unforgiven
*$*$*
Regjistruar: 08/07/2003
Vendbanimi: *$*$*
Mesazhe: 958
|
Pse quhen "tradhetare" yjet e sportit shqiptar qe shkelqejne ne Bote?
Ermal Kuqo, basketbollisti shqiptar qe luan per kombtaren turke
I ati i basketbollistit tregon arsyet që e shtynë djalin e tij të zgjidhte Turqinë
Robert Kuqo: Im bir s’është tradhtar
"Ermalin nuk e lanë të stërvitej në pallatin e sportit"
FATJON KODRA
Ermal Kuqo
Gjatësia: 207 cm
Pozicioni: Qendër
Datëlindja: 12 shkurt 1980
Pesha: 120 kg
Klubi: Efes Pilsen, Turqi (2003 - '05)
Shtetësia: SHQI-TUR
Skuadrat ku ka luajtur: Lasko (SLO), Seminole JC (USA)
Mbiemri që përdor në Turqi është Kurtoglu
Karriera:
1997-1998: Fenerbahçe Stamboll
1998-1999: Fenerbahçe Stamboll
1999-2000: Fort Scott CC
2000-2001: Seminole JC
2001: Blu Summer League në Trevizo (ITA)
2001: Big Man Camp në La Ghirada (ITA)
2001-2002: Kroacia Osiguranje Split (KRO)
2002-2003: Pivovarna Lasko (SLO)
2003: Big Man Camp në Treviso (ITA)
2003: Southern California Summer Pro League (The Bravos team)
2003-2004: Efes Pilsen Stamboll (TUR-D1)
2004-2005: Efes Pilsen Stamboll (TUR-D1)
Është shumë i mërzitur dhe i indinjuar teksa flet. Pasi i biri i tij Ermal Kuqo zgjodhi kombëtaren turke para asaj shqiptare, media dhe Federata Shqiptare e Basketbollit e kanë sulmuar, duke quajtur djalin e tij tradhtar.
Por ish-basketbollisti i njohur i viteve '80, Robert Kuqo, i ati i Ermalit, nuk ka pranuar kurrsesi që mbi djalin e tij të hidhet baltë. Ai shprehet se Ermal Kuqo, ashtu siç kanë bërë Pirro Dhima apo Luan Shabani, ka zgjedhur të përfaqësojë një tjetër vend, që t'i hapë dyert karrierës së tij dhe se nuk ka kërkuar para, ashtu siç është thënë, pasi nuk ka nevojë për to. Në intervistën e dhënë për gazetën "Panorama", Robert Kuqo flet për karrierën premtuese të Ermalit, si edhe për arsyet e shumta që e shtynë atë të ndërmerrte një hap tillë, një vit pas ofertës që i bënë turqit.
Kur e morët vesh që djali juaj, Ermali, kishte vendosur të luante me përfaqësuesen turke të basketbollit?
Ju po më pyesni për diçka që mua më ka rënduar që prej nëntë vjetësh, që nga koha kur Ermali ka ikur nga shtëpia, në moshën 15-vjeçare. Ky institucion që e ka bërë kaq shumë problem, këta gazetarë që janë senzibilizuar kaq shumë, më vjen keq që më bëjnë të vihem në një pozitë kaq të vështirë që të flas, për të vetmen arsye se kemi 9 vjet që kemi heshtur. Për nëntë vjet me radhë mbi Ermalin ka rënduar pesha dhe barra e madhe e sportistëve të shumtë të shkëlqyer shqiptarë, që kanë mundur të çajnë, që nga Pirro Dhima e Luan Shabani, që nuk përfaqësojnë Shqipërinë dhe janë trajtuar si tradhtarë. Por kjo nuk është e vërtetë. Ermali ka nëntë vjet që luan në Evropë dhe gjatë kësaj kohe asnjëri nuk është bërë i gjallë që të pyesë për të. Dua të përgënjeshtroj në mënyrë kategorike lajmin që është transmetuar nga një televizion, ku pretendohej se Ermal Kuqo ka ikur nga Shqipëria për të luajtur në Turqi për arsye ekonomike.
