alblib
Anetar i ri
Regjistruar: 03/09/2004
Vendbanimi: Shqiperi
Mesazhe: 5
|
Ne mbrojtje te OMGJ-ve
Në mbrojtje të OMGJ-ve
Adri Nurellari
marre nga gazeta biznesi
Kohët e fundit është përcjellë edhe në Shqipëri debati mbi Organizmat e Modifikuara Gjenetikisht (OMGJ) që ka kohë që zhvillohet në mënyrë të vrullshme mes vendeve perëndimore. Megjithatë, më shumë se një debat atë çka është zhvilluar deri tani në vendin tonë, unë do ta quaja një propagandë të njeanëshme të bazuar në një mungese të theksuar informacioni. Një grup të rinjsh në Shqipëri shoqëruar nga disa intelektuale shqiptare kanë imituar retoriken anti-OMGJ që gjendet me bollëk në Bashkimin Europian, dhe duke ushqyer iluzionin se edhe në jemi si ato vende, i kundervihen në mënyrë agresive perparimeve të shkences se bioteknologjise. Kjo gjë me ka indinjuar thellësisht the më ka shtyrë që të shkruaj këtë artikull që perpiqet të hedh dritë mbi çështjen e OMGJ-ve dhe të demaskojë mitin që rrethon fushatën kundër tyre.
Para se gjithash duhet të vihet në dukje që modifikimi gjenetik nuk është aspak gjë e re por është diçka që njerëzimi e ka kryer me sukses për mijëra vite me radhë. Njerëzimi prej shumë kohësh e ka dalluar vetinë që kanë organizmat biologjike për të ndryshuar dhe e ka përdorur këtë mundësi, me apo pa vetedije, në dobi të vetes. Të paret tanë kanë zgjedhur dikur një grup bimësh të egra dhe i modifikuan ato gradualisht duke përdorur për riprodhim ato fara që vinin nga korrjet që kishin siguruar produktin më të madh, me të shijshëm apo më të fortë. Gjithë kulturat bujqësore që ne sot mbjellim dhe kafshët që mbarështojmë, janë rezultat i mijëra vite aktiviteti përzgjedhës që ka patur si synim prodhimin e atyre hibrideve bimore apo shtazore që kishin cilësitë me të dëshirueshme. Historikisht kemi përzgjedhur ato hibride që kanë siguruar maksimumin e vetive si masa, shija, pamja, rezistenca ndaj sëmundjeve, shpjetësia e rritjes, cilësia, konsumi i vogël i ujit, përshtatja me terrenin etj. Këto hibride, si pasojë e modifikimeve gjenetike të bëra qysh herët në historinë e njerëzimit, janë krejt ndryshe nga paraardhësit që gjendeshin në natyre. Psh. unë prej rreth shtatë vjetësh mbaj në shtepi një qen të races pekineze (shtatshkurtër, leshgjate e hundështypur) dhe gjithmonë vras mëndjen nëse atij i mbetet ndonjë gjë e përbashkët me stërgjyshin e vet ujk. Po kështu nëse sot do të kultivonim ende ato varietete të misrit apo patatës që gjenden në egersirën e natyrës së Amerikës së Veriut dhe që indigjenet përdornin dikur, shumica e njerëzimit do të ishte duke vdekur urie. Bioteknologjia nuk bën gjë tjetër veçse vazhdon këtë traditë duke përdorur mjete dhe teknika të sofistikuara molekulare.
Aktori më i fuqishem i luftës kundër OMGJ-ve është Bashkimi Europian (BE) që paradoksalisht në vjeshtën e vitit 2001 publikoi rezultatet e 81 projekteve shkencore kërkimore të ndryshme, të financuara nga vete BE, që hedhin poshtë pretendimet anti-OMGJ. Këto projekte kishin hulumtuar organizma të modifikuar gjenetikisht dhe nuk kishin gjetur asnjë provë që të mund të tregonte se këto organizma ishin të dëmshëm për shëndetin apo ambjentin. Në fakt BE pengon importimin e OMGJ-ve, jo duke u bazuar në prova shkencore, por me parimin e parandalimit. Me anë të këtij parimi ata ilegalizojnë një produkt vetëm me justifikimin se nuk është provuar që ky produkt është i padëmshëm. E pra kjo retorike anti-shkencore mua nuk më duket se dallon shumë nga ajo e përdorur dikur prej luditeve kundër makinerive apo prej kishës kunder Galileut. Unë mendoj se anti-OMGJ-istët e rinj shqiptarë duhet të reflektojnë disi kur shikojnë se vende të tjera të perparuar siç janë SHBA, Kanadaja apo Australia të cilat kujdesen njësoj si Europianët për shendetin e shtetasve të tyre, i perdorin OMGJ-te lirshëm.
Produkte që sot vijnë nga manipulimet gjenetike si insulina (për diabetin) apo TPA (për infarktet e zemrës) janë përdorur masivisht me sukses prej vitesh nga qytetarët Europian. Ndërsa Europianët kërkojnë ndalimin e përdorimit të modifikimeve gjenetike në ushqime për hir të një etike të mjegullt mjedisore dhe shëndetësore, pse nuk kundërshtojnë aplikimin e kësaj teknologjie gjenetike në mjekësi, që është edhe një nder industrite me të fuqishme të BE?
