Klodel
.
Regjistruar: 10/01/2003
Vendbanimi: .
Mesazhe: 5233
|
Injoranca, sa shtrenjtë po e paguajmë!
Kiço Blushi
Edhe pse e dimë që injoranca nuk vlen asnjë grosh, ne, çuditërisht ende vazhdojmë ta paguajmë si mallin më të shtrenjtë, duke e vënë shpesh edhe kokën, apo familjen për kapar.“Ju shqiptarët, ka thënë një i huaj, atë që kushton më pak e vlen më shumë nuk e dini”. Kjo është fjala e mirë. Në të kundërt, injoranca kushton shumë e vlen një hiç, e megjithatë, ne nuk po e luftojmë as individualisht, e aq më pak shoqërisht! Injoranca gjithnjë e më tepër po bëhet feja sunduese në mjediset tona, sepse edhe politika ngrihet e qëndron më këmbë me investimin e saj. Mjafton të shohësh vetëm një seancë nga Kuvendi për t’u bindur. Nga përplasja e katundarisë me qytetarinë, e cila realisht është në minorancë jo vetëm në politikë e në qeverisje, po edhe nëpër media dhe biznese, gjeneron energjia e më të fortit dhe më i fortë e më triumfues, vetëkuptohet, del ai që ka hyrë në luftë me armët e papërballueshme e prepotente të injorancës dhe të harbutllëkut. Mjafton të vini re fjalorin e sjelljen e Berishës për t’u bindur se vetëm duke sharë e fyer mund të dalësh i fituar e mund të mposhtësh sa herë të duash cilindo kundërshtar.
Eshtë injoranca që na bën të vetëngujohemi e të mos integrohemi së pari mes vedi, që na shtyn të vrasim, të eliminojmë, ta kriminalizojmë pa prova, të poshtërojmë, të zilepsemi e të mallkojmë njëri-tjetrin edhe pa shkak, sepse, mjerisht, ne vazhdojmë t’ia besojmë injorancës fatin tonë, sjelljen tonë dhe madje edhe fëmijët tanë shumë më shumë se arsimimit, kulturës, arsyes, tolerancës, në daç besimit te Zoti e te bashkëjetesa në komunitet, si dhe besimit te ligji, te shteti, te toka e djersa e domosdo edhe te njëri-tjetri.
Analfabetizmi në rritje është vetëm njëra anë e medaljes. Ata që kanë lindur në vitin ‘90, kur ra sistemi komunist, tani janë 16-vjeçarë! Ne çuditemi kur dëgjojmë se si dhe pse fëmija adoleshent i një të pasuruari këto vitet e fundit është drogmen, është bërë kriminel, prostitutë, apo bandit. Nuk e kuptojmë se kur injoranca bie në luks e në para dhe për më tepër merr pushtet politik, bëhet edhe më rreziksjellëse për veten, po edhe për shoqërinë.
Ne nuk kemi as edhe një profilaksi, pale më strategji, për të përballuar sfidat asgjësuese të globalizmit dhe të konsumizmit, përkundrazi e lemë veten të bëhet skllav i tyre, duke humbur së pari personalitetin e më pas edhe identitetin.
* * *
Shumë njerëz vazhdojnë të dergjen nëpër humbellat e kotanisë orientale, nëpër burgje e nëpër varre, sepse e kanë lënë veten peng te injoranca kolektive, duke e paguar paditurinë shumë shtrenjtë, nga që kujtojnë se ajo, injoranca pra, është shkalla më e lartë e burrërisë, e mënçurisë, e dinjitetit, është mjeti më efikas që të bën lehtësisht e po aq shpejt të pasur e të famshëm. Shumë të vetëquajtur vipa vijnë nga “sferat e kulturës së spektaklit”, përndryshe, të injorancës, ndonëse janë të veshur me rroba firmato. Ne vetë zgjedhim deputetë arrogantë dhe mediokër për të cilët më vonë pendohemi e na vjen turp.
Rrugët tona janë të zaptuara nga harbutëria dhe vulgariteti i horrave dhe horreshave të ngrefosur më keq se gjeli majë plehut. Po jo vetëm rrugët dhe trotuaret. Ekrani i vogël, nëpërmjet kulturës së spektakleve dhe sfilatave, le më pastaj të shfaqjeve me pulla të kuqe, po mbjell në mënyrë krejt të papërgjegjshme një model jetese e një moral që vetëm moral nuk mund ta quash. Debatet politike të përnatshme, fytyrat e pangopura me narcizizëm të krerëve partiakë që shajnë e përbaltin njëri-tjetrin po e helmojnë mjedisin dhe po krijojnë modelin e vipit të përjetshëm dhe të pazëvendësueshëm, për faktin se është një arrogant i paturpshëm që nuk mban asnjë përgjegjësi për fjalët që thotë në publik. Shumica e popullsisë sonë, duke qenë rurale, d.m.th. me origjinë katundarërore, e ha dhe e gëlltit pa e përtypur këtë propagandë, edhe pse nuk mund ta përballojë dot këtë trysni të egër, veç nëpërmjet traumave që përfundojnë shpesh me tragjedira familjare e sociale.
