se ç´figurë kanë, cila është e kaluara e tyre, si kanë arritur ta vënë pasurinë e, për më tepër, se sa të aftë janë ata për t´i shërbyer këtij kombi”, thotë Bezhani.

Ndërkohë, i bindur se ende për një kohë të gjatë hapja e dosjeve do të mbetet tabu për shoqërinë shqiptare, Nafiz Bezhani shpreh pesimizmin për gadishmërinë e politikës për të nxjerrë jashtë vendimarrjes “të pistët”.

Eshtë rihapur çështja e dosjeve. Si një njohës i mirë i këtij problemi, për shkak se keni drejtuar një komision të posaçëm për kontrollin e figurave, si po e shikon ju këtë çështje?
Këtë zhurmë po e ndjek si të gjithë, por të them të drejtën më duket krejt e pakohë. Unë jam shprehur dhe e them se është krejt e padobishme. Dosjet edhe për shumë kohë duhet të mos trazohen. Nuk është në interesin tonë. Unë mendoj se ata që kërkojnë hapjen e dosjeve më shumë i shërbejnë trazimit se sa qetësimit të situatës, i shërben një kaosi të ri. Kjo është një mënyrë që është përdorur për ata që nuk kanë qenë të interesuar për një gjykim në qetësi…

Pse jeni kaq prerë në kundërshtimin tuaj?
Sepse jam i sigurtë që do të kishte pasoja të rënda sociale. Ne nuk jemi të përgatitur ende për t´u ndeshur me të vërtetën e asaj që ka ndodhur. Madje, edhe në vende të tjera ish-komuniste, por që në krahasim me ne kanë qenë shumë më demokratike, dosjet nuk janë hapur pikërisht nga kjo frikë.

Mendoni se si do të reagonin njerëz të ndryshëm, nëse do të dinin se ç´ka shkruar i afërmi i tyre për ta?
Por, dy deputetë tashmë e kanë bërë gati propozimin për amendime në Ligjin për Verifikimin e Pasurisë, ku kërkohet përjashtimi i ish-sigurimsave nga parlamenti dhe zyrat kryesore të shtetit…

Shqetësimi i tyre e ka një bazë, sepse shteti nuk mund të drejtohet nga ata që kanë bërë krime. Këtu nuk është problemi vetëm për Kuvendin, por edhe për shumë zyrtarë që marrin vendime të rëndësishme për qytetarët. Unë jam mbështetës i kësaj iniciative. Por, unë mendoj se do të ishte e tepërt që të krijohej një komision i posaçëm, pasi një i tillë ka qenë dhe nuk është marrë shumë në konsideratë. Unë u kam rekomanduar dy deputetëve që të propozojnë amendamente shtesë në Ligjin për Verifikimin e Pasurisë, ku të saktësohet nëse një kandidat apo zyrtar ka qenë apo jo me ish-Sigurimin, si e ka vënë pasurinë, a ka patur ndonjë dënim penal. Pra, duhet një kontroll në tërësi i figurës.

Pse, komisioni që keni drejtuar ju nuk e ka patur këtë të drejtë?
Unë kam informuar institucionet për figurat që janë emëruar në postet që përfshin ligji për t´u verifikuar. Por në disa raste, edhe pse kam lajmëruar se dikush ka qenë bashkëpunëtor apo anëtar i ish-Sigurimit, sërish ai është emëruar në këtë post. Duke parë se komisioni që unë drejtoja nuk merrej gjithnjë parasysh, atëherë unë mendova se ky komision nuk ishte më i vlefshëm.

A keni kërkuar ju më shumë fuqi ligjore për zyrën që drejtonit?
Në vitin 1997, kur unë u zgjodha në Kuvendi për të drejtuar Zyrën e Verfikimit të Figurave, propozova menjëherë ndryshimin e ligjit. Unë kërkova që të verifikoheshin edhe deputetët, ndërkohë që kandidatët të këshilloheshin fillimisht për t´u tërhequr. E nëse kjo nuk do të ndodhte, atëherë ne duhej ta botonim materialin në dy gazeta, e më pas të vendoste elektorati. Por propozimi im u hodh poshtë në atë kohë nga Komisioni i Ligjeve. Pra, deputetët, në mënyrë të padrejtë, kërkuan të mbrojnë vetveten. Ndaj, në konslutimin me Cakon e Ndokën unë kam kërkuar që në amandament të propozohet që Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive të ketë kompetenca për vendimmarrje, ndërkohë që hetimi të kryhet qoftë për pastërtinë e figurës, qoftë për vërtetësinë e pasurisë nga grupe ekspertësh. Gjithashtu, duhet parashikuar edhe rehabilitimi për dhjetë vjet për të gjithë ata që kanë pasur një dënim penal nga gjykatat shqiptare apo të huaja.

Po pse kjo dëshirë për të pasur në Parlament apo institucione të inkriminuar?
Unë mendoj se ka pasur interesa personale për t´i patur nën presion disa zyrtarë apo deputetë. Drejtuesit e partive e dinë se cilët janë e përsëri i kanë mbajtur në poste apo i kanë kandiduar për në Kuvend. Kjo përbën edhe pjesën më të pamoralshme të gjithë këtij debati, pasi nën akuzë mund të jenë njerëz që kanë dosje, por për të cilët nuk ka asnjë provë se kanë bashkëpunuar.

Po presion ndaj ndonjë shtrese të veçantë a ka pasur?
Po! Dhe më tipike kjo trysni ka qenë mbi shtresën e ish-të persekutuarve. Eshtë e vërtetë që në mesin e ish-të dënuarve politikë ka pasur bashkëpunëtorë. Por, më parë se të hapen dosjet duhet të deklarohet se cilët prej tyre e kanë kryer këtë akt nga dhuna e përdorur, nga presionet e ndryshme. Pasi dihet se ish- Sigurimi ka përdorur metoda tepër të rafinuara e të dhunshme për të krijuar bashkëpunëtorë, sidomos në mesin e ish-të deklasuarve, siç konsideroheshin atëherë.

