erzeni_be
Veteran ne forum
Regjistruar: 07/07/2004
Vendbanimi:
Mesazhe: 1306
|
Kolonializmi Britanik dhe Darvinizmi
Vendi që ka përfituar më shumë nga pikëpamjet raciste të Darvinit ishte toka e vetë Darvinit, Britania. Në vitet kur Darvini nxori teorinë e tij, Britania e Madhe ishte në pozitën e themelueses së perandorisë koloniale numër një në botë. Të gjitha burimet natyrore të një zone që shtrihej nga India deri në Amerikën Latine shfrytëzoheshin prej Perandorisë Britanike. "Njeriu i bardhë" po e plaçkiste botën për interesat e veta.
Por sigurisht, duke filluar që nga Britania e Madhe, asnjë vend kolonizues nuk donte të shihej si "plaçkitës" e të hynte në histori si i tillë. Për këtë arsye, ata kërkonin një shpjegim për të justifikuar atë që po bënin. Një shpjegim i tillë mund të ishte përshkrimi i popujve të kolonizuar si "popuj primitivë" ose "qenie të gjalla shtazore". Në këtë mënyrë, ata që ishin masakruar dhe i ishin nënshtruar një trajtimi çnjerëzor, do të mund të shiheshin jo si qenie njerëzore, por si krijesa gjysmënjeri-gjysmëkafshë dhe atëherë keqtrajtimi i tyre nuk do të konsiderohej krim.
Në fakt, ky hulumtim nuk ishte i ri: përhapja e parë e kolonializmit në botë shkon deri në shekullin XV dhe XVI. Pretendimet se disa raca kishin tipare kafshësh u paraqitën për herë të parë nga Kristofor Kolombi në udhëtimin e tij në Amerikë. Sipas këtyre pretendimeve, amerikanët vendas (indianët e Amerikës) nuk ishin qenie njerëzore, por një specie kafshe e zhvilluar. Për këtë arsye, ata mund të viheshin në shërbim të kolonizatorëve spanjollë.
Pavarësisht se në filmat rreth zbulimit të Amerikës, Kolombi përshkruhet sikur ka mbajtur qëndrim human e të ngrohtë me vendasit, e vërteta është se Kolombi nuk i konsideronte vendasit qenie njerëzore.19
Masakra kundër amerikanëve vendas Me zbulimin e Amerikës nga Kristofor Kolombi filloi një masakër e tmerrshme kundër amerikanëve vendas.
Kristofor Kolombi ishte i pari që ndezi një masakër të madhe. Ai krijoi kolonitë spanjolle në vendet që zbuloi, skllavëroi vendasit dhe ishte përgjegjës për fillimin e tregtisë së skllevërve. "Pushtuesit" spanjollë e panë politikën e shtypjes dhe shfrytëzimit që ndoqi Kolombi dhe e vazhduan atë më tej. Masakrat e kryera arritën përmasa të pabesueshme. Për shembull, popullsia e një ishulli numëronte 200.000 banorë kur mbërriti për herë të parë Kolombi; 20 vjet më vonë kishin mbetur vetëm 50.000, ndërsa në vitin 1540 vetëm një mijë njerëz. Kur më i famshmi i pushtuesve spanjollë, Kortes, shkeli për herë të parë në Meksikë në shkurt 1519, e gjithë popullsia vendase numëronte rreth 25 milionë, por në vitin 1605 kjo shifër kishte rënë në 1 milion. Në ishullin e Hispaniolës, popullsia, që kishte qenë 7-8 milionë në 1492, ra në 4 milionë në vitin 1496 dhe në vetëm 125 vetë në vitin 1570. Sipas shifrave të historianëve, në më pak se një shekull pasi Kolombi shkeli për herë të parë në kontinent, 95 milionë vendas u masakruan prej kolonizatorëve. Kur Kolombi zbuloi Amerikën, 30 milionë vendas popullonin kontinentin. Si rezultat i masakrave që nga ajo kohë e deri tani, kanë mbetur më pak se 2 milionë vendas.
Arsyeja që këto masakra arritën përmasa të tilla të pamëshirshme ishte fakti që popullsia indigjene nuk konsiderohej qenie njerëzore por kafshë.
