kurt
.........
Regjistruar: 29/12/2007
Vendbanimi: ......
Mesazhe: 5021
|
nje lexim i bukur per veshjen shqiptare neper shekuj
Pierre Loti Dashuri e paharruar nën një petk shqiptar
(marre bga gazeta shqiptare)
Lajme te ngjashme
Pierre Batiffol Si i zbuloi kodikët e purpurt të Beratit
• Datë: May 09, 2010
Luan Rama
Fotografitë e shkrimtarit francez Pierre Loti, një prej autorëve në zë të Francës në fundin e
shekullit XIX dhe fillimin e shekullit të XX, i cili në rininë e tij rrihte detet e Adriatikut dhe të Greqisë, janë padyshim të jashtëzakonshme, aq më tepër se ai kostum mbeti një nga kujtimet më të bukura të jetës së tij gjer në kohën kur do të vdiste: ishte „kostumi i tij i dashurisë”. Sigurisht, në atë kohë, kostumi shqiptar, si ai i jugut ashtu dhe ai i veriut, ishin nga më spikatësit e kostumeve ballkanike, siç e dëshmojnë jo vetëm lordi Bajron, me pikturën e tij veshur „shqiptarçe”, por dhe shkrimet e Alexandre Dumas dhe shumë autorëve të tjerë të shekullit XX apo të shekullit XX. Në letrat e tij, dërguar së ëmës në Angli, lord Bajroni shkruante për „kostumet madhështore” dhe „Shqiptarët, me veshjet e tyre nga më magjiket në botë, me fustanella të bardha të gjata, me xhybe të qëndisur me ar, me anteri e me pisqolla të veshura me argjend…” A nuk e kish tërhequr pa masë ky kostum shqiptar piktorët francezë A. Decamps, A. Scheffer apo J. Gêrome, si dhe Robert August, i cili ia dha këto kostume piktorit Eugène Delacroix si modele për tablotë e tij të ardhëshme për suliotët dhe Marko Boçarin? Admirali francez L. de la Graviere, siç e ka përmendur dhe Faik Konica, ka shkruar në librin e tij me kujtime La station de Levante, se “veshja shqiptare u bë në atë kohë e modës dhe osmanët e mbanin me krenari fustanellën e bardhë të shqiptarëve të jugut; kur djali i Ali Pashës qeveriste Morenë, grekët e morën këtë veshje si simbol të trimerisë dhe e bënë uniformën elegante të palikarëve”. Edhe udhëtarja e famëshme austriake Ida Pffiffer, që i ra kryq e tërthor botës, duke përshkruar Athinën e vitit 1846, shkruan se është tërhequr pa masë nga “kostumet greke, apo më saktë shqiptare”. Konica krenohej me kostumin shqiptar dhe lumturohej kur e vishte atë rrugëve të Bostonit në ditë festash kombëtare.
Hiret e kostumit shqiptar
Padyshim, një nga adhuruesit e famshëm të kostumit shqiptar ishte dhe autori i Konti i Monte Kristos, Alexandre Dumas, i cili shkruan shpesh në kujtimet e tij apo dhe në letërsinë e tij. Një ditë, kur Dumas përgatitej për të shkuar në një ballo me maska që organizoheshin atëherë në sallonet pariziane, Amaury Duval, nxënësi i piktorit Ingres, të cilin e kishte njohur në ballot e Firmin-it, i kishte folur se mund të vishte një kostum arnauti. Kjo ide, Dumas-ë i kishte pëlqyer. “Ramë dakort se kostumi arnaut më shkonte për mrekulli, - shkruante Duymas në librin Kujtimet e mia. - Amaury e vizatoi atë. Ajo që ishte interesante te ky kostum ishte turbani, i cili pasi rrotullohej dy-tre herë rreth kokës, kalonte nën gushë dhe pastaj lidhej në pikën e fillimit. Por duhej qepur kostumi, i cili dhe duhej qëndisur. Për të u punua gjatë 15 ditëve. Kur erdhi dita e ballos, paradite, kostumi ishte gati. Në mesnatë hyra në sallonin e zonjës Lafond”… I veshur me kostumin arnaut, sipër në velur të kuq dhe me fustanellën e bardhë si dëbora, me armët e argjënda që i shkëlqenin, ai dukej sikur vinte nga një botë ekzotike dhe e panjohur. «Me atë kostum e imagjinoja se do të kisha një trumf të vërtetë …” Ai s’kishte bërë as dhjetë hapa në atë sallon, kur zonjusha Malibran, i ishte afruar dhe i kishte thënë: “Zoti Dyma! Ju do të më mësoni se si vihet ky turban. Këta djaj italianësh nuk dinë si të vishen. Do doja së paku të visheshin si ju. Nesër do të interpretoj Desdemonën »… Si dukej, asaj nuk i kishte pëlqyer se si ishte veshur partneri i saj, Otello. Kostumit shqiptar, Dyma i referohet disa herë në librin e tij Impressions de voyage de Paris _ Sebastopol, (Përshtypje udhëtimi nga Parisi në Sebastopol). “Jakobi më kishte shitur dy kostume, - shkruante ai. - Mora atë më të bukurin, kostumin shqiptar, me një cohë vjollce, me qëndisma argjëndi. Për një çast hezitova midis turbanit me stof të hollë e të bardhë, që të mbështjell fytyrën, duke e kaluar nën mjekër dhe rasës së kuqe me një xhufkë mëndafshi që varej.»
