emma
Anetar i ri
Regjistruar: 26/06/2007
Vendbanimi: me vete
Mesazhe: 12
|
“Si e shkatërruan Asllan Rusin pse dashuroi vajzën e Enverit”
Asllan Rusi, ish- volejbollisti më i mirë i ekipit të Dinamos në vitet '70, është goditur dhe shkatërruar nga Sigurimi i Shtetit në kulm të karrierës së tij, vetëm sepse dashuronte vajzën e Enver Hoxhës. Një ngjarje e frikshme, pasojat e së cilës pak vite më vonë i kanë kushtuar jetën. Tashmë, pas rreth 25 vitesh nga humbja tragjike, historia e njeriut që shkroi një faqe të artë në librin e sportit shqiptar, për herë të parë pranohet e bashkuar me një tjetër fletë, kësaj radhe të zezë, të një historie tjetër. Faktin e pohon Mjeshtri Vangjel Koja, ish-trajneri i shquar i ekipit të meshkujve të Dinamos në vitet 1960-'90. Është një burrë rreth të shtatëdhjetë e pesave, por këtë moshë vetëm pamja nuk mundet ta fshehë. Ndërsa për 75 vitet e logjikës, Vangjel Koja, duket se është i aftë të matet me më të mirin. Në raste të tilla me vete mban edhe një bllok shënimesh, që daton vitet '50 dhe që e ndihmon të jetë konçiz, më saktë të hedhë baste gjithmonë të fituara me veten. "Hidhini një sy. Në vitin 1962 Asllan Rusin e kam të fundit në listën e volejbollistëve, një renditje që e bëja duke respektuar aftësitë e gjithsecilit. Kurse në vitin 1975, kur edhe ndodhi ngjarja, e kam të parin në listë. Prej këtej e thyen dhe e hodhën përtokë si të ishte një fletë peme...", - rrëfen trajneri Koja, duke shpjeguar se shkatërrimi i jetës së Asllan Rusit, është një nga pengjet më të mëdha të jetës së tij. Gjithçka kishte ardhur papritur, aq papritur sa vijnë gjithmonë ngjarjet e frikshme.
Zoti Koja, do më pëlqente ta nisnim nga fillimi. Si jeni njohur me Asllan Rusin?
Vangjel Koja: Ka qenë viti 1961. Asllan Rusin, një adoleshent gjatosh, e pikasa në skuadrën e volejbollit të të rinjve të ekipit të Tiranës që kishte për trajner një mikun tim, Thanas Mitrushin. Duket Asllani ishte paska tip i pashtruar dhe kishte pasur disa përplasje me trajnerin. Kurse mua më bëri përshtypje që ishte më i gjatë se shokët e skuadrës. Biseduam dhe kur dëgjoi dëshirën time për ta marrë me Dinamon, Mitrushi nuk ma bari dysh: Ta jap unë Asllanin, - më tha. Unë isha tjetër tip, u bija kokës lojtarëve dhe nuk kisha asnjëherë probleme disipline, kështu që nuk më trembi "shtrimi" i Asllanit. Ai nisi të stërvitej me të rinjtë e Dinamos përgjatë vitit 1961. Një vit më pas forma e tij ishte shumë e mirë dhe e kaluam me ekipin e të rriturve. Kështu nisi edhe historia e tij që pak vite më pas do të njësohej me historinë e Dinamos së madhe, ekipit që do të bënte epokë në volejbollin evropian. Asllani ka qenë i vitlindjes 1945. Vinte i dobët, por me kalimin e viteve u mbush dhe gëzonte një fizik dhe një trup të formuar për të pasur zili. Kam edhe parametrat: Ishte 188 cm i gjatë, peshonte 88 kilogramë, gjatësia me krahë 2,45 m, kërcimi 3,45 metra...
Dhe kur, në ç'vit Asllani arriti të ishte një nga më të mirët e ekipit të Dinamos?