Në vitet nëntëdhjetë badiguardët leshgjatë e muskulozë ishin të adhuruarit e sunduesit realë të qyteteve e katundeve tona e tash janë po ata, po kokërruar e me makina luksoze, që të fyejnë e mund edhe të të vrasin në vend po ua gërvishte makinën e po i pe vëngër! Nuk ka polic trafiku që mund të guxojë t’i ndalojë, kur ata kalojnë semaforin me të kuqe! Një miss shalëgjatë e gjoksjashtë vlen më shumë se një shkrimtar e sidomos se një shkencëtar shqiptar! Nuk ka TV që nuk i merr e nuk i interviston ata për t’ua dhënë të rinjve si model imitimi e suksesi! Një baba në një provincë kërkoi të vriste tutorin e së bijës, se ky e kishte shkelur “kontratën”, se nuk po i sillte pagesën e vajzës prostitutë, sipas marrëveshjes. Vajza prostitutë i ngriti babait një vilë, pastaj u kthye në katund me veturë dhe iu vrau sytë fshatarëve, duke iu lënë të kuptojnë, qoftë edhe me paraqitjen e saj sfiduese:
- O gjynahqarë! Lëroni ju tokën, milni ju dhitë, hani gurë e rropatuni, pa shikoni se kush jam unë e ku kam arritur!
Një 40-vjeçare me tri fëmijë në Vishocicë të Korçës vrau para disa muajsh nipin e dashnorit dhe e hodhi në pus, se i dashuri kishte ikur në Greqi prej dy vjetësh e nuk po bëhej i gjallë. Tre djem të rinj vranë shokun dhe e hodhën në malin e Dajtit, për një llogari të papaguar prej 15 mijë lekësh!
Të gjithë këto personazhe më së pari janë viktima të injorancës, e cila, e nakatosur edhe me varfërinë dhe trysninë e papërballueshme të reklamave, sfilatave, top-shoë-ve të përnatshme e gërmëreve politike nëpër TV-ra e nëpër lokale nate, krijojnë te adoleshentët, po edhe te më të mëdhenjtë, një botë virtuale, një parajsë që e kanë kapur dhe po e gëzojnë të tjerët, vetëm ti jo, e, rrjedhimisht, krijojnë një stres të papërballueshëm, i cili fillon me pyetjet cfilitëse që mbeten pa përgjigje: Po unë, kot jetoj? Pse të jem kaq fatkeq, xhanëm? Kush e ka fajin? Prindërit, sigurisht, që më lindën në këtë humbëtirë e që janë kaq të varfër!
Imagjinoni gruan nga Vishocica, që rropatet tërë ditën e ditës në arë, mbjell patate e mjel lopën, zhgërryhet në baltë e në pluhur dhe në darkë, e drobitur, pasi i ka bërë darkën burrit kokorroç dhe fëmijëve mosmirënjohës, ulet në divan e shikon filma me pullë të kuqe! Ç’mendon ajo vallë, teksa zbulon se ç’qejf bëjnë moshataret e saj në lokalet dhe skenat e Tiranës? Si e gjykon ajo të dashurin që e ka braktisur dhe a nuk ka të drejtë t’i vërë zjarrin gjithë fshatit? Sepse injoranca dhe instinkti i mishit të jep të drejtë të arsyetosh vetëm kështu.
* * *
Nganjëherë të duket, po të kalosh nëpër rrugët e klubet luksoze të Bllokut, se zor mund të gjesh ndonjë nënë tiranase që nuk ëndërron ta bëjë vajzën topmodele e djalin badiguard, apo balerin, sepse, ndoshta, kjo iu duket shkalla më e lartë e famës dhe e pasurimit të lehtë! Veturat tejet luksoze, mjaft të shtrenjta, po edhe veshjet firmato, lakuriqësia gjinjekërthizëjashtë, shpenzimet e lokaleve e të diskove të kushtueshme si në Trokaderonë e Parisit, kanë një faturë, kushtojnë tepër, po sigurisht që shpenzimet për një jetë të tillë nuk janë në përputhje me nivelin ekonomik të prindërve të rinisë së harlisur nga kultura e pub-eve dhe e hit popit! Atëherë, kush i paguan faturat e fëmijëve të papunë që dergjen kafeneve e derdhin djersë nëpër pub-e e disko? Sepse prindërit, në mos janë të papunë, janë aq të varfër, sa tronditen kur paguajnë faturën e energjisë elektrike e të celularit, të cilat, të dyja bashkë, janë sa rroga mujore e një nëpunësi të mesëm!
Kjo është drama e familjes së sotme shqiptare e jo vetëm e familjes, po e mbarë shoqërisë që po noton, pa e vrarë mendjen, në pellgjet e injorancës, vulgaritetit dhe parazitizmit.
