Indrit
I pandreqshem.
Regjistruar: 01/04/2004
Vendbanimi: I ulur ne zemren e nenes.
Mesazhe: 1814
|
Feja islame në jetën e shqiptarëve. nga Bujar shehu.
Pa pretenduar se do t’i themi të gjitha, duhet patjetër të deklarojmë se kjo histori e shkurtër e përhapjes së Islamit në Shqipëri, mbetet në kufijtë e modestisë. Vlera e veçantë e këtij shkrimi, lidhet posaçërisht me iniciativën për të ndihmuar sado pak në njohjen e gjendjes aktuale të Islamit në vendin tonë, pa harruar këtu ecurinë historike deri në këto momente, ku tri të katërtat e popullsisë në Shqipëri, ndjehen veçanërisht të kënaqur në mjediset e besimit musliman. Është me mjaft interes të shënojmë këtu, që kjo shifër, po të kemi parasysh edhe trojet e tjera shqiptare, që sot padrejtësisht, po jetojnë nën pushtimin serb, maqedon, grek apo malazez, kjo shifër pra, do të shënonte me siguri mbi 90% të popullsisë në besimin e vërtetë musliman. Shqiptarët nëpër historinë e tyre tejet të dhimbshme, kanë luftuar gjithmonë për të gjetur vetveten në funksion të besimit fetar, apo edhe në shërbim të çështjes kombëtare. Shpeshherë të krishterët, për të na fyer sadopak, na thonë ne, muslimanëve: "Mos harroni se dikur, para sundimit turk, kini qenë edhe ju të krishterë si ne." Ata me këtë arsyetim, jo vetëm që fyejnë veten, por edhe fenë e tyre, e cila nuk mundi të kishte dimensionet e nevojshme shpirtërore, nga e cila të mos mund të divorcohej me kaq lehtësi një popull i tërë...
Mendoj se është një e drejtë njerëzore që kushdo të ketë mundësinë të përzgjedhë më të mirën e mundësive që na paraqitet. Prej këtej mund të dalim me konkluzionin: Përqafimi i asaj feje që gjithsesi kënaq dëshirat morale të një njeriu apo të një populli të tërë, pavarësisht nga koha e shpalljes së kësaj feje, provon bindshëm, qytetarinë individuale apo kolektive në atë çka u realizua. Pra populli shqiptar, në përpjekje për të krijuar një fizionomi kombëtare në besimin te Zoti, kur u ballafaqua edhe me Islamin, konstatoi me kënaqësi se pikërisht Islami ishte feja ku mund të mbështetej dinjiteti i tij. Dinjitet i cili karakterizohet nga trimëria, besnikëria, zgjuarësia si dhe dashuria për njëri – tjetrin, elemente të domosdoshme këto që konvergohen edhe me moralin e fesë muslimane...
Le të prezantohemi edhe më tej me ardhjen e Islamit në Shqipëri.
Kontaktet e para të fesë Islame me gadishullin e Ballkanit i gjejmë më përpara se Perandoria Osmane të pushtojë këto treva. Rrugët me anën e të cilave kjo fe arriti edhe në trojet etnike shqiptare, janë disa syresh: nëpërmjet Andaluzisë Spanjolle. Siç dihet muslimanët sunduan në tetë shekuj të lavdishëm, ku Spanja u bë një nga kryeqendrat kulturore, politike dhe ekonomike të Evropës.
Në qoftëse sot flitet për ndonjë kohë të rilindjes Evropiane, ishte pikërisht ajo kohë ku muslimanët qëndruan në Spanjë dhe nga ku Europa mori shkëlqim nga shkëlqimi i tyre, në shkencë, në kulturë etj., pa përmendur këtu edhe moralin, të cilin Europa me kohë e ka hedhur në koshin e plehrave të historisë së saj. Gjatë sundimit arab në Spanjë, nga viti 711 deri në vitin 1492 pas Krishtit, Islami shkëlqeu me të gjithë madhështinë e tij.
