Misha
Vogelushja Misha
Regjistruar: 08/09/2009
Vendbanimi: Everywhere
Mesazhe: 263
|
Fytyra e pistë e Pavarësisë
Do më pëlqente që sheshi i koncertit të Pavarësisë të mbetet bosh. Si vetë festa. Të mbesnin vetëm fytyrat e Pavarësisë mes 1000 deshëve të therur, paçka se 4 desh mund të mjaftonin në atë Bulevard). Por, druaj se askush nuk do t’i rezistojë tundimit për një dozë xhamadani patriotik falas.
Nga Koloreto Cukali
Vendi ku gjej emocionin më të madh atdhetar së fundmi janë lokalet me muzikë live (pub-e a club-e, rrallë janë të identifikueshme qartë se ç’“zhanri” i përkasin). Njerëz të djersitur nga avujt e alkolit dhe të tollovisë bërtasin me zërat e ngjirur “xhamadanin vija-vija”. Në momentin e duhur, kur eksitimi ka arritur në tavan, del edhe një flamur i madh që tundet. Brohorima e xhamadan, aq sa të tërë i kap një përlotje patriotike.
Pyes veten, pse këndojnë? Pse bërtasin e përloten për Shqipërinë në lokal? Kur të dalin nga ajo sallë të tërë do shkojnë në shtëpitë e tyre, për të vazhduar jetët e tyre të mbushura me zgjedhje (jetësore) të korruptuara. Nesër, do t’i kthehen rutinës së tyre duke u bërë pjesë e ingranazhit që e ka shqyer Shqipërinë si një rreckë vija-vija. Nesër do ngrihen herët t’u bien pas masterave të rremë a CV-ve të rreme; të kapin miqtë për të rregulluar “ato gjërat” që i dinë vetë ata; të shohin mos bëjnë ndonjë lek; të shohin a ka mbetur ndonjë vrimë e sistemit pa ngulur pipën për të thithur padrejtësisht përfitime. Ajo që e kujtojnë ‘pipë’ dhe ajo që u duket si ‘sistem’ lehtësisht i abuzueshëm, në fakt është trupi i Shqipërisë. S’po ju them se çfarë thithin ato pipa. Shoh njerëzit që tërbohen me patriotizëm në lokale (pub-e a club-e, rrallë janë të identifikueshme se ç’“zhanri” i përkasin) dhe shoh pastaj fytyrat me të cilat po shkojmë drejt 100 vjetorit të Pavarësisë.
Emblema e pushtetit
Unë nuk preferoj të merrem me individë, sepse e keqja e këtij vendi shkon përtej individit. Ama, të paktën 1 herë në 100 vjet mund të bëjmë një rezyme njerëzore, e të merremi pak dhe me figurat. 1 herë në 100 vjet, mund ta shohim veten në sy e të pranojmë se e liga në këtë vend përfaqësohet nga disa njerëz, më saktë në mënyrën sesi e përdorin pushtetin ata njerëz. Nuk më harrohet një mik që më thoshte që Berisha është tip interesant të rrish të bësh bisedë të lirë (që nuk e di nëse bën më, ja se nuk i kanë mbetur më bashkëbisedues që t’i rrinë afër për të shijuar biseda të lira, ja se vetë termi “i lirë” duhet t’i japë tension). Unë e besoj këtë. Por, përtej njeriut interesant e inteligjent Berishë (më inteligjenti nga të gjithë, thoshte një plak në autobus – dhe po, unë eci dhe me autobus) është mënyra sesi ai përdor pushtetin.
Dhe në këtë kuadër, fytyrat e Pavarësisë tonë janë të pista
1 herë në 100 vjet, është mirë të mos merremi me sistemin por me njerëzit, me mënyrën si ata përdorin pushtetin. Në këtë moment qartësie, meqenëse unë nuk këndoj xhamadan e nuk përlotem në lokal për Shqipërinë, mund ta shoh qartë si po shkojmë drejt pavarësisë. Ne po shkojmë me Sali Berishën, me Ilir Metën, me Edi Ramën, me Fahri Balliun, me Lulzim Bashën, dhe nuk e keni vështirë për ta vazhduar vetë listën nën secilin. Çfarëdo përpunimi t’i bëhet “xhamadanit” këta mbeten realisht fytyra e Pavarësisë. Për të ditur se çfarë përfaqësojnë, një analizë të thjeshtë për këto 100 vjet mund ta bëjë kushdo.
Fytyra e kartëmonedhës 100-she
Pas 100 viteve, ne kemi bjerrur. Me përjashtim të televizorëve dhe elektrifikimit, gjithçka duket më keq. Pas 100 viteve, Shqipëria nuk është e jona. Shqipëria u përket një grushti njerëzish. Malet, lumenjtë e lisat nuk janë më ato të Naimit; pas 100 vitesh, janë rrethuar, mbuluar e masakruar me përbindësha prej betoni. Para 100 vitesh, një burrë ishte i barabartë me një burrë. Sot, edhe 1 fëmijë mund të jetë i pabarabartë me 100 mijë burra, varet se fëmija i kujt është. Deri dhe gjakmarrja tani pas 100 vjetësh është më keq, më paburrërore, më e ligë. Ajo është kthyer në një mjet dhune e shantazhi në vend se një peshore kanunore e së drejtës. Edhe pas 100 vjetësh, feja e shqiptarit nuk është shqiptaria.
