AIR-FORCE-ONE
deri ne vdekje politike
Regjistruar: 02/02/2004
Vendbanimi: U.S.WASHINGTON
Mesazhe: 663
|
Eno Koço: E vërteta e njohjes së nënës sime Tefta Tashkos me Enver Hoxhën :
Eno Koço
Më 29 tetor dhe 5 nëntor 2009, i përsëritur dhe më 8 nëntor, Kastriot Myftaraj në një nga programet e televizionit “Koha” lakoi ligsht nënën time, Teftën, ashtu dhe mua. Në të dy rastet ai bënte aludime mbi origjinën e emrit tim, mbi njohjen e Teftës me Enver Hoxhën e mjaft të tjera. Ai fliste mbi librin e tij të fundit të cilin ende nuk e kam lexuar. Dëgjoja komentet e tij televizive dhe nuk u besoja veshëve. Ato ishin krejt të papërgjegjshme, pa argumentimin më elementar të nevojshëm për të përligjur ato që ai pretendonte se po zbulonte. Po marr të analizoj disa prej çështjeve që Myftaraj komentoi tek “Koha”, çështjen e emrit tim dhe njohjen e Teftës me Enver Hoxhën.
Lidhur me emrin tim: Padyshim që trillimi më aluçinant i Myftarajt ishte aludimi që ai bënte, duke thënë se Tefta duhet të kish dëgjuar në Francë, që Enverin ta thërrisnin shkurt Eno, ndaj dhe i vuri të birit këtë emër. Do më duhet të shpjegohem i përmbajtur. Sugjerimi për emrin tim ka ardhur nga Aleks Buda. Aleksi ishte vëllai i gruas së dajës, por që ishte i njohur aso kohe për erudicionin e tij të gjerë, për bibliotekën shumë të madhe që kishte dhe mbi të gjitha për mbrojtjen e tezës së trashëgimisë ilire të shqiptarëve. Emri vetë është padyshim biblik (Enoh apo Enoch, stërgjyshi i Noes, Noach), por që me këtë emër të kishte qenë edhe një mbret ilir. Me sa di unë dëshira e prindërve ishte të më vinin një emër që të identifikohej me lashtësinë shqiptare, por dhe që në botën perëndimore të ishte i zakontë, edhe pse në Shqipëri ishte fare i papërdorur. Dhe vërtet, me të njëjtën rrënjë këtë emër e gjen në Itali – Ennio, në Francë – Enno, në Angli e Skoci – Enoch etj. Versioni shqiptar me një “n” e jo dy mbeti dhe u shumua më vonë dhe u bë edhe në Shqipëri emër i zakontë e popullor. Mbaj mënd në 1962 Dritëro Agolli të më thoshte: “Po ti duhet ta kesh me dy “n” apo jo?”
Prirja për emra ilirë kishte nisur që me gjyshin tim, Thanas Tashkon, kur i vuri nënës sime emrin Tefta. Po zgjerohem pak mbi këtë temë. Është interesant fakti se ndërsa të katër djemve dhe vajzës tjetër përpara nënës sime iu kishin vënë emra tradicionalë të trashëguar prej familjeve ortodokse shqiptare, e fundit e fëmijëve, vajza e porsa lindur, mori emrin Tefta. Ky emër sigurisht vjen nga Teuta, mbretëresha Teuta (Tevta) e Ilirisë që jetoi në shekullin III para erës sonë. Më saktë, drejtshkrimi do duhej të ishte Tevta, ku “v”-ja romake (latine) lexohej “u”, ashtu si në “De rervm natvra” (në natyrën e gjërave). Teuta, pra, është adaptimi modern shqiptar i formës latine “Tevta”, ndërsa “Tefta” eufonikisht është më afër tingëllimit grek. Me sa duket, në valën e rizgjimit shqiptar emrat ilirë filluan të përdoreshin më gjerë ndër familjet shqiptare të diasporës dhe më 1910, kur lindi Tefta, im gjysh ishte përfshirë më shumë se kurrë në lëvizjen për një identitet të ri shqiptar. Atëherë natyrshëm lind pyetja, kur vetë Tefta nuk kishte emër të krishterë dhe për këtë nuk ishte vendimi i saj, përse pretendon Myftaraj që ajo duhet t’i kishte vënë të birit emër të krishterë? “Do të ishte jo logjike”, shprehet ai, “që nga dy prindër me prejardhje ortodokse t’i vihej djalit një emër jo ortodoks”. A ka logjikë më të mbrapshtë se kjo? Tendenca për emra të lashtë në familjen time, për më tepër ata që lidheshin me trashëgiminë historike të këtij vendi që sot quhet Shqipëri, kishte filluar që me tim gjysh, vazhdoi me prindërit e mi, por dhe unë vetë fëmijëve të mi iu vura, vajzës Teuta dhe djalit Gent, pra ka një logjikë vazhdimësie. Si është e mundur të lejohet njeriu të shpërfillë ndjesitë më elementare prindërore, njerëzore, duke i fyer ata gjoja në emër të së “panjohurave” që Myftaraj do të zbulojë?