Duke udhëtuar nëpër Greqi, me një kurreshtje të madhe ai vëzhgoi kostumet me fustanellë të shqiptarëve, për të cilat shkruante përsëri: “Këtu, ky kostum shqiptar është më i famshmi. Dhe mbreti Othon jep shëmbullin e vet. Eshtë një kostum i bukur, me këmbësore të qëndisura, fustanellën e bardhë e të shkurtër me njëmijë palë mbi gjunjë; kostumi me jelekët dhe xhaketën që shkëlqente nga qëndismat, me brezin prej mëndafshi, xhufkat prej mëndafshi në ngjyrë blu, që bijen pas kokës së tyre, anash veshit, atyre fytyrave me mustaqet me majë dhe flokët e gjatë me bukle që u bien mbi shpatulla…Kjo ishte veshja e atyre që pamë në rrugët e Eolit, Minervës dhe Hermesit. Ata na hidhnin ca vështrime jo dhe aq simpatike, aq sa për një çast mendova se jemi duke udhëtuar në një vënd armik.»
Julien Viaud, alias Pierre Loti
Nëse nga Dumas nuk kemi një pikturë me kostumin e tij shqiptar, shkrimtari francez, Pierre Loti, të cilin poeti i madh Guillaume Apolinaire e kishte quajtur “më i kulluari dhe më prekësi ndër shkrimtarët bashkëkohas”, na ka lënë disa të tilla, ku ai pozon me një kënaqësi e krenari të dukshme. Dhe fotografitë e tij fillimisht duken befasuese për shikuesin, i cili pyet se ç’lidhje ka ky kostum me jetën e shkrimtarit francez. Cili ishte ky njeri?... Para se ai të ishte „Pierre Loti”, siç thotë dhe esteti e filozofi Roland Barthes, ai ishte aspiranti Julien Viaud, nga Rochefort; “i pari, Pierre Loti, ishte aspirant i marinës angleze që dashuronte me robinën Azyiade dhe që vritet më pas në luftë, i dyti Julien Viaud, aspiranti francez, me një aventurë të fortë dashurie me robinën armene Hatixhe, dhe që vdes shumë plak nga një vdekje natyrale”.
