astras
larguar
![](avatar.php3?userid=14676&dateline=1141831898)
Regjistruar: 14/02/2006
Vendbanimi: x
Mesazhe: 214
|
Jim Morrison dhe Dyert për përtej
Një njeri në kërkim
Të Parajsës së humbur,
Mund të duket budalla,
Për ata që kurrë
Nuk aspiruan për botën tjetër.
Në fund të viteve 60-të një ëngjëll “shfarosës” do të përshkonte si meteor shkëlqimplotë mbi qiellin e Rock-ut dhe Qiellin e kësaj bote. Jeta e tij u konsumua në shumë plane si për të përmbyllur ciklin kozmik në pak vite tokësorë, siç bënë dhe paraardhësit e tij jetëshkurtër: Akili, Shelley, Keats, Rembo, Verlen, Dylan Thomas, James Dean, Jimi Hendrix, Janis Joplin. Ky ishte Jim Morrison lideri karizmatik i The Doors i cili i la pa mend spektatorët dhe grupet e tjera bashkëkohëse, që ende ravgonin në zonat e shkujdesura të “fuqisë së luleve” dhe cektinave të një muzike romantiko-idealiste.
Rock-u, si shumë fusha të tjera të artit, ka njohur shumë grupe që kanë kënduar sa për të thënë, ka parë shumë të tjerë që nuk e gjetën kurrë veten dhe rrugën e duhur, ka shijuar mjeshtra dhe përsosmëri, ka përjetuar dhe grupe që të cmendin, por mbi të gjitha njohu pak grupe që kaluan matanë, atje ku askush nuk kishte guxuar. Dhe pak personazhe janë në këtë zonë; The Doors, Led Zeppelin, Black Sabbath, Jimi Hendrix, Queen, King Crimson, Mike Oldfield, Sting dhe ca të tjerë.
Disa artistë përmendin ose kanë dëgjuar për univers apo universe, ndërsa Jim ishte brenda këtij Universi. Ai quhej si shumë amerikanë, thjesht Jim, por në fakt arriti të bëhet një qenie të cilit iu thurën lavde dhe “Himne për bukurinë intelektuale” dhe atë fizike. Dhe në fund, muzika, “mikja e tij më e shtrenjtë” e gdhendi në trup dhe në shpirt.
Morrison erdhi si stuhi për të shpërndarë këtë “mut” siç thoshte vetë, dhe për t’a shkundur nga themelet Rock-un dhe stilin e jetesës amerikane të atyre viteve.
Rebelimi simbolik ndaj familjes së tij, ishtë më shumë një rebelim ndaj shtetit që fliste për liri dhe të drejta, ndërsa në realitet fabrikoheshin mënyra të stërholluara për të kontrolluar ato ide apo lëvizje që nuk i shkonin për shtat sistemit. Inati dhe mëria e tij ndaj sistemit ishin të lexueshme, dhe revolta që pasoi dukej se bëhej në emër të të gjithë atyre që nuk mundeshin apo kishin frikë. Morrison i tejkaloi kufijtë fizikë dhe shkoi atje ku askush nuk mund t’a fyente apo t’a përdhoste.
Morrison veproi në disa rrafshe që zinin fill prej mendjes së tij, dhe në disa rrafshe të tjera prej trupit, duke u bërë një nga më të mëdhenjtë në përçimin e mesazheve që koha diktonte.
Rrafshi mistiko-profetik: Blake dhe kozmologjia e tij e kishin tërhequr Jim-in si magnet; Dyert perceptimit, si të purifikoheshin, ku të çonin ato? Tepria e gjithë qenjes apo emocioneve dhe ndjenjave që të çojnë në urtësi; mjerimi njerëzor që shihet në çdo fytyrë; dhe vizioni i horizontit drejt autostradës së perëndimit në një ngutje të zemëruar, i rrethuar nga dilemat që vetë “fati” t’i kishte damkosur. Dhe ja ku është përtej një territor i pafund si në pëllëmbë të dorës, ku çdo gjë është e lirë dhe e pakohë dhe njëkohësisht e dëshpëruar në ekzistencën që ende i ka rrënjët tek ty. “Vdis, nëse dëshiron të shkosh atje ku je nisur”, rrugë tjetër nuk ka. “Disa kanë lindur për kënaqësi të mjaltë/Disa kanë Lindur për t' Pafundën Natë”. Nga Blake mësoi sesi të arrinte kufijtë e t’pamundurës, vetëm me potencialin e mendjes, duke hapur shtigje të vështira mes shkrepave e gërxheve – udhë gjenish dhe shenjtorësh.
