sarandaebukur
Veteran ne forum

Regjistruar: 21/06/2003
Vendbanimi: New-York
Mesazhe: 817
|
Familjarët e viktimës së aksidentit tragjik shprehin keqardhje për drejtuesit e "Top-Channel" që nuk shkuan për ngushëllim
Telefonata e fundit e Entela Hyskos dhe pengu i nënës së saj, Nazimesë
Rexhep POLISI
Shtëpia e Entela Hyskos, vajzës 28-vjeçare që humbi jetën para katër ditësh në aksidentin tragjik bashkë me pronarin e "Top Media", ndodhet në katin e parë të një pallati në hyrje të Tiranës, poshtë varrezave "Dëshmorët e Kombit". Të afërmit e saj na thonë se prindërit e saj kanë ardhur para dy vjetësh nga Skrapari dhe e kanë blerë këtë shtëpi për të jetuar bashkë me vajzën e tyre, Entelën. Dhimbja dhe pikëllimi ka përfshirë të gjithë familjarët që vazhdojnë të presin njerëz për ngushëllime. Lotët ende nuk janë tharë në sytë e nënës së saj, Nazimesë, që ende nuk e beson ikjen në botën tjetër të vajzës së saj. Ajo përkëdhel një fotografi të Entelës që e mban në prehër dhe lotët i rrjedhin papushim. Pranë ka bashkëshortin, Bariun, djalin e vetëm që ka ardhur nga Anglia ku jeton si emigrant, dhe vajzën tjetër, e cila ndodhet në Greqi me familjen e saj. Disa gra veshur me të zeza i qëndrojnë pranë për t'i lehtësuar dhimbjen. "Më iku vajza, më iku drita e syve", flet ngadalë nëna e Entelës dhe përkëdhel portretin e saj në një kornizë të madhe. Ajo thotë se tani jeton vetëm me kujtimet e Entelës dhe të gjitha ato gjëra që ajo ka lënë në shtëpi.
Më pas, nënë Nazimeja nis e tregon për çastet e fundit kur ishte ndarë me Entelën. "Një natë para se të më ikte përgjithmonë, kam fjetur në një shtrat me të. Burri kishte ikur në Skrapar dhe ne fjetëm bashkë nënë e bijë. Gjithë natën nuk e zinte gjumi dhe më puthte duart. Nuk e di, por sikur ndjente diçka. Në mëngjes iku në punë, si gjithmonë. Më tha se, do të vij vonë në shtëpi, sepse do të shkoj për urim në një dasmë, por t'i mos u mërzit se do të vij në shtëpi në darkë. Në drekë, Entela më mori në telefon dhe më pyet se çfarë po bëja. Unë e pyeta, a hëngre drekë, e ajo më tha se, "tani po ha atë që më përgatite ti". Më mori në telefon edhe një herë pasdite dhe më tha mos u mërzit se do të vij në darkë. Në fakt kjo ishte dhe telefonata e fundit e Entelës dhe ishte hera e fundit që dëgjova zërin", thotë e ëma e Entelës, Nazimeja, duke shpërthyer në të qara.
"Pastaj nuk më mori më në telefon. Në mbrëmje unë u bëra merak, dhe mezi po prisja që të vinte në shtëpi. Të premten në mëngjes rreth orës 6:00 vjen vëllai i një shoqes së saj dhe më thotë se, Entela ka pësuar një aksident dhe është plagosur, e kanë çuar në Spitalin numër një. Dy kushërinj më morën me makinë dhe më çuan në spitalin numër një, por atje na thanë se nuk dinin gjë. Atëherë u nisëm për në Spitalin Ushtarak. Dy kushërinjtë u futën para në spital, dhe unë atëherë e ndjeva se vazjës i kishte ndodhur diçka e rëndë. Nuk mbaj mend asgjë më shumë, sepse më kishte rënë të fikët", tregon nëna e Entelës, Nazimeja.
Tragjedia e madhe kishte tronditur të gjithë banorët e lagjes ku banonte familja Hysko. Të gjithë njerëzit e pallatit u janë gjendur pranë, duke ndihmuar për ta përballuar dhimbjen e thellë. Ata kanë njoftuar menjëherë babain e saj që ndodhej në Skrapar, djalin që ndodhej emigrant në Angli dhe vajzën në Greqi. Të shtunën në orën 11:00, Entela është përcjellë për në banesën e fundit në varrezat e Shish Tufinës nga njerëzit e saj të afërt dhe qindra e qindra qytetarë.
Pasioni
Entela Hysko ka lindur më 5 korrik 1980 në Çorovodë të Skraparit. Shkollën fillore dhe 8-vjeçare i mbaroi në vendlindje. Shkollën e Mesme të Përgjithshme e mbaroi në gjimnazin "Arben Broci" në Tiranë. Ka përfunduar Fakultetin e Akademisë së Arteve për aktrim dhe më pas Specializimin për regjizurë.
