AlbJuve
Anetar i regjistruar

Regjistruar: 24/09/2003
Vendbanimi: Europe
Mesazhe: 47
|
Lipi: Jemi skuadër kampionësh
Bashkangjitje: 177791.jpg
Ky file është shkarkuar 11 herë.
Një gol spektakolar i Pavel Nedvedit dhe një "mrekulli" e David Trazegesë i kanë dhënë Juves fitoren e gjashtë në këtë kampionat 2003-2004 përballë Breshias së Roberto Baxhios. Në fund të ndeshjes, Marçelo Lipi është shprehur mjaft entuziast për këtë sukses: "Sot kemi fituar falë individëve që kemi në skuadër. Kemi një grup kampionësh dhe këtë e treguam kur Bufoni priti 11-metërshin e Baxhios, ndërsa në aksionin që vazhdoi Nedvedi shënoi një gol mjaft të bukur." Më pas, trajneri bardhekaltër përmbledh me një fjali të vetme këtë sfidë: "Krijuam shumë raste, fituam bindshëm, ndërsa Breshia rezistoi vetëm në pesë minutat e para të takimit." Lipi ka komentuar edhe faktin që gjatë këtij sezoni Juventusi nuk ka paraqitur në fushë dy herë radhazi të njëjtin formacion: "Kemi një projekt të madh dhe sivjet duam t'i fitojmë të trija veprimtaritë ku marrim pjesë. Të gjithë futbollistët që marrin pjesë në këtë projekt kanë të drejta të njëjta dhe do të luajnë kur t'u vijë radha. Më shumë se një përdorim i mirëfilltë i turn-over-it, është një projekt i detajuar nga unë në bashkëpunim me vetë futbollistët." Ndërsa Pavel Nedved, autori i golit që zhbllokoi ndeshjen, i veshur sërish me petkun e heroit, tha pas sfidës me Breshian: "Më e rëndësishme se goli im ka që pritja e 11-metërshit nga Bufoni. Në rast se Breshia do të kishte shënuar e para, gjithçka do të ishte bërë më e vështirë për ne, pasi ndeshja do të kishte marrë një rrjedhë tjetër." Në vazhdim të deklaratës së tij, mesfushori çek thekson: "Dua t'u bëj komplimente të gjithë shokëve të skuadrës. Pas energjive që kishim humbur në Ligën e Kampioneve, kjo fitore merr shumë vlera. Vuajtëm disi, por e fituam me meritë ndeshjen, edhe pse Paparesta na anuloi një gol krejtësisht të rregullt." Pra, Juvja mundi Breshian dhe kjo pritej, por një tjetër fakt ka tërhequr vëmendjen pasditen e "Dele Alpit". Gjyqtari Paparesta, pasi kishte akorduar një 11-metërsh të paqenë për Juven ndaj Bolonjës, për një rrëzim të Zambrotës në zonë, duket se ka larë llogaritë më skuadrën bardhezi. Paparesta nuk e ka shlyer borxhin në akordimin e penalltisë në favor të Breshias, pasi ajo ishte neto dhe Ferrara meritonte kartonin e kuq dhe jo të verdhin pas ndërhyrjes ndaj Karaçiolos, por për një gol të anuluar për Juven. Goli ishte plotësisht i rregullt dhe i shënuar nga Trezege në minutën e 42-të të pjesës së parë. Pozicioni i francezit ishte dukshëm i rregullt, por, për habinë e të gjithëve, pa një sinjalizim të mirëfilltë të anësorit, Paparesta vendosi ta anulojë këtë gol. Juvja, duke parë edhe fitoren, nuk protestoi në këtë fakt, që mund të kishte qenë gafa e radhës e "bluzave të zeza" italiane.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|