~Enigme~
Simplexity
Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073
|
Fjala e Kryetarit tė PS E. Rama nė Tryezėn e Programit pėr Shėndetėsinė (9 Mars 2012)
Një shërbim shëndetësor sipas mundësisë për të paguar apo një shërbim shëndetësore sipas nevojës?
Kjo është pyetja që ndan qartë në përgjigje ata që sot qeverisin, nga ne që do qeverisim nesër. Për ata, merr shërbimin shëndetësor kush paguan dhe nëse nuk ka punë dhe prandaj edhe nuk paguan dot le të vdesë. Për ne shërbimi shëndetësor universal, për të gjithë, është e drejtë e çdo qytetari dhe detyrë e pashmangshme e shtetit. Në rast se politika e atyre që qeverisin sot në të gjitha aspektet, por sot flasim për shëndetësinë, bazohet në parimin secili për vete dhe Zoti për të gjithë, politika jonë bazohet në parimin secili sipas mundësive dhe shteti për të gjithë.
1. Sot 60 % e shpenzimeve për shëndetin e përbëjnë pagesa nga xhepi i qytetarëve. Pagesa që bëhen direkt tek shëndetësia jopublike, pagesa që bëhen për të plotësuar boshllëqet e atyre që shëndetësia publike ka marrë përsipër me ligj dhe me angazhimet e veta. Modeli ka dështuar dhe kalbet i gjallë mbi tokë nga korrupsioni kapilar. Kontributet e detyrueshme përbëjnë sot vetëm 1/5 e shpenzimeve publike për shëndetësinë. Sistemi kontributiv aktual është regresiv. Për këtë Sekretari për Programin do të bëj një sqarim të mëtejshëm.
Pra, në përgjithësi ne kemi një sistem shëndetësor ku më shumë se gjysma e shpenzimeve përbëhet nga pagesat nga xhepi dhe vetë pjesa publike mbështetet gjerësisht në buxhetin e përgjithshëm.
2. Sot pikërisht sepse modeli dhe politika që e mban atë në këmbë janë të ndërtuar mbi parimin secili për vete dhe Zoti për të gjithë, 1 milionë njerëz gjenden të përjashtuar nga sistemi i shërbimit publik shëndetësor sepse nuk janë të siguruar, për shkak se nuk e kanë një punë.
3. Në tetor të vitit 2009 tarifat për të pasiguruarit u rritën 4-5 herë. Ndërsa në fillim të vitit 2011 u vendos edhe TVSH-ja 10% në shëndetësi. Ne jemi të vendosur ta heqim TVSH-në qoftë për shërbimin, qoftë për ilaçet. Rëndesë direkte për 104 mijë familje që jetojnë me 40 mijë lekë të vjetra në muaj, po marrim vetëm një të dhënë zyrtare.
4. Jemi të bindur se politikat aktuale garantojnë vetëm rrënimin e mëtejshëm të shëndetësinë publike edhe për shkak të interesave aspak të panjohura të prapaskenës së vendimmarrjeve politike mbi shëndetësinë. Nuk është vetëm modeli në vetvete që ka dështuar dhe nuk funksionon, por ai kalbet mbi tokë nga një korrupsion kapilar i cili ushqehet nga këto interesa dhe forcon këto interesa. Atrofizimi i shëndetësisë publike ashtu si edhe ai i arsimit publik, nuk është vetëm pasojë e një qasjeje filozofike të gabuar, e një vizioni politik të gabuar, e një modeli të dështuar, por edhe e një paramendimi me nxitje korruptive.
5. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar që ne do të ngremë do të jetë blerësi unik i shërbimit shëndetësor për çdo shqiptar që jeton në Shqipëri. Pra nuk do ti ndajmë shqiptarët në të siguruar dhe në të pasiguruar kur është fjala për ti ofruar shërbimin shëndetësor, por shteti do ta blejë këtë shërbim për të gjithë njësoj dhe do ta ofroj nëpërmjet institucionit të ri të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor.
