kotka
.....
Regjistruar: 21/06/2007
Vendbanimi: .....
Mesazhe: 3612
|
Turizmi, shqiptarët braktisin plazhet e vendit
13 Korrik 2007 @ 10:12 am · në Shtypi
Julian Llupo
Shekulli
12-07-2007
Shqipëria turistike jo vetëm që nuk po tërheq dot turistë të huaj, por edhe kërkesat në rritje për pushime të vendasve nuk po arrijnë që të plotësohen. Çmimet e larta, kufizimet në rritje të energjisë si edhe pastërtia e plazheve që lë shumë për të dëshiruar, mbeten disa nga faktorët që po largojnë pushuesit nga brigjet shqiptare. Kufizimet e energjisë në bregdet shkojnë në 5 deri në 6 orë në Durrës dhe Vlorë ndërsa në Sarandë kufizimet janë më të pakta, vetëm një orë në ditë. Në një kohë që në Shqipëri dihet varësia e ngushtë e ujit me energjinë, një situatë e tillë ka sjellë vështirësi të mëdha edhe në furnizimin me ujë. Biznese të ndryshme të fushës së hotelerisë dhe turizmit janë duke u përballur me kosto shtesë, që vijnë nga përdorimi i rritur i kondicionerëve. Por edhe gjeneratorët duket se nuk janë zgjidhja e duhur. Në kushtet kur temperaturat janë tepër të larta, pushimet tashmë për një pjesë të mirë të popullatës nuk mund të mendohen më pa ajër të kondicionuar dhe me dushe me orare sipas dëshirës së energjisë. Kjo ka bërë që një pjesë e mirë e pushuesve të mendojnë si alternativë më të mirë vendet fqinjë, që paraqesin çmime konkuruese por në radhë të parë ato nuk kanë probleme të furnizimit me energji apo të furnizimit me ujë. Destinacionet kryesore mbeten Mali i Zi, Maqedonia, Turqia dhe Kroacia, vende në të cilat edhe qarkullimi i qytetarëve është I lirë dhe me pak burokraci për viza apo leje kalimi. Ndërsa destinacionet e tjera mbeten për një pjesë më elitare të pushuesve të cilat kanë muindësi të marrin viza Shengen apo i zotërojnë ato që më parë.
Bien të ardhurat nga turizmi
Megjithëse krahasuar me eksportet, turizmi është një burim i konsiderueshëm i furnizimit të vendit me valutë, gjatë tre muajve të parë të këtij viti kemi një rënie të të ardhurave. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, eksporti i turizmit ka sjellë 170 milionë euro të ardhura, një shifër 15 për qind më e ulët se ajo e një viti më parë. Nga ana tjetër kemi një rritje të shpenzimeve të shqiptarëve jashtë, për udhëtime dhe për turizëm. Sipas Bankës së Shqipërisë, rezidentët shqiptarë kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë shtetit rreth 177 milionë euro, ose sa 62 për qind të totalit të dërgesave nga emigrantët. Tashmë është vënë re edhe një fenomen i ri, gjatë periudhës së pushimve të verës ku Shqipëria përdoret si vend tranzit për të shkuar drejt fqinjëve sidomos nga emigrantët. Duke shfrytëzuar muajt e pushimeve emigrantët vijnë drejt familjeve të tyre, ndërkohë që pushimet i kalojnë në vendet fqinjë. Një fenomen i tillë është vërejtur në rritje gjatë viteve të fundit. Ky është edhe një nga faktorët kryesorë që me rritjen e numrit të vizitorëve që hyjnë në vend, kemi një rënie në të ardhura nga turizmi. Vëllimi i shpenzimeve për udhëtime, për tremujorin e parë 2007, vlerësohet rreth 6 për qind më i vogël, krahasuar me një vit më parë, si pasojë e rënies së koeficientëve vlerësues të ditë-qëndrimit (27 për qind) pavarësisht rritjes së lehtë të shpenzimeve ditore dhe numrit të udhëtarëve (9 për qind). Turizmi gjatë viteve të fundit, ka qenë një sektorët që ka zënë vendin e dytë pas remitancave, përsa i përket furnizimit të vendit me valutë dhe njëkohësisht mbylljes së deficitit korrent. Të ardhurat nga turizmi në një vit, janë rreth 2 herë më ta larta se ato të eksporteve, duke treguar se ky shërbim mbetet ende konkurrues, nëse krahasohet me mallrat që prodhohen në vend.