Pra, ju mendoni se duhen ndarë llojet e dosjeve?
Unë njoh disa persona që kanë qenë bashkëpunëtorë, por sot i shërbejnë me përkushtim vendit, janë njerëz që kanë bërë punë konkrete në shërbim të vendit. Ndërkohë, ka të tjerë që janë keqpërdorur në emër të dosjeve. Rasti i Ndre Legisit, aktualisht deputet, është një nga shembujt e keqpërdorimit të dosjeve. Ndaj, unë kërkoj t´i japim kohë shoqërisë për të qenë e përgatitur.

Po në vende të tjera, që kanë patur të njëjtat probleme si ne, si është proceduar me dosjet?
Unë kam qenë në shumicën e vendeve që kanë provuar diktaturën. P.sh., në Hungari ish-kryeministri Gjylehorn ka qenë ish-sigurims. Kur politika i kërkoi të largohej ai tha “jam i votuar”, ndaj dhe vazhdoi të mbante postin e kreut të qeverisë. Ndërkohë, në Rumani, ku Sigurimi i Çausheskut ka kryer krime të tmerrshme, ende nuk është hartuar ndonjë ligj i posaçëm për dosjet. Kështu edhe në Bullgari apo Maqeddoni, nuk ka ndodhur procedura e hapjes së dosjeve. Madje, edhe në ish- Gjermaninë Lindore ka pasur vetëm disa dënime për ata të cilët janë përfshirë në vrasjen e qytetarëve që janë përpjekur të kapërcejnë Murin e Berlinit, por të tjerët janë ende “në heshtje”.

Unë kam ndarë së bashku me krerët e parlamenteve të shumë prej këtyre vendeve se shoqëria ka nevojë të falë më shumë se sa të dënojë. Por nëse ndodh tani zbardhja e asaj që ka ndodhur në diktaturë, askush nuk garanton se do të kemi falje.

Pra ju mendoni se kërkesa e Ismail Kadaresë për hapjen e dosjeve të shkrimtarëve nuk është me vend?
Ismail Kadareja duhet të jetë i përmbajtur aq sa është edhe i madh. Aq më tepër, ai duhet të jetë tek të heshturit, sepse në diktaturë ka qenë shkrimtari më i mbrojtur nga Enver Hoxha. Atij i janë vënë në dispozicion Arkiva e Partisë, Arkiva e Shtetit, e të gjitha këto me urdhër të posaçëm të familjes Hoxha. Ndaj, mendoj se Kadareja nuk është objektiv në kërkesën e tij për hapjen e dosjeve.

Meqenëse e konsideroni të parakoshshme dhe trazuese hapjen e dosjeve, ju vetë mendoni se keni bërë ndonjë mëkat kur keni shkruar për “mëkatarët”?
Unë kam qenë shumë i kujdeshëm në librat që kam botuar. Unë kam në librat e mi njerëz që i kanë shërbyer dikur ish-Sigurimit, por që tani i shërbejnë kombit. Unë kam shmangur me kujdes çdo situatë që do të mund të keqkuptohej a keqpërdorej. Ata që kanë dashur ta kuptojnë mesazhin, e kanë pasur këtë të qartë në librat e mi.



Amandamentet që propozon Bezhani

Neni 1
Qëllimi i këtij ligji është kontrolli i pastërtisë së personit zyrtar, të emëruar apo të zgjedhur në funksione drejtuese të rëndësisë së veçantë, me qëllim të forcimit të organeve drejtuese të shtetit demokratik, nëpërmjet verifikimit të pastërtisë së figurës së tij për:

1. Gjendjen e tij pasurore dhe legjitimitetin e burimeve të saj
2. Pastërtine penale të tij, për të përcaktuar llojin e dënimit dhe afatet e parashikuara për riedukumin e tij
3. Vërtetimin e shtetësisë shqiptare për 10 vitet e fundit
4. Gjendjen shëndetësore të vërtetuar me kartelën përkatëse
5. Masa disiplinore nga shërbimi civil
6. Figurën morale, të shprehur në zbatimin me korrektësi të normave të pranuara nga shoqëria, siç janë ndershmëria, serioziteti, dinjiteti, personaliteti, karakteri, etj.
7. Ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit?

Neni 3
1. Mbartin detyrimin për deklarim në Inspektoriatin e Lartë të Kontrollit të Figurës së Personit Zyrtar:
2. Subjektet që përcaktohen nga titullarët e ministrive dhe të insttitucioneve qendrore sipas paragrafit 18 të këtij ligji, i nënshtrohen kontrollit të inspektoriatit të ulët, ku detyrimisht përfshihen:

Neni 4
1. Për kontrollin e pastërtisë pasurore, subjektet e përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji, detyrohen të deklarojnë në Inspektoriatin e Lartë dhe në inspektoriatet e ulta, brenda datës 31 mars të çdo viti, gjendjen e pasurive të tyre deri më 31 dhjetor të viti pasardhës si dhe burimet e krijimit të tyre dhe të detyrimeve financiare si më poshtë:
2. Së bashku me deklarimet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të paraqiten edhe dokumentacioni i parashikuar në pikën 2 të nenit 4. Për personat zyrtar të riemruar, ky dokumentacion duhet t‘i paraqitet insektoriatit përkatës 15 ditë para afatit të fillimit të punës.

Neni 5
3. Kur refuzimi bëhet nga persona të porsa emëruar, Inspektori i Përgjithshëm kërkon anulimin ose pezullimin e kontratës së punësimit. Vendimi i Inspektorit të Përgjithshëm mund të apelohet vetëm në organet gjyqësore

Neni 6
...të gjitha subjektet e përcaktuara në nein 3, që mbartin detyrimin për deklarim në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, detyrohen të deklarojnë të gjitha pasuritë e alumuluara, detyrimet financiare dhe burimet e tyre. Gjitashtu duhet të dorëzojnë dokumentacionin e parashikuar në nenin 4, pika 2.

Neni 8
E drejta për kontrollin e pasurisë dhe legjitimitetin e burimeve të saj, do të vazhdojë të kryhet mbi bazën e dispozitave të këtij ligji edhe për një periudhë pas dy vjetësh pas largimit nga funksioni. Ndërsa, Presidenti, Kryeministri, ministrat, deputetët, zv/ministrat, sekretarët e përgjithshëm, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të të gjitha niveleve të gjyqësorit, prokurorët, drejtorët e përgjithshëm të institucioneve qendrore, do ta kenë detyrim për një periudhë prej 4 vjetësh pas largimit nga funksioni.



