edzaloshnja
Anetar i regjistruar
Regjistruar: 30/09/2003
Vendbanimi: SHBA
Mesazhe: 83
|
Selami – një mungesë në polifoto
“Mund të jesh sot ministër e deputet, mund të kesh edhe mbështetjen reale të 30-40% të anëtarësisë, e prapëseprapë, një ditë të bukur, mund ta shohësh veten të dëbuar nga partia.”
Eduard Zaloshnja
(Botuar ne te perjavshmen ABC - www.abc.com.al )
Mbrëmje e ftohtë e shkurtit 1997. Ime shoqe dhe unë sapo kemi mbaruar darkën dhe kemi filluar të diskutojmë për situatën e turbullt në Shqipëri. Përveç shqetësimit qytetar për ç’po ndodh në mëmëdhe, kemi edhe shqetësimin personal për jetën tonë të ardhme familjare. A duhet t’i qëndrojmë vendimit tonë për t’u kthyer në Tiranë sapo të mbarojmë studimet (të cilat i përfundojmë së afërmi), apo duhet të fillojmë nga ngritja e një kasolle të re këtu në Amerikë? Kjo është pyetja që na mundon. Instikti primordial i sigurimit të një foleje të sigurtë për çilimijtë lufton brenda nesh me një tjetër shumë më kompleks, të krijuar vonë tek njeriu – atë të të ndjerit qënie shoqërore. Sepse për ne, është goxha e vështirë ta fillojmë jetën rishtazi në dhe’ të huaj. Këtu na mungon rrethi familjar, na mungon rrethi shoqëror, e mbi të gjitha, na mungon kultura në të cilën jemi lindur e rritur, dhe pjesë e së cilës kaq shumë e ndjejmë veten. Pas diskutimesh të gjata, me dhimbje, vendosim t’i anullojmë planet tona për rikthimin në Tiranë dhe fillojmë të thurim planet se si do ta ndërtojmë jetën në Amerikë. Pikërisht në këto momente, bie zilja e telefonit.
- Hello, this is Eduard.
- Edhe unë Eduardi jam, por e kam mbiemrin Selami.
- Oh, Edi ti qënke? Si dukesh? Ç’rastësi! Sapo e përmenda emrin tënd ndër të tjerë emra politikanësh. Po diskutonim me Kelën për situatën në Shqipëri.
- Edhe unë për të diskutuar rreth situatës në Shqipëri po ta bëj këtë telefonatë. Kam ndërmend të nisem këto ditë për në Tiranë. Kam biseduar me disa miq të rëndësishëm në Uashington për të gjetur një zgjidhje politike për krizën shqiptare. Siç po rrjedhin ngjarjet atje, gjasat janë të mëdha që rotacioni i pushtetit të kryhet me dhunë. Dhe ky do të ishte një precedent që do t’i kushtonte shtrenjtë si shtetit shqiptar, ashtu dhe interesave mbarëshqiptare në Ballkan. Kam mbështetjen e plotë të zyrtarëve amerikanë në nivelet më të larta të diplomacisë, por më duhet edhe mbështetja e atyre shqiptarve që, si ti, po mbarojnë ose kanë mbaruar studimet në universitete perëndimore. E djathta mund ta sigurojë ndoshta përkrahjen e Perëndimit, por vetëm në qoftë se është në gjendje të paraqesë një ekip të ri qeverisës. Sepse me qeverinë aktuale, ajo i ka ditët të numëruara. Dhe pyetja ime është në se ti do të ktheheshe në Tiranë e të bëheshe pjesë e projektit tim politik, në rast se ai do të kishte sukses.
- Kela dhe unë sapo morrëm vendimin që të ngulemi përfundimisht diku në zonën metropolitane të Uashingtonit. Por në qoftë se projekti yt do të realizohej, do të shmangej katrahura që pritet, e që na bëri të merrnim vendimin që morrëm. Me pak fjalë, përgjigja ime është: “Shënomë edhe mua”.
Pas disa ditësh, Eduard Selami më merr përsëri në telefon. “Sapo u ktheva nga Tirana,” më thotë. “Berisha nuk pranoi të takohej. Nga ç’pashë e ç’dëgjova në Tiranë, më duket se ndërrimi i pushteti me dhunë është tashmë i pashmangshëm. Paçi fat me jetën tuaj të re në Uashington!”
