Forumi Horizont Forumi Horizont > Sporti > Futboll > Kampionati Shqiptar > Kategoria e parë > Grupi A1 > KS. Vllaznia Vlerësimi i Temës: 2 votime, mesatarja 3.00.
Gjithsej 5 faqe: « 1 2 3 [4] 5 »   Tema e mëparshme   Tema Tjetër
Autori
Titulli Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
qershor13
Vagabonding

Regjistruar: 05/02/2003
Vendbanimi: Rio
Mesazhe: 2547

Çela: Tirana, "kafshatë" që kapërdihet

Presidenti i kuqebluve shprehet tepër optimist për suksesin e skuadrës së tij me bardheblutë.

"Vllaznia i ka forcat, i ka elementët e duhur, e ka dëshirën dhe egon për ta mundur Tiranën." Kjo është deklarata e presidentit të saj, Agron Çela, bërë në pragndeshjen e kësaj supersfide të javës së 14-të të kampionatit. Bosi shkodran nuk ka harruar t'i lërë një vend të veçantë edhe tifozerisë kuqeblu, e cila, sipas tij, do të luajë një rol të rëndësishëm në fatin e këtij takimi. Duke folur për përgatitjet e skuadrës së tij, Çela ka theksuar herë pas here se, përkundër respektit për bardheblutë, ato janë një skuadër që mund të kalohet me sukses. Një besim të tillë, njëshi i presidencës shkodrane e bazon te besimi që ka te djemtë që përfaqësojnë sot Vllazninë.Ja si shprehet ai në intervistën e tij ekskluzive për "Sportin shqiptar":
- Zoti Çela, të shtunën ju pret një takim shumë i rëndësishëm dhe i vështirë përballë Tiranës. A mendoni se nga ky takim varen edhe pretendimet e mëtejshme të Vllaznisë në kampionat?
- Jo, nuk mendoj kështu. Pavarësisht nga çdo rezultat i këtij takimi, Vllaznia do t'i synojë gjithnjë objektivat e saj, për të shkuar drejt kreut, aty ku rreshtohen ekipet më të mira.Megjithatë, ashtu si në çdo takim tjetër, edhe këtë herë do të hyjmë në fushë për të fituar, pavarësisht se me çfarë kundërshtari do të ndeshemi.
- Pra, sipas jush, përballja me Tiranën nuk mund të rreshtohet ndër më të rëndësishmet e kampionatit për kuqeblutë?
- Kjo as që diskutohet. Takimi me Tiranën, që do të luhet nesër në "Loro Boriçi", rreshtohet pa frikë mes më të rëndësishmeve të këtij kampionati. Sfidat mes këtyre dy ekipeve kanë qenë të mirëpritura gjithnjë, prandaj besoj se e tillë do të jetë edhe këtë herë për të dy tifozeritë tona.
- A ju frikëson Tirana?
- Po të jetë për frikë, as që bëhet fjalë, sepse diferencat e ekipeve nuk janë të tilla sa t'i mbivlerësosh apo nënvlerësosh ata. Kuptohet, ne e respektojmë Tiranën, sepse është një emër i madh i futbollit shqiptar, që vazhdon t'i japë tonin edhe këtij kampionati, por kjo nuk do të thotë që do të hyjmë në fushë si inferiorë karshi saj. Përkundrazi, këtë ekip e konsiderojmë plotësisht të kalueshëm, ose, siç thonë në Shkodër, "kafshatë" të kapërdishme.
- A keni besim të plotë se mund ta arrini suksesin në takimin e nesërm?
- Patjetër që po. Ne kemi një nga ekipet më të mira të kampionatit, ndonëse në përbërje ka shumë djem të rinj. Edhe në fazën e parë, kur askush nuk e besonte, kemi qenë farë pranë marrjes së pikës brenda në "Qemal Stafa". Që atëherë lojërat tona kanë ardhur gjithnjë në rritje dhe, nëse do të kishim pasur pak më tepër fat, apo gjyqtarët të mos na kishin rënë në qafë, do të kishim qenë shumë më lart në renditje. Pretendimet tona janë maksimale.
- Cila është pika më e fortë e skuadrës tuaj, sipas jush?
- Dëshira e futbollistëve dhe e stafit drejtues për të dhënë maksimumin e tyre. E thashë edhe më lart, se gjysma e ekipit janë djem të rinj, por që po luajnë në mënyrë të shkëlqyer ashtu si titullarët e tjerë. Kjo, pasi në mendjen e tyre është ngulitur fort qëllimi për ta përfaqësuar denjësisht fanellën që kanë veshur. Është pikërisht ky fakt që më bën të besoj se këta djem do të vazhdojnë të bëjnë gjëra të mira edhe në të ardhmen.
- Së fundi, sa mendoni se do të ndikojë zhvillimi i këtij takimi në "Loro Boriçi" për Vllazninë tuaj?
- Shumë, pasi dihet tashmë se cila është tifozeria shkodrane. Mendimi im është që këta tifozë do të luajnë një rol kryesor në fatin e kësaj ndeshjeje. Nga interesimi që është shfaqur këto ditë, pritet që të shtunën, në tribunën e "Loro Boriçit", të ketë një numër rekord tifozësh kuqeblu, të organizuar me flamuj dhe me banderolat e tyre karakteristike. Rritja e lojës dhe e rezultateve të Vllaznisë po i rikthen tifozët shkodranë në stadium dhe kjo është pozitive. Prandaj edhe ne do të japim maksimumin për të mos i zhgënjyer nesër ndaj Tiranës.