E pra, pas argumentave anti-OMGJ të Bashkimit Europian qëndrojnë interesa të tjera, interesa të qarta ekonomike që nuk përkojnë aspak me interesat e vendeve në zhvillim si Shqipëria. Retorika kundër këtyre produkteve nuk është gjë tjetër , përveçse një manifestim i barrierave tregtare dhe politikave proteksioniste të BE-së. BE është duke pretenduar se mbron sigurinë e qytetarëve por në të vërtetë është duke mbrojtur fermerët e vet nga konkurrenca ndërkombëtare dhe po mbron sistemin e fryrë të subvencionimit të bujqësisë.
Lufta ndaj OMGJ-ve, luftë tregëtare
Me të drejtë Organizata Botërore e Tregëtisë (OBT) ka deklaruar se ndalimi i OMGJ-ve nga BE nuk bazohet në evidenca shkencore por është thjeshte një barrierë tregëtare arbitrare. Proteksionizmi i BE-se është më se evident dhe është një ndër shkaktaret kryesore të skamjes në vendet e botës së tretë. Por kjo është një çështje madhore që nuk mund të trajtohet brenda këtij artikulli të shkurtër.
Në rastin e OMGJ-ve, gjenetika ka krijuar hibride drithërash që janë shumë rezistente ndaj thatësirës e që mund të kultivohen me efikasitet të madh në vendet afrikane. Mirëpo politikat e BE-se jo vetëm iu heqin prodhuesve afrikane mundësine që të eksportojnë në tregun me të pasur të globit, por edhe ushtrojnë presione të tjera ndaj këtyre vendeve që të mos pranojnë OMGJ-të në truallin e tyre. Sa për ilustrim po përdor rastin e Zimbabvese në vitin 2002. Gjatë këtij viti ky vend ka qënë përfshirë nga një zi buke akute ku organizatat ndërkombëtare tregonin se mbi 6.7 milion njerëz (pak a shumë gjysma e popullsisë së ketij vendi) nuk kishin ushqim të mjaftueshem për të jetuar. Në korrik Zimbabve refuzoi ndihmën ushqimore të ofruar nga Kanadaja dhe SHBA-ja sepse misri i ofruar (me të cilin ushqehen rregullisht si kanadezët ashtu edhe amerikanët) ishte modifikuar gjenetikisht për të qënë më i mbrojtur nga insektet. Refuzimi vinte nga frika që kishte ky vend nga reagimet e Bashkimit Europian, i cili e kërcënonte se do të ndalonte çdo import bujqësor nga Zimbabveja me pretekstin e pranise së OMGJ-ve. Si pasojë e përkeqësimit të krizës qeveria e Zimbabves gjeti një tjeter rrugëdalje ndaj kësaj situate. Kërkoi që misri i ofruar fillimisht të bluhej tjetërkund dhe të hynte në vend si miell. Gjatë kohës që kjo situatë paradoksale zhvillohej dhjetra mijëra njerëz vdiqën barkthatë.
Dobia e bioteknologjisë, e pakundërshtueshme
Sipas Organizates së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), rritja e prodhimtarisë që është arritur fal përdorimit të OMGJ-ve dhe përdorimit me të përmiresuar të plehrave sintetike dhe pesticideve kanë dyfishuar prodhimin ushqimor gjatë 50 viteve të fundit. Gjatë kësaj kohe përqindja e popullsisë që vuan nga uria ka rënë nga 38% në 18%. Por nuk duhet të kenaqemi me kaq por duhet që ta përkrahim përparimin e shkencës. Vini re se çdo mbrëmje rreth 740 milionë njerëz shkojnë të flejnë me barkun bosh dhe rreth 40.000 njerëz, gjysma e të cilëve fëmije, vdesin nga uria. Nëse nuk lejojmë shkencën të marri masa e të ndryshojë këtë situatë, FAO parashikon që me ritmet e sotme të shtimit numri i të uriturve do të kapërcejë miliardin në vitin 2020.
Pa përmirësimet në gjenetiken e bimeve dhe kafshëve si dhe arritje të tjera të bioteknologjisë , neve do të na duhej të kultivonim çdo copë tokë të këtij globi, duke shkatërruar çdo pjesë të natyrës së paprekur, për të arritur prodhimin e asaj sasie ushqimi që prodhohet sot. Duke patur parasysh siperfaqen e eger të natyres që është kursyer nga kultivimi, si dhe faktin që fal gjenetikës sot kemi kultura bujqësore me rezistente ndaj insekteve apo bimëve të demshme, duke kufizuar në këtë mënyrë përdorimin e insekticideve dhe pesticideve; ambjentalistët duhet të ishin në pararojë të promovimit të OMGJ-ve e jo kundër tyre.
Prandaj unë ftoj opinionin publik shqiptar që të ruhet nga ky lloj neo-inkuizicioni anti-shkencor që po përhapet në emer të mjedisit. Shumica e komunitetit shkencor botëror është në mbrojtje të OMGJ-ve dhe kjo gjë dëshmohet edhe nga iniciativa të tilla siç është AgBioworld Declaration. Kjo deklaratë në mbështetje të përdorimit të bioteknologjisë në bujqesi është firmosur nga mbi 3500 shkenctare të famshem, përfshi këtu 24 nobelistë.
__________________
Where Liberty Reigns, There is my Country!
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|