Por këto pretendime të kolonizatorëve nuk fituan shumë përkrahës. Në atë kohë në Evropë, fakti që të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë nga Zoti dhe se të gjithë rrjedhin nga një paraardhës, Adami, ishte pranuar kaq gjerësisht, saqë Kisha Katolike në veçanti mbajti qëndrim kundër këtyre pushtimeve plaçkitëse. Një nga shembujt më të njohur për këtë është përgjigja e dhënë nga ipeshkvi i Kiapas, Bartolome de las Kasas, i cili mbërriti në Botën e Re së bashku me Kolombin dhe deklaroi se vendasit ishin "qenie njerëzore", si përgjigje ndaj pretendimit të kolonizatorëve që vendasit ishin "një lloj kafshe". Papa Pali III mallkoi trajtimin shtazarak të vendasve në një qarkore papale të vitit 1537 dhe deklaroi se vendasit ishin qenie njerëzore, me aftësi të plota për besim.20
Por në shek XIX, situata ndryshoi. Bashkë me përhapjen e filozofisë materialiste dhe me largimin e shoqërive nga feja, e vërteta që qeniet njerëzore ishin krijuar nga Zoti filloi të mohohej. Kjo, ashtu siç u trajtua edhe më lart, shënoi në të njëjtën kohë lindjen e racizmit.
Me lindjen e filozofisë materialiste-darviniste në shekullin XIX, racizmi u fuqizua edhe më shumë dhe kjo krijoi një mbështetje të fuqishme për sistemin imperialist të Evropës.
James Joll, i cili ka punuar për vite të tëra si profesor historie në universitete të tilla si Oksfordi, Stenfordi dhe Harvardi, në librin e tij të historisë "Evropa që nga viti 1870", i cili edhe sot e kësaj dite përdoret si tekst shkollor nëpër universitete, përshkruan lidhjen ideologjike midis Darvinizmit, imperializmit dhe racizmit.
Grupet më të thella të ideve që frymëzonin konceptin e imperializmit ishin ato që mund të klasifikohen në vija të trasha si "Darvinizmi Social" dhe që i shihnin marrëdhëniet mes shteteve si luftë të përhershme për mbijetesë, në të cilën disa raca konsideroheshin "superiore" ndaj të tjerave në një proces evolutiv, ku më të fortit i duhej të tregonte veten vashdimisht.
Dy librat e Darvinit, "Origjina e llojeve", botuar në vitin 1859 dhe "Prejardhja e njeriut", që pasoi në vitin 1871, ndezën polemika që prekën shumë degë të mendimit evropian… Idetë e Darvinit dhe të disa bashkëkohësve të tij, si p.sh. filozofi anglez Herbert Spenser, u zbatuan me shpejtësi për çështje që s'kishin të bënin me ato shkencore. Thelbi i Darvinizmit që dukej më i zbatueshëm në zhvillimin e shoqërisë ishte besimi se mbipopullimi jashtë mundësive bënte të domosdoshme një luftë të vazhdueshme për mbijetesë, të cilën e fitonte më i forti ose ai që përshtatej më mirë. Kjo bëri që disa mendimtarë socialë ta kishin të lehtë t'i jepnin një përmbajtje morale nocionit të më të fortit (ligjit të xhunglës), kështu që speciet apo racat që mbijetonin ishin ato që kishin të drejtën morale për këtë.
Doktrina e seleksionimit natyror mund të lidhej fare lehtë me një tjetër zinxhir mendimi, të krijuar nga shkrimtari francez, konti Joseph-Arthur Gobineau, i cili botoi një "Esé mbi pabarazinë e racave njerëzore" në vitin 1853. Gobienau këmbëngulte se faktori më i rëndësishëm për zhvillimin ishte raca. Ato raca që mbeteshin superiore ishin pikërisht ato që e mbanin pastërtinë e tyre raciale të paprekur. Prej këtyre, sipas Gobineau, ishte raca ariane ajo që kishte mbijetuar më mirë. Ishte Houston Stewart Chamberlain që kontribuoi në çuarjen e këtyre ideve një stad më tutje… Vetë Hitleri e admironte autorin Chamberlain, aq sa i bëri një vizitë në shtratin e tij të vdekjes në vitin 1927.21
Siç u tregua, ekziston një zinxhir ideologjik që bën lidhjen midis Darvinit dhe mendimtarëve racistë, zinxhir ky që arrin deri te Hitleri. Darvinizmi është baza ideologjike e imperializmit që e mbyti botën në gjak në shek. XIX dhe e nazizmit që bëri të njëjtën gjë në shek. XX.