Rruga që përshkojnë turistët
Sipas pikave kufitare të hyrjes, fluksi më i madh i vizitorëve është në pikat kufitare të Qafë Thanës (22.3%), Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, (18.5%), dhe pika kufitare Muriqan (15.2%). Nëse i hreferohemi vizitorëve që kanë hyrë sipas nënshtetësisë, numrin më të madh e kanë vizitorët e ardhur nga Evropa, 71242 persona, ose 90%; Amerika, 4 871 persona, ose 6% dhe Azia, 2 271 persona, ose 3%. Në vizitorët e ardhur nga Evropa, numrin më të madh e kanë vizitorët e ardhur nga Maqedonia, me 15 111 persona, ose 21.2%; vizitorët nga Kosova, me 17.2% dhe Mali i Zi, me 14.7%.
Qafë Thanë, 7 500 pushues drejt Maqedonisë
Qafë Thanë – Një fluks i madh pushuesish vendas kalojnë kufirin duke i’u drejtuar plazheve të shteteve fqinjë si Turqi, Bullgari apo edhe në Maqedoni. Sipas evidencës zyrtare në doganën e Qafë Thanës vetëm këto 24 orët e fundit e kanë kaluar kufirin 7 500 pushues shqiptarë që preferojnë plazhet e fqinjëve duke braktisur turizmin vendas. Radha e veturave dje në Qafë Thanë shkonte deri në 3 km gjatësi. Një familje nga Elbasani për ka thënë se gjthmonë i ka bërë pushimet në Pogradec por këtë vit po i bëjmë në Maqedoni në brigjet e liqenit të Ohrit, sepse nuk mund të ketë turizëm me qiri siç po ndodh tek ne me kufizime drastike madje edhe për qytetet turistike nuk janë kursyer nga këto kufizime. Shumë vetura dhe autobuza kishin destinacion Turqinë. Mungesa e energjisë dhe e ujit të pijshëm në disa qytete turistike po i largon çdo ditë e më tepër pushuesit vendas në drejtim të plazheve të fqinjëve ku nuk mungon asgjë dhe çmimet janë shumë të arsyeshme. Edhe qyteti i Pogradecit që vitet e tjera kishte një numër të madh pushuesish vendas dhe të huaj këtë vit duket më i zymtë se asnjëherë tjetër. Në qytet kufizimet shkojnë deri në 4 orë ndërsa në fshatrat turistike në breg të liqenit energjia mungon deri në 8 orë në ditë. Shumë pronarë lokalesh luksoze dhe biznese janë të dëshpëruar sepse po falimentojnë përpara kësaj situate katastrofike siç e quajnë ata.
Numri i vizitorëve për 5 mujorin
Sipas Ministrisë së Turizmit, numri i vizitorëve të huaj të hyrë në Shqipëri për periudhën janar-maj 2007 është 291.759 persona. Sipas këtyre shifrave, kemi një rritje prej 54 258 persona, ose 22.8% krahasuar me numrin e vizitorëve të hyrë për të njëjtën periudhë të vitit 2006. 76% e tyre kanë vizituar vendin për qëllim pushimi. Numri i vizitorëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri për muajin maj 2007, është 77 577 persona. Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë vizitorë ditorë. Kemi një rritje të numrit të vizitorëve prej (16.3%) në muajin maj 2007, krahasuar me periudhën respektive të vitit 2006 dhe krahasuar me vitin 2005, kemi rritje prej 57%. Sipas mënyrës së udhëtimit, numri i vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri, me rrugë tokësore është 52 875 persona (69%), e ndjekur nga vizitorët e hyrë me rrugë ajrore 18%.
__________________
Nuk mjafton te mendojme se duhet vepruar ndryshe...duhet te fillojme te mendojme ndryshe... dhe vetem atehere fillojme te veprojme ndryshe.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|