__________________
Lo scopo della nostra vita è di servire la Forza che ci ha creati,e dalla cui misericordia o approvazione dipende il nostro stesso respiro,servendo con lealtÃ_ le Sue creature.Questo significa amore,che dovrebbe sostituire l'odio che si vede ovunque.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetër 28 Nëntor 2003 14:16
qershor13 nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të qershor13 Kliko këtu për të kontaktuar me qershor13 (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: qershor13 Shto qershor13 në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto qershor13 në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
qershor13
Vagabonding

Regjistruar: 05/02/2003
Vendbanimi: Rio
Mesazhe: 2547

Fushaj: Fitorja me Dinamon, thjesht detyrë

Kuqeblutë kërkojnë me çdo kusht rezultatin pozitiv në ballafaqimin e nesërm me blutë kryeqytetas.

Tri pikët e marra në Vlorë e kanë rikthyer në njëfarë mënyre buzëqeshjen te kuqeblutë. Megjithatë, humbja me Tiranën nuk është harruar ende, ndonëse në prag është ndeshja me Dinamon. Pikërisht për këtë të fundit, Vllaznia është totalisht e interesuar, sepse kërkon me çdo kusht fitoren. Tripikëshi në ballafaqimin me Dinamon është një kusht që u është vënë kuqebluve nga presidenca e klubit. Këtë e bën të ditur për "Sportin shqiptar" edhe nr.2 i klubit, zv.presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, kur thotë: "Takimi me Dinamon është vlerësuar maksimalisht nga ana jonë, prandaj fitoren e konsideroj detyrim për sportdashësit dhe për ne. Luajmë në Shkodër, para publikut tonë, prandaj duhet të mendojmë edhe për ata. Sportdashësit shkodranë nuk na e falin humbjen me Tiranën, prandaj, pas fitores në Vlorë, duhet t'i kënaqim me një tjetër ndaj dinamovitëve. Vllaznia vërtet humbi me Tiranën, por kjo nuk do të thotë se u gjunjëzua para kampionëve. Për mendimin tim, ajo humbje ishte më tepër aksidentale, ose ia dhuruam vetë kundërshtarit, sepse Tirana nuk dominoi në lojë. Për t'i larë apo harruar të gjitha këto, duhet të fitojmë medoemos ndaj Dinamos."
Të shtunën që kaloi, shkodranët fituan me Flamurtarin brenda në Vlorë, në një takim shumë të vështirë. "Takimi me Flamurtarin ishte shumë i vështirë për ne, ngaqë vlonjatët ishin mobilizuar në maksimum për të fituar. Dhe nëse kjo na buzëqeshi ne, e them me plot gojën se fituam vetëm prej lojës së shkëlqyer që zhvilloi portieri Ndoja. Ndonëse ishte takimi i parë i tij si titullar, Ndoja luajti shumë mirë. Madje po ju them se po të mos ishte ai në portë, në Vlorë nuk do të shkonim më larg se barazimi. Kjo ishte një provë e mirë edhe për të. Nëse vazhdon kështu, nuk kemi pse të kërkojmë portier tjetër në janar," - është shprehur Fushaj. Gjithsesi, pavarësisht suksesit të arritur në Vlorë, sytë e shkodranëve tashmë janë drejtuar te takimi i nesërm, përballë djemve të Demollarit. Për sa i takon formacionit shkodran, konfirmohet gatishmëria e Bokatolës për të luajtur, çka i shton edhe mundësitë e përzgjedhjes së trajnerit Haxhiosmanoviç për të ndërtuar formacionin e duhur. Ndërkohë, gjithnjë në lidhje me këtë takim, zv.presidenti Fushaj kërkon edhe mbështetjen e tifozerisë shkodrane: "Jam i bindur se në stadium do të ketë sërish shumë tifozë. I siguroj ata se kësaj here nuk kemi për t'i zhgënjyer."

__________________
Lo scopo della nostra vita è di servire la Forza che ci ha creati,e dalla cui misericordia o approvazione dipende il nostro stesso respiro,servendo con lealtÃ_ le Sue creature.Questo significa amore,che dovrebbe sostituire l'odio che si vede ovunque.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetër 09 Dhjetor 2003 14:46
qershor13 nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të qershor13 Kliko këtu për të kontaktuar me qershor13 (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: qershor13 Shto qershor13 në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto qershor13 në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
qershor13
Vagabonding

Regjistruar: 05/02/2003
Vendbanimi: Rio
Mesazhe: 2547

Çela: Haxhiosmanoviçi ikën i fundit nga Vllaznia

Presidenti i kuqebluve rikonfirmon qëndrimin e malazezit në krye të ekipit që financon.