Lidhur me njohjen e Teftës me Enver Hoxhën: Edhe me këtë temë prirja fantaziste e Myftarajt ishte e pashembullt. “Këto që them”, shprehej Myftaraj, “mund të duken cinike, por . . .”, dhe e linte fjalën në mes si për ta bërë edhe më enigmatike rrëfimin.
Po të qe se Tefta do ta kish njohur Enverin në Francë, kjo do ishte komentuar ndonjëherë tek të afërmit apo miqtë e mi. Por as në familjen time e as nga bashkëmoshatarët e prindërve të mi nuk e kam dëgjuar ndonjëherë një gjë të tillë. Vëllezërit e Teftës, Koçoja dhe Lekoja, e njihnin Enverin që më parë, secili në rrethana të ndryshme dhe ishin ata që ia prezantuan atë Teftës rreth vitit 1940, prandaj dhe shpjegohet prania e Enverit në dasmën e prindërve të mi. Më pas, Tefta u bë më fëmijë më 1943, këndoi për herë fundit në Beograd më 1945 dhe vdiq më 1947. Për këtë periudhë dhe marrëdhëniet e Enverin kam shkruar gjatë tek “Gazeta Shqiptare” më 19 tetor 2008. Dua të theksoj se pothuajse me të gjithë miqtë e prindërve të mi kam pasur shumë marrëdhënie të afërta. Ata, në një farë mënyre, zëvendësonin prindërit e mi të munguar. Me ta kam folur për lloj-lloj imtësirash madje edhe politikën e ditës në vitet 1960, ‘70 e ‘80 kur një gjë e tillë nuk ishte e shëndetshme. Kam bërë me dhjetëra biseda me Sokrat Mion, i cili në vitet 1930 studionte në Francë dhe që kishte njohje shumë të mirë me Teftën. Kam folur me Gjergj Cancon që gjithashtu studionte në Francë. Ndoshta miqtë e prindërve të mi mund të rezervoheshin ca me mua, por Dhimitri Canco kurrën e kurrës. Nga ai kam zbuluar më shumë gjëra se prej ndokujt tjetër mbi jetën e tyre. Kam biseduar imtësisht me Mitrush Kutelin, pasi ai donte të shkruante një “Evokim” mbi Teftën. Skënder Luarasi, që ishte nga më të hapurit dhe të guximshmit, që më kritikonte në mes të rrugës me zë të lartë që nuk shkoja të shihja në burg dajën tim, Koçon, ai nuk do të linte kurrë pa më thënë gjëra të panjohura mbi ndodhi të para-Luftës që i rrihnim shpesh. Nga ana tjetër Lasgush Poradeci, të cilin e vizitoja shpesh në Tiranë dhe tema kryesore padyshim do të ishte Tefta, e përshkruante në mënyrë mbresëlënëse kohën që kur ajo erdhi nga Franca më 1936 deri sa vdiq më 1947. Tonin Guraziu kishte për të qenë nga ata që do të më thoshte edhe imtësinë më të vogël sepse e njohu Teftën fund e krye. Boris Plumbi gjithashtu më ka rrëfyer episode nga më të veçantat, nga më të çuditshmet dhe nga më delikatet, por kurrë ndonjë nga ato që përkonte me fantazitë e Myftarajt. Me të tjerë bashkëmoshatarë të prindërve të mi, si Margarita Stralla, Marjana e fotografive të dasmës, Baki Kongoli, Luiza Peci, Odise Paskali, familjarët e mi, e të tjerë e të tjerë do të më kishin hedhur ndonjë falë, por asgjë.