Pra, ju thoni se versioni i hedhur fillimisht në shtyp nuk është i vërtetë…
Nuk është aspak e vërtetë dhe ky është një version i sajuar. Më pas në këtë lajm thuhej se Ermali paska kërkuar gjysmën e buxhetit të FSHB-së, por as kjo po iu them unë nuk ka asgjë të vërtetë. Dëshiroj që nëpërmjet gazetës "Panorama", sekretari i Federatës Shqiptare të Basketbollit, i cili e përfaqëson këtë institucion, të nxjerrë kushtet që i paska krijuar Ermalit, si edhe kushtet që i ka kërkuar im bir. Të më thotë llojin e makinës që i paska kërkuar im bir, kur, në të vërtetë, ka qenë ai vetë që ia premtuar një gjë të tillë dhe që nuk e ka mbajtur kurrë këtë premtim. Të më thotë shumën e paguar për hotelin ku ka fjetur Ermali, të ushqimit që ka ngrënë Ermali, të pasaportës që i kanë siguruar djalit tim. FSHB-ja deklaroi se nuk i siguron dot pasaportë diplomatike, kur me urdhër të Këshillit të Ministrave të gjithë futbollistët kanë marrë një të tillë. Ndërkohë që Ermal Kuqo ka disa vjet që ka bërë emër në basketbollin turk, evropian apo edhe atë amerikan të NBA-së.
Kur e ka marrë Ermali ofertën nga Turqia për t'u bërë pjesë e kombëtares së këtij vendi?
Atij i është bërë oferta për të luajtur me Turqinë që kur mbërriti vitin e kaluar tek ekipi i Efes Pilsenit. Por Ermali e ka kthyer mbrapsht ofertën, duke u thënë se është shqiptar dhe do të luajë me Shqipërinë. Në kampionatin turk do të luajë me mbiemrin turk, ndërsa në kompeticionet ndrëkombëtare do të luajë me mbiemrin Kuqo dhe me numrin 23, pasi 12-ta ishte e zënë.
Ju i hidhni poshtë pretendimet e ngritura, që Ermali ka zgjedhur Turqinë për arsye financiare?
Ermali nuk ka nevojë për para. Edhe kur ka udhëtuar nga Turqia për t'u bashkuar me kombëtaren shqiptare, që nuk u grumbullua, im bir nuk ia ka kërkuar Federatës paratë e biletës. Le të më thonë ata shumën që u ka kërkuar Ermal Kuqo atyre. Askush prej drejtuesve nuk ka ardhur ta takojë atë këtu. Ermali ka lidhur një kontratë mjaft të mirë me Efes Pilsenin, kështu që nuk ka nevojë fare për paratë. Ermali ka kërkuar seriozitet, impenjim, gatishmëri dhe stërvitjen e duhur. Ermalin nuk e kanë lënë të hyjë në pallatin e sportit "Asllan Rusi" që të stërvitet. E kanë nxjerrë jashtë duke i thënë se nuk kishte orar stërvitjeje. Këtu kemi të bëjmë me një mashtrim institucional.
Përse e bëri Ermali këtë zgjedhje?
Duke parë eksperiencën e të gjithë sportistëve, ai e ka kuptuar se këtu në Shqipëri nuk mund ta sigurosh dot jetën. A mund të sigurohet jeta me një kontratë 2-vjeçare në Shqipëri? Pse nuk ngrihet ky problem nga specialistët, që sportistët në Shqipëri të mund nënshkruajnë një kontratë për të siguruar jetën. Si qenka puna, të jetojmë sa për të ngrënë një copë bukë, shqiptari thotë se një copë bukë ha edhe qeni. Ermali ka ikur me lot në sy nga Shqipëria, duke thënë se këtu drejtojnë të paaftët. Ermal Kuqon e përzunë nga Shqipëria, i vunë drunë. Ai ka një personalitet të padiskutueshëm në Evropë. Pse televizionet tona nuk kanë dhënë as edhe një ndeshje basketbollit të Ermal Kuqos në Euroligë?
Drejtuesit e Federatës kanë deklaruar se nuk i dinë arsyet e vendimit të Ermalit. Ç'mund të thoni ju për këtë?
Të kenë turp ata që deklarojnë një gjë të tillë dhe që nuk denjojnë të më hapin edhe telefonin. Ata kanë rënë viktimë e gazetarëve turq apo e lajmeve që janë përhapur në internet, që kanë synim vetëm të na përçajnë. Unë po ju them se Ermal Kuqo ka vendosur përfundimisht të luajë për ekipin kombëtar turk vetëm në në të gdhirë të ditës së enjte, ndërkohë që gazetat shqiptare e kanë bërë fakt të kryer që të martën. Shtetësia është gjë tjetër dhe kombësia është tjetër gjë.
Pra, ju thoni se Ermali nuk e kishte marrë ende vendimin, ndërkohë që ishte përhapur lajmi se ai e kishte bërë një gjë të tillë?