"Nëse Vllaznia ka humbur dy herë radhazi në Shkodër, si ndaj Tiranës, ashtu edhe ndaj Dinamos, ky nuk është faji i trajnerit." Kjo është kundërpërgjigjja e dhënë dje nga presidenti i Vllaznisë, Agron Çela, në lidhje me akuzat e bëra nga njerëz të ndryshëm një ditë më parë ndaj malazezit. Haxhiosmanoviçi konsiderohej nga shumëkush fajtori kryesor për humbjen 1 4 me Dinamon. Skema e lojës e aplikuar prej tij, apo edhe përzgjedhja e formacionit, krijuan polemika brenda përbrenda skuadrës. Kundër mënyrës së lojës që ndoqi malazezi ndaj Dinamos dolën haptazi edhe disa prej futbollistëve titullarë, por edhe pjesëtarë të stafit teknik të kuqebluve. Kjo krijoi dashje pa dashje edhe idenë se "Deda" nuk do ta kishte të gjatë më te Vllaznia. Por, në të vërtetë, ka ndodhur e kundërta, sepse drejtuesit e lartë të klubit shkodran kanë rikonfirmuar në krye të ekipit malazezin 44-vjeçar. "Nëse dikush mendon se trajneri ka gabuar, kjo nuk do të thotë se do ta heqim qafe. Të gjithë duhet të jenë të bindur, madje këtë po e them publikisht, që Haxhiosmanoviçi do të ikë i fundit nga Vllaznia," ka deklaruar dje presidenti i kuqebluve.
Një deklaratë e tillë u jep fund ndoshta polemikave të lindura së fundi rreth mundësisë së largimit të trajnerit malazez nga Vllaznia. Presidenti Çela do të vazhdojë ta mbështesë atë, siç ka bërë deri tani. "Nëse futbollistët, apo pjesëtarët e stafit drejtues të ekipit mendojnë se gabimi i Vllaznisë konsiston në lojën në vijë të drejtë në mbrojtje, kjo nuk do të thotë se tani e tutje do t'i kërkojmë Haxhiosmanoviçit të ndryshojë mënyrën e drejtimit. Haxhiosmanoviçi do të vazhdojë të bëjë atë që do, ndërsa nuk kemi pse të përzihemi në punën e tij," - ka vijuar më tej Çela. Të mërkurën, shkodranët janë mundur për të dytën herë radhazi brenda në "Loro Boriçi". Humbja e fundit me Dinamon ka qenë vërtet shkatërruese për kuqeblutë, e cila ka pasur brenda edhe një të mirë. Sponsorët e Vllaznisë e kanë kuptuar tashmë se kaq janë këllqet e ekipit që financojnë. Këtë e thotë edhe presidenti Çela, kur e pyet për shkaqet, që, sipas tij, çuan në atë humbje 1 4 me Dinamon. "Vllaznia humbi ngaqë i tillë është edhe morali i saj. Pavarësisht se lojtarët nuk dhanë maksimumin e tyre, ne kemi arritur të kuptojmë se kaq mund të bëjë tani për tani kjo Vllazni. Ne kemi qenë të parët ndoshta që e kemi menduar këtë ekip kampion, por tani po e kuptojmë se jemi gabuar. Kjo Vllazni e sotme nuk është në gjendje të rivalizojë drejtpërdrejt për titull me ekipet elitare, siç janë Tirana, Partizani, Dinamo apo edhe ndonjë tjetër. Ekipi ynë nuk i ka kualitetet e duhura, prandaj është e domosdoshme që në janar të sjellin në Shkodër edhe 4 5 lojtarë cilësorë," - thotë bosi i kuqebluve. -Realisht, gjërat kështu janë. Vllaznia, me përbërjen që ka, nuk mund të pretendojë më shumë."
Sikurse dihet, humbja me Dinamon u ka shërbyer drejtuesve të klubit shkodran të përjetojnë realitetin ku ndodhet ekipi i tyre. Tashmë, edhe mendja e tyre nuk mund të aludojë për shitje ndeshjesh apo gjëra të tilla. Për rrjedhojë, dje nuk ka pasur asnjë masë, asnjë akuzë apo mbledhje të stërzgjatur. Mbi të gjitha, Haxhiosmanoviçi nuk do të preket, por do të vijojë ta drejtojë Vllazninë deri në fund të kampionatit.

__________________
Lo scopo della nostra vita è di servire la Forza che ci ha creati,e dalla cui misericordia o approvazione dipende il nostro stesso respiro,servendo con lealtÃ_ le Sue creature.Questo significa amore,che dovrebbe sostituire l'odio che si vede ovunque.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetër 12 Dhjetor 2003 18:43
qershor13 nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të qershor13 Kliko këtu për të kontaktuar me qershor13 (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: qershor13 Shto qershor13 në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto qershor13 në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
qershor13
Vagabonding

Regjistruar: 05/02/2003
Vendbanimi: Rio
Mesazhe: 2547

Haxhiosmanoviç: Titulli! Ende herët.

Trajneri malazez i Vllaznisë nuk ngutet të bëjë deklarata "boshe", ashtu si drejtuesit e tjerë kuqeblu.