Kadare, propozimi që pështjelloi “kutinë e Pandorës”

Hija e dosjeve u rishfaq menjëherë sapo shkrimtari Ismail Kadare iu drejtua nëpërmjet një letre Presidentit Moisiu për të kontribuar në hapjen e “letrave” për shkrimtarët spiunë. Iniciativa e tij ishte reagim i kërkesës që familjarët e dy poetëve të pushkatuar, Vilson Blloshmi e Genc Leka, i kërkonin për të zbardhur të vërtetën. Gjithashtu, shkrimtari i shquar shqiptar i kërkonte ndihmë Presidentit që t´i hapte rrugën ngritjes së përmendoreve për dy poetët, që janë të fundit anëtarë të letrave të dënuar me vendim ekstrem jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë ish vendet diktatoriale. Kërkesa e Kadaresë u përqafua nga Moisiu, por menjëherë gjithçka u kthye në furtunë. Deklarata e Moisiut për të ndërmarrë një iniciativë ligjore për këtë çështje u kundërshtua nga disa ish- anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, por edhe nga njerëz larg letërsisë, të cilët aktualisht u shfaqën protestues ndaj kësaj iniciative. Gjithsesi, ky debat, që është në kulmin e vet tashmë ka përfshirë një pjesë të mirë të medias dhe analistëve. Një pjesë e debatuesve shprehet se hapja e dosjeve në këto momente jo vetëm që nuk do t´i shërbente situatës, por edhe do të keqpërdorej për të krijuar një dilemë edhe më të madhe në shoqërinë e trazuar shqiptare. Ndërkohë, edhe pse nuk është bërë asnjë hap zyrtar për hapjen e dosjeve, nëpër mediat e përditshme kanë nisur të dalin emrat e parë, që gjithsesi më shumë i kanë hedhur akuza reciproke njëri-tjetrit se sa kanë sqaruar atë që ka ndodhur me shkrimtarët gjatë vite të ekzistencës së Lidhjes.



Kryemëkatarët
Lidhja, aty ku sipunët ishin profesionistë

“Unë e pranoj, se në materialet që kam shfletuar kam hasur shumë shkrimtarë apo edhe gazetarë si bashkëpunëtorë të sigurimit. Por hapja e një sektori të veçantë nuk ka kuptim”. Kështu shprehet Nafiz Bezhani lidhur me atë që ka ndodhur me “farkëtuesit e fjalës” gjatë diktaturës. Sipas Bezhanit, kërkuesit e hapjes së dosjeve për këtë sektor nuk janë objektivë dhe se me këtë kërkesë mund t´i sjellin një trazim të ri situatës shqiptare, për shkak se edhe arsyet nuk janë të mjaftueshme. “Lidhja e Shkrimtarëve ka patur ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit më profesionistë”, tha Bezhani, duke kërkuar nga debatuesit e këtij procesi më shumë durim dhe më shumë gjakftohtësi. “Unë mendoj se nuk është saktësuar ende qëllimi. Pa u pjekur qëllimi unë mendoj se mungojnë argumentet që kjo çështje të nisë”, thotë Bezhani, por pa përcaktuar kohën kur kjo procedurë është mirë të nisë.

I vëmendshëm ndaj gjithë debatit të deritanishëm, Bezhani parapëlqen të perifrazojë shkrimtarin dhe analistin Fatos Lubonjën, i cili në një analizë të botuar në një të përditshme, e shikonte këtë proces si “përpjekje për të kërkuar gjurmët kur ujku është përballë”. Sipas tij, si shkrimtar, por edhe si ish- i dënuar politik, Fatos Lubonja ka bërë një nga shpjegimet që i jep të drejtë logjikës së tij se, për një hap të tillë mungojnë arsyet e vërteta dhe qëllimëmira. “Shkrimtari dhe ish-i dënuari politik Lubonja mendoj se ka bërë në mënyrë të qartë pasthënien e këtij romani tragjiko-komik. Ai thekson se hapja e dosjeve do të ishte trazim dhe unë e mbështes këtë mendim kaq të pjekur”, thotë Bezhani, duke mos harruar të përsërisë se, pas këtyre kërkesave, mund të fshihet edhe një dëshirë për ta riparë të trazuar shoqërinë shqiptare, ashtu siç ka ndodhur në shumë momente delikate të këtij kombi.



“Larg përgjegjësive zyrtarët që kanë lënë shtetësinë”

Ish-kreu i Komisionit të Verifikimit të Pastërisë së Figurave ka shprehur shqetësimin e tij për praninë në administratën e lartë shqiptare apo edhe në Kuvend të shumë njerëzve që nuk kanë më në pasaportë shtetësinë shqiptare. “Në kontrollin aktual të figurave të larta shtetërore ka disa shkelje, por unë mendoj se është tepër e dhimbshme që vazhdohet të caktohen në poste të larta njerëz që nuk kanë shtetësinë shqiptare, për shkak të marrjes gjatë këtyre viteve të një shtetësie të huaj”, tha dje për “Panorama” Nafiz Bezhani. Sipas tij, nuk ka precedentë të vendeve të tjera që të zgjidhen deputetë apo të emërohen zyrtarë individë që nuk e kanë më shtetësinë e vendit të cilit i shërbejnë. “Përgjegjësinë për fatet e vendit e mbajnë shtetasit e tij, ndaj është i pamoralshëm emërimi në disa poste i personave që e kanë lënë këtë shtetësi”, tha Bezhani. Ai përmed rastin e disa zyrtarëve të lartë, zëvendësministra, që nuk kanë as shtetësinë e as familjen në Shqipëri, por që zyrtarisht kanë në dorë për të formosur dokumente të rëndësishme për jetën e shqiptarëve. “Unë nuk e kuptoj se çfarë përgjegjësie maksimale mund t´i kërkosh këtyre personave”, tha Bezhani, duke propozuar që edhe për këtë shtresë të ketë ndryshim në ligjin që kontrollon figurat e larta zyrtare.