6. Shëndetësinë jopublike, ashtu si dhe arsimin jopublik ne e vlerësojmë si partnere dhe si një forcë komplementare në ofrimin e shërbimit. Por në asnjë mënyrë nuk mendojmë se roli i qeverisë mund të katandiset në rolin ku ajo gjendet sot. Që nga njëra anë të mos jetë në gjendje të garantojë ato çka shëndetësia publike ka përsipër me ligj dhe me angazhime konkret dhe nga ana tjetër për shkak të boshllëqeve që lë qeveria, ti dërgojë tek sistemi jopublik, siç bën me arsimin edhe me shëndetësinë, njerëzit që në atë sistem, përveç të tjerash, jo vetëm që nuk kanë mundësi të gjithë që të paguajnë, janë shumë më të pakët sesa ata që kanë nevojë, por nuk është se domosdoshmërish marrin gjithmonë shërbimin konform pagesës.
7. Po të bëjmë një retrospektivë të rrugës së rrënimit të sistemit shëndetësor, do të gjejmë në çdo stacion të kësaj rruge moment pas momenti si pjesë të këtij rrënimi, rrënimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë sot është haptazi organizatë partie, një organizatë partie në shërbim të një partie të koalicionit. Ministria e Shëndetësisë prej kohësh ka qenë pjesë e pazareve të koalicionit, si një trofe i një partie të vogël. Dhe në mënyrë të hapur ajo është lejuar të kthehet në organizatë partie ku të gjitha shpezat e buxhetit të shtetit, të gjitha paratë e taksapaguesve për të mbajtur në këmbë sistemin e saj janë kthyer në rroga për anëtarët e partisë.
8. Në programin tonë të 5 nëntorit ne kemi marrë përsipër një angazhim shumë të madh në tërësi, Për Një Rilindje Shqiptare që do të bëj kthesën duke ndaluar rrugën e rrënimit të mëtejshëm dhe një nga angazhimet më të forta, për një nga politikat më radikale të ndryshimit është angazhimi për ndryshimin në sistemin e shëndetësisë.
Shëndetësia shqiptare sot nuk arrin të realizojë asnjë nga funksionet e saj: nuk parandalon, nuk diagnostikon, nuk kuron dhe nuk rehabiliton. Flasim për sistemin si i tërë, nuk flasim për heroizmat apo sakrificat e individëve të veçantë, mjek ose infermierë. Flasim për sistemin si i tërë, nuk flasim për personalitete të fushës së shëndetësisë, apo për nxënës të tyre të pasionuar që në kushte barbarie në spitalet e Shqipërisë vazhdojnë tu shërbejnë, lavdi Zotit qytetarëve dhe vazhdojnë të mbajnë gjallë një fije drite në tunelin tërësisht të errët ku ka hyrë sistemi shëndetësor shqiptar.
Ne dëshirojmë që sot tua them qartë qytetarëve shqiptarë, ata marrin një shërbim gjithnjë e më pak të sigurt për shëndetin dhe gjithnjë e më fyes për dinjitetin në kushtet e sotme. Ndërkohë që ne duam që kushtet të ndryshojnë që edhe shërbimi për shëndetin të jetë i sigurt edhe dinjiteti i tyre të mos jetë i fyer sa herë duhet të kapërcejnë pragun e sistemit shëndetësor, apo kur fatkeqësisht nuk marrin as kurajon të shkojnë ta kapërcejnë sepse duhet të paguajnë dhe rëndomtë paguajnë dy herë. Të paguajnë tarifat e rritura 4-5 vetëm dy vjet më parë, sepse janë të pasiguruar sepse nuk kanë punë dhe paguajnë edhe nën dorë tarifat e korrupsionit kapilar. Që është një sistem i tërë i organizuar me një prapavijë politike dhe me qëllimin aspak të fshehtë për ta atrofizuar tërësisht sistemin publik shëndetësor.
Ndërkohë që nga ana tjetër vetë profesionistët e shëndetësisë janë lënë edhe ata në kushte pasigurie dhe në kushte fyese për dinjitetin e tyre profesional dhe njerëzor. Me një financim publik krejt të pamjaftueshëm, me një model financimi krejt të dështuar dhe të kalbur, nën tutelën e drejtimit të korruptuar politik dhe injorant dhe në kanosjen e vazhdueshme të sigurisë së tyre fizike. Rastet kur siguria e mjekëve është vënë në rrezik kanë qenë jo të pakta dhe tërësisht të mjaftueshme, për të krijuar një klimë pasigurie në kushtet kur mjekët e kanë të pamundur të ofrojnë shërbimin që nuk u takon atyre personalisht por i takon shtetit ta garantojë në spitalet ku ata punojnë.