Vllaznia nuk duhet të mendojë për titullin, sepse është ende herët për këtë gjë. Kjo është pak a shumë përgjigjja që jep trajneri i saj, malazezi Dervish Haxhiosmanoviç, menjëherë pas deklarimeve të presidentit kuqeblu, Agron Çela. Sikurse dihet, ky i fundit, fill pas fitores së fundit me Teutën, tepër i entuziazmuar nga tripikëshi i dytë radhazi, deklaroi se qëllimi i mëtejshëm i Vllaznisë mbetet vetëm titulli kampion. Ky "katapultim" në objektivat e shkodranëve (deri tani kishin folur vetëm për hyrjen në treshe) ka ardhur ndoshta nga momenti i mirë që po kalojnë në kampionat. Baza e këtij optimizmi janë pa dyshim dy fitoret radhazi ndaj dy pretendentëve për titull. Mirëpo njeriu i stolit shkodran, "Deda", nuk kërkon ta marrë me aq ngut këtë punë, sa presidenti i tij. I pyetur nëse ishte dakord apo jo me pohimin e Çelës, se tashmë Vllaznia do të synojë vetëm titullin, malazezi është përgjigjur: "Normalisht, edhe unë dua shumë të shpallem kampion, por është herët për të folur për këtë. Kjo sepse kemi ende disa ekipe para nesh që duhen arritur. Pra, detyra jonë kryesore kjo do jetë. T'i arrijmë njëherë ato, pastaj të shohim... Kuptohet, ky objektiv nuk do jetë i lehtë për t'u arritur, për të mos thënë shumë i vështirë, nisur nga diferenca e pikëve me kryesuesit. Megjithatë, ne do ta provojmë shansin tonë. Aktualisht kemi kaluar vetëm Teutën në renditje, çka është hapi i parë në rrugën tonë të mëtejshme."
Realisht, vetëm kështu qëndrohet me "këmbët në tokë", aq më tepër që kampionati është ndërprerë në momentin më të mirë për skuadrën që mban vendin e katërt në renditje. Pikërisht kësaj ia ka frikën edhe trajneri Haxhiosmanoviç, i cili është kundër kësaj ndërprerjeje kaq të gjatë të kampionatit. "Më duket e çuditshme një ndërprerje e tillë, kaq e gjatë e kampionatit, e cila vjen në një moment aspak të përshtatshëm, për sa i takon përgatitjes së ekipeve. Një ndërprerje e tillë mund të jetë e favorshme ndoshta për ekipet e papërgatitura mirë, por jo për ne. Mbase Federata duhej ta kishte studiuar më mirë kalendarin e zhvillimit të kampionatit, për të mos ndodhur të tilla peripeci rrugës,"? ka thënë "Deda".
Ç'është e vërteta, ecuria e kuqebluve në këtë fillimviti ka qenë vërtet për t'u evidentuar. Me 6 pikë të marra ndaj dy rivalëve direktë, edhe vetë tekniku i tyre duket i kënaqur. Sidoqoftë malazezi bën thirrje për qetësi. "Po luajmë mirë, kjo ka rëndësi. Madje, po t'i krahasojmë ndeshjet me Partizanin dhe Teutën, tek e dyta shoh një rritje në lojën tonë. Prandaj e rëndësishme mbetet ruajtja e formës sportive deri në momentin e rinisjes së kampionatit," - ka thënë në fund të deklaratës së tij malazezi i Vllaznisë.

__________________
Lo scopo della nostra vita è di servire la Forza che ci ha creati,e dalla cui misericordia o approvazione dipende il nostro stesso respiro,servendo con lealtÃ_ le Sue creature.Questo significa amore,che dovrebbe sostituire l'odio che si vede ovunque.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetër 02 Shkurt 2004 18:58
qershor13 nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të qershor13 Kliko këtu për të kontaktuar me qershor13 (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: qershor13 Shto qershor13 në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto qershor13 në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
qershor13
Vagabonding

Regjistruar: 05/02/2003
Vendbanimi: Rio
Mesazhe: 2547

Sinani: Titulli, detyrë e vështirë

Kapiteni i Vllaznisë mendon se 3 skuadrat e kreut vështirë se do t'ua hapin rrugën kuqebluve.

Vllaznia ka ende për të bërë në rrugën e saj të pretendimeve të këtij sezoni. Është kapiteni dhe sulmuesi kryesor i saj, Vioresin Sinani, që shfaq ambiciet e mëtejshme të skuadrës së tij. Natyrisht, kapiteni është i kënaqur me ecurinë e ndeshjeve të këtij fillimviti, por njëkohësisht gjen rastin të bëjë thirrje për qetësi. Në fillim, Viori flet për ndeshjen e fundit me Teutën, që solli edhe rrokadën e këtyre dy ekipeve në renditje. "Ajo me Teutën ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, sepse fitorja vlente shumë. Ky sukses ishte i shumëfishtë, jo vetëm se morëm tri pikë dhe i parakaluam në renditje durrsakët, por sepse në ballafaqimet me ta në dy vitet e fundit kishim humbur brenda në Shkodër. Kësisoj, nuk na lejohej gabimi i tretë radhazi," - thotë Sinani. Nëse bëhet fjalë për takimin me Teutën, natyrisht Sinani ishte lojtari kryesor në fushë. Kjo jo vetëm për golin e shënuar, që vulosi rezultatin përfundimtar, jo vetëm për pasimin e bukur, që dha për Salihin në golin e dytë, jo vetëm për qenien e tij iniciator në aksionin e golit të parë, por sepse kapiteni shkodran është bërë "emblema" e Vllaznisë në këtë kampionat. Për sa u takon golave të shënuar në këtë kampionat nga treshja Sinani ? Martini ? Salihi, që në total janë 29, Viori flet me modesti, duke thënë se secili po bën detyrën. "Po shënojmë rregullisht dhe ky është një fakt pozitiv. Megjithatë, po bëjmë vetëm detyrën. E rëndësishme është të vazhdojmë të shënojmë dhe t'i shërbejmë sa më shumë Vllaznisë për arritjen e objektivave," - shton më tej Viori.
Në fakt, Sinani nuk e ka harruar aspak "vesin" e tij edhe në këtë kampionat, sepse ka arritur ta gjejë plot 16 herë rrugën e rrjetës. 10 gola i ka shënuar në kampionat dhe 6 në ndeshjet e kupës. Pra, kapiteni kuqeblu tregon se mbetet një nga emrat më të spikatur të futbollit shqiptar vitet e fundit.
I pyetur nëse është dakord me deklaratën e presidentit të tij, Agron Çela, se objektivi i Vllaznisë tashmë mbetet vetëm titulli kampion, Sinani përgjigjet: "Më vjen mirë që presidenti është kaq entuziast për të ardhmen e skuadrës, por në të vërtetë titulli kampion do të jetë shumë i vështirë për t'u arritur. Përpara kemi tri skuadra që vështirë të na hapin rrugë, aq më tepër që janë të shkëputura dukshëm nga ne." Sipas kësaj logjike, Sinani nuk e quan diçka të pamundur arritjen e titullit kampion, por bën thirrje për të qëndruar me "këmbë në tokë". Vetë 26-vjeçari i sulmit kuqeblu, herë pas here është shprehur se vendimtare për skuadrën e tij do të jenë 5 takimet e para të fazës së tretë. Me dy prej rivalëve direktë tashmë është luajtur dhe fituar, përkatësisht me Partizanin dhe Teutën. Tani kanë mbetur Dinamoja me Tiranën, skuadra këto që zënë vendet e para të renditjes.