Rrugë tjetër me anën e të cilës Islami arriti në Shqipëri, është ajo nëpërmjet Siçilisë, kur Arabët u gjendën të pranishëm nga gjysma e dytë e shekullit të dhjetë, si dhe nga shekujt XII dhe XIV, gjatë luftrave të kryqëzatave etj. Kontaktet e para të Islamit me Shqipërinë, janë rrugët e rëndësishme nëpërmjet misionarëve fetarë të Islamit, si dhe të tregtarëve të ndryshëm që tregtonin nga Lindja në Perëndim. Por përhapja e organizuar e Islamit në trojet shqiptare, do të mund të realizohej normalisht, vetëm nën sundimin osman. Është rasti të konstatojmë këtu, se edhe fatkeqësitë (siç mund të quhet pushtimi osman) kanë mënyrat e tyre për të rregulluar gjërat... Pra nga fundi i shekullit të XIV, në dhjetëvjeçarin e fundit të sundimit të sulltan Muratit I, turqit osmanë kontaktohen ushtarakisht, politikisht, si dhe në të gjitha nivelet e tjera me shqiptarët. Islamizmi si një fe e re, që të mund të përhapej, duhej patjetër të kalonte nga Lindja për në Perëndim, pra kërkohej detyrimisht të shtrihej edhe në Ballkan ku vendasit kishin mbështetur kristianizmin lindor dhe atë perëndimor. Të ardhmen e saj në Ballkan, Perandoria Osmane e shikonte pikërisht në këtë pikë delikate, pra në ndryshmërinë e besimeve ndërmjet tyre dhe ballkanasve. Perandoria Osmane e pushtoi Ballkanin ushtarakisht, por duke i lënë një hapësirë tepër tolerante në ushtrimin e fesë së tyre, pa ndonjë pengesë të veçantë. Kontakti i turqve osmanë me shqiptarët, realizohet përfundimisht në vitin 1385, kur Karl Topia, sundues në jugun e Shqipërisë etnike, kërkon ndihmën e turqve në luftën kundër Balshës së dytë, sundimtar edhe ky, në veri të Shqipërisë. Në këtë mënyrë shumë sundimtarë shqiptarë njohën vasalitetin e sulltanit. Me ardhjen e turqve në Shqipëri u krijuan rrethanat e favorshme për njohjen si dhe për përhapjen e Islamit në mënyrë të organizuar. Kalimin në fenë Islame të shqiptarëve, përveç seriozitetit dhe vërtetësisë që mbart më vete kjo fe, e favorizoi në njëfarë mënyre, veçanërisht edhe shthurja masive e institucionit, e moralit të klerit në përgjithësi, duke zbehur kështu, besimin popullor te kisha dhe priftërinjtë e saj. Shpejtësia me të cilën shqiptarët përqafuan Islamin, shënonte gjithmonë rritje, duke u realizuar me ndërgjegje të plotë e mbi baza vullnetare. Statistikat zyrtare të kohës, na mësojnë se nga fundi i shekullit XVII, 90 % të popullsisë u konvertua në besimin Islam. Shqiptarët jo vetëm që gjetën më në fund prehjen shpirtërore në fenë islame, por nga ana tjetër, me anën e të qenurit islam, i bënë ballë me sukses rrezikut të asimilimit gjithëkombëtar nga fqinjët ortodoksë sllavogrek. Merret kollaj me mend se sa lehtë do ta kishin shovenët serbo-grekë realizimin e ëndrrave të tyre historike për aneksimin e Shqipërisë, në se shqiptarët nuk do të mbështeteshin moralisht e politikisht te besimi islam. Prej këtej mund të nxjerrim përfundimin e saktë, se në qoftëse sot është ruajtur për mrekullit identiteti kombëtar i shqiptarëve, një meritë të padiskutueshme ka edhe përqafimi me fenë islame.
Gjejmë rastin këtu të falënderojmë Zotin e gjithëfuqishëm, që duke mundësuar ardhjen e Islamit në Shqipëri, jo vetëm që na krijoi kushtet për përsosjen morale, por nga ana tjetër, na krijoi kushte tepër të favorshme për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar si një faktor i rëndësishëm i besimit tonë.
