i_lire
^^i_lire^^
Regjistruar: 02/08/2003
Vendbanimi: ^^__^^
Mesazhe: 1610
|
Intervistë me Strakoshën e kohëve të fundit.
Synoj të thyej vetveten dhe askënd tjetër në këtë botë. Është një motiv krenarie kjo që kam bërë deri tani, pasi ia kushtoj të qenit tim shqiptar. Nuk kam përse të ndalem në këtë rrugë që kam nisur, teksa shikoj përkrahjen e të gjithë shokëve të skuadrës, të tifozëve që më duan dhe të trajnerit që beson ende tek unë. Kam vendosur ta mbroj ende, edhe për disa kohë të tjera, portën e kombëtares sime."
Kështu është shprehur Foto Strakosha, portieri 38-vjeçar kuqezi. Nuk pranon ta quash "Supermen", pasi i mjafton të jetë vendimtar për skuadrën kombëtare, duke vijuar të mbetet një "gardian" i pakalueshëm për kundërshtarët. Sidoqoftë, minutat e vështira të kombëtares sonë në Dublin, pas daljes së tij nga loja, tepër i dëmtuar, në ndeshjen Irlandë-Shqipëri, e kanë detyruar çdo njeri që jeton me futbollin kombëtar, përfshi këtu edhe trajnerin Brigel, të kuptojnë se bëhet fjalë për një Strakoshë "superstar", të pazëvendësueshëm për momentin në portën kuqezi. Qenia e tij, e kapitenit të kombëtares shqiptare, në katërkëndorin kuqezi, u jep më tepër besim shokëve të ekipit, por edhe trajnerit gjerman, Hans Peter Brigel. Prandaj jo më kot ky i fundit, pas ndeshjes me Zvicrën, teksa ka dëgjuar tek-tuk ndonjë belbëzim për tërheqje të Strakoshës, është shtruar e ka folur gjerë e gjatë me të, duke i kërkuar që të vijojë ta mbrojë portën e kombëtares shqiptare edhe në të ardhmen. Për të gjitha këto, Foto Strakosha është rrëfyer për "Sportin shqiptar", duke garantuar publikun shqiptar se do të jetë sërish mes katërkëndorit të kombëtares kuqezi.
- Foto, pas atij dëmtimi që pësuat në ndeshjen e luajtur në Irlandë, si ndiheni me shëndet?
- Në radhë të parë, ju falënderoj që interesoheni për shëndetin tim. Mirëpo, sado që të përpiqem t'u flas në radhë të parë për shëndetin, më përzihen mendimet me mërzinë e rezultateve, e cila ekziston ende tek unë. Vërtet na dha gëzim mënyra e lojës dhe lufta sportive që treguan të gjithë lojtarët në këto dy ndeshje, por na ka mbetur ende shija e hidhur e humbjeve. Për sa i përket shëndetit, shyqyr zotit jam më mirë. Ç'është e vërteta, mjekët që më vizituan, më kishin rekomanduar të bëja pushim absolut, të paktën 4 javë, por unë nuk e kam respektuar sa duhet këtë këshillë të tyre. Megjithatë, e përsëris, falë zotit jam mirë.
- Keni këmbëngulur, ashtu mes dhimbjeve, që të luanit në ndeshjen e dytë në Zvicër. Çfarë ju shtyu ta bënit këtë sakrificë, e cila lidhej direkt me shëndetin tuaj?
- Dua të them diçka tepër të sinqertë si përgjigje të kësaj pyetjeje. Nuk e di nëse do të më besojnë të gjithë njerëzit që jetojnë me kombëtaren dhe ta përjetojnë vetë se sa e vështirë ka qenë për mua të vendosja të luaja apo të mos luaja në ndeshjen me Zvicrën, ashtu i dëmtuar. Ishte një vendim i tipit "thikë me dy presa", i cili mund të më bënte "hero" nga njëra anë, por edhe mund të zhgënjente jo vetëm mua, por edhe shokët e ekipit. Nga dëshira e madhe për të luajtur dhe përfaqësuar ngjyrat e kombit, mendon vetëm se do t'ia arrish me sukses kësaj gjëje. Mirëpo në futboll ekziston edhe ana tjetër e medaljes, zhgënjimi. Unë guxova, duke besuar në forcat e mia dhe pranova ta mbroj portën kuqezi në atë ndeshje, ashtu mes dhimbjeve dhe ngarkesës psikologjike të dëmtimit. Se sa ia kam dalë mbanë me sukses, këtë mund ta thonë shokët e ekipit, trajneri dhe ata që e kanë ndjekur këtë ndeshje. Pas ndeshjes i kam pyetur bashkëlojtarët e kombëtares dhe disa njerëz të njohur të mitë se mos kisha bërë gabim që kisha vendosur të luaja në atë ndeshje. Kjo, pasi më dukej vetja se nuk isha në atë gjendjen e përhershme, pas dëmtimit, për të reaguar mirë në portë.