__________________
Lo scopo della nostra vita è di servire la Forza che ci ha creati,e dalla cui misericordia o approvazione dipende il nostro stesso respiro,servendo con lealtÃ_ le Sue creature.Questo significa amore,che dovrebbe sostituire l'odio che si vede ovunque.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetër 03 Shkurt 2004 14:09
qershor13 nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të qershor13 Kliko këtu për të kontaktuar me qershor13 (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: qershor13 Shto qershor13 në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto qershor13 në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
qershor13
Vagabonding

Regjistruar: 05/02/2003
Vendbanimi: Rio
Mesazhe: 2547

Doçi: Fati i Vllaznisë në "Qemal Stafa"

Mbrojtësi energjik i kuqebluve premton "surpriza" përballë Dinamos dhe Tiranës në kryeqytet.

Nëse Vllaznia do të pretendojë apo jo për titull, kjo do të varet nga dy sfidat e saj të ardhshme, që do t'i luajë në "Qemal Stafa". Pra, bëhet fjalë për trasfertat me Dinamon dhe Tiranën kampione. Kështu mendon njëri prej titullarëve kuqeblu, mbrojtësi i talentuar Edmond Doçi. Ky i fundit, në një deklarim të tij, thotë se shkodranët i kanë bërë një nisje mjaft të mirë fazës së tretë të kampionatit, por kjo ecuri duhet ruajtur. "Nuk kemi pse ta fshehim. E kemi nisur mjaft mirë fazën e tretë dhe mund të them se jemi befasuar vërtet nga kjo ecuri pozitive. Nuk ka ku të shkojë më mirë sesa të marrësh pikët e plota në dy ndeshje të vështira, ndaj dy rivalëve tanë, Partizani dhe Teuta. Tashmë ky është realitet dhe tregon rritjen e Vllaznisë. Po ashtu, dy fitoret e fundit janë një garanci për të bërë gjëra të mira edhe në vazhdim të garës. Për mua, një gjë e tillë varet nga mënyra sesi do t'i zgjidhim dy prej sfidave të ardhshme, me dy rivalet e tjera, Dinamon dhe Tiranën,"? ka thënë mbrojtësi i krahut të majtë të kuqebluve.
Ndeshjet me Dinamon dhe Tiranën do të luhen të dyja në "Qemal Stafa" dhe kjo, në njëfarë mënyre, mund të konsiderohet minus për kuqeblutë, ngaqë luajnë jashtë fushës së tyre. Por Doçi mendon të kundërtën. Madje e quan favor që ndeshje të tilla, në një moment të tillë, më mirë që nuk luhen në Shkodër. Këtë e bën të ditur në fjalën e tij, teksa nënvizon: "Shumëkush mendon se do të ishte më mirë sikur këto dy ndeshje decizive t'i luanim në Shkodër, por unë mendoj ndryshe. Kur na duhen medoemos pikët, është më mirë që të luajmë në Tiranë, përballë këtyre kundërshtarëve. Duke e ditur se "Qemal Stafa" të krijon të gjitha kushtet për të luajtur futboll korrekt, si këtu në "loro Boriçi", përballë tyre do të mobilizohemi edhe më tepër dhe do të tregohemi më të kujdesshëm. Ndryshe do të ishte puna nëse do të luanim përpara tifozëve tanë. Ata nuk pajtohen kollaj me lojën akademike në "Loro Boriçi" dhe kjo mund të na dëmtonte. Prandaj, e përsëris, është më e leverdishme që i luajmë jashtë këto dy ndeshje."
Një deklaratë e tillë, për ndonjë njeri mund të quhet absurde, po të vësh në anën tjetër të "peshores" mbështetjen që i jep Vllaznisë tifozeria shkodrane. Por Edmondi, para se të thotë këto fjalë, duket se ka çuar ndër mend dy takimet e fazës së dytë, po me këto dy ekipe në "Loro Boriçi". Pikërisht ato dy humbje krijuan shumë pakënaqësi në radhët e tifozëve kuqeblu, por edhe shumë paqartësi për të ardhmen e skuadrës. Nga ana tjetër, futbollisti, që më 1 mars mbush 23 vjeç, mendon se përgatitja që po zhvillon tani Vllaznia do të jetë një plus i madh për ecurinë e saj. Doçi ka qenë i vetmi futbollist që ka luajtur 90 minuta në miqësoren e fundit me Besëlidhjen. Megjithatë, trajneri Haxhiosmanoviç, që jo rrallëherë ka shprehur simpatinë për të, pret më tepër nga këmbët e Doçit. Mbase ka parasysh një përgatitje më të mirë fizike të tij, çka do ta ndihmonte futbollistin për t'u paraqitur më dinjitoz në ndeshjet e ardhshme.