__________________
Në faktin se jemi askushi dhe nuk kemi me të vërtetë kurrgja. Sa më pak kemi, aq ma tepër mundemi me dhan. Duket diçka e pabesushme, por kjo ashtë llogjika e dashunis.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 06 Shtator 2005 08:52
amoxil nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të amoxil Vizito faqen personale të amoxil't! Kërko mesazhe të tjera nga: amoxil Shto amoxil në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto amoxil në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
WOLF_CUB
Pure Instinct

Regjistruar: 09/03/2006
Vendbanimi: Alpe
Mesazhe: 289

Amoxil

Bezhani tashme ka vdekur por beri sikur harroi dhe ne 1998 nu i rezultio qe burri i mbeses (Tomorr Ymeraj) ish sigurims i deklaruar u emerua drejtor i shikur te Vlore nga ku disa vjet me vone u largua me kallzim te Italianeve te misionit per bashkepunimme dekonsiracion te trafikantet. Shume veteve ka bere sikur nuk ja ka pare dosjet Bezhani....

__________________
"Teach me half the gladness, That thy brain must know, Such harmonious madness, From my lips would flow..." (Shelley)

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 18 Mars 2006 04:33
WOLF_CUB nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të WOLF_CUB Kërko mesazhe të tjera nga: WOLF_CUB Shto WOLF_CUB në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto WOLF_CUB në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
AIR-FORCE-ONE
deri ne vdekje politike

Regjistruar: 02/02/2004
Vendbanimi: U.S.WASHINGTON
Mesazhe: 663

Djalin ma vranë njerëzit e Drejtorisë së Dytë të Sigurimit të Shtetit"
VEPROR HASANI
01/10/2007 Historia e vdekjes enigmatike në Greqi, të njeriut që rrëzoi bustin e Enver Hoxhës në Korçë

Tashmë bashkëshortët Namik dhe Pranvera Larti nga fshati Bulgarec i rrethit të Korçës janë të mjaft të moshuar. Kanë 16 vjet që nuk e kanë parë djalin e tyre, Saimir Lartin, ndërsa nuk do të kenë mundësi ta shohin kurrë. Ai u vra në 17 shtator të vitit 1991 nga njerëzit e ish-Sigurimit të Shtetit. Ende nuk janë gjetur autorët e kësaj vrasje, të cilët janë akuzuar edhe për vrasjet e 2 prillit 1991 në Shkodër. Nuk është çudi që të njëjtët njerëz të kenë vrarë dhe Shkëlqim Agollin, drejtuesin e SHIK-ut në rrethin e Vlorës gjatë vitit 1997.

Pas 16 vjetësh, kujton e tregon për gazetën "Metropol", rrethanat e vrasjes së Saimir Lartit dhe arsyet se përse njerëzit e sigurimit u hakmorën me 21 vjeçarin, babai i Saimirit, Namik Larti, tashmë 66 vjeç...

Lajmi i tmerrit

"Isha në punë kur mora vesh se diçka e rëndë kishte ndodhur në familjen time. Nuk e dija konkretisht se çfarë, por gjithsesi lajmi më përshkoi gjithë trupin. Dikush më tha se kisha gruan në gjendje të rëndë shëndetësore. Lash punën dhe u nisa për në shtëpi. Gjithçka po më dukej e çuditshme. Në mëngjes, kur isha nisur për në punë, gjithë njerëzit e familjes i kisha lënë mirë. Ç’të kishte ndodhur vallë? Kur mbërrita në fshatin tim, në Bulgarec ishte ora 19.30 e mbrëmjes, vura re se pranë shtëpisë time kishte shumë njerëz. Të qarat dhe vajtimet dëgjoheshin që shumë larg. 'Ndoshta ime shoqe ka vdekur', mendova dhe përsëri një rrëqethje e dhimbshme më pushtoi gjithë trupin", nis rrëfimin e tij Namik Larti.

"Jeta jonë kishte pasur shumë halle. Që nga dita që në pushtet kishin ardhur komunistët, kurrë nuk kishim pasur një ditë të gëzuar. Internimet dhe arrestimet nuk kishin të sosur. Për ata gjithnjë kishim qenë kulakë dhe asgjë më shumë. U afrova tek oborri. Një pjesë e njerëzve deshi të mblidhte veten dhe të sillej sikur nuk kishte ndodhur asgjë, ndërsa gratë dhe vajzat ia dhanë kujës. 'Çfarë ka ndodhur pyeta?'. Zëri më dridhej, ndërsa gjunjët i kisha të prerë. Kisha ndjesinë se shpirti nuk do më mbante më. Dikush nxitoi të më thoshte sërish se kisha gruan të sëmur. U përpoqa të mbaja veten. Prisja ta gjeja të vdekur, të shtrirë në mes të dhomës", tregon më tej Namiku.

"Kur hyra brenda, pashë time shoqe, Pranverën që vajtonte dhe ulërinte. Ishte e mbuluar në lot dhe shkulte flokët. Të njëjtën gjë po bënte dhe ime bijë, Mirela, që në atë kohë ishte 24 vjeç. Vështrova nga im bir Drini, por edhe ai i kishte të mbushur sytë me lot. Në shtëpi nuk ndodhej vetëm djali i madh, Saimiri. Ai kishte shkuar në Greqi si emigrant, por me atë kisha folur dy –tre ditë më parë dhe më kishte thënë se ishte mirë me punë dhe shëndet. Atëherë çfarë kishte ndodhur në familjen time?! Në shtëpi gjeta dhe time motër Ruhien, e cila tashmë nuk jeton më, por edhe ajo nuk ishte në gjendje të më shpjegonte asgjë. Të vetmet fjalë që dëgjoja prej saj, ishin, 'Ç’na gjeti o vëlla, ç’na gjeti'. U desh të kalonte një çast i shkurtër, kur vëllezërit dhe burrat e fshatit më hoqën mënjanë dhe më thanë të mblidhja veten dhe të bëhesha burrë. Gjithkujt mund t’i ndodhnin fatkeqësi të tilla. Dëgjoja i trembur dhe i tmerruar dhe prisja se çfarë lajmi të zi do të më thoshin. Dhe lajmi i tmerrit erdhi. 'Djali yt, Saimiri, ka vdekur në Greqi'", kujton e tregon mes mallëngjimit Namik Larti.