Ishte i talentuar dhe u ingranua shumë shpejt. Nisi të shkëlqente që në vitin 1963. Një vit më pas me Asllanin në skuadër do të fitonim titullin Kampion Kombëtar, madje filluar nga ky vit titullin e fituam tetë herë radhazi. Pikërisht në kampionatin e fituar të vitit 1964 spikatën gjuajtjet nga vija e dytë të Asllanit. Kujtoj se këto gjuajtje në atë kohë nuk i bënte askush në Shqipëri. Kishte një taktikë të gabuar, sipas të cilës për gjuajtjet nga vija e dytë nuk organizohej bllok dhe liheshin të priteshin. Por pothuaj në të gjitha këto gjuajtje Asllani merrte pikë. Kujtoj se kampionatin e fituam me një ndeshje të drejtpërdrejtë me ekipin e Partizanit, që në ato kohëra lulëzonte dhe kishte "aneksuar" prej kohësh titullin kampion.
Dihet që Dinamo në atë kohë ka arritur të luajë deri në gjysmëfinalet e Kupës së Evropës, një arritje nga më të mirat e sportit shqiptar, tashmë krejt e paimagjinueshme. Cili ishte roli i Asllanit në skuadër?
Asllani ishte nga më të mirët e turneve në një kohë që luanim më skuadra kampione të Evropës. Kujtoj se ai, por edhe Dashamir Fagu, - këtë e merrnim "borxh" nga "Partizani", patën oferta për të luajtur me ekipe të mëdha të Evropës. Kuptohet, një ëndërr që komunizmi nuk e lejonte. Pra, me kalimin e viteve loja e Asllanit vinte në rritje. Le të shohim një statistikë. Në kampionatin e vitit 1969-'70 Asllan Rusi i ka dhënë skuadrës 160 pikë, pra është më i miri i ndjekur nga Kreshnik Tartari, që renditet i dyti. Pas kësaj kohe ka qenë absolut në lojën e tij që vinte duke u rritur. Në vitin 1972 arritëm të futeshin në gjysmëfinalet e Kupës së Evropës, ku Asllan Rusi dhe Dashamir Fagu bëjnë figurë të shkëlqyer. Hidhini një sy bllokut të shënimeve. Që nga viti 1973 Asllan Rusi renditet i pari, jo vetëm sipas vlerës, por edhe sipas pjekurisë. Por siç e shikoni edhe vetë, ai ka luajtur deri në vitin 1975. Më tej Asllani nuk luan më... nuk ka më Asllan.
Pse nuk ka... çfarë ndodhi?
E goditën, e rrëzuan... Kaloi disa peripeci në këtë kohë… dashuronte vajzën e Enver Hoxhës.
Si u krijua mundësia të njihej me vajzën e Enver Hoxhës?
Janë njohur në plazhin e Durrësit, në Kavalishencë. Duhet t'ju kujtoj se ekipi i Dinamos i përkiste Ministrisë së Brendshme dhe si të tillë kishim të drejtë të shfrytëzonim një pjesë plazhi të rrethuar në Durrës në dispozicion të Ministrisë së Brendshme, që rëndom quhet Kavalishenca. Ngjitur ishin edhe vilat dhe plazhi i udhëheqjes komuniste të kohës. Pikërisht këtu janë njohur Asllani me të bijën e Enver Hoxhës. Kujtoj gjithashtu se vajza e Enverit stërvitej me ekipin e femrave të Dinamos dhe kjo ka qenë një tjetër mundësi kontakti mes të dyve. Vajza ishte e gjatë dhe llogaritej të ishte një volejbolliste me perspektivë. Kujtoj gjithashtu se ajo ishte më e vogël në moshë nga Asllani.
Nga sa dini ju, bëhej fjalë për dashuri të ndërsjellë, apo vetëm Asllani ishte dashuruar pas vajzës?
