Admirali
ITSD Engineer
Regjistruar: 07/01/2003
Vendbanimi: Durrės
Mesazhe: 2298
|
Ne lidhje me lajmin per partine Memedheu
Si gjithmone, mediat ne Shqiperi qimen e kane bere tra. E them kete gje, pasi prova ka sa te duash, sidomos kur behet llafi per fene islame, per te cilen nuk pertojne t'i veshin lloj-lloj epitetesh, vetem si e si qe te mbushin faqet e gazetave. Ka pak dite qe ne shtypin shqiptar, qarkullon lajmi per nje parti "islamike" te quajtur Memedheu. Sot gazeta shqiptare kishte botuar dy faqe plot me intervista me ate qe eshte personi qe ka marre persiper te formoje kete formacion te ri politik si dhe me nenkryetarin e KMSH Ermin Gjinishi, nje opinion te poetit Ervin Hatibi etj. Keto intervista po i paraqis ketu, te plota pa asnje modifikim. Arsyeja qe e bej kete, eshte qe te kete nje ide te qarte persa i perket ketij lajmi qe ben pjese ne ato lajme qe synojne te japin nje imazh te keq te Islamit dhe shqiptareve muslimane.
Me respekte
Intervista me Gjinishin, Hatibin
"S'KA SHTRESE INTELEKTUALE PER NISMEN"
Muslimanët: Jo partisë islamike
Gjinishi: Nuk e mbështesim një ndërmarrje të tillë
TIRANE
Nuk e mbështesim krijimin e një partie islamike, pasi fillimisht në Shqipëri mungon hapësira ligjore për një hap të tillë", ishte opinioni i pare, njëkohësisht shumë i prerë, i Nënkryetarit të Komunitetit Musliman, Ermir Gjinishi. I pyetur nga Gazeta në lidhje me lajmin, sipas të cilit në Shqipëri ishte duke u krijuar një parti me karakter fetar islamik, numri dy i Komunitetit Musliman u shpreh kundër. Pasi pranoi se kishte lexuar me kujdes Gazetën, madje e kishte atë ende përpara, Gjinishi formuloi shumë saktë mendimet, jo vetëm të tij, mbi atë që kishte lexuar. Sipas gjykimit të Gjinishit, në Shqipëri ka një numër të madh partish politike, një fenomen që u quajt prej tij "jemi shtet ekzemplar për numrin e madh të tyre". Por zyrtari pohoi gjithshtu se nuk ishte ky problemi kryesor. "Në shoqërinë ku ne jetojmë, çështjet nuk marrin zgjidhje duke shtuar elementë politikë", tha Gjinishi në vazhdim të idesë të tij kundër kësaj partie. Dhe në vazhdim: "Kam frikë se një parti e tillë mund t'i krijojë paragjykime dhe shqetë-sime kulturës fetare në Shqipëri". Por kundërshtitë e numrit dy të Komunitetit Musliman nuk përfundonin këtu. Sipas tij "në Shqipëri nuk ka ende një shtresë kulturore muslimane, që të ndërmarrë një hap të tillë". "Mendoj se mungojnë totalisht potencialet intelektuale për një hap të tillë", përfundoi Gjinishi.
Partia e re
Ideja e pragzyrtarizimit të një partie të re politike shqiptare me karakter islamik u soll nga Gazeta Shqiptare në numrin e saj të të shtunës. Sipas të dhënave të Gazetës një grup personash, që praktikojnë fenë muslimane, ishin duke zyrtarizuar në Gjykatën e Tiranës një parti politike të quajtur Partia Mëmëdheu, e cila kishte në programin e saj qëllime fetare, si unifikimi i muslimanëve shqiptare apo përfshirja e sistemit fetar islam në sistemin arsimor shqiptar. Personi që është duke u marrë me legalizimin e partisë së re, i quajtur Artan Shaqiri, ka përmbushur detyra të larta në Komunitetin Musliman Shqiptar. Pikërisht duke u nisur nga personaliteti i këtij personi, apo i të tjerëve ende të panjohur, të cilët qendrojnë pas kësaj partie, janë amplifikuar të dhëna se qëllimi i vërtetë është krijimi i një partie me tipare fetare islamike. Gjithsesi sipas njohësve të personave që janë duke marrë drejtimin e kësaj partie të re, thuhet se në programin e paraqitur ka nuanca fetare, por nuk besohet se ky ështe një grup ekstremistësh që kërkojnë themelimin e një formacioni politik fetar radikal në Shqipëri. Aktualisht pritet verdikti i gjykatës së Tiranës që kjo parti të legjitimohet.
