Forumi Horizont Forumi Horizont > Nen-forumet e lira > Tė ndryshme > Mbreti qė vendosi tė bėhej bujar
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
Sabri
Anetar i ri

Regjistruar: 06/04/2009
Vendbanimi: Gjermani
Mesazhe: 6

Mbreti qė vendosi tė bėhej bujar

Mbreti që vendosi të bëhej bujar

Paraqet, Sabri SELMANI

Një mbret i Iranit i tha një ditë një dervishi:
-Tregomë një rrëfenjë.
-Madhëri-, u përgjigj dervishi, -do t’ju tregoj rrëfenjën e një mbreti arab, Hatim Tai-t, njeriut më bujar të të gjitha kohëve, sepse nëse do mund t’i ngjaje, ti kishe për të qenë vërtetë mbreti më i madh i gjallë.
-Fol-, tha mbreti, -por nëse rrëfenja nuk më jep kënaqësi, do jap urdhër që të ta presin kokën për shpifje mbi bujarinë time.
Mbreti u përgjigj me këtë ton, sepse në oborrin e Persisë thuhej rëndom se monarku zotëronte cilësitë më të mira, në një shkallë që askush në botë nuk e kish mbërritur dhe nuk do të mund ta mbërrinte.
-Pra, po ju thoja-, nisi të fliste dervishi me atë mënyrën tipike të dervishëve, që nuk vihen kollaj në siklet, -që bujaria e mbretit Hatim Tai e kapërcente, në bëma dhe në qëllime, atë të të gjithë njerëzve.
Dhe ja rrëfenja që tregoi dervishi.
Një mbret tjetër arab lakmonte të shtinte në dorë pasuritë, fshatrat, begatitë, gamilet dhe luftëtarët e Hatim Tait. Kësisoj, një ditë të bukur ai i shpalli luftë Hatimit. Ai i dërgoi Hatimit një lajmëtar, me këtë paralajmërim: "Dorëzohu, përndryshe do të të mposht, do t’i pushtoj tokat e tua dhe do të të shfronësoj".
Kur ky paralajmërim arriti në oborrin mbretëror të Hatimit, këshilltarët e tij i thanë se duhej t’i gatiste menjëherë të gjithë luftëtarët për të mbrojtur fronin.
-Ne jemi të sigurtë-, i thanë sovranit, -se mes nënshtetasve të tu nuk gjendet as një njeri, qoftë burrë apo grua, që nuk është i gatshëm ta flijojë jetën e vet për të mbrojtur mbretin e tij të dashur.
Por Hatimi, në kundërshtim me atë që priste populli, tha:
-Jo! Para se t’ju dërgoja në betejë e të lejoja të derdhej gjak për mua, më mirë do të ulërija. Do të isha me mijëra milje larg nga rruga e bujarisë, nëse do të bëhesha shkaktar për flijimin e jetës së qoftë dhe vetëm një burri a të një gruaje. Nëse do të nënshtroheni paqësisht, ai mbret do të mjaftohet duke përfituar nga shërbimet tuaja dhe nga taksapagimi, dhe ju nuk do të pësoni humbje materiale. Nëse, në të kundërt, do të bënit qëndresë, ai do të ketë të drejtë, simbas ligjit të luftës, t’i konsiderojë pasuritë tuaja si plaçkë lufte, e nëse do t’i humbisnit, do të binit në mjerim.
Me të thënë këto, Hatimi mori me vete vetëm një bastun dhe shkoi të strehohej në malet aty rrotull. U vendos në një guvë dhe u zhyt në meditim.
Gjysma e nënshtetasve të tij u prek thellë nga fakti se Hatimi kishte flijuar pasurinë dhe pozitën e tij në emër të popullit të vet. Të tjerë, prapëseprapë, mbi të gjitha ata që synonin të mbuloheshin me lavdi në fushën e betejës, murmurisnin: "Nga ta dimë se ky njeri nuk është më shumë se një burracak?".
Të tjerë, më pak guximtarë, e akuzonin: "Në fund të fundit, Hatimi ka shpëtuar jetën e vet duke na braktisur neve në një fat të pasigurtë. Ndoshta do bëhemi prapëseprapë skllevër të këtij mbreti të panjohur që, tek e fundit, është mjaft tiranik sa për t’iu shpallur luftë edhe fqinjëve të vet".
Të tjerë akoma, duke mos ditur ç’të mendojnë, rrinin në heshtje, në pritje për të mësuar më tepër e për të formuar një pikëpamje. E kështu, tirani, i shoqëruar nga një ushtri kuqëluese, e shtiu në dorë mbretërinë e Hatim Tait. Ai nuk i shtoi taksat dhe nuk kërkoi të uzurponte më shumë nga ç’i kish kërkuar popullit vetë Hatimi, për të mbrojtur dhe administruar drejtësinë. Por një gjë e shqetësonte, dhe ishin fjalët që qarkullonin, gjithnjë e gjithandej, se mbretëria e re që kishte shtënë në dorë, ishte bërë e tija vetëm falë një gjesti bujarie të kryer nga Hatim Tai.