Unë flas nga pozita e një trajneri, që sigurisht nuk e ka mundësinë të dijë më shumë se lojtarët e skuadrës. Kështu që mendoj se lojtarët e tjerë të skuadrës dinë më shumë hollësi të këtij lloji. Për një gjë jam i sigurt, që Asllani e dashuronte. Jam i sigurt gjithashtu se pikërisht kjo dashuri u bë shkaktare që atij ti shkatërrohej jeta, duke filluar me largimin nga ekipi i Dinamos e dërgimin me dhunë në spitalin psikiatrik.
(vijon nesër)
Bisedoi: Ferdinand Dervishi
Kush është Vangjel Koja?
Një jetë në punë. Kjo është historia me tre fjalë e njeriut që mban emrin Vangjel Koja. Ka drejtuar ekipin e volejbollit të meshkujve të Dinamos për më shumë se 30 vite, por është marrë me këtë sport për gati 50 vite. Dhe gjithmonë ka pasur rezultat, madje edhe pak javë më parë kur ndihmoi ekipin e femrave të Dinamos të shpallej kampion. Tashmë "Mjeshtër i Madh", titull i dhënë nga Presidenti i vendit në dhjetor 2003, Koja është laureuar gjithashtu me tre urdhra "Naim Frashëri" të kategorive 1,2 dhe 3 si dhe me titullin "Mësues i Popullit". Mbart me vete gjithashtu një histori interesante, sipas së cilës dikur e kishin detyruar të zgjidhte volejbollin. Vangjeli e kishte nisur sportin në vitin e largët 1947. Në moshën 14 vjeçare ishte shpallur kampion me të rinjtë e ekipit të Tiranës në katër gara: hedhje shtize, kërcim së gjati dhe në vrapimet në distancat 800 e 400 metra. Njëkohësisht i pëlqenin basketbolli dhe volejbolli. Por kur në vitin 1956 "nga lart" vjen një direktivë që sportistët duhet të specializoheshin në një lloj sporti, Vangjeli zgjedh më të fundit, volejbollin. Në vitin 1958 krijon shkollën sportive "Dinamoviti i ri". Deri në vitin 1963 bën trajnerin dhe lojtarin në ekipin e volejbollit (meshkujt) të Dinamos, një ekip që u krijua në vitin 1958. Merr pjesë në disa turne ndërkombëtarë, por në këtë kohë forma e ekipit të ri nuk ishte më e mira. Dinamo luan fillimisht në kategorinë e dytë, por duke dalë kampion në vitin 1959, futet në të parën. Më tej rritja e ekipit të Kojës është e papërballueshme. Në vitin 1961 zë vendin e katërt, një vit më pas të tretin, më 1963 të dytin dhe më 1964 të parin. Më pas 8 vite rresht Dinamo shpallet kampion kombëtar. Tetë vite më pas ekipi futet në gjysmëfinalet e Evropës. Koja është në drejtim të Dinamos deri në vitin 1990. Më tej shkon trajner në Itali, ku merret për gati 10 vite më trajnimin e femrave në Kastelana Grotte (Pulia) duke pasur sërish sukses.
Fatkeqesite e familjes Rusi
Familjen e Asllan Rusit e kanë ndjekur pas aq shumë fatkeqësi, sa tashmë prej trungut të saj nuk jeton askush. Babai, Xhelal Rusi, një farmacist i diplomuar në Francë, që njihej edhe me Enver Hoxhën, vdiq në moshë ende të re duke u shprehur gjithmonë i pakënaqur nga regjimi komunist. Të njëjtin fat pati edhe e shoqja, që ishte njëkohësisht e mbesa e poetit kombëtar Naim Frashëri. Në vitin 1983 vdekja nuk kurseu edhe volejbollistin e talentuar, Asllan Rusi, në këtë kohë me fizik të shkatërruar. Por e dhimbshme është edhe historia e vëllait të tij të vetëm, që pas humbjes së të afërmve të familjes, përgjatë një krize mendore, u hodh nga një kat i lartë pallati duke humbur edhe ai jetën.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|