"Në shpirtin tim u shkëput diçka e madhe, nuk isha i zoti ta mbaja veten. Kisha duruar me mijëra halle në jetën time, por atë çast nuk e desha më jetën. 'Kush të vrau o bir…?'. Kam përshtypjen se në të njëjtën mënyrë e qanin edhe gratë që prisnin t’u vinte arkivoli nga Greqia...".

Pse kishte vdekur djali

"Lajmi i vdekjes kishte vrapuar dhe kishte hyrë në shtëpinë time, ndërsa arkivoli qëndronte ende atje, në një lagje periferike të Athinës, në Iraklis. Nuk doja të besoja asgjë. Si mund ta besoja vdekjen e tim biri?! Unë vetëm dy-tre ditë më parë kisha folur në telefon me të dhe Saimiri më kishte thënë se ishte mirë. Si mund të kishte vdekur kështu, kaq pa pritur?! Ai ishte djalë i gjallë dhe i shëndetshëm. Nuk kishte vuajtur kurrë nga ndonjë sëmundje. 'Mos e keni marrë vesh gabim?', pyeta me një shpresë të venitur, duke shpresuar se dikush nga ata që ndodheshin aty do të më thoshte, 'Po, Namik, t’i ke të drejtë, lajmi nuk do të jetë i saktë'. Pyeta dhe ngula vështrimin tim te të gjithë. Por askush nuk foli. Djali im kishte vdekur. Gratë dhe vajzat qanin me kuje ndërsa burrat i kishin sytë të mbushur me lot. Përpiqeshin të mbanin veten, por nuk mundeshin", vijon rrëfimin e tij tragjik Namiku.

"Saimiri ishte vetëm 21 vjeç. Për vdekjen e Saimirit, pronarja greke e Saimirit, Katerina, kishte vënë në dijeni Ambasadën Shqiptare në Athinë dhe kjo e fundit kishte njoftuar Ministrinë e Jashtme në Tiranë. Lajmi i vdekjes së djalit tim kishte mbërritur në Këshillin Ekzekutiv të rrethit dhe që andej në shtëpinë time. Lajmi kishte mbërritur zyrtarisht, ndaj askush nuk shpresonte që Saimiri të ishte gjallë", tregon babai i Saimirit.

Saimir Larti

"Gratë qanin në Bulgarec të Korçës, ndërsa djali qëndronte i vdekur në Iraklis të Athinës. Thuhej se arkivoli do të vinte të nesërmen. Kishim 4 muaj pa parë fytyrën e tij. Na kishte marrë malli. Tani nuk do të kishim mundësi të dëgjonim as zërin e tij. Atë çast më kujtoheshin vetëm bisedat që kisha pasur me atë në telefon. Gjithnjë më thoshte, 'Baba jam mirë, mos kini merak për mua'. Kështu i thoshte edhe nënës, Pranverës, motrës, Mirelës, dhe të vëllait, Drinit, por ne gjithnjë kishim merak. Ime shoqe, Pranvera, që nga dita që Saimiri iku në Greqi nuk fjeti dot asnjë natë. 'Kam frikë për Saimirin', më thoshte gjithnjë ajo, njerëzit e Sigurimit do ta gjejnë edhe atje", vazhdon rrëfimin e tij Namik Larti.

"Djali ynë u nis për në Greqi në të gdhirë të 28 majit të vitit 1991. Kapërceu kufirin në Kapshticë të Devollit, bashkë me disa shokë të tjerë dhe hynë në tokën greke. Nuk mund të qëndronte në fshatin Bulgarec. Ai kishte qenë një nga pjesëmarrësit e rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha në Korçë. Më kujtohet si sot ajo ditë. Ishte 20 shkurti i vitit 1991. Ndodhesha në shtëpi kur dëgjova në edicionin e lajmeve, se në Korçë ishte rrëzuar monumenti i diktatorit Enver Hoxha. U ndjeva i ngazëllyer. 'E rrëzuan monumentin e diktatorit', i thashë gruas dhe dola jashtë për të marrë vesh nëse këtë gjë e kishin marrë vësh edhe të tjerët. Befas u kujtova se atje, në Korçë do të ishte dhe djali im, Saimiri. Që nga dita kur në skenë kishte dalë studentët e dhjetorit, Saimiri ishte i pranishëm në çdo lëvizje demokratike. Kishte qenë në Korçë dhe në 30 dhjetor të vitit 1990, kur kishte ardhur dhe Sali Berisha për krijimin e degës së Partisë Demokratike. Kishte qenë edhe nismëtar i krijimit të seksionit të PD në Bulgarec, së bashku me Ali Agollin, Tomor Zotbejasin, Arben Malon etj. Lajmin e rrëzimit të monumentit e kishin marrë vesh të gjithë. Më treguan se, gjatë rrëzimit të monumentit ishin plagosur shumë të rinj. Policia kishte tentuar disa herë t’i zmbrapste, por turma nuk tërhiqej. Nuk dihet se çdo të ndodhë më pas, po më thoshin bashkëfshatarët. Thuhet se do të arrestohen gjithë ata që ishin në ballë të turmës, është hapur fjala se Sigurimi i Shtetit i ka filmuar të gjitha. Madje thuhet se pas mesnatë do të fillojnë arrestimet. Që të gjitha këto më bënë të nisesha për në Korçë. Desha të dija se çfarë po ndodhte me djalin tim, Saimirin", kujton për parandjenjat e këqija babai i Saimirit, Namiku.