Sfida jonë është tu rikthejmë qytetarëve besimin e humbur tek shërbimi shëndetësor, tu japim atyre mbrojtjen e merituar përmes një shërbimi shëndetësor universal dhe tu krijojmë edhe profesionistëve mjekëve, infermierëve e me radhë, kushtet e nevojshme që të rifitojnë besimin, të rimotivohen brenda një modeli i cili nga njëra anë duhet të garantojë çdo qytetar, por nga ana tjetër duhet të stimulojë shpërblimin e tyre në rrugë transparente dhe publike pa patur nevojë që të tundohen nga rrugë jo transparente dhe korruptive dhe njëkohësisht kushtet për të shërbyer me cilësi.
Sistemi i sotëm i financimit të shëndetësisë e stimulon korrupsionin. E stimulon burokracinë e tepruar në funksion të rritjes së numrit të rrogave që i duhen organizatës së partisë, që gabimisht quhet Ministria e Shëndetësisë së Republikë së Shqipërisë dhe diskriminim në masë të qytetarëve të këtij vendi dhe të mjekëve, infermierëve e të profesionistëve të këtij vendi. Është një sistem që i diskriminon të dyja palët dhe i kundërvendos rëndom në pozicione konfliktuale, në pozicione kundërshtie, në pozicione ku ndihen të kërcënuar nga njëri tjetri.
Paratë publike, edhe pse të pamjaftueshme në funksion të një sistemi i cili do të donim ti ngjante sistemeve shëndetësore të vendeve rreth e rrotull nesh, në fakt nuk shpenzohen për shëndetësinë publike në një masë të madhe, por shpërdorohen në mënyrë kriminale, ndërsa qytetarët paguajnë nën dorë deri edhe për shërbime jetike minimale. Ky sistem i marrë fund shëndetësor nuk arrin të plotësojë as edhe nevojat e asaj gjysme të popullsisë që është e siguruar. Pa llogaritur të varfrit, apo ata janë të papunë edhe prandaj edhe të pasiguruar që po e po sistemi as nuk mund tua plotësoj nevojat në këto kushte ku është katandisur.
Shëndeti publik është për ne një pasuri e përbashkët, por është edhe një faktor themelor i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Të gjithë atyre që varfëria apo papunësia i ka lënë pa shërbim shëndetësor, një shërbim shëndetësor publik universal, mund tu ofrojë jo vetëm mundësinë që të trajtohen nga pikëpamja shëndetësore por po aq e rëndësishme edhe mundësinë që të trajtohen dhe të ndjehen të barabartë në kuadrin e Republikës së Shqipërisë edhe të shoqërisë sot ku jetojmë.
Sot 1/5 e territorit të vendit gjendet pa asnjë shërbim shëndetësor. Shërbimi Kombëtar Shëndetësor ( SH. K. SH), siç e thashë, ku të gjithë do të jenë të siguruar sepse do të jetë shteti që do ta blej shërbimin dhe do ta ofrojë pastaj për të gjithë, do të bëj të mundur që të gjithë të kenë mundësi ta marrin kujdesin e duhur shëndetësor, pavarësisht nga vendbanimi, pavarësisht nga gjendja shoqërore dhe sigurish, e thashë, pavarësisht nga situata financiare. - A ESHTE KJO E MUNDESHME NE KUSHTET E SHQIPERISE?