__________________
Lo scopo della nostra vita è di servire la Forza che ci ha creati,e dalla cui misericordia o approvazione dipende il nostro stesso respiro,servendo con lealtÃ_ le Sue creature.Questo significa amore,che dovrebbe sostituire l'odio che si vede ovunque.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetër 09 Shkurt 2004 13:54
qershor13 nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të qershor13 Kliko këtu për të kontaktuar me qershor13 (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: qershor13 Shto qershor13 në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto qershor13 në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
qershor13
Vagabonding

Regjistruar: 05/02/2003
Vendbanimi: Rio
Mesazhe: 2547

Vllaznia, tjetër barazim me Zetën

Kuqeblutë kanë barazuar sërish me skuadrën malazeze, kësaj here 1-1 në stadiumin "Loro Boriçi".

Vllaznia - Zeta 1-1
Vllaznia: Ndoja, Osja, Zmijani, Teli, Doçi, Hoti, Cungu, Karapici, Kapaj, Sinani, Ahu ;Trajner: D. Haxhiosmanoviç
Zeta: Radivojeviç, Marash, Pekoviç, Radulloviç, Kuç, Popuviç, Tatareviç, Tomiç, Vukomanoviç, Tumbashoviç, Batroviç; Trajner: D. Vukisheviç
Shënues : Sinani 23' (11-m), Miliç 52'

Barazimi 1-1 ka qenë rezultati i miqësores së djeshme, të luajtur në "Loro Boriçi" mes Vllaznisë dhe Zetës. Tri javë më parë, këto dy skuadra kishin fiksuar një tjetër barazim mes tyre. Vllaznia e ka filluar me një të re në formacionin e saj miqësoren e djeshme. Edi Martini ka qëndruar në stol, ndërkohë që vendin e tij e ka zënë i riu Erion Hoti. Megjithatë, edhe skuadra e Zetës ka bërë të njëjtën gjë, teksa ka lënë jashtë dy më të mirët e saj, Petroviç dhe Broviç. Loja ka nisur e bukur dhe rasti i parë në kronikën e kësaj miqësoreje do t'u takonte vendësve. Edmond Doçi ekzekuton një goditje dënimi, por pret portieri Radivojeviç. Më pas, loja do të ekuilibrohej, derisa në minutën e 23-të shkodranët fitojnë një 11-metërsh. Kapaj është penguar në zonë nga njëri prej malazezëve dhe gjyqtari Bardhyl Pashaj ka treguar pikën e bardhë. Ka gjuajtur saktë Sinani, duke e kaluar në avantazh Vllazninë. Pas këtij goli janë vendësit që e kontrollojnë me qetësi lojën, megjithëse kronika e ndeshjes nuk ka shumë raste. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat të ngushtë në favor të kuqebluve. E dyta nisi me një rast të Vllaznisë, por pa u konkretizuar dot. Duhej të vinte minuta e 52-të, kur Zeta barazoi 1-1, me anë të një aksioni pa shumë pretendime. Vukomanoviçi ka krosuar nga e majta dhe Miliçi, i lirë brenda zonës shkodrane, shënon dhe barazon rezultatin. Minutat e mëvonshme nuk kanë nevojë për shumë koment, sepse u bënë shumë ndërrime në dyja skuadrat. Te Vllaznia, i vetmi futbollist që ka qëndruar gjatë gjithë takimit në fushë ka qenë mbrojtësi Luan Zmijani. Përfundimisht, edhe ky takim i luajtur në stadiumin "Loro Boriçi" të Shkodrës u mbyll në barazim, ashtu si takimi tjetër i zhvilluar tri javë më parë në Ulqin. Për të dy skuadrat kjo miqësore ishte një test i mirë në prag të rifillimit të kampionateve respektive.
Pas ndeshjes u shpreh Esat Rakiqi, zv.trajner i Vllaznisë, i cili kishte mbetur i kënaqur nga paraqitja e të tijve. "Kjo miqësore ia arriti qëllimit për të cilin u zhvillua, megjithëse futboll i vërtetë u luajt 70 minuta. Pas kësaj minute u bënë zëvendësime të shumta, të cilat e ulën nivelin e lojës. Unë mund të them se ky takim me Zetën na shërbeu së tepërmi për ta parë edhe njëherë gjendjen e ekipit para sfidës me Dinamon."

__________________
Lo scopo della nostra vita è di servire la Forza che ci ha creati,e dalla cui misericordia o approvazione dipende il nostro stesso respiro,servendo con lealtÃ_ le Sue creature.Questo significa amore,che dovrebbe sostituire l'odio che si vede ovunque.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetër 12 Shkurt 2004 22:28
qershor13 nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të qershor13 Kliko këtu për të kontaktuar me qershor13 (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: qershor13 Shto qershor13 në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto qershor13 në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
qershor13
Vagabonding

Regjistruar: 05/02/2003
Vendbanimi: Rio
Mesazhe: 2547

Vllaznia: Si ta lexojmë humbjen me Tiranën!!?

Disfata e së shtunës në "Qemal Stafa" ka ngritur shumë pikëpyetje te drejtuesit dhe futbollistët kuqeblu.