Drama greke dhe ajo moderne: i shërbeu Jim-it si mjet për të joshur audiencën me personazhe fiktivë që ishin po aq realë, dhe të mbarsur me ideale. Dramatizimi ishte një mënyrë e re që rrekte t’i tërhiqte njerëzit në zonat ku Jim besonte se kuturiste në një pjesë të madhe të kohës. Personazhi kryesor i dramës qe ai dhe i vetmi “Mbreti hardhucë” – dhe mirësevini në shfaqjen e tij – është diçka tjetër, plotësisht ndryshe nga ajo që keni parë më parë – lëshoni vetet dhe ndiqeni.
Shamanizmi dhe ritet e indianëve të Amerikës: Jim besonte se në qenjen e tij bashkëjetonin shpirtra indianësh dhe shamanësh ekzorcistë. Jim-i vetë konsiderohej si një shaman i vetmuar që donte t’i udhëhiqte njerëzit drejt hapësirave të reja të lirisë dhe ekzistencës. Ai e konsideronte veten një individ që duhet të “udhëtonte” përtej, me apo pa substanca ndihmëse, në mënyrë që të gjente thelbin e jetës, dhe të asaj që është diku afër dhe larg vetes sonë. Vetëm atëherë këta individë mund të bëjnë pjesë në një shoqëri me plot kuptimin e fjalës.
Më nevojiten disa imazhe që të plotësoj realitetin tim…
Simbolika poetike: Treshja e famshme franceze Bodler, Rembo, Verlen, ndikoi tek krijimtaria e Morrison-it me simbolizmin e thellë, pesimizmin e pafuqisë për të ndryshuar botën prej molepsjes nga “lulet e së keqes”, dhe jeta plot teprime dhe ulje-ngritje deri në vetë-shkatërrim. “Të lahesh në Ujërat e Jetës: Të flakësh tej jo-Njerëzoren.”
E gjithe trajektorja e shndritshme ishte një kërkim i ethshëm për përtej, i ndodhur midis një morie ngjarjesh e fenomenesh dhe një tërheqje të përjetshme për atë që ishte e panjohur. Shpesh abstrakte, të shtresëzuara me metafora e simbole të çuditshme, ndonjëherë poezitë duken sikur humbasin lidhjen koherente, dhe shpesh tentojnë t’i fshihen një lexuesi të rastësishëm. Kur një poezi duket "e errët", ne duhet të besojmë se poeti qëllimisht krijoi një guaske të fortë për t'u çarë nga mendimi. Morrison ishte një poet intuitiv dhe transhendental; duhet intuitë dhe ndjesi metafizike për t’a deshifruar.
“Nëse poetët e parë ishin muzikantë, Jim Morrison e ktheu poezinë prapa në zanafillë, duke shpalosur në këngët dhe poezitë e tij një sfond vegimesh, dhune, imazhe ankthi, thellësie në kohë, fuqie vullkanike ndjenjash dhe sensualitet Dionisiak.”
Filozofia dhe rishikimi i vlerave: Gjurmë të thella lanë tek Morrison-i filozofë revolucionarë si Niçe apo Frojd. Pështjellimi i vlerave, revolucioni seksual që po ndodhte në Amerikë, autoritarizmi dhe anti-vlerat që imponoheshin nga jashtë, idhujt e korruptueshëm që predikonin gjëra që nuk e besonin as vetë – e tronditën Jim-n e ri, që nuk kishte kohë të priste. Erosi modern dhe vdekja e sublimuar ishin dy tehet e gërshërës që rrinin pranë tij, si për të pritur rastin.