Gjithashtu besojmë shumë se kjo shoqëri ka sot nevojë imediate për një solidaritet social mes të shëndetshme dhe të sëmurëve. Të gjithë kemi pasur mundësinë të shkojmë në spitale, qoftë për tu vizituar, qoftë për të vizituar njerëz të shtruar në spital. Gjendja e spitaleve publike është e mjerueshme, por akoma më e mjerueshme bëhet kur llogarit sesa shumë para publike figurojnë të shpenzuara për rindërtimin, rikonstruksionin, rigjenerimin, ri rindërtimin, ri rikonstruksionin, ri rigjenerimin e tyre. Praktikisht, është fare e qartë sapo e kapërcen derën e spitalit, që më shumë sesa vende ku paraja publike shkon në shërbim të shëndetit publik, ato janë vende ku paraja publike shpërdorohet për shkak të një modeli dhe një sistemi që mbahet në këmbë nga organizata e partisë, e quajtur Ministria e Shëndetësisë.
Mungesa e ilaçeve në spitalet tona është tanimë një dukuri kronike, aq sa shqiptarët mund të konsiderohen edhe nga anketimet që ne kemi bërë në funksion të programit, të mësuar me faktin se në spital duhet të shkohet me ilaçe me vete. Se për çarçafët e kanë parasysh vetë dhe kanë kohë që janë mësuar me këtë.
Ne do të hapim kantierin e shëndetësisë, me qëllim modernizimin infrastrukturor dhe rritjen e sigurisë në spitale dhe në ambulanca. Qoftë për personelin, qoftë për të sëmurët. Është fakt që pamja e parë që të vjen në sy kur përfytyron një hapësirë spitalore, ska lidhje fare me një vend ku në fakt kurohen njerëz të sëmurë. Kaos, anarki, pisllëk, rrëmujë, zhurma dhe gjithçka tjetër që mund ti ngjaj shumë më tepër një stacioni treni në ato filmat bardhë e zi të Far West-it sesa një hapësire spitalore në mes të Europës. Spitalet publike duhet dhe ne do të bëjmë çmos të jenë, jo vetëm vendet ku njerëzit vizitohen dhe kurohen, por edhe qendra që e mishërojnë në përmbajtjen dhe në pamjen e tyre solidaritetin shoqëror dhe kulturën e të jetuarit shoqërisht në mes të Europës.
Ne besojmë se janë të gjitha mundësitë që të rritet financimi për shëndetin publik edhe në aspektin e programeve të parandalimit. Nga ana tjetër shpenzimet farmaceutike dhe në rastin e programit të parandalimit ne besojmë se një rol të rëndësishëm do të luaj sinergjia mes sistemit shëndetësor publik dhe sistemit arsimor publik. Shpenzimet farmaceutike zënë 1/3 të shpenzimeve të përgjithshme të shëndetit. Por çmimet e barnave, dihet botërisht, se shpesh janë shpesh janë më të larta se në vendet e Bashkimit Europian. Në zonat rurale nuk ka shërbimi farmaceutik. Skema aktuale mbulon pjesërisht vetëm ¼ e barnave të regjistruara që jepen me recetë. Ulja e çmimit të shitjes së barnave në Shqipëri është një sfidë më vete. Ata që e kanë studiuar problemin, e dinë mirë që kjo sfidë lidhet jo vetëm me mënyrën sesi funksionon sistemi, jo vetëm me organizatën e partisë që menaxhon sistemin për llogari të partisë, në emër të Ministrisë së Shëndetësisë kuptohet, por edhe me një politikë që duhet të ndryshojë në këtë drejtim.
Ne duam të vendosim një kusht, që asnjë produkt farmaceutik i regjistruar që do të shitet në vendin tonë nuk do të shitet me çmim më të lartë se vendi i origjinës. Sigurisht që nga ana tjetër këtu bëhet edhe një përpjekje e madhe për ta ndotur sistemin farmaceutik dhe shërbimin farmaceutik me barna që kanë një siguri të ulët. Ndërkohë që ne dëshirojmë dhe kemi bindjen se kemi identifikuar edhe rrugën për tja dalë jo vetëm zgjerimin me mbulim të shërbimit farmaceutik të kualifikuar në të gjithë vendin, por edhe një koordinim duke garantuar shërbim farmaceutik publik, aty ku nuk ka mbulim me shërbim privat.
