Fajtori
Apo jo?
Regjistruar: 11/06/2002
Vendbanimi: Europe
Mesazhe: 10706
|
Kozmopolitizëm apo krizë identiteti?
Në një vështrim të jashtëm, shqiptarët, çdo ditë e më shumë, po rriten si një popull kozmopolit. Ky vështrim bazohet mbi një dukuri të vënë re që herët, por që paradoksalisht ka gjalluar fort edhe gjatë viteve të regjimit komunist dhe në këtë pikë ka qenë e favorizuar nga doktrinat që ky i fundit i ka patur për zemër, fillimisht nga internacionalizmi, më tej nga ateizmi, e më në fund, ndoshta i zhvilluar si një sfidë instinktive ndaj autarkizmit të imponuar. Diktatori nacional-komunist (kështu këmbëngul ta quajë F. Lubonja), ka bërë sikur nuk e vinte re dhe nuk u përpoq ta frenonte. Ndoshta nuk i prishte punë.
Por, asëll-asëll, nuk kemi të bënim me kozmopolitizëm; ka qenë një ftohje graduale e shqiptarëve me vendin e tyre, i cili ngjante të ishte gjithmonë e më pak i tyre dhe gjithmonë e më shumë i nomenklaturës. Duke qenë se ishte e lehtë që vendi të identifikohej me regjimin (nën diktatura kjo nuk është ndonjë gjë e pazakontë), duke qenë se nga ana tjetër regjimi për një kohë të gjatë nuk jepte shenja squlljeje e zbythjeje, dëshpërimi merrte formën e një apatie kolektive dhe armiqësia me diktaturën shndërrohej në një raport të ngrirë 'me atë që quhet Atdhe. Është e vështirë të shpjegohet se si në këtë klimë apatie e në rrethanat e një izolimi total nga pjesa tjetër e botës, njerëzit kërkonin e gjenin me kurajo kanale komunikimi me botën që u mohohej. Ishte ndoshta një mënyrë për t'iu përvjedhur identifikimit me diktaturën e për ta sfiduar këtë të fundit, e cila, përveçse ishte e frikshme, ishte edhe e mërzitshme. Universi i saj autarkik nuk të ofronte asgjë të gëzueshme. Nuk ishte çudi që shumëkush, më shumë se sa diktaturën vetë, të vuante mërzinë që ajo pillte. Një festival i shplarë i muzikës së lehtë, i 11-ti, pikërisht ngaqë u shfaq si agresion i përkorë ndaj kësaj mërzie e si shmangje jo dhe aq domethënëse nga ritmi e skemat artistike të kohës, u anatemua me vendosmëri nga regjimi, a thua se bëhej fjalë për një coup d'etat. Pse? U tentua që banaliteti e mediokriteti të visheshin me një rrobë të ndryshme. Shkurt, larmia e shfaqjes së banalitetit ishte mjaft për ta bërë jetën më të gëzueshme e më interesante, gjë që, afërmendsh, regjimi nuk e honepste dot.
Pas betejës komuniste kundër zotit, përpjekja për të krijuar "njeriun e ri", ndonëse u shoqërua me një propagandë nacional-komuniste, nuk prodhoi gjë tjetër, veç një njeri të lodhur e moskokëçarës ndaj identitetit kombëtar. Shembujt janë të shumtë. Ndër mijëra bar-restorante, disko, dyqane, të hapura në Tiranë dhjetë vitet e fundit, numërohen me gishtat e duarve ato që emërtohen në shqip. Pjesën tjetër e zënë emërtimet në gjuhën angleze, italiane, por edhe gjermane, franceze, etj. Emërtimet "Las Vegas", "Florida", "California", "Chaplin", "Berlusconi", "International", "Bar West", "München", "Dolly", "My baby", "Berlin", "Montpellier", "Marilyn Monroe", etj., etj., të krijojnë përshtypjen e një qosheje të botës, e cila është zgjedhur për të eksperimentuar qysh tani globalizmin më të guximshëm e më të suksesshëm. Këtë praktikë nuk kanë munguar ta ndjekin edhe institucione shtetërore, bashki e komuna, të cilat kanë zënë të emërtojnë në të njëjtën mënyrë sheshe, rrugë, ndërtesa. Ecim më tej.
Pjesa myslimane është tradicionalisht shtresa më pak fetare e më "kozmopolite" e popullsisë. Personalisht njoh shumë të rinj myslimanë që mbajnë kryqin në qafë. Gjenden shumë familje që mbajnë të varur në muret e shtëpisë simbole të fesë së krishterë. Më kanë treguar që shumë shqiptarë të emigruar, pa bërë konvertimin në fenë e të krishterëve, ndjekin megjithatë festat e tyre fetare, respektojnë ritet, pagëzojnë fëmijët në kisha, ndonëse thellë-thellë janë ateistë. Kufiri grek i dhjetë viteve të fundit është bërë dëshmi e lehtësisë, me të cilën shqiptarët ndërrojnë emrat nga myslimanë në ortodoksë. Nuk janë një e dy. Janë me mijëra.