Fast Forward: Shtator 2000
Darkë në shtëpinë e William Ryerson-it, ish-ambasadorit amerikan në Tiranë. Rreth tryezës, përveç të zotëve të shtëpisë, është familja e Eduard Selamit, familja ime, dhe dy zyrtarë amerikanë me familjet e tyre. Biseda rrotullohet rreth Shqipërisë, Kosovës, e Maqedonisë. Ndër të tjera, zyrtarët amerikanë tregojnë detaje interesante nga negociatat e tyre të vështira me Milosheviçin. Herë pas here, hedhin ndonjë kunj për arrogancën që Berisha tregoi me ta në vitin 1997. Dhe papritmas, njëri prej tyre thotë: “Por edhe Nano është një skuth të cilit nuk mund t’i besohet shumë.” Fjalën skuth e thotë në shqip. Ne shqiptarët që jemi në tavolinë qeshim kur dëgjojmë një amerikan ta thotë në shqip këtë fjalë.
Pa mbaruar e qeshura jonë, zyrtari vazhdon: “Në fakt, një e djathtë që do të kishte kandidat për kryeministër ty, zt. Selami, e për udhëheqës politik Berishën, ndoshta do të ishte më e pranueshme nga populli shqiptar se e majta e kontrolluar nga Nano. Dhe ndoshta ajo do të ishte më e pranueshme edhe për aleatët perëndimorë të Shqipërisë.” Më tej, gjysëm me shaka e gjysëm seriozisht, ai përmend emra të ndryshëm politikanësh të djathtë shqiptarë, të cilët mund të jenë kandidatë të denjë për “Kabinetin Selami”.
Fast Forward: Janar 2001
Sapo kam lexuar lajmin se Berisha ka mbërritur në Nju Jork. Gjatë muajve paraardhës i kam dërguar atij disa mesazhe private rreth mundësisë së zbatimit të modelit që zyrtari amerikan kishte sugjeruar për të djathtën shqiptare në darkën e ambasadorit Ryerson. Dhe jam kurioz të marr vesh në se ka kontaktuar gjë me Eduard Selamin, i cili jeton tani në Virginia Beach. Kur e pyes këtë të fundit në telefon, më thotë se një ftesë për të marrë pjesë në një darkë të komunitetit shqiptaro-amerikan me Berishën i ka ardhur, por jo drejtpërdrejt nga ai. “Ç’ke ndërmend të bësh,” e pyes. “Po të më kishte ftuar për t’u ulur shtruar, e për të diskutuar rreth vizioneve të secilit për të ardhmen e Shqipërisë, do të kishte kuptim. Por që të shkoj në një darkë thjesht për të bërë një foto që do të botohet me bujë në gazetat e djathta të Tiranës, mendoj se nuk ia vlen.”
Fast Forward: Qershor 2002
Jam duke parë një ndeshje beisbolli. Bie telefoni. Është Eduard Selami. “Nga zhurma në sfond, e kuptoj që po sheh sport në televizor,” më thotë. “Po deshe mund të të marr në telefon pak më vonë” “Jo, jo, vazhdo,” i përgjigjem. “Nuk e kemi këtu më atë pasionin që kishim për sportin kur ishim në Shqipëri.” Pasi pyesim njëri-tjetrin për shëndetin, punën, e familjen, ai më tregon se si i kishte telefonuar Berishës për ta uruar për zgjidhjen e krizës presidenciale me konsensus. Është hera e parë pas 7 vjetësh që ai flet me Berishën. Më së fundi, ura e parë e komunikimit të drejtpërdrejtë midis tyre është vendosur.
Fast Forward: Korrik 2003
Gazeta “Tema” njofton se PD-ja i ka ofruar Eduard Selamit kandidaturën për bashkinë e Tiranës dhe se ai nuk e ka pranuar “për arsye familjare”. I shtyrë nga kurioziteti për të mësuar arsyen e vërtetë të refuzimit, mezi pres sa të flas me të në telefon. Dhe se ç’fshihet pas “arsyeve familjare”, e mësoj vetëm kur ai kthehet nga puna.