Nuk e teprojmë po të pohojmë se gjysma e fëmijëve shqiptarë shesin cigare rrugëve e bëjnë punëra të zeza e gjysma tjetër shkon nëpër shkolla, po pa e ditur si e me ç’bagazh do të kthehen në shtëpi e ç’do të bëjnë pasi të mbarojnë shkollën... Mësojnë vërtet fëmijët të shkruajnë e të lexojnë shqip dhe aq, se nuk lexojnë më pas as edhe një libër, sepse edhe diploma e universitetit, madje edhe doktoratura mund të blihen me para! Kësisoj është e natyrshme që gjimnazistët, sipas një ankete televizive, të mos dinë as kur është shpallur pavarësia e Shqipërisë! Shkolla shqiptare është shkollë që me shumicë prodhon gjysmë injorantë, gjysmë analfabetë, gjysmë mediokër, snobë dhe kotanakë, të cilët shkallën më të lartë të inteligjencës e të suksesit quajnë imitimin e majmuntë të modës e të këngëtarëve amerikanë dhe që, jo për faj të tyre, nuk mësojnë asnjë zanat, sepse askush nuk ua ka thënë e mësuar as abecenë e qytetërimit, që fillon e mbaron me vetëdijen, se djersa dhe mundimi janë burimi i suksesit vetjak.
Ironia është se në këto kushte premtohet të futet interneti në shkolla. Por para futjes së tij duhet të futet kultura e vërtetë nëpër shkolla, disiplina dhe vetëdija e besimi se vetëm njerëzit e ditur, të pasionuar dhe profesionistë mund ta kenë të garantuar të ardhmen.
* * *
Popuj e shtete më të mëdhenj, po edhe më të vegjël se ne, trysninë e globalizmit dhe shoqërinë e konsumit e përballojnë duke ecur mbi dy këmbë, shkollën dhe kulturën. Në Shqipëri këto dy këmbë janë të paralizuara e nuk mund t’i quash as paterica. Kryeqyteti i vendit, Tirana, është ndoshta i vetmi kryeqytet në botë që, ndonëse ka ministri e ministër kulture, nuk ka një librari për të qenë; ka vërtet një Bibliotekë Kombëtare, po aty edhe thesari i librit po dëmtohet, ka një Teatër Kombëtar, po aty mungon drama shqiptare dhe megjithatë edhe atë donin ta prishnin, ka një Akademi Shkencash, po edhe atë po e prishin, ka një Lidhje shkrimtarësh, po aty veç shkrimtarë dhe artistë nuk gjen, ka një arkiv filmi, po aty edhe kujtesa në celuloid e kombit është dëmtuar dhe shitur, ka disa universitete, po edhe atyre po u vihen minat!
Tirana është kryeqyteti i vetëm në botë që nuk ka një klub a një mjedis ku të mblidhen shkrimtarët, shkencëtarët, politikanët, gazetarët, a biznesmenët veçmas. Edhe në kohën e Zogut, po edhe në diktaturë, ka pasur klube të tillë. Ne jemi i vetmi shtet në botë që nuk kemi një revistë kombëtare të shkencës, pa le të letërsisë a të kulturës! Kemi një gjuhë letrare, po edhe atë duam ta prishim! Kemi histori, po as atë nuk e shkruajmë dot, se po zihemi për datat 28, apo 29 nëntor! Kemi kalara, po gurët e tyre po i marrim për të ndërtuar lokale e qebaptore! Kemi ikona dhe Onufër, ikonostase dhe kodikë, po edhe ato, në mos po vidhen e po shiten jashtë, po dëmtohen. Kemi folklor e polifoni të mrekullueshme, po ato ia kemi lënë në dorë Sinan Hoxhës e duhej të vinte një serb, si Goran Bregoviçi, që të na zbulonte dhe mallëngjente me parfumin folklorik të Ballkanit! Kemi dhjetëra shtëpi botuese, po ato vetëm autorë shqiptarë nuk botojnë, se nuk ka një ligj që të mundësojë sponsorizimin e autorëve shqiptarë, se ministrat tanë të kulturës dhe kryetarët e bashkive sponsorizojnë vetëm spektakle me mise e me sfilata! Kemi pasur pyje, po ato po priten, kemi pasur lumenj, po ato po gërryen, kemi pasur fusha, po ato po i ha erozioni dhe ndërtimet, kemi pasur vreshta, po rrushin e marrim nga Maqedonia...
Është injoranca që buron nga lart e zbret deri në qelizë të shoqërisë, që po e gërryen shtyllën kurrizore të Shqipërisë më keq se një krimb dhe ne nuk bëjmë gjë tjetër, veç pijmë kafe e hedhim fall në filxhan.
Në romanin “100 vjet vetmi”, Markezi rrëfen se si indianët e izoluar të Amerikës gënjeheshin nga tregtarët çifutë herë me një copë akull, herë me një pasqyrë e herë me magnet dhe i këmbenin ato sende të habitshme me florinj.
Injorancën e vetmisë e paguanin pra me florinj.
Po ne, shqiptarët e tejvonuar në integrim, me se e kemi paguar dhe po e paguajmë vetminë tonë?
Me votën nëpër zgjedhje, sigurisht, të cilën e këmbejmë herë me një copë “magnet”, herë me një copë “akull”, herë me një “pasqyrë’ ku shohim, sigurisht me vonesë, fytyrën tonë të vërtetë...
__________________
It takes just as much courage to express your love when it's right, as it does to walk away when it's wrong.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|