Në vitet 70 e '80, modën e para e pasluftës për të vënë emra shqiptarë afetarë si Flamur, Tomorr, Korab, Bujar, Besnik, Ilir, Shkëlzen, Valbona, Petrit, Agim, Luan, Pëllumb, Burbuqe, Mimoza, Trëndafile, Adriatik, Sokol, Bashkim, Bukuri, e zuri alergjia ndaj këtyre emrave. Plasi moda e emrave të huaj. Sot gjen me shumicë myslimanë 20 e 30 vjeçarë, të cilët kanë emra me origjinë çifute si Mojsi, Emanuel, Rakela, Pamela, Albert, me origjinë greke si Kristina, Igli, Sofie, me origjinë sllave si Vladimir, Natasha, Aljosha, Boris, Ivan, me origjinë legjendash si Orland, Roland, Kleopatra, Helena, Akil, me origjinë latine si Armand, Martin, Artur, Robert, pa pikë origjine e kuptimi si Ledio, Ervis, Marsela, Ervin, Denada, Ergys, Desara etj. Emrat me origjinë islame nuk përdoren më as në zonat më të thella malore, duke përjashtuar këtu zakonin e "ngjalljes" së një të vdekuri (ka ende ndonjë rast shumë të izoluar, kur për t'i bërë homazh një të afërmi të sapovdekur, fëmijës më të parë që lind i vënë emrin e tij). Sikur dikush në Tiranë të imitonte gjestin e këngëtares së njohur italiane me origjinë shqiptare, Ana Oxa (Hoxha), e cila, për të evokuar origjinën i vuri djal.it të sapolindur emrin mysliman Qazim, me siguri do të përqeshej.
Përveç kësaj, ndërsa nuk e pëlqenin e nuk para e pëlqejnë muzikën e tyre të lehtë, e cila, me ndonjë përjashtim jo shumë të rëndësishëm, vazhdon të jetë një muzikë pa një fytyrë të vetën, shqiptarët ishin shumë të dhënë pas asaj të huaj; në jug pas asaj greke, në veri pas asaj jugosUave, në Shqipërinë e mesme pas asaj italiane. Sot, me dhjetra radio private kombëtare e lokale transmetojnë 24 orë non stop vetëm muzikë të huaj (atë sllave nuk e dëgjojnë më). Ka megjithatë një muzikë "shqiptare" të preferuar nga publiku "low-brow", por që injorohet nga radiot e televizionet, e në përgjithësi, nga publiku "high-brow": një muzikë tipike orientale, në të cilën, avaze të vjedhura nga këngë turke e arabe vishen me vargje vulgare, tmerrësisht vulgare, të thurura me lehtësi nga bejtexhinj mejhanesh të Tiranës. Kjo lloj muzike mbizotëron në mënyrë absolute tregun e shitjeve dhe është e vetmja që përcjell ceremoni e festa popuilore, sidomos dasmat.
Ceremonitë e dasmës dhe ato mortore janë larg një identiteti të caktuar. Ka në ritet e këtyre ceremonive elementë paganë, fetarë, afetarë, antifetarë, perëndimorë, lindorë, dhe në këte coctail prore të rrëmujshëm e të zhurmshëm, gjërat pastërtisht kombëtare gati mungojnë. (Një përmasë të qartë identiteti kombëtar e gjejmë te folklori, te ceremonitë e mikpritjes, kostumet tradicionale, vallet, këngët e vjetra, lahuta, çiftelia, isoja, mekanizmi i dollisë etj., etj. Këto të fundit, që janë me të vërtetë shqiptare, për fat të keq po humbasin. Askush nuk bëhet merak që po humbasin. Askush nuk i ushtron më, qoftë edhe në raste e ceremoni të veçanta. Janë ca si tepër old-fashioned për shqiptarët snobë).
Është e qartë pra se përpara se të flasim për kozmopolitizëm, duhet të flasim për një krizë identiteti te shqiptarët. Dhe këtu nxjerr krye një paradoks paralizues: e vetmja gjë tradicionale që vazhdon të jetë "e respektuar" nga një pjesë shqiptarësh është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Në të vërtetë, nëse do të çalltisim të kapemi pas një dukurie sa më përfaqësuese në historinë e traditën tonë për të shpjeguar sa më mirë të jetë e mundur konstitucionin shpirtëror dhe esencën e vërtetë psiko-mentale, në fund të fundit identitetin e shqiptarëve, nuk është e tepërt të ndalemi te "Kanuni i Lekë Dukagjinit". Dhe nuk janë të paktë ata që janë ndalur. Ky kod i pashoq zakonor që përbën veç të tjerash kushtetutën më jetëgjatë e më autentike, mbi bazën e së cilës është rregulluar jeta, jetesa e bashkëjetesa në malësitë e Shqipërisë (vë re: në malësi, atje ku universi shqiptar mbeti pothuaj i virgjër e i patrazuar), flet e shpjegon thelbin tonë shumë më tepër e shumë më saktë se çdo legjendë, vepër, libër, pasuri folklorike, gjurmim etnografik, studim antropologjik, zbulim arkeologjik, lëvizje kulturore, kryengritje popullore, program politik e lëvizje kombëtare.
Po rikthimi te Kanuni, duke qenë i vetmi rikthim i bujshëm te tradita, na bën të arrijmë në një përfundim të pamëshirshëm: diçka prej identitetit tonë, pa të cilën nuk mund të bëjmë dot, nuk puqet në asnjë pikë me qytetërimin europian, pjesë e të cilit duam të jemi si "një edhe një që bëjnë dy", megjithatë. Credo quia absurdum! Të shkojmë` në Europë - kjo është moda jonë. Të mbetemi të paqytetëruar - kjo është vendosmëria jonë.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|