Sqarimi i Selamit është i shkurtër. Me pak pak fjalë, ai mund të përmblidhet në fjalinë: “Tre muaj nuk mjaftojnë për të përgatitur një fitore ndaj Ramës – për të, duhen të paktën 12 muaj përgatitje”. Duke e njohur nga afër, nuk kam nevojë për sqarime më të hollësishme. Pas disa kortezive të rastit, e mbyllim bisedën.
Më pas, kujtoj 12 muajt që përmendi Selami dhe gjëja e parë që më shkon në mendje është se ai, po ta kishte patur atë kohë në dispozicion, do të kishte filluar që herët kontaktet me të njohurit e tij në Departamentin e Shtetit, Kongresin Amerikan, Bankën Botërore, dhe Parlamentin Europian. Këtë parapërgatitje, argumentoj me vete, do ta bënte që të siguronte mbështetjen ndërkombëtare për dy iniciativa të rëndësishme: kalimin në vartësi të bashkisë të ujësjellsit, ndërmarrjes elektrike e shkollave lokale, dhe rritjen e ndjeshme të investimeve në këta sektorë. Dhe vetëm pasi të kishte marrë garanci të plota për mbështetjen e këtyre iniciativave nga aleatët perëndimorë, konkludoj në mendjen time, ai do të kishte dalë në fushatë me premtimin se administrata e tij do të siguronte 24 orë ujë në ditë, se do të ndërtonte shkolla të reja, dhe se do të përmirsonte ndjeshëm furnizimin e Tiranës me energji elektrike.
Një gjë tjetër që më shkon ndërmend kur kujtoj 12 muajt që përmendi Selami, është se ai, po ta kishte patur atë kohë në dispozicion, do të kishte filluar që herët ndërtimin e një shtabi elektoral profesional. Dhe shtabi i tij, përfytyroj, do të kishte vendosur një balancë të arsyeshme midis elementëve spektakolarë të fushatës dhe elementëve të tjerë po aq të rëndësishëm për fitoren, siç janë përzgjedhja dhe trajnimi i kujdesshëm i komisionerëve e vëzhguesve të zgjedhjeve. Sepse ata, në kushtet kur në valle nuk futet policia dhe SHISH-i, mund të garantojnë eliminimin e manipulimeve me listat zgjedhore dhe rezultatet e zgjedhjeve.
Fast Forward: Gusht 2004
Pas dështimit të përpjekjeve të mija për të siguruar nëpërmjet disa zyrtarëve amerikanë një ftesë për Berishën në Konventën Republikane që do të mbahet së afërmi në Nju Jork, shpresa e fundit për realizimin e saj mbetet një mik i Eduard Selamit në Shtëpinë e Bardhë. Miku i tij ka thënë se, në qoftë se ftesa bëhet, do të kushtëzohet me realizimin e një takimi zyrtar Berisha-Selami, në të cilin duhet të diskutohen modalitetet e një pakti të mundshëm midis tyre. Vonë në darkë, Selami më merr në telefon dhe më njofton se ftesa për Berishën nuk është siguruar dot. “Por nuk duhet mërzitur nga kjo gjë,” më thotë ai. “Në qoftë se Berisha e dëshiron një pakt bashkpunimi me mua për të mirën e Shqipërisë dhe jo të Salisë, nuk është nevoja të kërkohen artifice si kjo puna e ftesës së Konventës Republikane”
Fast Forward: Shkurt 2005
Jam i zhytur në ndërtimin e një modeli ekonomik për të vlersuar efektin e aksidenteve në punë për ekoniminë amerikane. Papritur bie zilja e telefonit. E dalloj që numri i njeriut që po më telefonon është një numër shqiptar. Mendoj se do të jetë ndonjë i afërm a shok i im. Por jam gabim. Eshtë në fakt një njeri shumë i afërt me Berishën. “Doktori dëshiron të flasë me Eduard Selamin,” më thotë ai, dhe pastaj thekson me zë pak si intim se po më telefonon nga zyra e kreut të demokratëve. “A e ke numrin e punës së të tij, sepse provuam të flisnim në shtëpi e në celular por nuk na dilte” Numrin e punës së Selamit e jap me një ndjenjë gëzimi. Ndoshta, mendoj, Berisha ka vendosur më së fundi të ulet shtruar me të për diskutuar modalitetet e kthimit të ish-kryetarit të PD-së në partinë që ata bashkë-themeluan 14 vjet më parë.
