Forumi Horizont Forumi Horizont > Arti & Kultura > Muzika > Jimi Hendrix – fėmija Vudu
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
daedal
.

Regjistruar: 07/10/2007
Vendbanimi: .
Mesazhe: 310

Jimi Hendrix – fėmija Vudu

James Marshall Hendrix, që më vonë do ta quante veten Jimi, lindi më 27 nëntor 1942 në Seatle, Washington. Pas ndarjes së prindërve Jimi jetoi me të jatin dhe u mahnit nga koleksioni i xhazit që ndodhej në shtëpinë e tyre. I ati, Al, kuptoi pasionin e Jimi-t për muzikën dhe i bleu një kitarë të lirë. Në moshën 11 vjeçare Jimi filloi të shfaqte shenjat e një kitaristi të madh, aftësi të cilat ai i kultivoi dhe zhvilloi me kalimin e kohës.
Pas ushtrisë Hendrix filloi të luante në kitarë, me disa muzikantë të njohur të blues-it dhe soul-it si B.B. King, Sam Cooke, Solomon Bourke, Little Richard, Eric Clapton, Ike & Tina Turner dhe grupe të tjerë, të shquar të kohës. Por shpejt e ndjeu se nuk ishte i lirë të bënte atë që donte me muzikën. Kështu ai krijoi grupin e tij dhe filloi bashkëpunimin me basistin e grupit anglez Animals, Chas Chandler. Ky i fundit e bindi Jimi-n të shkonin në Londër dhe prej këtej nis dhe mbretërimi i pashoq i Jimi-t në interpretimin e kitarës virtuoze dhe të këngëve që mbeten edhe sot po aq të famshme sa në kohën kur u shkruan. Edhe vetë Bob Dylan-i ia pati zili se si Hendrix-i rikëndoi disa nga këngët e tij të njohura, apo shkatërrimin që Hendrix-i i bëri himnit të flamurit Star Spangled Banner ku kitara imiton bombardimet në Vietnam.

Jo vetëm një mjeshtër në kitarë, Hendrix hulumtoi në zona mirëfilli poetike, produkti i të cilit ndihet në lirikat e këngëve. Fjalët e tij janë të mbarsura me imazhe krijuese dhe tinguj që pikturojnë një panoramë të mrekullueshme në imagjinatën tonë. Shumë prej lirikave dhe muzika janë shkruar nga vetë ai, me përjashtim të disa këngëvë të marra nga blues-i klasik, të cilave Hendrix-i i dha atë prekjen magjike të një ritëm & blues me nuanca xhaz, acid rock, hardcore, forcë, dinamizëm dhe natyrisht e gjithë kjo në praninë e tingujve transhedentalë të kitarës.

Lirikat e Hendrix-it janë shpesh vizionare, herë-herë me përkatësi religjioze apo dhe romantike me evokime të trazuara të vdekjes së sublimuar si tek A do jetoj nesër, ose janë magjike madje dhe mbinatyrale. Frymëzimet e vërteta vinin nga religjioni i zi dhe nga mahnitja e pafundësisë qiellore e fëmijës së brishtë. Këtu fantazia shtrihej në monologje të gjatë në kitarë apo ëndrra të thella që dëshmonin tërë vetminë, frikat e djaloshit, nevojën e tij intime për paqe të brendshme dhe purifikim. Në disa këngë të tjera ai nuk luan atë muzikën e tij të fortë, por shndërrohet në poet metafizik apo personazh psikedelik, që siç thoshte Bo Didley “ai ishte e vetmja mace e zezë që mund të luante psikedeli”.

Jimi Hendrix ishte i jashtëzakonshëm në improvizim dhe disa nga këngët e tij i ka interpretuar në disa versione të ndryshme, të gjitha të mahnitshme. Në dorën e Jimi-t kitara akustike fitonte një lloj psikologjie, ndërsa kitara elektrike bëhej orkestër, një makinë tingulli me një gamë të pamatë mundësish, duke arritur kufijtë vibrativë të zërit njerëzor. Për të kitara ishte një zgjatim i trupit, por dhe i mendjes. Gjithë mimika, lëvizjet e dorës dhe të krahut, apo të gojës bëheshin funksionale për të nxjerrë tingujt e fundit torturues, për t’u përmbyllur në ritin ceremonial të sakrifikimit të kitarës, djegie në skenë. Ky ishte shfrimi i Hendrix-it pas gjithë asaj shfaqjeje ku publiku provonte gjithçka që nga deliri hipnotik jashtë hapësirës dhe kohës deri në një çmenduri gjeniale.
Sekuencat e fundit të Hendrix në skenë vijnë nga post-Woodstock-u me plehra dhe trupa lakuriqë ku tingujt e kitarës së tij vellojnë me një mjegull mistike si për t’i vënë vulën fundit të një brezi që e kishte për zemër thënjen “Seks, drogë & rock’n’roll”. Ishte koha kur qindra amerikanë vriteshin nga mitralozi në Vietnam dhe “brezi i luleve” kërkonte paqe dhe dashuri, natyrisht të kombinuar me pak drogë dhe LSD.
Këmbët në tokë e kokën lart tek yjet. Jashtë prej mjegullimës së purpurt një kon i ndritshëm lëshon një ortek tingëllimash, tingujsh, notash dhe vegimesh që ta shastisin mendjen.

Jimi vdiq në Londër pasi kishte marrë disa pilula qetësuese. E dashura e gjen të mbytur nga e vjella e tij. Një natë më parë ai po punonte për një këngë të re. Vargjet përmbyllëse ishin:

Historia e jetës
është më e shpejtë
se një pulitje sysh
Historia e dashurisë
është përshëndetje
derisa të shihemi përsëri.

Robert Plant i grupit anglez Led Zeppelin kujton: “Po dëgjoja një disk të Hendrix-it, kur im bir më pyet se kush po luante në të. Ah, biri im i thashë, ky është zoti vetë.”
Ndërsa këngëtarja amerikane Cher ka thënë: “Jimi Hendrix ishte zot nga natyra dhe ai e provoi këtë gjë me muzikën e tij”.

Ky ishte Jimi Hendrix i konsideruar si kitaristi më i madh i të gjitha kohërave dhe i krahasuar nga kritikët me Bethoven-in apo Charlie Parker në xhaz.

__________________
,

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 30 Janar 2008 19:39
daedal nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė daedal Kėrko mesazhe tė tjera nga: daedal Shto daedal nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto daedal nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 21:07 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Arti & Kultura > Muzika > Jimi Hendrix – fėmija Vudu

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.