Në dhjetor të vitit 2007, Entela Hysko ka qenë e ftuar nga fotografi me famë botërore Fadil Berisha në SHBA për një album fotografik. Atje është takuar edhe me shkrimtarin e shquar shqiptar Ismail Kadare, ku ka pozuar edhe me bashkëshorten e tij, Elena Kadare. Gjithashtu, ka qenë e ftuar edhe në Itali ku ka pozuar në një nga studiot më të njohura italiane.
"Entela ka qenë e dhënë pas artit që kur ishte e vogël, 5-vjeçe. Kishte pasion kërcimin dhe të bëhej aktore. Ajo merrte fëmijët e tjerë dhe i organizonte për koncerte imagjinare. Unë i kam qëndruar pranë gjithmonë dhe për t'ia realizuar dëshirën e dërgova në Tiranë për të mbaruar edhe shkollën e mesme.
Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin "Arben Broci" në vitin 2000. Gjatë asaj kohe është marrë edhe me aktivitete kulturore. Më pas, vazhdoi shkollën e lartë për aktore dhe pasi e përfundoi atë, filloi specializimin për regjizore. Të dyja shkollat e larta i ka mbaruar me rezultate të shkëlqyera", tregon nëna e saj. Ajo thotë se kur vinte në shtëpi Entela vetëm lexonte libra. "Fli, ti mami, se unë këtë punë kam", më thoshte.
Puna
Nëna e saj, Nazimeja tregon se, Entela ka punuar më shumë se dhjetë vjet në "Top Albania Radio" dhe "Top-Channel". Ajo thotë se, ka punuar me përkushtim dhe pasion në këto media, por njëkohësisht shpreh keqardhje se nuk i kanë shkuar për ngushëllim drejtuesit e këtyre mediave dhe shoqëria e punës. "Vajza ime ka punuar në "Top-Channel", që kur ishte në shkollën e mesme, "Arben Broci" në Tiranë e deri në ditën e fundit të jetës, por ata nuk erdhën për ngushëllim", thotë nëna e Entelës. Ajo thotë se ka pritur me shpresë se do të vinin për ngushëllim njerëzit e punës ku ajo punoi për më shumë se dhjetë vjet, por nuk ndodhi kështu. "Më ka mbetur peng se, vajza ime ka punuar për dhjetë vjet me korrektësi, bile ka qenë në poste drejtuese, por nuk u vlerësua prej tyre", thotë nënë Nazimeja. Mbesa e saj thotë se, ka qenë për ngushëllim Arbana Osmani, drejtuesja e emisionit "Big-Brother" dhe nuk ka pushuar asnjë çast së qari.
Nazimeja tregon se, Entela kishte në plan për të bërë një film vetë, por nuk na tregoi se çfarë filmi. "Do t'ua bëjë surprizë, më thoshte, dhe lexonte dhe shkruante deri natën vonë. Shumë dorëshkrime të saj janë aty në sirtar", thotë ajo. Njerëzit e saj të afërt tregojnë se, Entela ka qenë anëtare e komisionit të përzgjedhjes së anëtarëve që po marrin pjesë në spektaklin "Big Brother", që po transmetohet nga "Top-Channel". Gjithashtu ajo ka organizuar disa spektakle në këtë televizion. "Entela ishte e dashur me të gjithë njerëzit që nga të vegjëlit e deri tek të moshuarit", thotë nëna e saj.
Ministri i Kulturës ngushëllon familjen e Entelës
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, ishte dje për ngushëllim në familjen e Entela Hyskos. Ministri Pango u shprehu prindërve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e vajzës së tyre të dashur. Ai tha se, "vdekja aksidentale e Entelës është një humbje e madhe për prindërit e saj, por edhe për artin, pasi u prenë në mes ëndrrat e saj për artin". Prindërit e Entelës falenderuan ministrin Pango për ngushëllimin.
Marjeta Zaçe: Vdekja e Entelës, humbje e madhe për familjen
Të dielën në familjen e Entela Hyskos ishte për ngushëllim edhe zëvendësministrja e Punës, Çështjeve Publike dhe Shanseve të Barabarta, Marjeta Zaçe. "Erdha për të ngushëlluar familjen e vajzës, që humbi jetën në aksidentin tragjik", u shpreh zëvendësministrja Zaçe. Ajo tha se, vdekja e vajzës Entela Hysko ishte një humbje e madhe për familjen e saj dhe për të afërmit. Zonja Zaçe shoqëruar edhe nga një përfaqësi nga Lidhja Demokratike e Gruas i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes së Entelës
-----------------------------
Ah nenat e shkreta...me vjen shume keq per keto dy nena, si e Dritanit ashtu dhe e kesaj vajze ..Shpirti i tyre gjithmone do te jete prane.tyre..Le ti leme rehat te prehen ne qetesi..tek e fundit ..nuk qenka gje kjo jete..si te pasur dhe te varfer atje do perfundojme....Prandaj o cuna mos u hani me njeri tjetrin.. se kjo gje dihet ..ne shqiptaret jemi te vetmit ne bote per thash e theme ..
Respekte
--
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|