Ervin Hatibi: Kjo parti e re nuk më ngjall asnjë shije të mire
Ervin Hatibi, ish-kryeredaktori i gazetës "Drita Islame" dhe njëkohësisht njohësi i preferuar nga mediat i problemeve të Komunitetit Musliman dhe kryesisht fesë islame në Shqipëri, gjatë një kontakti me Gazetën pohoi se nuk ishte shumë dakord me një iniciativë të tillë të krijimit të një partie me karakter fetar islam. Mendimet e para të komunikuara prej Hatibit pas njohjes me çështjen ishin: "Partia e re që thoni, nuk më lë shije të mirë. Nuk e kuptoj se si feja mund të futet në parti". Sipas Hatibit feja në Shqipëri në stadin aktual kishte probleme më të ndryshme se krijimi i një partie të tillë. "Nuk duhet t'i shtohet kaosit politik shqiptar edhe një telash më tepër. Nuk i kuptoj këto lloj lëvizjesh. Unë jam nga ata njerëz, të cilët nuk i besojnë organizimet partiake. Qëllimi i fesë është i ndryshëm nga ai i partive. Qëllimi i fesë është të rregullojë zemrat e njerëzve", tha përgjatë përçimit të ideve të tij Hatibi. Pasi mëson emrin e Artan Shaqirit, njeriut që është duke u marrë me procedurat e legalizimit të parties së re, Hatibi thotë se e njeh pak, por mohon të ketë krijuar përshtypje negative. "Unë nuk di se me kë bashkëpunon Artani, i cili dikur ka përmbushur detyra të larta në Komunitetin Musliman, që të marr guximin të jap një opinion më të specializuar", pohon Ervini. Por njeriu që njihet edhe si një nga poetët e rinj me emër të mirë në Shqipëri, ka edhe dyshime. "Ka të ngjarë që gjithçka të jetë një lojë e madhe politike e dirigjuar nga persona të tjerë të fuqishëm", ishte një tjetër pohim i tij. Ndërsa përsa u përket synimeve të fshehta apo eventualisht të paligjshme të një partie të tillë, Hatibi ishte më optimist. Sipas tij synime të tilla nuk kanë për të patur jetë të gjatë, pasi jetojmë në një shoqëri ku gjithçka bëhet publike dhe kalon në sitën e ngushtë të kritikës, qoftë të mediave. "Normalisht që synimet e paligjshme, nëse ka të tilla, nuk kanë për të mbijetuar aspak", përfundon Hatibi.
Muslimanët e Elbasanit: Feja s'ka lidhje me politikën
Kurrsesi, nuk duhet që një njeri që është marrë me predikimin e fesë të krijojë një parti politike. Mendoj se muslimanët e Elbasanit janë kundër krijimit të një partie për të cilën kemi lexuar sot". Kështu është shprehur për Gazetën Shqiptare një nga teologët muslimanë në Elbasan, njëkohësisht student teologjie në Kuvajt, Arben Ramkaj. Ky i fundit ka sqaruar edhe arsyen pse është kundër krijimit të një partie islamike. "Në radhë të parë, feja nuk duhet të përzihet me politikë, në çfarëdolloj rrethane. Plus kësaj, politika manipulohet shpejt", ka thënë Ramkaj, duke shtuar se "interesat e muslimanëve, harmoninë mes tyre apo marrëdhënie të tjera, duket t'i mbrojë dhe e ka për detyrë, vetëm Komuniteti Musliman Shqiptar". Sipas tij, partitë politike shërbejnë për manipulim të ndjenjave personale të njerëzve. "Jam i mendimit se, kur bëhet fjalë për raporte mes fesë dhe shtetit, duhet të ekzistojnë rrugë të tjera. Së shpejti do të bëhet një marrëveshje për marrëdhënie të tilla, duke marrë shëmbuj anglezë ose amerikanë. Raportet nuk mund t'i vendosë një parti që ka në program edhe çështje fetare", ka theksuar Ramkaj. Lidhur me kërkesën e një ish-imami për krijimin e një partie, Ramkaj është shprehur se, "para se të vendosë gjykata, duhet të konsultohen me njëri-tjetrin edhe Komiteti Shtetëror i Kulteve me Komunitetin Musliman, pasi një parti e tillë mund të krijojë probleme".
