trojani
Veteran ne forum
Regjistruar: 20/12/2003
Vendbanimi: danimarke
Mesazhe: 900
|
Keshilli i Evropes ndeshkon Shqiperine
Europa ndëshkon mazhorancën pas veprimit të njëanshëm të saj për të emëruar përfaqësuesit e opozitës në delegacionin që do të përfaqësonte Shqipërinë në një nga organizmat më të rëndësishëm të kontinentit. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, institucion që është krijuar për të promovuar dhe mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut, ka vendosur dje që t’i heqë të drejtën e votës delegacionit që ka emëruar kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Strasburg. Në mënyrë të njëanshme në fundjavën e shkuar, kreu i legjislativit ka caktuar delegacionin shqiptar ku shënoheshin emrat e: Ilir Rusmalit, Arenca Trashanit dhe Lajla Pernaskës nga PD-ja, Shpëtim Idrizit nga opozita dhe si zëvendësues ka emëruar deputetin e PS-së, Kastriot Islamin. Vendimi i Topallit, si fillim, ka shkaktuar kundërshtimin e Idrizit dhe Islamit, të cilët nuk e kanë pranuar këtë rol, por më pas edhe reagimin e Europës. Dy monitoruesit e Shqipërisë, finlandezi Laasko dhe britaniku Wilshire, kanë propozuar menjëherë një rezolutë për të kthyer në “nul” vendimin e Topallit.
Dhe kështu është bërë dje pasdite. Strasburgu i ka hequr të dërguarve të Kuvendit të Shqipërisë të drejtën e votës duke marrë vendimin më të rëndë ndaj Shqipërisë, që është ekzekutuar nga Këshilli i Europës. Argumentimi i Këshillit të Europës për vendimin e marrë ka qenë se, me këtë akt “delegacioni i Shqipërisë nuk shkoi në përputhje me vlerat europiane”. Vendimi i djeshëm i Asamblesë Parlamentare është marrë shpejt dhe pa dhënë detaje të mëtejshme, të cilat pritet të bëhen të ditura në një seancë speciale për Shqipërinë që do të zhvillohet ditën e enjte, më 28 janar, ku dhe do të miratohet rezoluta për standardet demokratike të vendit tonë. Heqja e së drejtës së votës së delegacionit shqiptar bëhet pikërisht kur projektrezoluta thekson se mungesa e opozitës në Parlament rrezikon që Shqipëria të emërojë delegacionin zyrtar në Asamblenë Parlamentar të Këshillit të Europës. Ky është vendimi i dytë ndëshkues i Strasburgut ndaj Shqipërisë, më saktë ndaj Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. I pari ishte një vit më parë, kur Asambleja “ngriu” delegacionin shqiptar pas shkarkimit të kreut të delegacionit, deputetit të Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj. Edhe pse duket si një vendim i njëjtë, akti i djeshëm i Strasburgut përbën realisht një hap më tej, pasi jo vetëm “ngrin”, por dhe heq të drejtën e votës pa limit kohor deri në arritjen e konsensusit politik në Shqipëri. Ish-kreu i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, tha dje se “ky është dëmtim i rëndë i imazhit të Shqipërisë. Kjo ndodh për herë të dytë brenda harkut kohor të një viti. Do të thoja është antireklama më e mirë për Shqipërinë, nga ata që kemi zgjedhur për të drejtuar këtë vend”.
Rezoluta
Më 27 janar, në orën 15:30, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do të mbajë një seancë speciale për funksionimin e institucioneve demokratike në vend, si dhe zbatimin e standardeve të KE-së nga Shqipëria. Në këtë seancë do të prezantohet një projektrezolutë nga dy reporterët për Shqipërinë, përkatësisht finlandezi Jaakko Laakso dhe britaniku David Wilshire. Në tekstin e këtij dokumenti theksohet se “komuniteti ndërkombëtar nxit me forcë qeverinë shqiptare dhe opozitën t’i japë fund krizës aktuale dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë për të proceduar me reformat vitale. Qeveria duhet të ndërtojë pa u vonuar, komisionin e hetimit të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009 dhe opozita të rikthehet në Parlament e të kryejë funksionin e saj. Autoritetet shqiptare duhet të ndërmarrin një reformë legjislative, e cila duhet të jetë në bashkëpunim të plotë me Komisionin e Venecias.
__________________
Dite me te mira pasketaj vine
shkoi erresira
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|