Policia kishte plagosur djemtë

"Kur mbërrita në Korçë, shkova drejt e në shtëpinë e vëllait tim Seitit. Më të hyrë brenda vura re që Saimri ishte aty, së bashku me kushëririn e tij Oliver Lartin. Im bir ishte pak më mirë, por Oliveri, ishte i gjakosur. Kishte plagë në të gjithë trupin. 'U përballëm me policinë më treguan ata të dy, pati shumë të plagosur. Policia qëllonte me armë dhe godiste me të gjitha mjetet, por ishte e pamundur që të na ndalonte. I hodhëm kavon prej çeliku në qafë dhe pas kësaj e rrëzuam shtatoren famëkeqe. E tërhoqëm zvarrë nëpër rrugët e Korçës. 'Ishte një festë e madhe, baba', tha, Saimiri. Dëgjoja dhe gëzohesha, por tashmë kisha frikën e djemve. 'Thuhet se në mesnatë do të fillojnë arrestimet', u thashë të dy djemve, Saimirit dhe Oliverit, por ata nuk donin ta besonin. 'Tashmë komunizmi u shemb, askush nuk do të guxojë të na bëjë keq', po më shpjegonin ata", tregon për bisedën e passhembjes së bustit të diktatorit, Namik Larti.

Por ato që thuheshin kishin qenë të vërteta. Pas mesnatës nisën arrestimet. Njerëzit e sigurimit trokisnin portë më portë dhe arrestonin të gjithë ata që i kishin hedhur kavon në fyt diktatorit. I merrnin zvarrë i rrihnin dhe i torturonin. Nëpër rrugë dëgjoheshin të shtëna armësh. Për këtë arsye, atë natë qëndruam aty. Të nesërmen unë dhe vëllai im, Seiti i fshehëm të dy djemtë në një vend të sigurt".

Vullnetarët e Enverit

"Ishte gdhirë 21 shkurti i vitit 1991. Njerëzit e sigurimit ishin tërbuar. Rrëzimi i monumentit ishte rrëzimi i tyre. Në fshatin Bulgarec ishin mbledhur mjaft komunistë. Po krijoheshin shoqatat e vullnetarëve të Enverit. Kalonin nëpër rrugët e fshatit dhe bërtisnin, 'Parti- Enver, jemi gati kurdoherë'. 'E duam Enverin'. 'Enveri është i gjallë'. 'Saimir kulakun në litar', 'Saimir kulakun në litar'. 'Nuk i varëm atëherë, por do t’i varim tani'. 'Në litar të gjithë kulakët'. Situata ishte tepër e vështirë. Vullnetarët e Enverit ishin shfaqur gjithandej edhe nëpër rrugët e Korçës. Me portretin e tij, hidhnin në çdo çast parulla. Një grua bërtiste, 'Japim edhe nderin, por nuk japim Enverin'. Një lukuni të çmendurish dhe spiunësh vërtiteshin nga të gjitha anët", kujton më tej Namik Larti.

"Dola nga shtëpia dhe shkova në punë. Më të mbërritur në Maliq, (atëkohë por dhe gjithë jetën kam punuar si minator në gurore), Sekretari i partisë më tha, 'Yt bir na ka nxirë faqen të gjithëve. Ai së bashku me të tjerët, kanë rrëzuar monumentin e udhëheqësit tonë të dashur Enver Hoxha. Për këtë arsye, tha sekretari i Partisë, ne kërkojmë nga ty, Namik, të marrësh portretin e Enver Hoxhës dhe bashkë me të tjerët ta ngresh lart, atje ku ka qenë monumenti i Enverit. Kjo do të ketë një domethënie të madhe. Vërtet e rrëzoi i biri, por e ngriti i ati. Do të jesh i nderuar Namik. Shembullin tënd do të ndjekin të gjithë'. Ai mori portretin dhe ma afroi te dora. U zmbrapsa një hap. 'Të lutem, mos ma afro atë portret', i thashë. 'Ai njeri, mua nuk më ka dashur për 50 vjet me radhë, ndaj edhe unë nuk e kam dashur kurrë. Të lutem ma hiq atë portret se nuk e duroj dot'. Pas kësaj dola nga zyra, ndërsa jashtë dëgjoja ulërimat e lukunisë së çmendur që thërriste, 'Japim edhe nderin, por nuk japim Enverin'. Tashmë isha i sigurt se njerëzit e Sigurimit do të hakmerreshin ndaj nesh. Të gjitha këto më vinin ndërmend kur dëgjoja gratë që qanin në shtëpinë time dhe thoshin, 'Të vranë o Saimir, të vranë o bir'", vijon tregimin Namik Larti.

Në ato ditë të pasrrëzimit të shtatores, për disa ditë me radhë u vendosëm nën kërcënime, por më pas gjendja u qetësua. Vendosëm që Saimirin ta dërgonim në Greqi, me qëllim që të ishte sa më larg njerëzve të sigurimit. Që nga dita e shembjes së monumentit spiunët ishin në kërkim të djemve tanë.

Saimiri në Athinë

"Gruaja ime qante duke kujtuar ditën që e kishim përcjellë për në Greqi. 'Të thash o bir të ruhesh nga vrasësit', ishte zëri i saj. Siç thashë pak më parë, djali u nis në të gdhirë, të 28 majit. Kaloi kufirin dhe pastaj udhëtoi drejt Athinës. Ne rrinim me gjak të ngrirë. Prisnin një haber prej tij. Kaluan mjaft ditë, kur ai na mori në telefon dhe na tha se kishte mbërritur në Athinë. Kishte filluar punë si kamerier në një lokal në lagjen 'Iraklis' të kryeqytetit. Tha gjithashtu se pronarët i kishte të mirë. U gëzuam pa masë. Tashmë ai kishte shkuar shumë larg nga syri i njerëzve të ish-sigurimit, por ishim gabuar. Ata të gjenin në çdo cep të botës që të ishe. E porositëm të na merrte vazhdimisht në telefon dhe ai e mbajti fjalën. Na telefononte shpesh. Kur mori lekët e para, na i dërgoj në shtëpi. Më pas na dërgoi edhe një magnetofon. Përpiqej të na ndihmonte se në të vërtetë ishim shumë të varfër. Gjithçka kalonte mire. Edhe dy-tre ditë, para se të merrja vesh lajmin e vdekjes së djalit, kisha folur në telefon me të", tregon Namik Larti.

"Por tashmë ai nuk ishte më i gjallë. Si ishte e mundur vallë?!. E kishin vrarë…? Por deri atë çast askush nuk kishte thënë se në trupin e Saimirit ishin gjetur shenjë plumbash apo thike. Por edhe vdekja natyrale ishte e pabesueshme. Ai nuk kishte vuajtur kurrë nga ndonjë sëmundje. Të gjitha këto i mendoja ato çaste, kur njerëzit që vinin për të më ngushëlluar më pyesnin, se si kishte ndodhur vdekja e djalit, por unë nuk kisha asnjë përgjigje. Nuk dija asgjë", tregon më tej për orët e pritjes së trupit pa jetë të djalit të tij, Namiku.