Intervista me nismetarin e ketij formacioni politik
ARTAN SHAQIRI: DO KANDIDOJME NE ZGJEDHJET E 2005
"Ja 'islamizmi' në partinë tonë"
Kreu i "Mëmëdheu": Duam arsimin fetar në shkolla
--------------------------------------------------------------------------------
Ferdinand Dervishi
Artan Shaqiri, njeriu që thotë se është ngarkuar të formojë Partinë Shqiptare Mëmëdheu, është një krijesë serioze. Një vëzhgues i vëmendshëm nuk do të ketë shansin të zbulojë në fytyrën e tij pak milimetra katrorë, që nuk reflektojnë seriozitet. Jo sepse nga Shkodra në Tiranë e ka sjellë një problem që çdokujt do t'i ngrinte nervat. Në media partia, të cilës ai është duke i dhënë jetë, është quajtur "islamike" e të tjera të ngjashme. "Veç meje që kam studjuar për teologji, kjo parti nuk ka asgjë fetare në programin e saj", thotë përsëri shumë seriozisht. E ndërsa thotë se synimi i Partisë Mëmëdheu është që në zgjedhjet e ardhme të ketë deputetët e vet në Parlamentin Shqiptar nga një listë shumëemërore, Artani pohon pa u ndrojur se Partia Mëmëdheu ka në programin e saj aspirimin për një kontroll më të fortë të shtetit ndaj aktivitetit religjoz në Shqipëri. "Ne kemi në program ngritjen e Ministrisë së Feve apo edhe futjen në program të arsimit fetar në sistemin arsimor shqiptar", pohon ai pa i'u dridhur qerpiku.
Zoti Artan, sa e vërtetë është që ju jeni duke formuar një parti islamike?
E vërtetë është që jemi duke formuar një parti të qendrës demokratike. Pra nuk është ashtu si e quani ju. Ajo ka për qëllim stabilizimin politiko-social të shqiptarëve dhe integrimin në strukturat euroatlantike e Bashkimin Evropian.
Përse emri i partisë suaj është "Mëmëdheu"?
Është përçuarja e thirrjes së rilindasve shqiptarë, zgjimi i vlerave kombëtare, me një fjalë të punojmë, të integrojmë Atdheun tonë që tingëllon më ëmbël "Mëmëdhe".
Cili është qëllimi i kësaj partie?
Qëllim i afërt është të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me një listë shumëemërore kandidatësh për deputetë të klasifikuar e të përzgjedhur nga shoqëria civile shqiptare, mundësisht potencialë akademikë.
Cilët janë njerëzit që aderojnë në këtë parti?
Të gjithë ata që dëshirojnë, pa paragjykime.
Ç'thotë programi i partisë suaj për fenë?
Duam të arrijmë që shteti shqiptar dikur të jetë i aftë të kontrollojë aktivitetin religjoz në Shqipëri. Mund të përqaset me politikën e qeverisë demokratike të Fan Nolit, e cila kishte përcaktuar më qartë se çdo qeverisje tjetër historike e shqiptarëve pozicionet e vendosjes së besimeve përballë shtetit.