Sigurisht nuk më takon mua të flas për karakterin dhe principialitetin e mëmës sime. Për të kanë folur e shkruar jo vetëm emrat që përmenda më lart, por dhe shumë të tjerë që e kanë njohur atë në marrëdhënie pune e jetën e përditshme. Një gjë mund të them me zë të lartë, që ka qenë shumë e aftë në profesion, shumë e zonja në jetë, inteligjente, e kulturuar, e njerëzishme dhe me integritet të lartë moral. Ajo vinte nga një familje tradicionale shqiptare dhe respektoi deri në fund normat e kësaj tradite. Ajo u shkëput nga familja, e ëma, me të cilën kishin jetuar gjithë jetën bashkë, vetëm kur u martua, në moshën tridhjetë vjeçare. Ajo u rrit në një familje ku atdhetarizmi ishte kthyer në një ethe të ditës, ku çështja kombëtare vendosej mbi përkatësitë fetare. Kur im gjysh të hollat e tij i shpërndante në mbështetje të shoqërive atdhetare në Egjipt, Amerikë, Sofje a Bukuresht, kur ngriti të parën gazetë satirike shqiptare “Shkopi” në Egjipt, kur sponsorizoi dërgimin me mision atdhetar të Fan Nolit në Amerikë, kur mbështeti në të gjitha drejtimet krijimin e Bandës së Lirisë në Korçë, kur mbështeste veprimtarinë e Mihal Gramenos, Bajo Topullit, Ibrahim Temos, Veli Këlcyrës, Fezil Toptanit, Kristo Luarasit, Sotir Kolesë, Fehim Zavalanit, Fejzi Deshnicës e shumë e shumë veprimtarëve të tjerë, kur i dha së bijës emër që mbarte simbol shqiptar_e, mendja e Myftarajt punon që si është e mundur që nga një familje ortodokse të vihet një emër që nuk është i tillë!
Pas viteve 1990, kur unë jetoja larg Shqipërisë, nëpër qarqe gazetareske të Tiranës filloi të shkruhet për një miqësi “të ngushtë” të Lagushit me Teftën. Scoop-et u bënë modë e ditës dhe ashtu siç vite më parë e kishin vënë Teftën në historira me Neço Mukon edhe kjo me Poradecin tingëllonte në të njëjtat valë. Por në se në rastin e Neços dhe Poradecit sensi i episodeve anonte nga atraktiviteti dhe jo keqdashja, versioni i Myftarajt do të anojë nga një lloj atavizmi fondamentalist, kuintesencë e religjionit modern, i gjallëruar ndjeshëm ndër individë të ndryshëm gjatë viteve të fundit në Shqipëri. Atavizmi i Myftarajt shfaqet në formën e patriotizmit, çmitizimit, teorisë së konspiracionit, trajtës së ekzistencializmit deri të paranoizmit me prirje drejt një religjioni totalitarist. Me rënien e totalitarizmit politik ishte totalitarizmi religjioz (pavarësisht i cilës fe e doktrine) ai që shfaqej ndër ithtarë të veçantë, aq sa i kamufluar dhe i rrezikshëm. Ku do të përfshihej Myftaraj?
Myftaraj: Enveri do martohej me Teftën për hir të jugosllavëve
Në librin e tij “Enigmat e sundimit të Enver Hoxhës 1944-1961” (vëllimi II), Kastriot Myftaraj shkruan, mes të tjerash, në jetë plot “mistere” të diktatorit, përmend edhe fakt të çuditshëm, sipas të cilit, Hoxha donte të ndahej nga e shoqja, për t’u martuar me sopranon e famshme Tefta Tashko, për t’u bërë qefin jugosllavëve. Në libër ai shkruan:
“Enver Hoxha ishte gati të bënte gjithçka për t’u treguar jugosllavëve se ai ishte prirur të ecte në kursin në të cilin ata e kishin futur Shqipërinë. Duke parë se jugosllavët kishin prirjen që të favorizonin në Shqipëri të krishterët ortodoksë, Hoxha kishte vendosur që të ndiqte shembullin e Hysni Kapos, i cili e ndau gruan e vet myslimane, për t’u martuar me një të krishterë ortodokse dhe pas kësaj u bë njeriu i besuar i jugosllavëve. Kështu Enver Hoxha vendosi të ndajë gruan e vet, Nexhmijen dhe të martohet me Tefta Tashkon, të njohurën e vet të vjetër, dobësinë për të cilën nuk e fsheh as në kujtimet e veta, kur boton një fotografi nga dasma e saj, ku gjendet në një pozicion prej zhigoloje pas shpinës së saj. Por Tefta Tashko do të vdiste në rrethana misterioze në Beograd, ku kishte shkuar të kurohej, në dhjetor 1947. Enver Hoxha nga kjo vdekje e kuptoi se jugosllavët nuk e kishin atë në planet e tyre të ardhshme për Shqipërinë, si një figurë kryesore”.
panorama
__________________
"Një burrë mund t?i japë dinjitet rangut të tij, por asnjë
rang s?mund t?ia shtojë dinjitetin një burri ? "
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|