Pas 100 vitesh, jemi ende anës sofrës së pangrënë, anës lumit të palarë, anës dijes… madje më keq, i kemi mbushur mendjen vetes se jemi të ngopur, të pastër e të ditur. Para ndonja 100 vitesh kishte një grup idealistësh që ëndërronte, shpresonte dhe punonte duke falur veten për Shqipërinë. Tani, “Punëtorëve të Rilindjes” ua kemi hequr dhe emrin te rruga, për t’ia vënë dikujt që ka interes Partia. U deshën 100 vjet për të vrarë idealizmin. Vrasësit janë fytyrat me të cilat po shkojmë drejt 100 vjetorit të Pavarësisë.
Fytyra qesharake e Pavarësisë
Standarti i ri shoqëror i sheh idealistët si budallenj. Në rastin më të mirë si naivë. Ata që korruptohen, dhe janë shumë, tallen herë me të keq e herë me dashamirësi me ata që nuk duan të përlyhen. Dhe po flas për korrupsion të shpirtit, jo thjesht për videon me bllok shënimesh. Kalamajtë që pinë cigare përpiqen me çdo mënyrë t’ua mësojnë dhe shokëve të tyre që nuk e shkelin rregullin, thjesht se i bezdis prania e dikujt që është moralisht më superior (tek cigarja, të paktën), me të njëjtin entuziazëm 3 milionë të korruptuarit e këtij vendi përbuzin ata pak që nuk konformohen në korrupsion. Fytyra e tyre, fytyra e idealistëve, e atyre që besojnë tek një Shqipëri e mirë, janë fytyra qesharake e Pavarësisë.
Më praktikët e shohin se çfarë po ndodh. Nesër, kur pushteti të bëjë rotacionin e vet, gjithçka e bërë deri më sot do të konsiderohet si “janë bërë ca gabime”. Të tjerët që do vijnë, do vijnë për të bërë dhe ata “gabimet” e tyre. Pas rotacionit, dëshira për “vendetta” do bjerë, vjedhjet e abuzimet do të parashkruhen, ata që morën copat e xhamadanit do të vazhdojnë t’i gëzojnë. Pragmatistët dhe inteligjentët e parashohin që kështu do ndodhë. Në një spirale që nuk mbaron kurrë, për poshtë.
Entuziazmi patriotik me flamuj, me kombëtare e me xhamadanin vija-vija, është një show perfekt i asaj që jemi. Na pëlqen që të marrim një dozë të lehtë e të padëmshme dashurie për Shqipërinë në pub a club (rrallë janë të identifikueshme qartë se ç’ “zhanri” i përkasin) si puna e atyre që firmosin një peticion kundër dhunës në Internet, për të menduar se e bënë pjesën e tyre. Prandaj habiten kur i shohin që ngjiren në lokalet live. Ne nuk kemi asgjë për të gëzuar në këtë Pavarësi. Asgjë për të kënduar. Asgjë për të festuar. Ne, jemi ende në pikën 0.
Zeitgeist
Unë mendoj se ka vetëm një rrugë për të rifilluar nga zero. Nëse është e vërtetë ajo që thotë Konica që këtë vend e ndërtuan idealistët… unë nuk shoh rrugë tjetër përveç kësaj. Nuk mund të ketë asnjë rilindje nëse nuk ka brenda idealizëm të pastër (budalla e naiv, siç e konsiderojnë shumica). Kjo kohë ndoshta nuk ka ardhur akoma. Me sa shoh, askush nuk e konsideron idealizmin si armë për të bindur votuesit e për të ndërtuar pushtetin. Por, ky vend nuk mund të rilindë nëse nuk vendoset një frymë e re, e bazuar mbi idealizmin e sado pak vetëve, edhe përkundrejt një shumice të korruptuar. Shqipëria nuk bëhet me kompromise. Çdo justifikim është vetëm dredhë për të mos i shkuar deri në fund.
Koncerti i “Bulevardit”
Do më pëlqente që sheshi i koncertit të Pavarësisë të mbetet bosh. Si vetë festa. Të mbesnin vetëm fytyrat e Pavarësisë mes 1000 deshëve të therur (4 desh mund të mjaftonin në atë Bulevard). Por, druaj se askush nuk do t’i rezistojë tundimit për të marrë një dozë xhamadani patriotik falas. Prandaj, mirupafshim në Shqipërinë e lirë, siç thotë një miku im aktor: “e lirë”, në kuptimin “cheap”.
__________________
No one thinks to change himself, everyone thinks of changing the WORLD........Tolstoi my love
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|