Por gëzimi nuk më zgjat shumë. Disa minuta më vonë, i nxitur nga kureshtja që po më gërryen, marr Selamin në telefon dhe e pyes për bisedën me Berishën. “Nga ftesa që më bëri,” më sqaron ai, “kuptohej se Berisha ishte më se i sigurtë për fitoren, dhe vajtjen time e konsideronte thjesht si një plotësim të polifotos së qeverisë së ardhëshme me një anëtar më tepër nga të rikthyerit. Për këtë arsye, i kërkova që të bisedojmë shtruar kur të vazhdojë vizitën e tij amerikane, të ndërprerë përgjysëm nga vdekja e së vjehrrës.”
Fast Forward: Fillim i prillit 2005
Në shtëpinë time, kanë ardhur për darkë Eduard Selami dhe dy zyrtarë amerikanë. Biseda është përqëndruar kryesisht tek ftesa e Berishës. Meqë ky i fundit nuk duket se ka ndërmend ta vazhdojë vizitën amerikane që la përgjysëm në muajin shkurt, diskutimet e përjashtojnë mundësinë e ndonjë takimi zyrtar Berisha-Selami në ditët që kanë mbetur deri në Kuvendin e PD-së.
Një nga zyrtarët amerikanë dhe unë jemi të mendimit se elektorati shqiptar është i ndarë më dysh midis së majtës e së djathtës, dhe se kthimi i Selamit përkrah Berishës, edhe pse në një rol dytësor, mund të ndikojë që të lëkundurit të anojnë nga e djathta. Që do të thotë se fitorja mund të shkojë tek kjo e fundit, falë edhe kontributit të tij Që më tej, do të thotë se pesha politike e tij në qeverinë e ardhëshme do të jetë e ndjeshme.
Vetë Selami (si edhe zyrtari tjetër amerikan) është i mendimit se e djathta ka gjasa të mëdha të fitojë edhe pa të, dhe se kthimi i tij nuk do t’i shërbente as së djathtës e as Shqipërisë. Sipas tij, qënia ministër i jashtëm në qeverinë Berisha (presupozimi bazë i diskutimit është se atij do t’i ofrohet pikërisht ky post), nuk do të kishte vlerë për vetë faktin se Berisha do ta përqëndronte formulimin dhe zbatimin e politikës së jashtme kryesisht në duart e veta, e si rezultat, ministrit nuk do t’i mbetej të bënte tjetër veç mbikqyrjes burokratike të dikasterit. Selami thotë se kthimi i tij do të kishte kuptim vetëm në qoftë se do të ishte krijuar hapësirë në PD që ai, në krye të një fraksioni të legalizuar, të konkuronte për postin e kryetarit sipas parimit “një anëtar, një votë”. “Sepse një gjë duhet të keni parasysh,” argumenton ai. “Ti mund të jesh sot ministër e deputet, mund të kesh edhe mbështetjen reale të 30-40% të anëtarësisë, e prapëseprapë, një ditë të bukur, mund ta shohësh veten të dëbuar nga partia.”
Në fund të darkës lihet që, para se të marrë një vendim përfundimtar, Selami të diskutojë edhe me dy miq të tjerë të tij në administratën amerikane. Disa ditë më vonë ai më merr në telefon dhe më njofton se ka vendosur përfundimisht të mos i përgjigjet ftesës së Berishës.
Fast Forward: Sot
Pasi kam shkruar sa më sipër, i dërgoj një e-mail Eduard Selamit me tekstin e plotë të shkrimit. Më pas, e marr në telefon dhe e pyes për saktësinë e citimeve të drejtpërdrejta që kam bërë në të. Pasi bëj disa saktësime të vogla që më sugjeron ai, jam gati për të klikuar ikonën “Save” dhe për të tymosur një cigare në verandë.
__________________
Mos i bej te tjereve ate qe nuk deshiron ta bejne te tjeret ty!
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|