"Djali na erdhi në arkivol ditën e nesërme. E nxora nga arkivoli dhe e kontrollova në të gjithë trupin. Nuk kishte asnjë shenjë. Vërtet kishte vdekur Saimir Larti?".

Nis zbardhja e misterit

"Edhe pse kishin kaluar disa ditë nga ceremonia e varrimit, gjendja në familje ishte mjaft e rënduar. Ime shoqe, Pranvera, vajza Mirela dhe djali im i vogël, Drini që në atë kohë ishte vetëm 14 vjeç po përjetonin ditë të vështira. Në të njëjtën gjendje ishin dhe gjithë të afërmit tanë. Askush nuk besonte që djali ynë të kishte vdekur. Atë e kishin vrarë, por si, në ç’mënyrë? Ne nuk kishim asnjë shpjegim. Shpirtrat tanë nuk po gjenin dot qetësi, ashtu siç nuk kanë gjetur as edhe sot e kësaj dite. 40 ditë pas vdekjes së djalit nisa të hetoja. Mora në telefon pronaren greke të djalit, Katerinën, e cila e njihte mirë edhe gjuhën shqipe. Ajo dinte diçka, por jo shumë. Vdekja e djalit kishte qenë tepër misterioze. Në lokalin e Katerinës, ku Saimiri punonte si kamerier, kishin hyrë dy veta. Ishin të rinj. Pa pretenduar për moshën e tyre të saktë, Katerina tha se duhej të ishin rreth të 30-ve. Dy njerëzit që hynë në lokal flisnin shqip. Që në momentin e parë u përpoqën të hiqeshin si patriotë. Për Saimirin ata dy persona misterioze ishin të panjohur. Saimir nuk kishte më shumë se 4 muaj në Athinë dhe njohjet e tij ishin të pakta. Veç kësaj, ai nuk largohej kurrë nga lokali, me përjashtim të rasteve të rralla kur takohej me të afërmit e tij nga Bulgareci. Në sjelljen e dy të rinjve kishte diçka të rreme, veçanërisht përpjekja për tu hequr si patriotë. Aty u njohën me Saimirin. 'Unë di shqip, tha Katerina dhe dëgjoja gjithçka flisnin ata, por më pas u ulën në një nga tavolinat e lokalit. Për sa kohë, ata dy njerëz qëndruan aty, ndoqa çdo lëvizje të tyre. Nuk e di pse pata përshtypjen se ata të dy nuk ishin njerëz të mirë. Gjatë kohës që qëndruan të tre bashkë, njëri prej dy të ardhurve, nxori paketën dhe i zgjati një cigare Saimirit, ky i fundit e mori dhe e ndezi. Doja t’i thosha Saimirit që të mos e pinte atë cigare, por atë çast nuk mundesha. Të gjitha këto ia thashë më vonë, duke e porositur të mos merrte asgjë nga njerëz që nuk i njihte. Pas këmbimit të cigareve, dy njerëzit e panjohur u larguan nga lokali. Nuk vonoi shumë, tha Katerina dhe Saimiri po ndihej keq. Pati një marrje mëndësh, pak më vonë i shpërtheu një hemorragji që nuk kishte të ndalur. Ra nga tavolina. Dukej qartë se diçka kishte ndodhur me të. E mora dhe e çova me urgjencë në spital. Pas ndihmës mjekësore që mori aty, Saimiri nisi të ndihej më mirë. Nuk deshi të qëndronte më në spital. U kthye përsëri në lokal, por edhe të nesërmen dukej mjaft i lodhur. Megjithatë nuk mund të them se u ankua, sepse nuk ishte njeri që ankohej. Pas dy-tre ditëve ai vdiq. Nuk e di si ndodhi, ai punoi deri në mbrëmje, pastaj shkoi në dhomën e tij, e cila është brenda lokalit ku punonte dhe u shtri për të fjetur. Vetëm në mëngjes vura re se ai nuk po delte në punë. Shkova e shqetësuar në dhomën e tij, por atje gjeta një trup pa jetë. Saimiri kishte vdekur. Nuk jam e sigurt të them se në çfarë ore ka ndodhur kjo. Fill pas kësaj vura në dijeni një të afërm të Simirit, Arben Malon që punonte në Athinë , por ndërkohë lajmërova dhe Ambasadën Shqiptare në Greqi. Nuk mund të bëja dot më shumë, dhe çfarë mund të bëja?'. Kjo ishte historia e treguar nga Katerina", kujton rrëfimin e pronares së djalit Namik Larti. "Arkivolin e tim biri e solli Arben Malo, i cili është i afërmi ynë së bashku më dy të tjerë. Arbeni tha se Saimiri duhej të kishte vdekur pas mesnate, pasi ai e kishte marrë në telefon në orën 00.00 të natës dhe Saimiri i kishte thënë se ndihej mirë dhe nuk kishte asnjë shqetësim. Gjithsesi djali ynë kishte pasur një vdekje tepër misterioze. Malo bashkë më të tjerët kishin shkuar dhe në Ambasadën Shqiptare në Athinë për të kërkuar ndihmë në transportin e trupit pa jetë të Saimirit, por ambasadori u ishte përgjigjur prerë. 'Hidheni ku të doni, ne nuk kemi asnjë përgjegjësi për të. Ai ishte emigrant i paligjshëm'. Të gjitha këto dhimbjen e papërballueshme na i bënin edhe më të madhe", shprehet jo pa zemërim Namik Larti.