Afërsisht 3,5 milionë banorë ka sot Shqipëria e kufijve artificialë të 1913-tës. Nuk e dimë përse Zoti e vendosi këtë popull të vogël në mes malesh e me pak tokë pjellore! Kjo sipërfaqe që sot quhet Republikë e Shqipërisë është 28.748 km katror. Bën pjesë në gadishullin e Ballkanit, duke qenë pjestare e Europës Juglindore. Prej vitit 1485 pas Krishtit, e deri në vitin 1912, rreth 500 vjet, Shqipëria ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane. Nga fundi i shekullit të kaluar, në mjediset e viteve 1876-1880, në luftën ruso-turke, ku turqit dolën tepër të dobësuar prej saj, u vendos paqja e Shën Stefanit dhe turqit pranuan disa lëshime. Me këtë rast, fuqitë e mëdha të kohës, nën ndikimin e Rusisë, vendosën që një pjesë e Shqipërisë veri-perëndimore, Ulqini, Tivari etj, t’i aneksoheshin Malit të Zi. Ndonëse Shqipëria mbeti prapë në sundimin turk copëtimi eventual i saj do të arrihej si rezultat i shkatërrimit të Perandorisë Osmane në vitin 1912. Serbia përsëri pas 500 vjetësh, me ndihmën e Rusisë e pushtoi Kosovën. Me këtë rast edhe Greqia mori pjesën e saj të majme nga trojet etnike shqiptare. Në këtë mënyrë u vendosën kufijtë artificialë të Shqipërisë ku gjysma e saj u la jashtë kufijve, për të kënaqur grykësitë Serbo-Greke. S’kishte si të ndodhte ndryshe, Evropa e krishterë nuk mund të linte në kufijtë e saj etnikë një shtet që quhej Shqipëri e që kishte rreth 90% të popullsisë muslimane... Megjithëse siç thamë më lart, popullsia ishte me shumicë dërmuese muslimane, përsëri Evropa e krishterë nuk lejoi që Islami të shpallej fe shtetërore. Megjithatë muslimanët me përpjekjet e shumta, arritën të organizohen vetë në dy bashkësi, Sunite dhe Bektashiane. Shkolla kryesore e Islamit ishte fillimisht medreseja e Beratit. Jeta fetare megjithë vështirësitë e kohës, mori një zhvillim të madh ndonëse kishte një mungesë të theksuar në literaturën islame. Në vitin 1921 për fat të keq duhet thënë, lidhja me Stambollin u ndërpre.
Pas shumë vështirësishë, në vitin 1923, Bashkësia Islame organizoi kongresin e saj të parë dhe po për herë të parë u zgjodh Myftiu i parë, me selinë e tij në Tiranë. Me këtë rast u themelua edhe Këshilli i Lartë i Sheriatit. Gjatë periudhës 1921-1924, në Shqipëri u zhvillua një aktivitet i dendur islam. Në këto vite u bënë përkthime të pjesshme të Kur’anit famëlartë nga Hafiz Ali Korça, Ibrahim Dalliu, Abdulla Zemblaku etj. Ndërsa përkthimi i plotë i Kur’anit famëlartë u realizua vetëm në vitin 1985 në Prishtinë, nga përkthyesi Feti Mediu. Në gusht të vitit 1929, Bashkësia Islame, organizoi në Tiranë kongresin e dytë të saj. Në atë periudhë në Shqipëri numëroheshin 1048 xhami, me një personel të përgjithshëm prej 1315 vetësh.
Gjatë mbretërimit të Ahmet Zogut, 1928-1939, u ndërtuan edhe disa xhami si dhe u regjistruan disa medrese të reja, u krijuan mundësi të shohin dritën e botimit libra dhe revista të Komunitetit Musliman, që megjithatë, mbeten të pamjaftueshme për të përballuar dëshirën e madhe të muslimanëve shqiptarë, për ta njohur Islamin në brendësi dhe në thellësi, me baza të shëndosha teorike e praktike.
