robert
Veteran ne forum
Regjistruar: 08/05/2010
Vendbanimi: Gjermani
Mesazhe: 871
|
Por të shohim ç’ke shkruar njëherë. Se dhe aq e lehtë nuk është të jesh gazetar. Ngjita shikimin mbi shkronjëzat e artikullit, duke vazhduar mbllaçitjen. Qysh në fillim desh më doli ushqimi nga të qeshurit, kur lexova se një entuziazëm politik e kishte përfshirë kolektivin e ofiçinës. Do ti ketë parë, mendova, duke lagur njëri-tjetrin me zorrën e ujit, dhe këtë hare që krijohej në këto raste ai e quante entuziazëm politik. Po nejse, thashë, si fillim edhe gënjehet pak, se kështu e kanë reportazhet. Edhe unë e kisha si parim, gënje pak, kuptohet kur je ngushtë, por pa e kaluar masën, se bëhesh i pështirë pastaj. Pak më poshtë, Altini vazhdonte:
“Të katër komunistët e oficinës, Shefkiu, Myrveti, Pirro dhe
më i riu i tyre Petriti, nuk presin vetëm mbledhjen e organi-
zatës bazë të partisë së ndërmarrjes, por ata mblidhen dhe
bëjnë ballafaqimin e realizimeve të ditës edhe aty në ofiçinë.
Kështu i gjetëm ata në një diskutim spontan në repartin e
xhenerikve, ku problemi i gadishmërisë së dy automjetëve i
kish përfshirë …”
E mor’ gazetar, mor’ gazetar, u shkëputa për pak nga shkrimi. I ke gjetur duke bërë llogje e më thua se po diskutonin! Dhe kë pa?!. Shefkiun, që nuk dinte të lidhte ushkuret e tij, do të lidhte dy fjalë! Atë, edhe kur e ngacmonte shofer Pandi për dërrasat që vidhte herë pas here nga ofiçina, Shefkiut i merrej goja dhe e vetmja përgjigje që jepte, ishte se “shumë mirë bënte, pasi nuk vidhte hekura si ata për bërjen e antenave”. Në këtë kishte të drejtë, pasi në këtë kohë kish filluar një fushatë e tërbuar në bërjen e antenave të grupit me kanoçe. Por edhe për Shefkiun thuhej, se të gjithë divanët dhe bufetë e tij i kish bërë me dërrasat e ndërmarrjes.
Ndërsa Myrveti, pa të cilin panorama e ndërmarrjes do kishte një boshllëk, ishte ai që luante rolin e budallait me një kënaqsi të veçantë, por ishte po aq dobiç, sa ne thonim se ai ua kish futur të tërve. Rrinte çdo ditë jashtë orarit për të punuar në frezën e tij, (dhe në fakt kjo ishte koha e vetme kur ai punonte, pasi gjatë ditës bënte më tepër llogje), dhe të nesërmen shënonte tre orë tepër, ndërsa të gjithë e dinim se, e shumta, ai një orë mbrapa nesh kalonte portën e ofiçinës. Kur vinte dita e pagës, fillonte furtuna me ’të. Bërtiste lart e poshtë se i kishin ngrënë hakun e punës, se fëmijët do i vdisnin urije, dhe borxhin e televizorit nuk do ta lante dot. Aq donim ne, dhe fillonim duke i qarë hallin. Gjynah, gjynah, thoshte njëri. Ia bëjnë me qëllim, thoshte tjetri. Kanë gjetur ndaj, hidhesh një i tretë, pa t’ma bëjnë mua! Dhe vazhdohej me teatrin e luajtur... Mor’ po ky duhet të ankohet tek inxhinieri, se ndryshe do ia bëjnë prapë! Më e mira do ishte që ky të shkonte në gjykatën e rrethit, se atje e zgjidh këtë problem!… -Më hani munë-, ikte së fundi Myrveti, duke e kuptuar talljen dhe i vetëdijshëm se nuk do të ankohesh gjëkundi, përndryshe do të merrej vesh, se dhe aq ai i kishte shumë.
Pirroja, i treti që përmëndej nga Altini në gazetë, ishte njeriu enigmatik i oficinës. Ky dukej as dukej një herë në mëngjez, e pastaj sikur të ish bërë prej ajri, ishte i zhdukur për gjithë ditën. Në fakt ishte si biçim furnitori për ofiçinën, dhe kjo e bënte që ndonjëherë të zhdukej edhe për ditë të tëra. Veçse kur e shihje mbas tre ditësh me dy kuzhinjeta në dorë, të cilat, siç thosh, ia kishte siguruar një shok në Shkodër, a thua se ndërmarrjet shtetërore ishin privatizuar. Shprehja e tij standarte, “jam andej nga drejtoria”, apo “jam në filan ndërmarrje”, tregonte se për atë ditë ai nuk kapesh më.
Petriti, më i riu i komunistëve, siç thosh dhe Altini, ishte edhe sekretar i rinisë së ndërmarrjes; në fakt kjo organizatë nuk mblidhej ndonjëherë tek ne, gjë që nuk e pengonte megjithatë Titin tonë ti mblidhte kuatizacionet rregullisht. Por edhe ne të rinjtë ama, e sorrollatnim pak horr-horrin tonë, që ti dilte mirë shkuma. Këtë emër të veçantë e kishte vetëm ai, dhe duket se këtë e kish fituar me përpjekjet e stërmundimshme prej skileje që bënte në kamufllimin e largimit të tij nga ofiçina, si gjoja për një punë në Komitetin e Rinisë, apo se do kërkonte një bojë të mirë për nja dy parrulla, e tjera budadallëqe. Gjithashtu e kish fituar këtë emër edhe me dembelizmin klasik, duke ia lënë punën e tij të llamarin-kthyesit shokut të punës. Si dhe me pretendimin e tij, si feministi më i madh në ofiçinë, ishte bërë bajat fare. Në këtë pretendimin e fundit, të qënit komunist nuk e pengonte aspak, në fakt.
__________________
Kush i ben qejfin vetes, eshte
budall!
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|