Vrasësit e Saimir Lartit

"Gjithsesi nuk mund të hiqja dorë nga gjetja e të vërtetës për vdekjen e djalit. Fillimisht iu drejtova Ministrisë së Jashtme, ku m’u desh të shkoja disa herë me radhë në pritje të një përgjigjeje. Kur kishte kaluar mjaft kohë mora përgjigjen se 'Saimir Larti ishte vrarë nga njerëz të Drejtorisë së dytë të Sigurimit të Shtetit. Ky grup, më thanë, ka vrarë dhe martirët e 2 prillit në Shkodër. Saimir Larti është vrarë për motive politike'. Të njëjtën përgjigje mora edhe më vonë nga të gjitha institucionet ku u drejtova për të kërkuar ndihmë në zbardhjen e vrasjes së djalit. Më premtuan se do t’i kapnin autorët e vrasjes së djalit tim, por kjo deri më sot nuk ka ndodhur. Tashmë kanë kaluar shumë kohë, por unë di se në atë grup vrasësish ka pasur njerëz edhe nga rrethi i Korçës. Nuk është çudi që nga të njëjtët njerëz të jetë vrarë edhe Shkëlqim Agolli, drejtuesi i SHIK-ut në Vlorë gjatë trazirave të vitit 1997, i cili u gjet i vrarë në rrethana tepër misterioze në Greqi. Gjithsesi ende kam shpresa se autorët e vrasjes do të dalin para drejtësisë. Në përvjetorin e 5 të rrëzimit të monumentit të diktatorit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha e dekoroi tim bir me medaljen 'Martir i Demokracisë'. Tashmë këshilli i Qarkut Korçë ka hënë miratimin për shpalljen e Simir Lartit, 'Dëshmor i Atdheut'. Megjithatë çdo ditë pres të dëgjoj emrat e vrasëse të djalit tim", shprehet Namik Larti.

Historia e familjes Larti

Familja patriotike, që u persekutua historikisht nga regjimi

Zanafilla e familjes ;arti, vjen nga fshati Kolanec i rrethit Korçë. Më pas katër vëllezërit, Ismaili, Avdyli, Pashoja dhe Ahmeti, që në atë kohë mbanin mbiemrin Bazelli u vendosën në fshatin Maliq. Që të gjithë ishin patriotë. Një pjesë e tyre do të shpërnguleshin në fshatin Bulgarec, me mbiemrin Larti, duke theksuar kështu origjinën e tyre.

Ismaili njihet si nismëtar i hapes së shkollave shqipe, në krahinën e Gorës ndërsa Pashoja, por edhe Ismailin kishin luftuar kundër osmanllinjëve, kundër grekëve në vitin 1916. Ai ishte bashkëluftëtar i Themsistokli Gërmenjit dhe miku i tij.

Fetah dhe Ibrahim Kodra, të afërm të familjes Larti, ishin korrierë të Themistokli Gërmenjit nga Korça në Vlorë.

Deri para pushtimit nga Italia, Pashoja kishte qenë oficer i ushtrisë shqiptare. Së bashku me djemtë e të vëllait të tij Ahmetit iu desh të luftonte kundër pushtimit Italian. Që nga viti 1939 ai u vu në krye të çetës nacionaliste të Gorës. Nuk pranoi kurrë të bashkëpunonte me komunistët. Kjo gjë iu kërkua edhe në vitin 1943, por ai përsëri nuk pranoi. Me krijimin e Ballit Kombëtar, Pashoja bashkohet me Baba Zylfon dhe Sabri Panaritin, duke krijuar kështu çetën e tij. E arrestuan në vitin 1945, ku e torturuan mizorisht në birucat e sigurimit. E dënuan me vdekje. Kur po e çonin në “Tebojë” të Korçës, para skuadrës së pushkatimit, pak më tej Varreve të Francezëve ai u thirri të afërmeve të tij që po e ndiqnin nga larg, 'Mos pini kafe për mua por nxirrni sheqerka, sepse shumë shpejt do të vijë dita që komunizmi do të përmbyset'.

Bashkë me Pashon u dënua edhe nipi i tij Asim Bazelli. Të njëjtin fat do të kishte edhe nipi tjetër Karafil Larti, gjyshi i Saimir Lartit. U dënua sepse u kishte thënë partizanëve se tashmë që vendi ishte çliruar, Shqipëria duhej të mbështetje tek Anglo-Amerikanët.

Më pas u arrestua, Petrit Bazelli, Skënder Nevruz Malo, i cili u çmend në burg dhe përfundimisht e çuan në psikiatrinë e Elbasanit po kaq tragjike qe edhe jeta e Skënder Malos, njeri i këtij fisi, i cili desh të arratisej nga reparti ushtarak 2200 (repart i punës së detyruar) në Dushk të Lushnjës, por më të mbërritur në fshatin Rajcë shumë afër me Qafën e Thanës e kapën. Nga torturat dhe vuajtjet u çmend. Petrit Bazelli u arrestua krejt pa pritur në vitin 1980 dhe u dënua me 10 vjet burg, për agjitacion dhe propagandë.

Kur u krijuan kooperativat, njerëzve të fisit Larti (Bazelli) u thanë, ju do të futeni në kooperativë, por nuk jeni si njerëzit e tjerë, sepse ju jeni kulakë. Ju nuk keni të drejtë as të zgjidhin dhe as të zgjidheni. Të gjitha këto do të merrnin fund vetëm pa shembjes së regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.

__________________
"Një burrë mund t?i japë dinjitet rangut të tij, por asnjë
rang s?mund t?ia shtojë dinjitetin një burri ? "

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 01 Tetor 2007 15:05
AIR-FORCE-ONE nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të AIR-FORCE-ONE Kliko këtu për të kontaktuar me AIR-FORCE-ONE (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale të AIR-FORCE-ONE't! Kërko mesazhe të tjera nga: AIR-FORCE-ONE Shto AIR-FORCE-ONE në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto AIR-FORCE-ONE në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 03:48 Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër

Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqërore > Historia > Historia e Shqipërisë dhe Shqipëtrëve mbas luftës së dytë botërore > Shumë pak shqiptarë kanë refuzuar bashkëpunimin me Sigurimin (hapja e dosjeve)

Përgatit Këtë Faqe Për Printim | Dërgoje Me Email | Abonohu Në Këtë Temë

Vlerëso këtë temë:

Mundësitë e Nën-Forumit:
Nuk mund të hapni tema
Nuk mund ti përgjigjeni temave
Nuk mund të bashkangjisni file
Nuk mund të modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko për tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.