robert
Veteran ne forum
Regjistruar: 08/05/2010
Vendbanimi: Gjermani
Mesazhe: 871
|
Dhe pa u larguar mirë nga pallati ynë, kur shoh shqiptarin e parë. Ishte Ermiri, edhe ky komshi në pallatin tim, por nga shkalla tjetër. Çun i urtë i shkreti, i pamartuar, se helbete, i ri akoma. Po dilte me një çift të ri me një fëmijë të vogël; patjetër njerëz të tij, që do i kishin ardhur për vizitë. -Ej, Miro!.. -i bërtita.
-Është pak qull, por çun i mirë, -i fola me zë të ulët kushos.
-Po ku je a i humbur! -i shtriva dorën dhe e përqafova, -ku ke humbur?..
Kisha vërtet nja tre-katër javë pa e parë. Ia nisëm prezanti-meve dhe muhabetit, pa e ndërprerë ecjen, sepse ata nxitonin për diku. I kish ardhur e motra me gjithë burrin dhe çunin e vogël, e do shkonin të vizitonin Koloseun dhe ndonjë gjë tjetër.
-Ohh, ç’mrekulli! -i ndriti fytyra tim kushuriu. Po ky kështu, ktheva kokën dhe e pashë me habi. Por ai, sikur t’mos e kish mëndjen fare tek mua, vazhdoi si gjel: -Me ç’kam parë në televizor, kanë filluar të japin edhe shfaqje të bukura me legjionarë e me skllevër…
-Po-po, tani në fillim të verës gjen mjaft gjëra të bukura tek Koloseu, -ia priti Ermir djaloja. Edhe ky, thashë me mëndje, paska nisur të vizitojë Koloseun, sikur nuk kalon aty me autobuz çdo ditë kur ikën në punë.
-Do ta vizitojmë dhe ne! -hodh prapë si gjel kushua im.
-Po të doni mund të vini me ne! -na foli ai burri i motrës së Ermirit.
-Po-po, -u hodh edhe Ermir qulloja. Eh, po kjo kështu, pshe-rëtiva pa e përmbajtur veten. Nga u miqësua tjetri aq shumë! Apo shqiptarë hesapi, mendova, si e si të duken, kur shohin njëri-tjetrin jashtë. Ndërsa atje në Shqipëri shahen e therren me njëri-tjetrin si … si ata skllevërit e Koloseut. Ngrejta duart gjithë buzëqeshje dhe ua vura tek supet dy ftuesve të dashur.
-Juve ju vaftë rruga mbarë, se ne e kemi planifikuar për nesër! Shumë faleminderit!
Dhe u ndamë duke i zgjatur njëri-tjetrit duart. -Nesër e ke hapur gjithashtu, mund të hyni edhe brenda! -më sqaroi Ermiri i shkretë, a thua se unë aty e kisha mëndjen.
-E di, e di -i thashë, -por shiko, të ma sjellësh sot motrën me gjithë burrin tek mua, se pa një vizitë nuk ju lë të ikni.
-Ne vimë, -foli me atë zërin qull Ermiri, -por të bije më mirë ty të vish, se më ka sjellë kunati një raki shumë të mirë, dhe ti e di që unë s’e pi dhe aq.
-Ore, lëri dënglat, -i ngrita zërin. Ti shkoja unë nga pas një çunaku që… që mezi fshinte qurrat e veta! -Sot në mbrëmje ju pres të gjithve, dhe merre rakinë me vete po deshe, se ia gjejmë dermanin.
Pa u larguar mirë, u kthye ai burri i motrës së tij: -Dëgjo! Sot nuk ju premtojmë, por nuk e di, a jeni të hënën mbasdite në shtëpi!?
Eh dreq! Në shpi jemi, në shpi, mezi e ruajta përzëmërsinë e jashtme, dhe vazhdova me kushon drejtimin tonë. Ç’më kish gjetur me këta shqiptarë derdemenë, thuaj!
-Bëjnë raki të mirë andej nga an‘ e tij. -fola sa për ti bërë muhabet Sefos. Ndërkohë po i afroheshim disa dyqaneve dhe kafeneve të mira.
-Ajd, futemi këtu! -më vuri dorën tek krahu kushua.
-Prit, prit, -ia ktheva. Atë punë e dija unë. Nuk mund të hyja në një lokal të mbyllur. Dhe as në atë tjetrin, që nuk më pëlqente. Dhe as në tjetrin, që ish si larg nga piaca. Gjeta më së fundi atë që doja, dhe u ula. Pak më tej më përshëndetën disa shqiptarë të tjerë, të cilët gjithashtu po pinin kafet e tyre. Ca rroskopë i njihja, e ca nuk i njihja. Sidoqoftë i përshëndeta duke u ngritur edhe një herë, e duke iu afruar tavolinës së tyre.