Humbja e thellë e Vllaznisë në "Qemal Stafa" ndaj kampionëve në fuqi, i ka shokuar të gjithë ata njerëz që kanë lidhje me këtë skuadër. Futbollistë, drejtues teknikë, krerë të klubit kuqeblu, por edhe veteranët e skuadrës shkodrane, kanë mbetur tepër të befasuar nga shifrat e disfatës së të shtunës. Kishte vite që një rezultat i tillë, 5-1, nuk regjistrohej në ballafaqimet mes këtyre dy kundërshtarëve. Ai ka ardhur jo në një moment krize të kuqebluve, por kur të gjithë trumbetonin sukseset. I pari që e hodhi "dorashkën" ishte malazezi Haxhiosmanoviç, teksa deklaroi se Vllaznia do të udhëtonte drejt Tiranës vetëm për fitore. Por nuk ndodhi kështu. Tani askush nuk mund të të japë shpjegim se përse humbi Vllaznia. Nuk mjafton thjesht të thuhet se nuk ishte në një ditë të mirë, nuk mund të pranohet as justifikimi se lojtarët nuk ishin të karikuar sa duhet. Në këtë mes duket se ka probleme të tjera. Për humbjen katastrofike të së shtunës, fajtorë janë të gjithë, duke filluar nga trajneri e duke përfunduar te futbollistët. Në këtë përgjegjësi nuk duhet përjashtuar as presidenca e klubit, e cila gjithnjë deklaron se Vllaznia pretendon vetëm titullin, duke harruar se skuadra që sponsorizojnë nuk e ka ende "stofin" e kampiones. Ajo nuk i ka kualitetet e duhura, prandaj njëfarë përgjegjësie edhe ata duhet ta mbajnë. Është e lehtë të jesh euforik në deklarata, por gjithçka zhvlerësohet në fushën e lojës. Në merkaton e dimrit, ata premtuan 7-8 blerje, por në fakt mbërritën në Shkodër vetëm Mustafa, Kapaj dhe Karapici. Ndërkohë ishin larguar Grima dhe Bokotola, çka do të thotë se Vllaznia më shumë humbi sesa fitoi nga transferimet e dimrit. Një pjesë të fajit duhet të mbajë edhe trajneri Haxhiosmanoviç, i cili tani nuk mund të justifikohet se skuadra nuk e ka përgatitjen e duhur. Malazezi i kuqebluve nuk mund të ankohet më se Vllaznia ka udhëtuar për në Amerikë... pa dëshirën e tij. "Deda" ka pasur në dispozicion më tepër se një muaj për ta përgatitur skuadrën, gjë që s'e ka bërë dot. Numri 1 i stolit shkodran, vetëm pak ditë më parë, thoshte se Vllaznia luan futbollin më të bukur në kampionatin shqiptar, ndërkohë që ndaj bardhebluve nuk pamë fare futboll të luajtur nga ajo. Skema e tij mbrojtëse 4?5?1, në vend që të sillte një mbrojtje të rreptë, i lejoi bardheblutë të depërtonin në portën e Mustafës edhe me "rimorkio". Falë kësaj skeme po vazhdon të sakrifikohet Edi Martini, i cili ka dhënë aq shumë për këtë Vllazni. Deklarata e malazezit pas humbjes shokuese me Tiranën, se ai luan më mirë futboll se Martini, duket se është e tepërt dhe nuk ka vend në këtë situatë. Peshën e këtij lojtari e kanë provuar më parë dhe vazhdojnë ta provojnë shumë ekipe. "Deda" gabon sërish teksa hap polemika brendapërbrenda skuadrës. Pa ia mohuar njeri meritat, duhet thënë se "Deda" ka gabimet e veta, që duhet t'i pranojë vetë ai. Mbase kalendari tepër i favorshëm, tani e tutje, duke filluar nga Flamurtari këtë javë, e favorizon Vllazninë. Në të kundërt, loja e kuqebluve në fushë si në ndeshjen me Tiranën duhet analizuar gjatë.

__________________
Lo scopo della nostra vita è di servire la Forza che ci ha creati,e dalla cui misericordia o approvazione dipende il nostro stesso respiro,servendo con lealtÃ_ le Sue creature.Questo significa amore,che dovrebbe sostituire l'odio che si vede ovunque.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetër 01 Mars 2004 17:17
qershor13 nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të qershor13 Kliko këtu për të kontaktuar me qershor13 (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: qershor13 Shto qershor13 në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto qershor13 në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
Bledumi
----------

Regjistruar: 06/09/2003
Vendbanimi: Tr
Mesazhe: 2110

Sinani: Basti, edhe dy gola për ta fituar

Kapiteni i Vllaznisë është fare pranë objektivit personal, shënimit të 20 golave në këtë kampionat