Një gjë dëshiroj ta them me zë shumë të lartë. Është bërë modë dhe praktikë banale, sidomos nga përgjegjësit e mëdhenj të këtij rrënimi në sistemin shëndetësor shqiptar, që janë ata që kanë drejtuar në vite organizatën e partisë, të quajtur Ministri e Shëndetësisë, që sa herë lind ndonjë problem akut me korrupsionin në sistemin shëndetësor, apo sa herë flitet për korrupsionin në tërësi të këtij sistemi, të drejtojnë gishtin nga mjekët apo nga infermierët. Madje janë vënë në lëvizje edhe metoda të denja vetëm për diktaturat banale, të përndjekjes së mjekëve dhe të përndjekjes së personelit shëndetësor me spiunë, anëtarë partie edhe ata, shumica të angazhuar si spiunë për tu shkuar mjekëve nga mbrapa dhe për ti kapur mjekët me korrupsion, ndërkohë që marrin për vete rrogë si anëtarë partie. Deri dhe në përpjekje për të diskretituar kështu figurën e mjekut.
Për ne mjeku, mësuesi dhe polici janë tre figura qendrore të cilave do tjua kthejmë plotësisht dinjitetin dhe autoritetin. Do të jemi vendosmërisht në krah të mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të shëndetit. Nuk do të bëjmë një reformë të imponuar nga lart poshtë, por do të bëjmë një reformë të dakordësuar. Ku ne besojmë që mjekët dhe posaçërisht personalitet që sot vazhdojnë të kontribuojnë në këtë sistem që nuk i meriton, do të jenë me ne në një dialog të vazhdueshëm dhe ndërkohë duhet të marrin përgjegjësi shumë më të mëdha në administrimin e spitaleve. Ne respektojmë përkushtimin dhe sakrificat që bëjnë mjekët dhe i gjithë personeli i profesionistëve të shëndetit.
Nga ana tjetër duam të ndërtojmë një rrugë bashkëpunimi me ta për të adresuar çështjet që lidhen me formimin e gjeneratës së re të mjekëve, me kërkimin shkencor, me autonominë profesionale, me përfshirjen në qeverisjen klinike, pa lënë mënjanë boshllëqet e krijuara në vite në trupën mjekësore të vendit. Ku më të talentuarit që rriten nën kujdesin e profesorëve të shquar, në një moment të caktuar largohen për shkak të pamundësisë për të vazhduar të mbeten në lartësinë e ambicieve të tyre dhe për të vazhduar të zhvillojnë dijet e tyre në raport të drejtë me arritjet dhe me praktikat bashkëkohore.
Profesorët e shquar me eksperiencë të gjatë në shërbimin shëndetësor shqiptar, pa asnjë lloj dallimi për shkak bindjesh apo simpatish politike, do të jenë për ne partnerët e pandashëm për reformimin e gjithë sistemit të formimin të mjekëve të rinj dhe për një transformim që ne e kemi premtuar solemnisht në Kongresin e 5 nëntorit dhe unë dua ta përsëris në mbyllje të fjalës sime, të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në një universitet mjekësor të Shqipërisë ku të garantohet ky transferim dijesh dhe përvojave të çmuara, por më shumë se kaq. Ku të ndërtohet një model rrezatues për atë çka është për një vend europian shëndetësia publike, formimi i gjeneratave të mjekëve dhe profesionistëve të shëndetit publik dhe vendi ku garantohet njëkohësisht pa u ankuar dhe pa u kufizuar nga fakti se financimet mund të jenë gjithmonë të pamjaftueshme për të bërë idealen, ajo që është më e rëndësishmja, dinjiteti shoqëror, kultura e një vendi dhe vetëdija e një shoqërie në hapësirën ku të shëndetshmit dhe të sëmurët që ndajnë bashkë të njëjtin atdhe, jo vetëm që duhet të ndjehen njësoj të trajtuar dhe duhet të ndjehen njësoj bashkë në anijen e përpjekjeve për tu shëruar nga sëmundjet por edhe ku merr jetë një solidaritet që shkon përtej derës së spitalit kur secili kthehet në shtëpinë e tij, apo në punën e tij apo në jetën e përditshme shoqërore.
Dua ta mbyll duke thënë, se edhe këtu zgjedhja është e qartë:
Një Rilindje Shqiptare, apo një Rrënim i Mëtejshëm.
__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|