-Hë zgjebsa ç’bëni! -dhe u zgjata duart të gjithve. Pas meje edhe im kushëri, të cilin ua prezantova menjëherë. Ata menjë-herë tërhoqën nja dy karrike nga tavolinat e tjera e donin të më bënin vend. -Lëre-lëre, -u thashë, -se kemi tjetër plan!
E me të shkëmbyer edhe dy-tre fjalë të tjera koti, u dhashë shëndenë. Dhe, edhe njëherë i zgjatëm duart njëri-tjetrit. Me kushon u ulëm ca më tej e nisëm të shihnim kalimtarët e rastit.
-Këtu ka lezet ta pimë kafen! -ju drejtova tim kushuriu.
-Po pse!? Ato kafenetë e tjera dukeshin si pak më të qeta!
-Po ç’të qeta a i humbur! Këtu je në piacë. Shikon gjithshka dhe të shikojnë të gjitha femrat.
Nisëm të rrufisim ato kapuçinot e shijshme dhe unë e mbaja me muhabet kushon tim. I shkreti, kish filluar të bëhej ca si intelektual. Mezi e nxirrte një të shkretë fjalë.
Hidhte sytë ndonjëherë kot djathtas-majtas, lart e poshtë, dhe as vetë nuk e di çfarë shikonte. Më rrinte pak si i merakosur, sepse bënte llogarira kur do ta takonim atë kushuririn tjetër, Titin, kur do të venim në shihnim Koloseun, po në Vatikan a të lejonin, po ai vendi ku hidheshin monedha a ishte larg, po për ata miqtë a na dilte koha ti prisnim, kur aty e kur atje, ku e çfarë. -Po rri a derbardhë, -i thashë, -të çoj unë ku të duash ti, e ti të ngelesh i kënaqur! Tani të shijojmë këtë kapuçinon e bukur italiane dhe… hiç mos e vra mëndjen!..
Ohh, kishte lezet ta pije kafen në një lokal të hapur. Poshtë këmbëve të tua rrugë kalldrëmi, tavolina e rrombullakët dhe e pastër, ai dielli që të kënaqte, ndonse ne ishim nën çadër.
-Më thuaj o kusho, më thuaj, -s’më mbante kënaqsia, -ja ku e ke atë rrugën e romakve, si e ka pas emrin, se s’më kujtohet?..
-Egnatia, -plotësoi si i mërzitur.
-Po Egnatia, ja ku e ke, poshtë këmbëve të tua! Ja dhe prodhi-met moderne italiane, -dhe tregova tavolinën me dorë. -Ja dhe çadrën, ndonse kjo mund të jetë kineze! Ja dhe diellin! Ç’do më ti!? I ke të gjitha mo Sefo vllai! Si lashtësinë ashtu dhe modernen! Të gjitha trataksionet…
-Lëri shakatë ti, por rrufise atë kafe që tu ftof, e të nisemi, se tre ditë kohë kam unë!..
E me të parë orën, u trondit kushoja si ti kish rënë qielli në kokë. -As dy ditë e gjysëm kohë nuk kemi më! Ora dy, gati!
-E ç’e vret mëndjen a debardhë! E kemi ditën deri më dhjetë të darkës tani. Apo nuk të janë ndarë akoma punët e kooperati-vës ty!? Ha-ha…
Së fundi u çuam, e nisëm kthimin. -Ja shiko, -nisa ti tregoj ndërtesat e vjetra, -ç’të shikosh!? Ka Roma sa të duash nga këto! E gjithë Roma është e vjetër!
-Po, dhe unë prandaj dua ta shikoj sa më shumë!
Eh, ç’më gjeti, thashë. I ka hypur tjetrit në kokë për ndërtesa të vjetra. Të tilla ka sa të dojë në Albani!
-Po qendra është larg? -pyeti pas pak gjithë merak. Në fakt, as e mora vesh pse pyeti! Kot, apo donte të shihte ndonjë gjë!?
-Nuk është larg, jo! -ia futa dhe un kot, sepse në fakt, me mbi trembëdhjetë vjet në Romë, unë nuk e dija akoma mirë se kush ishte qëndra e Romës. Aty tek Koloseu, tek Vatikani, apo tek Parlamenti!?. -Gjysëm ore me këmbë prej këtu, ose me veturë për dhjetë minuta, por kemi probleme me parkimin!.. (Vazhdon)
__________________
Kush i ben qejfin vetes, eshte
budall!
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|