tolstoy86
Anëtar Aktiv

Regjistruar: 10/04/2006
Vendbanimi: tirane
Mesazhe: 362
|
Më i zellshëm se Papa? (Letër për rektorin e Durrësit)
Fatos Baxhaku
Në radhë të parë kërkoj ndjesë të thellë. U kërkoj ndjesë lexuesve, sepse për herë të parë, dhe uroj për herë të fundit, të flas në emrin tim personal. Çdo organ shtypi, cilido qoftë ai, në daç në shtyp të shkruar, në daç në median televizive a radiofonike, nuk krijohet thjesht nga një person e që nga kjo buron vetiu ideja që, të shprehësh idetë personale duhet të kesh pak fat a një grup njerëzish në krah që e respektojnë mendimin tënd. Kështu më ka ndodhur dhe mua e andaj po flas. Të gjitha janë një shumë e personave që venë nga një tullë në të. Të gjitha janë vektorë përfaqësonjës të një shoqërie, që rreket të modernizohet duke u luhatur në ecë e jaket e saj mes Lindjes dhe Perëndimit. Mbas shumë e shumë vjetësh, më duket se mbas dy dekadash, mbasi kam folur e kam diskutuar me shumë kolegë të mi, klerikë, mësonjës, gazetarë apo jo, njerëz të thjeshtë, me ferexhe apo jo, besimtarë fanatikë apo ateistë po aq këmbëngulës, mbasi kam kuptuar se sa po e kuptojmë ne si popull këtë historinë e lojës me fenë, m‘u duk detyrë qytetare, jo aq sa detyrë gazetareske, që të them edhe unë dy llafe.
Historia jonë e lidhjeve me fetë nis shumë herët. Historianë të vendit e të tjerë janë rrekur të thonë diçka pa thënë asnjë herë se përse ne jemi një pullë e veçantë. Përse, ndryshe nga të tjerët fqinjë tanë, nuk kemi arritur të kemi një fe që të na bashkonte si një komb dhe më pas të kishim një shtet tonin? Nuk është as vendi dhe as koha për të hyrë në stërhollime të gjata historiko-filozofike. Ajo që ne hasim përditë në rrugët e në sheshet tona është një përpjekje e një shoqërie për të gjetur një gur identifikimi dhe që më pas shndërrohet në një mjet propagande nga shumë anë. Me pak fjalë, feja te ne ka qenë, duam apo nuk duam ne, një faktor interesi vetjak imediat sesa një forcë e madhe besimi e ngulitur ndër breza. Të gjitha këto i thashë sa që të arrini të kuptoni se ku po jetojmë. Më kanë thënë se keni mbaruar një "master" shumë të suksesshëm. Juve besoj ua kanë thënë dhe andaj duhet ta dini: Jo çdo gjë që ndodh andej pari është një model që duhet imituar përmendësh. Janë histori të ndryshme, janë kombe të ndryshme, janë fe të ndryshme. Janë - dhe kjo ka më shumë rëndësi se çdo gjë - qëndrime të ndryshme ndaj fesë.
Të më falni i nderuar rektor, por në të gjitha rastet, ku ju keni vendosur na është dukur se, ose jeni nisur thjesht nga lajmet e CNN, ose jeni një vazhdim i "masteroidëve" të brumosur mirë, por që në Shqipëri dhe në realitetin e saj e kanë të vështirë të jetojnë e të orientohen. Nuk është e njëjta gjë që të ndalohet ferexheja si në Francë - ndonëse edhe këtu eksperimenti nuk dha edhe aq shumë rezultate përveç zjarreve që përfshinë periferinë e Parisit - dhe historive tona të posaçme. Aq më tepër që ju keni marrë përsipër të jeni rektori i njërit prej universiteteve më të rëndësishëm të Shqipërisë. Sikurse të kishit hyrë disi më thellë në historinë e qytetit ku ju punoni, do të kishit marrë vesh se Durrësi është një qytet që jetën e tij të gjatë ia bashkëngjit bashkëjetesës mes feve. Të ishte ndryshe i dashur rektor nuk do të kishim më Durrës, do të kishim vetëm një fshat anës detit dhe aq. Porse ja që Durrësi është qyteti më i rëndësishëm i Shqipërisë pas kryeqytetit. Atëherë si ndodhi kjo? A e keni vrarë ndonjëherë mendjen? Perëndia të na falë, porse më duket se duke u marrë me gjëra anësore, sikurse janë një studente me ferexhe dhe një student me mjekër, keni harruar më kryesoren. Dhe më kryesorja është që juve iu ka rënë fati i madh që ta ktheni këtë qytet nga vendi që del në lajme sa herë ka ndonjë vrasje apo ndonjë kapje trafikantësh në vendin që ka qenë dikur, një vend i begatë ku lulëzonte arti, dija, piktura, muzika, arkitektura.
