AngelDevil
Shejtone
Regjistruar: 02/05/2009
Vendbanimi:
Mesazhe: 14611
|
Nga Zoti!
Nga Mero Baze
Pas një fjalimi që po kalonte 30 minuta, në një sallë të tejmbushur dhe me oksigjen të rralluar, Sali Berisha u këput papritur. Ata që kishin nerva të shikonin fjalimin e tij në TV, panë fytyrën e tij të tendosur, duart e hapura fort anash podiumit, afrimin e rojeve dhe lëshimin e trupit të tij mbi krahët e tyre. Ishte e qartë se ai ishte goditur papritur nga një sulm i tensionit apo çrregullim psikik që godet imunitetin e tij fizik, jo rrallëherë.
Fjalimin e tij patetik plot gënjeshtra cinike nuk mund ta ndalte dot askush në atë sallë veç Zotit. Njeriu, që këto 21 vite i ka bërë më shumë dëme demokracisë, dhe ka deformuar thelbin e saj duke shkatërruar institucionin e zgjedhjeve të lira, po fliste para atyre burrave dhe grave për zgjedhjet e lira si vlera të tij dhe partisë së tij në politikë. Njeriu që ka prekur i pari votën e lirë të shqiptarëve në këtë vend, njeriu që ka shembur institucionin e zgjedhjeve më 26 Maj, duke i hequr kuptimin demokracisë, njeriu që ka grabitur fitoret politike publikisht pa asnjë mëdyshje siç ishte mandati i opozitës në Tiranë më 8 Maj, nuk mund të ndalej nga askush në talljen e tij me zgjedhjet e lira dhe demokracinë në këtë vend, veç Zotit.
Njeriu që në këto 21 vite më shumë se kushdo tjetër ka goditur lirinë e shtypit dhe është shpallur një nga dhjetë armiqtë e lirisë së shtypit në botë, fliste në atë sallë për liri shtypi nën sundimin e tij. Aq liri shtypi sa nuk ishin të lirë të raportonin as për sëmundjen e tij pak minuta më vonë. Njeriu që pas 21 vitesh në politikë ka arritur të prodhojë një shtyp të kontrolluar edhe nga teket e shëndetit të tij, nuk mund të ndalej duke u tallur me lirinë e shtypit, që është një nga shtyllat kryesore për një shoqëri të lirë. Vetëm Zoti mund t’i thoshte mos e tepro më.
Njeriu që në këto 21 vite ka vrarë për të mbajtur pushtetin dhe ka shkatërruar liritë politike në vend, fliste kundër vrasjeve politike nën regjimin e tij për 21 vjet. Në atë sallë nuk kishte mundësi askush të ngrihej dhe ta ndalte, t’i tregonte si ai njeri ka vrarë për pushtetin e tij gjatë këtyre 21 viteve, dhe e ka përdorur vdekjen më shumë se sa shpresën për të qëndruar dhe ardhur në pushtet që nga 2 Prilli 1991, në Mars të vitit 1997, Shtator të vitit 1998, duke arritur kulmin me pushkatimin politik të 4 qytetarëve më 21 janar të vitit 2011 para zyrës së tij. Në atë sallë nuk kish asnjë burrë apo grua që t’i thoshte hesht se të dëgjojnë fëmijët e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikajt duke folur për të drejtat e njeriut dhe liritë politike këto 21 vite. Nuk kish kush të ndalte talljen e tij cinike me të gjithë shqiptarët, që kanë parë live vrasjet e tij dhe dëgjonin po live gënjeshtrën e tij cinike për liritë politike dhe të drejtat e njeriut. Veç Zoti mund ta ndalte në ato momente.
Por mbi të gjitha në atë sallë nuk kish kush të ndalte noterizimin e deformimit ë demokracisë. Ata burra e gra, të mbledhur si skllevërit në varrin e faraonit para tij, kishin vetëm një ëndërr, të mbaronte fjalimin udhëheqësi i tyre, të dilte t’i takonte në sallë, të bënin një foto me celular dhe tua tregonin atë njerëzve që i rrethojnë nga Tropoja në Sarandë, për të provuar që kanë lidhje me Zotin dhe kësisoj kanë leje për tu sjellë afërsisht si ai në vendin ku jetojnë dhe drejtojnë. Ai ishte aty në një takim të padenjë për historinë politike të asaj partie, ku ish kryeministër nuk quhet më Aleksandër Meksi, por Ilir Meta, ku në vend të presidentit Bamir Topi nderohet ‘presidenti’ Fatos Nano, ku heronjtë e tyre nuk janë më ata që sakrifikuan për atë demokracinë, por ata që kanë falsifikuar zgjedhjet dhe kanë deformuar vullnetin e shqiptarëve, ku ëndrra e tyre nuk është më të bëjnë Shqipërinë si Evropa, por të bëhen të gjithë si Zamiri, Taçi, Delijorgji, Bashkimi, Sandri dhe soji i plaçkitësve të tjerë të këtij vendi. Ai ishte aty në një përpjekje të stërmundimshme për të treguar se tani gjithçka ishte nën këmbët e veta, e nënshtruar, e heshtur dhe gjunjëzuar. Ai fliste pa e ngritur kokën se ata po shikonin të gjithë atë, të dorëzuar, të pafuqishëm për t’i thënë STOP dhe pas 21 vitesh gënjeshtrash. Vetëm Zoti mund ta bënte këtë dhe e bëri.
Si për të na treguar të gjithëve se aty nuk ishte një festë e një partie demokratike, por një demonstrim i super-pushtetit të një njeriu si lider i një sekti fanatik, Zoti e goditi atë para se ta mbyllte vetë fjalimin. Atij ju shua fjala në buzë, hodhi sytë rrotull nga rojet e tij dhe iku nga salla. Si për të na treguar të gjithëve se pas tij nuk ngelet asgjë. Festa u prish sikur të ishte ditëlindje e Sali Berishës dhe jo e PD-së, pasardhësja u shfaq si Ramiz Alia kur vdiq Enver Hoxha dhe lajmëronte për shëndetin e tij duke gënjyer dhe mbi të gjitha njerëzit u shpërndanë të dëshpëruar, jo për shëndetin e tij, por që secilit i kishte dështuar një plan i vogël, që kish lidhje me njeriun që Zoti e zboi nga salla.
Nuk ka gjë më të trishtuar dhe të frikshme se sa kur një njeri i ka bërë njerëzit të dorëzojnë fatin e tyre tek pushteti i një njeriu dhe të shpëtojnë prej tij falë Zotit. Ky njeri i ka bërë njerëzit e partisë së tij, mbështetësit e tij, por dhe kundërshtarët, të shpresojnë tek Zoti për të shpëtuar prej tij. Më keq se sa kaq nuk mund t’i bënte demokracisë për 21 vjet.
__________________
.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|