Në pranverën e vitit 1939, Italia fashiste sulmoi dhe pushtoi Shqipërinë. Gjatë katër viteve të këtij pushtimi, nuk pati ndonjë pengesë serioze në veprimtarinë e Komunitetit Musliman, ai vazhdoi aktivitetin e tij edhe në kushtet e pushtimit, duke u shtrirë edhe në Kosovë, Maqedoni apo në Mal të Zi ku banonin shqiptarë në trevat e tyre.
Pushtimi i mëvonshëm i Shqipërisë ishte ai i fundvitit 1944 nga komunistët, me në krye stalinistin Enver Hoxha. Ky regjim ishte dhe mbetet armiku më i rrezikshëm i Islamit si dhe i të gjitha feve të tjera, përveç fesë së tyre, marksizmit. Komunizmi që mori pushtetin me dhunë përfaqësohej nga njerëz identitet humbur, që nocioni fe dhe atdhe, nuk kishte asnjë kuptim në pseudomoralin e tyre. Që në fillimet e tij komunizmi, punën e parë që mundi të bëjë, ishte dërgimi i klerikëve muslimanë e të krishterë përpara togës së pushkatimit. Në këto skuadra të pushkatimit panë fundin e tyre tragjik, shumë nacionalistë të mëdhenj të popullit tonë. Në këtë mënyrë, Shqipëria e mjerë iu nënshtrua dhunës dhe terrorit më të egër 50 vjeçar.
Strategjia afatgjatë e këtij rregjimi kriminal konsistonte në eleminimin institucional të besimeve fetare në Shqipëri. Këtë qëllim e realizoi në vitin 1967, kur shkatërroi me zjarr e me hekur, të gjithë trashëgiminë e brezave në institucionet fetare. 2169 objekte kulti u mbyllën apo u shkatërruan. Ato që shpëtuan nga furtuna antifetare e komunistëve, u shndërruan në depo, shtëpi kulturore, apo edhe nevojtore publike, si ajo që ndodhi me rastin e xhamisë së qytetit të Kavajës. Në këtë mënyrë, regjimi komunist duke u bërë shteti i parë ateist, arriti një rekord botëror, që prej tij mori si shpërblim, urrejtjen dhe përbuzjen mbarëpopullore...
Pas këtyre që thamë, vetëkuptohet se aktivitetet fetare në Shqipëri u ndaluan me ligj, ndërsa ushtrimi i këtyre aktiviteteve në mënyre klandestine të hapte dyert e burgut me një lehtësi të çuditshme. Fëmijët tanë nuk mund të trashëgonin në asnjë mënyrë emrat e paraardhësve të tyre. Për këtë qëllim Komiteti i Partisë, kishte aprovuar një listë me emra, ku na detyronte të merrnim nga ajo emra për fëmijët tanë. Nuk është i rastësishëm fakti që në Shqipëri do të gjeje jo pak emra të listës si: Stalin, Molotov, Kirov, Pushtet, Partizan, Çlirim, Marenglen (shkurtim i emrave Marks, Engels, Lenin), etj.
Me gjithë këtë represion të madh nga ana e shtetit komunist, muslimanët shqiptarë nuk e shuan asnjëherë flakën e zjarrit që kishin të ndezur në zemrat e tyre, për fenë islame. Në kushte tepër të vështira, besimtarët mbanin Ramazanin. Shpeshherë namazët organizonin bashkarisht nëpër shtëpitë e tyre, por edhe individualisht. Edhe festat e Bajramit i organizonin me kujdes e përkushtim. Por vjen një kohë dhe çdo gjë në të ka fundin e vet. Edhe komunizmi e përjetoi fundin e tij. Në Shqipëri pas shembjes së pritshme të komunizmit, u krijuan mundësitë që populli të kthehet me besim në rrugën e Zotit.
Botuar te "Rimëkëmbja", maj 1997
"Dituria islame", Prishtinë, gusht 1997
__________________
Duro, duro...
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|