Të më ndjeni, unë si njeri që e njeh Durrësin prej kohësh, jam gëzuar kur u dha lajmi se edhe ky qytet u bë me universitet. Porse, sapo u gëzova edhe u trishtova kur për herë të parë pashë ambientet e universitetit dhe për më tepër u trishtova kur në vend që të merreshim me programet e me të ardhmen e studentëve dhe me të tjera punë si këto u morëm me shaminë e një vashe apo me mjekrën e një djali. I dashur rektor, të më ndjeni, edhe unë kam qenë pedagog në UT, edhe unë i kam vuajtur njësoj si ju këto që po hiqni. Unë e kuptoj fare mirë se çfarë ndjeni në kësi rastesh. Vetëm se nuk mund t‘i privoni lirinë askujt, pa bërë më parë një rregullore të bërë publike që më parë. Nëse nuk e keni bërë një gjë të tillë, atëherë keni bërë gabim dhe të madh fort bile. Madje, ndokush do ta kujtonte edhe si kurth. Ne - të gjithë bashkë duke nisur nga ministri Pollo - kemi thënë se shkolla është laike dhe e të gjithëve. Pastaj, pasi kemi parë studentët kemi thënë: "Ah, jo kështu, kështu nuk shkon sepse nuk dua unë". E para, kjo është një liri e mohuar në një vend demokratik sikurse rreket të jetë ky i yni. E dyta, është një thelb një pabesi o një gjë e ngjashme me të. Sepse askund nuk është shkruar që në universitetet tona nuk lejohet shamia dhe aq më pak mjekra. Nëse ju nuk e dini akoma atëherë po ua them unë. Shamia nuk është simbol absolut mysliman. Le që dhe po të ishte ç‘të keqe do të kishte xhanëm, po nejse… Nëse shikoni lart e poshtë nëpër Mesdhe, atëherë do të vinit re se të gjitha besimtaret - bëhet fjalë për ato të vërtetat - e mbajnë në kokë shaminë, qofshin këto myslimane apo të krishtera si shenjë e vendit ku ato u falen Perëndisë sipas mënyrës së tyre. Le të kalojmë te mjekra që ju e paskeni dënuar, ose keni ndërmend ta dënoni. Që ta dini ju, autori i këtyre radhëve, që mban një palë mustaqe jo edhe aq të lidhura me fenë, por edhe ministri juaj aktual e kanë vuajtur vetë në kurriz këtë mungesë demokracie në kohën që ishin studentë. Tani nuk kemi më parti që të tërheqin veshin se përse vesh xhinse, apo përse mban balluket e gjata. Tani paskemi një universitet - e pikërisht në Durrës - që të thotë që ti nuk duhet të mbash shami apo nuk duhet të lesh mjekër. Më mirë do të ishte sikur për Universitetin tuaj të diskutonim nëse ia vlen të quhet kështu, si janë programet mësimore, si e ndjejnë veten studentët dhe kështu me radhë. Në vend të kësaj, ju kini hapur një lojë që nuk i shërben askujt, përveçse daljes suaj në publik.
I dashur rektor, në emër të miqve të shumtë të Durrësit dhe të etjes së tij për dije, në emër të studentëve që kujtojnë se po shkollohen në një universitet me emër të madh, në emër të atyre që mbajtën mjekra, shami, minifunde, pantallona kauboj dhe të tjera si këto dhe në emër të etjes së të rinjve tanë për dije dhe për të vërtetën, le të heqim dorë nga këto gjëra. Le të heqim dorë nga historitë që e tërheqin vëmendjen nga hallet tona të vërteta. Le të heqim dorë nga kopjimi i modeleve që shohim në lajme dhe le të jemi më afër njerëzve, të cilëve kemi marrë përsipër t‘u shërbejmë. Si ne dhe ju ende nuk i kemi pyetur studentët tuaj nëse një shall më tepër apo një mjekër e besimtarit e dëmton procesin mësimor në universitetin tuaj të brishtë. Do t‘ju lutesha që këtë mendim ta mblidhnit përpara se të vendosnit në emër të rregulloreve të padeklaruara. Unë jam i mendimit se në betejën tuaj për modernizimin e Universitetit të Durrësit do të keni në krahun tuaj edhe vetë ministrin aktual të Arsimit. Ai i ka vuajtur vetë kufizimet dhe fletërrufetë e stilit "dacibao", ndaj me siguri do të jetë në krahun tuaj.
Ju uroj një punë të mbarë. Ju uroj të jeni sa më pak në media dhe sa më shumë mes studentëve dhe ju uroj të doni sa më shumë durrsakët, me mjekra a pa mjekra qofshin. Jam i bindur se me ta në krah punët tuaja do të shkojnë gjithnjë e më mbarë.
__________________
dita me e bukur: sot
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|