Në orën 1 të mëngjesit të së enjtes Ermali më mori në telefon dhe më tha: "Babi, sapo vendosa të luaj në kombëtaren turke. Kam bërë gabim që nuk të kam dëgjuar ty". Unë vetë i pata thënë që në muajin janar të mos kthehej në Shqipëri, sepse përndryshe do të humbiste të ardhmen e tij. Ermali ka vendosur të luajë për Turqinë vetëm kur dëgjoi një lukuni që u vërsul kundër familjes së tij, duke cënuar dinjitetin tonë. Një sportist shqiptar nga më të mirët merr vetëm 20000 apo 30000 lekë të reja në muaj. Ndërsa basketbollisti më i rëndomtë në Evropë merr 3000 dollarë në muaj. Ermali kishte ëndërr të luante me kombëtaren shqiptare, madje kishte porositur në SHBA një palë atlete me ngjyrat kuqezi, të cilat i kam në shtëpi. I kishte telefonuar sekretarit të FSHB-së që nga Turqia dhe i kishte thënë të mos ia jepte askujt numrin 12 të kombëtares, pasi do të trashëgojë fanellën që ka mbajtur babai i tij dhe xhaxhai tij Artan Kuqo.
Pse dhe kur e ka marrë Ermali shtetësinë turke?
Ermali kombësinë e ka shqiptare, kurse shtetësi ka dy. Fillimisht e kam marrë unë në vitin 1996, në mënyrë që Ermali të mund të luante në kampionatin turk dhe ka marrë një mbiemër turk, sepse përndryshe nuk luante dot. Ndërsa në aktivitetet ndërkombëtare Ermali përfaqësohet me mbiemrin Kuqo dhe me numrin 23.
Në një të ardhme të afërt ku do të mund ta shikojmë Ermal Kuqon?
Kështu siç e ka filluar, brenda një viti apo dy vjetësh, Ermali mund të shkojë pranë NBA-së. Është i regjistruar dhe mund të shkojë atje. Nuk do të shkojë me mbiemrin turk, por me atë shqiptar, pra me mbiemrin Kuqo. Ai është një shqiptar i vërtetë dhe bir shqiptari. Ermali nuk është tradhtar, ashtu siç nuk janë edhe Pirro Dhima apo Luan Shabani. Nuk dua që Ermali nesër të përfundojë si Ymer Pampuri, kampioni ynë i vetëm olimpik, i cili sot është katandisur si mos më keq. Është turp i madh, madje është turp i madh që Pirro Dhima të cilësohet si tradhtar.
Ka pasur oferta nga skuadra apo vende të tjera Ermali?
Oferta ka pasur nga CSKA-ja e Moskës, nga Çeramika e Spanjës, Barcelona, nga ekipi i Bolonjës, si edhe nga Beneton Trevizo. Ai do të ishte larguar këtë vit, por kontrata që kishte me Efes Pilsenin ishte 1+1 dhe kjo interpretohej si dyvjeçare nga turqit.
Odiseja e Ermalit me kombëtaren shqiptare
Babai i Ermalit tregon edhe për grumbullimin e kombëtares shqiptare, që nuk u bë kurrë gjatë kohës që Ermali ishte në Shqipëri. "Erdhi dy herë nga dhjetë ditë dhe nuk i ofruan asgjë. Kërkoi që ekipi të grumbullohej, por ekipi nuk u grumbullua fare, për arsye se nuk kishin fonde. Ndeshjet e eliminatoreve të evropianit fillojnë më 11 shtator, ndërsa ekipi është grumbulluar vetëm para dy ditësh”, thotë Roberti. Ndërkohë që kombëtarja turke për këto eliminatore është grumbulluar që më datën 25 korrik. I bëj thirrje qeverisë që të bëjë ndarjen e MKRS-së, seksioni kulturës duhet të jetë më vete dhe ai i sportit më vete. Artistët dhe sportistët shqiptarë janë shumë më lart se sa politikanët tanë, që e kanë çuar vendin në këtë gjendje", përfundon ish-basketbollisti i njohur.
**************
te dashur anetare te forumit pas ketij artikulli dhe denoncimi te drejteperdrejte qe i behet realitetit te sotem shqiptar dua te shtroj nje pyetje:
- A eshte e drejte te cilesohet tradhetar dikush qe kerkon ti jape rruge talentit dhe shanceve per nje jete me te mire jashte vendit te lindjes???
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|