Le të rishpikim zotat, gjithë mitet e epokave në përjetësi…
Alienizimi me veten dhe me shoqërinë: Ishte Aldous Huxley dhe Brezi Beat të cilët hapën rrugën për transformimin më radikal të një epoke rilindjeje. Përdorimi i drogave dhe jeta hedoniste konsiderohej si një mjet për të shkatërruar trupin, me qëllim që të arriheshin nivele të larta të mendjes – madje dhe vdekja e parakohshme bënte pjesë në këtë filozofi që mbizotëronte në atë kohë. Pak LSD dhe ti je përtej në pak sekonda, si në një marramendje të çmendur me 250 km/orë, në një makinë sportive, dhe “bum”, i vdekur në një aksident rrugor. Ky ishte modeli i James Dean-it, apo i përdoruesit të drogave që vdes në kërkim të vetes.
Politika ndrydhëse ndaj individit kur flitej e përflitej për liri, lufta e ftohtë dhe ajo e nxehtë që po merrte jetë rinore ne Vietnam, kaosi i përhershëm që vinte si vorbull kërcënuese përreth – i lodhën para kohe heronjtë që preferuan një vdekje të parakohshme, sesa një konformizëm.
E dashur, ngremë lart posi pishtar;
Përmbi çdo grataçiel!
Po digjem unë – një…
Tek djegin mijëra nxënës në Vietnam,
Ku flaka shkon në qiell.
Muzika dhe zëri i Morrison: Muzika e The Doors ku çdo anëtar i grupit kontribuonte me pasion, ishte e jashtëzakonshme dhe thuajse magjike. Grupi ishte përbetuar deri në vdekje që të rrinte i bashkuar si në një martesë hyjnore - derisa vdekja vetë, i ndau. Zëri i Jim-it ishte i thellë dhe kumbues, sikur vinte nga skutat më të skajshme të qenies. Dhe një grup i tillë prodhoi disa nga këngët më fine të muzikës Rock: The End, Light my Fire, Break on Through, Five to One, LA Woman, When the Music’s Over, Riders on the Storm, në të cilat mund të ndjesh atë që Morrison u mundua të reflektontë tek bashkëkombësit e tij, të cilët ai i quante “të mrekullueshëm”.
Regjisorë të famshëm si Coppola zgjodhën muzikën magjike të The End për të realizuar kolonën zanore të një filmi madhështor si “Apocalypse Now". Disa grupe muzikore dhe artistë të mëvonshëm u frymëzuan nga Morrison. Ende mbi varrin e Morrison-it në Paris vajtojnë shumë njerëz në përvjetorin e lindjes dhe të vdekjes, të heroit të tyre, të cilëve ai përherë bujarisht i dhuron:
Jepmë këngë, të këndoj
& ëndrra të smeralda,
të ëndërroj.
Do të t’jap dashuri
paskaj.
Thuhet se ai ishte i çmendur, se përdorte drogë, dhe thuhen shumë gjëra të tjera, por Morrison nuk u kuptua krejtësisht nga koha e tij, ashtu si dhe njerëz të tjerë të mëdhenj të të kohërave nga brezi ku jetuan. Të jesh i keqkuptuar, do të thotë të jesh i madh - ka thënë një amerikan i shquar, R.W. Emerson.
Si Blake, ai ishte shumë i ndjeshëm dhe kritik ndaj çdo religjioni artificial dhe në disa çaste të kthjellëta, Jim-i ishte evokues ndaj një Zoti shpëtimtar.
O krijues i madh i qenieve;
Dhurona një orë më shumë
të interpretojmë artin tonë
& të përsosim jetët tona.
Amerika u tremb nga ky ëngjëll sfidues, sepse shfaqja ndryshoi rrënjësisht, e në disa raste mori ngjyra rebelimi. Ishin kohë rivlerësimesh dhe lëvizjesh rrënjësore, pra dhe reaksionesh po aq të forta.
“Ai nuk deshi të tregonte se çfarë donte të bënte, por atë që donim të bënim sëbashku”.
Vera magjepëse iku bashkë me notat e para drithëruese, pothuaj Orientale, të The End dhe Morrison përshkoi autostradën drejt fundit të natës në një garë të ethshme, në kërkim të diellit.
Nuk do të ketë më tjetër si ai.
Nga: G.M
__________________
Bye
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|