"Nuk do të bëhem kurrë sundimtari i vërtetë i këtij vendi", tha me vete tirani, "derisa të mos e kem vënë nën pranga vetë Hatim Tain. Përsa kohë që ai të jetë gjallë, në zemrën e disave do ekzistojë përherë një formë nderimi për të, e nuk do të jenë kurrë nënshtetasit e mi, sadoqë së jashtmi do të sillen si të tillë".
Atëherë, mbreti lëshoi një shpallje, nëpërmjet së cilës zotohej se i ofronte një shpërblim prej pesëmijë monedhash të arta atij që do t’ia sillte Hatim Tain. Ky i fundit nuk dinte gjë fare në lidhje me këtë, deri në ditën kur, i ulur siç ishte rrëzë shpellës së vet, dëgjoi bisedën mes një druvari dhe gruas së tij.
-Gruaja ime e dashur-, i thoshte druvari, -unë jam plak, tashmë, e ti je shumë më e re se unë. Kemi fëmijë në moshë të njomë e, simbas rregullit natyral të gjërave, është e pritshme që unë të vdes unë përpara teje, teksa fëmijët janë ende të vegjël. Nëse do arrinim ta kapnim Hatim Tain, për të cilin mbreti i ri ofron një shpërblim prej pesëmijë monedhash ari, e ardhmja jote do të ishte e sigurtë.
-Turp të kesh!-, thërriti e shoqja. –Është më e drejtë të vdesësh ti, e edhe unë bashkë me fëmijët të vdesim nga uria, sesa t’i ngjyejmë duart me gjakun e njeriut më bujar të të gjitha kohërave, që ka flijuar çdo gjë për ne.
-E tërë kjo është shumë e bukur-, u përgjigj druvari-, por secili duhet të mendojë për interesat e veta! Në fund të fundit, unë kam përgjegjësi por, megjithatë, çdo ditë shtohet numri i njerëzve që besojnë se Hatim Tai është burracak. Është vetëm çështje kohe, derisa të vihen të gjithë në kërkim të tij, duke rrëmuar në çdo skutë të mundshme.
-Bindja për burracakërinë e Hatimit është ndërsyer nga dashuria për florinjtë. Nëse këto thashetheme vazhdojnë, kjo do të thotë se Hatimi paska rrojtur kot!
Në këtë çast Hatim Tai doli nga vendi ku qe fshehur dhe iu paraqit çiftit.
-Unë jam Hatim Tai-, tha. –Çomëni tek mbreti i ri dhe kërkoni shpërblimin tuaj.
Plaku u ndje i turpëruar dhe sytë e tij u mbushën me lotë.
-Jo, o i madhi Hatim, nuk mund të vendos për ta bërë një gjë të tillë!
Teksa po bisedonin, një grup njerëzish që ishin vënë në kërkim të mbretit të arratisur, u afrua aty.
-Nëse nuk e bëni ju-, tha Hatimi, -do të dorëzohem vetë tek mbreti; do t’u them se më keni mbajtur fshehur dhe kështu, do të gjykoheni për tradhëti.
Me ta njohur Hatimin, grupi i njerëzve e kapi dhe e vuri nën pranga; i dëshpëruar, druvari shkoi pas tyre. Me të arritur tek oborri mbretëror, çdonjeri nga ata nisi të mëtonte se ishte ai vetë që e kishte kapur Hatimin. Atëherë, duke e lexuar mëdyshjen në fytyrën e pasardhësit të tij në fron, Hatimi kërkoi leje për të folur:
-Madhëri, dijeni së është e drejtë që të dëgjohet edhe dëshmia ime. Në të vërtetë mua më ka kapur ky druvar i vjetër dhe jo këta fundërrina. Jepini shpërblimin e tij dhe bëni ç’të doni me mua...
Duke dëgjuar fjalë të tilla, druvari plak bëri përpara dhe i tha të vërtetën mbretit, duke rrëfyer se, në të vërtetë, Hatimi i ishte dorëzuar vetë për të siguruar të ardhmen e familjes së tij. Mbreti i ri u trondit aq shumë nga ky rrëfim, sa e urdhëroi ushtrinë e tij që të tërhiqej, ia riktheu fronin Hatimit dhe u kthye së rish në vendin e tij.
Kur e dëgjoi këtë rrëfenjë, mbreti i Iranit, duke i harruar kërcënimet që kishte shprehur kundër dervishit, tha:
-Ja një rrëfenjë e shkëlqyer, o dervish, nga e cila mund të përfitojmë. Gjithsesi, ti nuk mund të përfitosh asgjë, sepse ke hequr dorë nga të priturët e ndonjë gjëje prej kësaj bote dhe nuk zotëron asnjësend. Por unë jam mbreti. Dhe jam i pasur. Mbretërit arabë, njerëz që hanë hardhuca të ziera, nuk mund të krahasohen me një persian, kur është fjala për bujari të vërtetë. Më erdhi një ide! Le t’i futemi punës!
Duke marrë me vete dervishin, mbreti i Iranit i thirri të gjithë arkitektët më të mirë në një vend të gjerë e të hapur dhe i urdhëroi të projektonin e të ndërtonin një pallat shumë të madh, në qendër të të cilit do të ishte një sallon me dyzetë dritare.
Kur pallati ishte gati, mbreti vuri në përdorim të gjitha mjetet e transportit që ekzistonin asokohe, dhe e mbushi pallatin me monedha ari, punë për të cilën u nevojitën disa muaj. Mandej u tha kasnecëve të tij të shpallnin këto fjalë:
-Dëgjoni! Dëgjoni! Mbreti i Mbretërve, Burimi i Bujarisë, ka urdhëruar ndërtimin e një pallati me dyzetë dritare. Ditë për ditë, ai do të shfaqet vetë në atë pallat, për t’u shpërndarë florinj të gjithë skamnorëve.
Që nga ai çast, ashtu siç edhe pritej të ndodhte, një turmë nevojtarësh zu të mblidhej përditë përpara pallatit, dhe mbreti shfaqej në njerën nga dritaret e i jepte secilit një monedhë floriri. Nuk vonoi shumë dhe mbretit i ra në sy një dervish që shfaqej ditë për ditë, merrte një monedhë dhe bëhej erë. Në fillim mbreti mendoi:
"Ndoshta ia jep atë flori ndonjë nevojtari". Mandej, duke e parë përsëri, mendoi: "Ndoshta është duke zbatuar rregullin dervishor të lëmoshës së fshehtë dhe e shpërndan floririn pa rënë në sy". Dhe çdo ditë, sa herë shihte dervishin, mbreti e justifikonte me zemër. Megjithatë, ditën e dyzetë vuri re se durimi i tij kishte një kufi. Duke e mbërthyer nga dora, gërthiti:
-Mosmirënjohës i ngratë! Nuk thua as falemnderit. Nuk tregon asnjë shenjë nderimi; nuk buzëqesh, nuk përkulesh, dhe vjen ditë për ditë! Sa kohë do të zgjasë ende? Mos vallë je duke u pasuruar me harxhin e bujarisë sime, apo je duke e dhënë me kamatë këtë flori? Në të vërtetë, sjellja jote është e padenjë për një njeri që vesh loshnikun e nderuar me arna!
Sapo ai kishte mbaruar së thëni këto fjalë, dervishi hodhi përtokë dyzetë monedhat e arta që kishte marrë, dhe i tha mbretit:
-Dije o mbret i Iranit, se bujaria nuk mund të ekzistojë nëse nuk paraprihet nga tre gjëra: e para është të japësh pa provuar ndjenjën e të qënit bujar; e dyta është durimi; e treta mungesa e dyshimeve.
Por mbreti nuk mësoi kurrë. Nën sytë e tij, bujaria ishte e lidhur me atë që njerëzit do mendonin për të, dhe me ndjesinë e tij të të qënit 'bujar'.

Kjo rrëfenjë tradicionale, ilustron përmbledhtas disa mësime të rëndësishme sufi. Vënia në garë është diçka e kotë, nëse nuk zotërojmë cilësitë themelore që janë në bazën e kësaj gare. Nuk mund të praktikohet bujaria, nëse paralelisht me të nuk zhvillohen edhe cilësi të tjera. Disa janë të paaftë për të mësuar, edhe pse vihen përballë mësimeve, paraqitur në këtë rrëfim nga dervishi i parë dhe 'i dytë'.

Kiel-Gjermani

__________________
Vetėm me ndihmėn e ZOTIT tė madhėrishėm arrihet qellimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 06 Prill 2009 21:11
Sabri nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Sabri Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Sabri (me Mesazh Privat) Kėrko mesazhe tė tjera nga: Sabri Shto Sabri nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Sabri nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 10:56 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Nen-forumet e lira > Tė ndryshme > Mbreti qė vendosi tė bėhej bujar

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.