Aventura dhe letërsia e tij morën shkak pikërisht atë kohë, kur ai, veshur me kostumin shqiptar shëtiste nëpër rrugët e Selanikut në kërkim të dashurisë së tij më të madhe, Hatixhesë, që më vonë, në roman, ai do ta quante Aziyade dhe vetveten Pierre Loti (në romanin e tij të parë Azyiade, aq shumë të sukseshëm). Një dashuri që jetoi një gjysëm shekulli, shoqëruar nga ai kostum që Loti do ta ruante gjer ditën që do të vdiste. Fati i atij kostumi më vonë nuk dihet, ndoshta është ende në muzeun „Loti”, por historia e tij tashmë është shkruar. Atë mund ta gjesh në pasazhet që ka përshkruar Loti gjatë romaneve të tij e veçanërisht në romanet Azyiade, Fantome d’Orient, etj. Julien Viaud, aspiranti i anijes franceze udhëtonte atëherë nëpër Mesdhe. Anija e tij „la Hyeres”, në maj 1876, mbërriti në portin e Selanikut. Rastësisht nëpër qytet, ai pikasi një vajzë të bukur armene, siç e përshkruan dhe në ditarin e tij më 16 maj të vitit 1876, „kur pas grilave të një konaku, dy sy jeshilë e shikonin ngultas”, sikur të donin t’i kërkonin ta lironte nga ai burg ku e mbanin. Kishte një dëshirë të jashtëzakonshme, të cilës ai nuk iu përmbajt. Dhe kështu nis një histori, apo më saktë një roman i një ngjarje të vërtetë, që oficerit të ri të Marinës i dha emrin që do ta njihte më vonë gjithë bota, Pierre Loti. Po, ajo banonte në një konak-harem, në rrugën që nisej nga Selaniku per në Manastir. Shpejt ai e dashuroi marrëzisht ashtu si dhe robina. Në një letër që i dërgonte mikut të tij anglez, lietnantit të marinës, William Brown, ai i përshkruan dekorin e çuditshëm në qytetin e Selanikut, kur i rrethuar nga tri plaka çifute, ato po i vishnin kostumin shqiptar. „Miku juaj Loti, qëndronte në mes të atyre tri plakave çifute që silleshin pa fjalë rreth tij… Ato nxitojnë t’i heqin rrobat e tij ushtarake dhe ta veshin me një kostum tradicional. Në brez i vendosin shumë thika me doreza koralesh dhe tehe të arta damaskine. Pastaj i hedhin një xhaketë të qëndisur me fije ari dhe doreza të hapura që tunden në ajër. Më pas i bëjnë shenjë njëra-tjetrës se ai duket i bukur dhe nxitojnë të marrin një pasqyrë. Lotit i duket jo keq kjo veshje dhe del nga një portë e pasme duke humbur drejt qytetit të përmbytur nga pazaret orientale dhe xhamitë. Kur kalon në rrugë, disa gra me shami të bardha thonë mes tyre: - „Ja një shqiptar i veshur gjithë hir me armët e tij të bukura!”
Julien Viaud, në letërsinë e tij ka përdorur kryesisht ditaret e veta, ku përshkruan takimet e fshehta, dëshirat, ëndrrat e tij. Ai e dinte se duke e takuar fshehurazi Hatixhenë, robina mund ta pësonte nga pronari i saj dhe vetë atë mund ta vrisnin, ç’ka do të ishte një skandal diplomatik për kohën. Ai shkruan për takimet e fshehta në lëndina, në periferi të qytetit, ku kalonin të shtrirë gjithë natën dhe në prag të agut të mëngjesit, ndaheshin, siç kujton dhe një mëngjes kur sapo janë ndarë dhe një shqiptar me një barkë merr Aziyade-n për ta çuar në haremin e saj: „Freskia e lagësht e mëngjesit filloi të binte mbi det. Sapo isha veshur. Supet e mia i mbulonte një këmishë shqiptare. Po kërkoja xhaketën e qëndisur, por ajo kishte mbetur në barkën e Aziyade-së. Një i ftohtë i tmerrshëm përshkonte krahët e mia dhe më depërtonte gjer në gjoks. Kisha dhe një orë për tu kthyer në bordin e anijes, pa më diktuar rojet. Agimi ndriçonte qytetin e bardhë të Selanikut”.
Vite më vonë Hatixheja detyrohet të ndjekë të zotin e saj në Turqi. Ndarja është e dhimbëshme. Por fati e solli që pak kohë më vonë anija e tij të zhvendosej në Bosfor, në breg të Konstandinopojës. Ai përsëri e kërkon Hatixhenë dhe ashtu si në Selanik, veshur shqiptarçe, me kostumin e qëndisur në ar, ai vendoset në një lagje pranë saj, në Ejub, lagje e vjetër e Stambollit, rrethuar me xhami dhe varre. Tani Loti fshihet nën emrin e shqiptarit Arif Ussim Efendi. Përsëri takime të fshehta dhe që të dy digjen në një dashuri të zjarrtë. Muaj të tërë kalojnë së bashku momente idilike, por kohë më pas, vjen urdhëri që anija e tyre të niset drejt detit të Veriut. Ndarja e tyre kësaj rradhe është akoma më e dhimbëshme. Loti heziton midis detyrës dhe dashurisë. Azyiade, (Hatixheja), tenton të vrasë veten, por Loti i premton se shpejt ai do të kthehet. Në fakt kthimi do të jetë i largët dhe ai do të vonohet shumë. Vonesa dhe ankthi i këtij kthimi do ta shtyjnë Lotin të shkruajë një tjetër libër, ku ai përshkruan ëndrrën që kishte parë Loti se Azyiade-n nuk do ta gjente dhe se ajo mund të kishte vdekur.