Edhe Britania e Madhe e kohës së Viktorias gjeti të ashtuquajturën "bazë shkencore" te Darvinizmi. Britania e Madhe nxori përfitime të mëdha nga kolonializmi dhe nuk kishte arsye pse të mos i shtypte ata që jetonin nën kolonializmin e saj. Një shembull i politikës së ndyrë të imperializmit britanik ishin "Luftrat e Opiumit" kundër Kinës. Britania e Madhe filloi të sillte kontrabandë në Kinë opiumin që e kultivonte në Indi qysh nga çereku i parë i shekullit XIX. Kjo tregëti kontrabandë e opiumit u rrit me kalimin e kohës për të zvogëluar defiçitin në tregëtinë e jashtme britanike. Futja e drogës në vend ndikoi, gjithashtu, në dobësimin e autoritetit të shtetit kinez mbi territorin e vet. Rrënimi i shoqërisë shumë shpejt arriti përmasa serioze. Ndalimi i opiumit, që qeveria kineze u detyrua të zbatojë pas një periudhe të gjatë mëdyshjeje, çoi në Luftën e parë të Opiumit (1838-1842). S'ka dyshim se kjo luftë e çoi vendin dalëngadalë drejt falimentimit. Kina u detyrua ta ulë kokën për shkak të paaftësisë së ushtrisë së saj në çdo konfrontim me forcat e huaja dhe të pranojë kërkesat e tyre gjithmonë në rritje. Perëndimorët dalëngadalë formuan qendra banimi brenda territorit kinez qysh në vitin 1842. Ata u morën konçesione të mëdha kinezëve, morën me qira fushat e tyre dhe e detyruan vendin të hapej me botën e jashtme në një mënyrë që do t'u sillte më shumë përfitim atyre vetë. Si rezultat i gjithë kësaj, varfëria në vend, qeveria e pafuqishme, si dhe humbja e ngadaltë e territorit kinez çuan në shumë kryengritje.
Ngjarjet në Kinë ishin vetëm një nga pasojat e politikës britanike. Gjatë gjithë shekullit XIX, shtypja dhe përmasat e dhimbshme të imperializmit britanik u përjetuan në vende të tilla si Afrika e Jugut, India dhe Australia.
Detyra për justifikimin e këtij sistemi shtypës të Britanisë dhe për të treguar se britanikët kishin të drejtë, u takoi sociologëve dhe shkencëtarëve të ndryshëm britanikë. Çarls Darvini ishte më i rëndësishmi dhe më efikasi nga të gjithë. Ishte Darvini ai që deklaroi se gjatë gjithë evolucionit ka pasur "raca superiore", si "raca e bardhë" dhe se shtypja e të tjerëve nga të bardhët ishte "ligj i natyrës".
Për shkak të justifikimit që ofroi Darvini për racizmin kolonialist, shkencëtari i famshëm, Kenneth J. Hsü, shef i departamentit të gjeografisë në Institutin Federal Zviceran të Teknologjisë, vetë me origjinë kineze, e përshkruan Darvinin si "një shkencëtar xhentëlmen të epokës viktoriane dhe anëtar i parisë së një shoqërie që dërgoi luftanijet e saj për të importuar opium me forcë në Kinë, gjithçka në emër të konkurrencës, (në tregtinë e lirë) dhe mbijetesës së më fortit."22
19 Jacques Attali, 1492, Librairie Arthème Fayard, 1991, fq.197
20 François de Fontette, Le Racisme (Racism), botimi i gjashtë, Presses Universitaires de France, 1988, fq. 40-41
21 James Joll, Europe Since 1870: An International History, Penguin Books, Middlesex, 1990, fq. 102-103
22 Kenneth J. Hsü., "Darwin's Three Mistakes", Geology, vol. 15, April 1987, fq. 377
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|