Në shtyp është shkruar se ju jeni për një unifikim të muslimanëve shqiptarë
Aspak e vërtetë. Unifikimi është nonsens. Asnjëherë askush nuk ka marrë përsipër të bëjë bashkë të gjitha sektet apo derivatet e këtij besimi.
Është thënë gjithshtu se jeni për futjen e arsimit fetar islam në arsimin shqiptar?
Është bërë paksa gabim. Ne jemi për futjen në program të arsimit fetar, por pa e ndarë në islam apo krishterë.
Më konkretisht mund të sqaroni?
Po. Nuk jemi dakord që arsimi fetar të trajtohet në shkolla të posaçme. Kemi menduar që ky arsim të përfshihet në sistemin arsimor shqiptar. Në këtë logjikë duam që nga klasa e katërt e fillores të ketë një lëndë ku nxënësit të marrin njohuritë e përgjithshme për besimet fetare të vendit tonë. Jemi gjithshtu për krijimin e një universiteti religjioz, pasi mendojmë se nuk është mirë që të rinjtë apo të rejat shqiptarë të shkojnë të marrin këtë arsimim fetar jashtë vendit. Jemi gjithshtu edhe për një Ministri të Feve e cila të ketë për detyrë të kotrollojë dhe të rregullojë veprimtaritë religjoze në Shqipëri.
[b]Kemi të drejtë të mendojmë se partia juaj pas legalizimit dhë fuqizimit, të devijojë nga ato që shkruhen në statutin e saj, pra të kthehet në një parti me tendenca islamike
[b/]
Nuk ka të ngjarë. E para kjo nuk është në qëllimin tonë, e dyta shteti shqiptar ka ligje dhe rregulla të njohura, që të detyrojnë t'u përmbahesh edhe pas legalizimit të partisë apo fuqizimit të saj.
Legalizimi i partisë "Mëmëdheu", edhe një seancë në Gjykatë
Sipas Artan Shaqirit, njeriut të ngarkuar nga grupi nismëtar i krijimit të Partisë Mëmëdheu për përgatitjen e statutit dhe legalizimin e kësaj partie, nga momenti final e ndajnë pak ditë. Sipas Shaqirit gjithçka ka shkuar për bukuri në Gjykatën e Tiranës. Kërkesa për legalizimin e Partisë Shqiptare Mëmëdheu është depozituar para një muaji. Po një muaj i duhet gjykatës që të vendosë për zyrtarizimin ose jo të saj. Sipas Shaqirit gjykatësja e çështjes nuk ka parë ndonjë paregullsi në program. Në gjykatë ishin dërguar edhe 500 firmat e njerëzve, të cilët janë edhe anëtarët e parë të kësaj partie, një kusht i domosdoshëm që duhet të përmbushet për legalizimin. Sipas Shaqirit partia do të ishte legalizuar që më 10 mars, por gjykatësja kishte munguar për një problem privat, më saktë kishte një nga të afërmit të sëmurë rëndë.
Në Shkodër u hodh ideja e parë e një partie muslimane
Vala e krjimit të partive të reja në fillim të viteve '90 përfshiu edhe një grup qytetarësh shkodranë të cilët hodhën idenë e krijimit të një partie me emrin, Partia Demomuslimane. Ideja u hodh menjëherë sapo doli lajmi i krjimit të partisë Demokristiane të drejtuar nga Zef Bushati. Në këtë qytet kjo parti kishte edhe elektoratin më të shumtë në fillimet e saj. Ideja e krijimit të një partie me terma të ngjashme nga qytetarët shkodranë të besimit musliman mbeti vetëm ide. Arsyeja duket se ishte vetëm një nxitje e momentin e cila nuk u finalizua mbase për mungesë të modeleve. Në atë kohë pjesa më e madhe e partive të krijuara brenda pak javësh kishin emërtime të ngjashme me parti të njohura perëndimore apo që kishin një histori të vjetër siç ishte Balli Kombëtar apo Legaliteti.
__________________
Quis custodiet ipsos custodes?
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|