Më 1887, Lotin e fton mbreteresha Elisabeta e Rumanisë në kështjellën e saj në Pelesh. Kjo princeshë gjermane (von Wied) pianiste e talentuar, shkruante përralla nën emrin Carmen Silva dhe tani përkthente në gjermanisht librin e Lotit, Pecheurs d’Islande, (Peshkatarët e Islandës). Në kthim të kësaj vizite mjaft pasionante e romantike, në vënd që të mbërrinte në postin e tij, ai niset në Turqi për të kërkuar Azyiaden. Kishin kaluar plot dhjetë vjet. Duke veshur dhe një herë kostumin shqiptar, (kostum të cilin e kishte marrë me vete), Arif Ussim Efendi, shkoi drejt konakut ku rrinte dikur Azyiade. Por atje gjithçka ishte kthyer në gërmadhë. Me anën e shërbëtores së saj, Kadijes, e cila në Selanik e shoqëronte nëpër takimet e tyre të fshehta, ai mer vesh vdekjen e Azyiades, 7 vjet më parë. I zoti i saj e kishte marrë vesh dashurinë dhe “tradhëtinë” e saj me Lotin, dhe ai e kishte flakur në rrugë. Atë ditë, duke shkuar në varreza, Kadija, e paralizuar dhe e kthyer në lypëse, duke i treguar varrin e Azyiade- së, i klithte si e çmëndur: “Burda! Burda!... Azyiade! ... Ajo prehet këtu!
Pelegrini i botës
Pierre Loti do të vazhdonte të rrihte më pas udhët e botës, gjithnjë me anije, duke shkruar romanet që do ta bënin atë të njohur në botën letrare franceze dhe botërore: Romani i një spahiu, Zonja Krizantemë, Tri gratë e kazbasë, Pelegrini i Angkor, Ditët e fundit të Pekinit, etj. Fundi i viteve 1870 dhe fillimi i viteve 1880 do ta sjellin atë në brigjet shqiptare dhe të Adriatikut, në bordin e kryqëzorit Friedland, kur Rusia dhe Turqia luftonin mes tyre për Ulqinin, dhe kur eskadroni ndërkombëtar, i dërguar nga Fuqitë e Mëdha, më 1881 patrullonte nëpër brigjet dalmate, të Malit të Zi dhe të Shqipërisë. Pikërisht atëherë, Turqia i braktisi shqiptarët dhe Ulqinin, duke i lënë shqiptarët përballë presionit ndërkombëtar. Nuk dimë nëse Loti ka ndaluar në Shkodër, apo Durrës që ishin porte e qytete të rrahura për udhëtaret e huaj të asaj epoke. Por sidoqoftë ai shkruan me simpati për shqiptarët, siç shkruan dhe në dy botime të tij: Pasquala Ivanoviç dhe Udhëtimi i katër oficerëve të eskadrës ndërkombëtare në Malin e Zi. Ai ka ardhur në brigjet e Kotorrit dhe të veriut shqiptar me anijen Temeraire, ku siç shkruan në ditar, “sapo kemi parë shfaqjen e këtij vëndi të ri (Mali i Zi), ku rastësia na ka sjellë dhe ku ndoshta do të qëndrojmë gjatë duke pritur zgjidhjen e e çështjeve të Malit të Zi, të Greqisë dhe të Shqipërisë. Buzë detit, një fshat ndodhet para nesh: Baosiç. Kotorri është larg, i fshehur pas malesh, në fundin e një gjiri që nuk e shohim”. Në Baosiç, që është atdheu i princit mesjetar Balshaj i III-të, ai ka miq shqiptarë e malazezë, si Mehmet shqiptarin apo Gjergj Joroviç. Në Castelnuovo shkonte shpesh në kafenenë orientale me shqiptarët, siç kujton në ditarin e tij. Para se të largohej nga Baosiç, Mehmet shqiptari i dhuron një thes mëndafshi me duhan (latakié) të marrë kontrabandë në Shkodër, ndërsa Joroviç i dhuron një pushkë të bukur shqiptare. Por Baosiçi është i njohur për dashurinë e tij me një vajzë hercegovinase: Pasquala Ivanoviç. Kur shkon në Cetinje (Podgorice) atij i bëjnë përshtypje shqiptarët me veshjet e tyre: “Ka shumë shqiptarë që në këtë vënd armiqësor shëtisin si në shtëpinë e tyre, me ata qefinë në kokë dhe fustanellat e tyre me njëmijë pala, ashtu si luftëtarët e vjetër me mustaqe, me fundet e tyre hedhur si balerinat. Ne kujtojmë se ata janë përfaqësues për bisedime, por jo. Megjithë kërcënimet e luftës, ata vazhdojnë trafiqet e tyre”. Megjithëse takohet me princin malazez Nikita, Loti përsëri u drejtohet shqiptarëve: “është vështirë të entusiazmohesh nga ata, pasi simpatitë tona, prej kohësh janë për shqiptarët…”
Loti i ruante të shtrënjta fotografitë që kishte bërë në varrin e Azyiade-së. Ai më pas u martua, por Azyiade jetonte gjithnjë në zemrën e tij. Kostumin shqiptar që e ruante si gjëja më e vyer që i kujtonte gjithnjë takimet me të dhe dashurinë më sublime. Po kështu edhe ajo stele varri me fotografinë e saj që ai e kishte sjellë nga Turqia. Nëpër vite, në Rochefort, ai kishte krijuar ambjente me objekte ekzotike duke formuar kështu, mjedise si “pagoda japoneze”, “salla gotike”, “salla kineze”, me objekte të sjella nga Pallati Perandorak i Pekinit, ku ai ishte kapiten fregate, “dhoma arabe”, apo “salloni turk”, plot harqe, qilimë e mure me arabeska shumëngjyrëshe. Atje ai prehej e pinte nargjilenë. Para disa vjetësh, bashkë me piktorin Omer Kaleshi, duke kërkuar varrin e Aziade-së, në varrezat e vjetra të Ejub-it, në brigjet e “Bririt të artë” të Bosforit, këmbët na çuan në kafenenë kur dikur kishte qëndruar Pierre Loti, pikërisht ateherë kur ai kërkonte varrin e saj. Kafeneja tashmë quhej “Pierre Loti”. Dhe pikërisht atje, ripashë fotografitë e tij, Lotin me kostumin shqiptar, ashtu siç kishte qënë para gati një shekull e gjysmë.
Loti kishte vdekur atje ku ishte dhe ai kostum i vyer i nostalgjisë së tij: në jug-perëndim të Francës. Ishte viti 1923. Pleqëria e kishte munduar së tepërmi atë që kurrë s’kishte rreshtur së enduri nëpër detrat e botës, nga detet e Veriut, nëpër Mesdhe, Egje, Detin e Zi, nëpër Paqesor e gjer në ishujt e Japonisë. Ai kishte kërkuar ta vinin në një karrike lëvizëse, ta nxirrnin dhe ta çonin gjer në bregore, buzë shkëmbinjve që të shihte detin. Miqtë e tij e çuan atje plakun trim, i cili u tha që ta linin ca çaste vetëm, pasi kështu oqeani përballë i kujtonte rininë. Pak çaste më vonë, kur ata iu afruan plakut që ti flisnin, ata e gjetën atë të vdekur. Vështrimi i tij shikonte gjithnjë nga horizonti i oqeanit sikur priste të vinte e të shfaqej dikush, ndoshta një udhëtar, një mik i largët…
Ky njeri që do përcillej ato ditë me nderimet e një gjenerali të lavdishëm, ishte akademiku francez Pierre Loti: shkrimtari i dashurisë dhe i aventurës, luftëtari i disa betejave, autori i shumë romaneve më së shumti biografike e me kujtime udhëtimesh, njeriu që dashuroi çmëndurisht Orientin dhe që shtëpinë e tij e kishte kthyer në një muze oriental të quajtur „Bakhar Etchea”. Kostumi shqiptar që ai ruante ende atje, nuk ishte thjesht një objekt ekzotik, por diçka që e kishte mbështjellë në momentet më të lumtura të jetës së tij.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|