Golat e shënuar ndaj Shkumbinit e kanë çuar në 18 numrin e golave të kapitenit kuqeblu gjatë këtij kampionati. Megjithatë, për Vioresin Sinanin, sulmuesin kryesor të Vllaznisë, plani nuk është realizuar ende. Ai tashmë është dy gola larg ndjekësit më të afërt, Indrit Fortuzi. I pyetur nëse kjo diferencë me sulmuesin bardheblu e bën apo jo të realizueshëm pretendimin kryesor për fitimin e "Këpucës së artë", Sinani përgjigjet: "Për këtë problem, siç e kam thënë, do të flasim më vonë, pasi të kem arritur objektivin tim. Kur të kap shifrën e 20 golave të shënuar, mund të them diçka më tepër, për sa i takon problemit të golashënuesit më të mirë të kampionatit."
Për të mbërritur te shifra 20 është veçse një hap, ose dy gola për t'u shënuar. Në 10 ndeshjet e mbetura deri në fund të kampionatit, me këtë formë që ka 26-vjeçari shkodran, ka për të shënuar edhe shumë gola të tjerë. Në të vërtetë, pas ndeshjes të së shtunës me Shkumbinin, numri i golave të shënuar prej tij duhej të kishte qenë 19 dhe jo 18. Kjo, pasi goli i shënuar nga Sinani në minutën e 72-të, i treti për të në këtë takim, ka qenë më se i rregullt, por, për çudi, gjyqtari Çekaj e ka anuluar atë. Viori duket i shqetësuar për këtë, prandaj dhe shprehet: "Gjyqtari u justifikua me pretekstin se gjoja kishte menduar që topi ishte ndalur me dorë prej meje. Po të kishte ndodhur vërtet kështu, do ta kisha pohuar një gjë të tillë, por ju siguroj se dora në këtë rast nuk kishte të bënte fare. Goli ka qenë shumë i pastër dhe më vjen keq që gjyqtari ma mohoi."
Megjithatë, për goleadorin kuqeblu, rëndësi ka që Vllaznia të realizojë objektin e saj, daljen në kupat e Evropës. "Ndoshta nuk është momenti të diskutohet për objektiva personale në këtë kohë, kur sezoni është thuajse në fund. E rëndësishme është që të gjithë të japim maksimumin për të arritur objektivin që ka klubi. Nëse sigurojmë të drejtën për të luajtur në kupat e Evropës, do të ishim të kënaqur të gjithë. Por, për t'ia arritur kësaj, hapat duhen hedhur një e nga një. Në radhë të parë, duhet kaluar Shkumbini të mërkurën, për të siguruar gjysmëfinalen e kupës," - shton më tej Sinani.
Të premten e kaluar, vetë Sinani, por edhe Martini, i ka dërrmuar peqinasit me rezultatin 5?2. Ky rezultat, sipas kapitenit të Vllaznisë, ka të mirat dhe të këqijat e veta. "Me fitoren e së premtes u treguam peqinasve forcën tonë. Për mendimin tim, kjo ka edhe të keqen brenda saj, sepse këtë herë Shkumbini do të vijë me mend të tjera në Shkodër, aq më tepër që ka epërsi nga rezultati i takimit të parë. Megjithatë, jam shumë i bindur se skuadra që do kualifikohet do të jetë Vllaznia," - thotë në fund kryegolashënuesi i kampionatit shqiptar.

__________________
Leku shkon e vjen, shoqerine nuk ke ku e gjen.

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetër 22 Mars 2004 23:27
Bledumi nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të Bledumi Kliko këtu për të kontaktuar me Bledumi (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: Bledumi Shto Bledumi në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto Bledumi në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
Ben-SHkodrani
Hajdut-pulash

Regjistruar: 19/01/2003
Vendbanimi: Shkoder
Mesazhe: 58

Vllaznia


Paqja mes trajnerit të kuqebluve Dervish Haxhiosmanoviç dhe goleadorit Edi Martini ka ndihmuar Vllazninë në serinë e rezultateve pozitive. 15 golat e shënuar prej tij në kampionat kanë ndihmuar që skuadra shkodranë të fitojë pikë të vlefshme në kampionat, por ndërkohë kontributi i tij nuk ka munguar edhe në ndeshjen e kthimit për kupën e Shqipërisë kundër Shkumbinit, ndaj të cilit goli i tij ka qenë i barasvlefshëm me kualifikimin.


SHKURT...

15 golat e shënuar prej tij në kampionat kanë ndihmuar që skuadra shkodranë të fitojë pikë të vlefshme në kampionat, por ndërkohë kontributi i tij nuk ka munguar edhe në ndeshjen e kthimit për kupën e Shqipërisë kundër Shkumbinit, ndaj të cilit goli i tij ka qenë i barasvlefshëm me kualifikimin.





Megjithatë për Vllazninë nuk ka vend për eufori.

Pjesa e mbetur e sezonit është mjaft e vështirë dhe rezultatet e fiksuara në to do të vendosin përfundimisht edhe shpërblimin teknik për kuqeblutë.

Një provë e vështirë për ta, sipas edhe goleadorit Martini do të jetë trasferta e rradhës kundër Lushnjes .

__________________
Më vjenë ndonjëherë në mendje, e nuk shkruaj dot. Më duket sikur të gjitha fjalët para teje janë të kot! Dhe dal nga kjo gjendje, e bie përsëri, e si mund të jem i qetë kur në zemër je ti?! Prandaj shko moj vajzë, shko ti prej këtej, largohu

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetër 26 Mars 2004 21:42
Ben-SHkodrani nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të Ben-SHkodrani Kliko këtu për të kontaktuar me Ben-SHkodrani (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale të Ben-SHkodrani't! Kërko mesazhe të tjera nga: Ben-SHkodrani Shto Ben-SHkodrani në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto Ben-SHkodrani në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 10:00 Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
Gjithsej 5 faqe: « 1 2 3 [4] 5 »   Tema e mëparshme   Tema Tjetër

Forumi Horizont Forumi Horizont > Sporti > Futboll > Kampionati Shqiptar > Kategoria e parë > Grupi A1 > KS. Vllaznia

Përgatit Këtë Faqe Për Printim | Dërgoje Me Email | Abonohu Në Këtë Temë

Vlerëso këtë temë:

Mundësitë e Nën-Forumit:
Nuk mund të hapni tema
Nuk mund ti përgjigjeni temave
Nuk mund të bashkangjisni file
Nuk mund të modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML nuk lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] nuk lejohen
 

 

Kliko për tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.