- Çfarë kujtoni nga këto dy ndeshje, si kapiten i ekipit kombëtar?
- Ajo që na ka ngelur nga këto dy ndeshje, sikurse e thashë edhe më sipër, është hidhërimi për rezultatet negative që morëm.
- A veçon Strakosha ndonjë shkak kryesor, i cili ka pasur ndikim të dukshëm në humbjen e kombëtares sonë në këto dy ndeshje?
- Kur je futbollist dhe nuk fiton, vërtet mund të gjesh shumë shkaqe dhe arsye për t'u justifikuar. Ç'është e vërteta, disa faktorë të jashtëm, që nuk kishin lidhje me ne, ndikuan sadopak në rezultat. Mirëpo në këto dy humbje kemi pjesën tonë edhe ne. Puna jonë si futbollistë është të korrigjojmë gabimet, pa u dhënë shumë rëndësi gjykimeve apo mënyrës sesi u sollën futbollistët e Irlandës. Vërtet ato nuk ishin të drejta dhe të ndershme, por kjo nuk përbën justifikim për ne. Rezultatit pozitiv duhet t'ia bëjmë hyzmetin vetë dhe të mos presin asgjë nga të tjerët, qoftë edhe kthimi i topit në mënyrë fair-play nga kundërshtari. Pra, duhet të jemi vetë vigjilentë në çdo aspekt.
- Megjithatë, kombëtarja shqiptare zhvilloi lojëra të mira në këto dy ndeshje. Çfarë mendoni se ka futur në skuadër trajneri gjerman kuqezi, Hans Peter Brigel?
- Nuk mund të përjashtosh nga një ekip, i cili shënon rritje në lojën e tij, edhe trajnerin. Pra, Brigeli ka meritat e tij në marrjen e katër pikëve me kombëtaren tonë, sikurse duhet të ketë përjetuar të njëjtin zhgënjim si edhe ne, futbollistët, për dy humbjet e fundit. Sidoqoftë, personalisht jam i mendimit se Brigeli është pika kryesore e këtij ekipi. Kështu që, në qoftë se publiku shqiptar, ashtu si edhe ne, është optimist se kjo kombëtare mund të arrijë një ditë edhe në finalet e një evropiani apo botërori, meritë ka edhe trajneri aktual Brigel. Çfarë të reje ka sjellë ai në skuadër? Ndryshimet vijnë në mënyrë komplekse. Unë nuk do të veçoja ndonjë risi pozitive me hollësi, por besoj se stafi drejtues ka meritën e padiskutueshme që e ka bërë kombëtaren shqiptare të ketë synime më të mëdha se asnjëherë tjetër.
- Atëherë, të flasim diçka në planin tuaj personal. Pas ndeshjes me Zvicrën thuhet se keni pasur një takim me Brigelin, i cili ju ka kërkuar me ngulm që të mos tërhiqeshit nga ekipi kombëtar. Ju si do të veproni?
- Faktikisht, për mua është një moment shumë shumë i vështirë. Në një moshë të tillë kur duhet t'i thuash lamtumirë futbollit, unë gjendem në një dilemë jashtëzakonisht të vështirë. Më duhet të marr një vendim të rëndësishëm dhe me tepër përgjegjësi. Pra, nisur nga kërkesa e trajnerit të kombëtares, Brigel, më duhet të vendos nëse do të rri sërish mes katërkëndorit të kombëtares, apo do të tërhiqem, sikurse e kisha menduar vetë. Që të jem i sinqertë, kisha vendosur që, pas këtyre dy ndeshjeve, në qoftëse ekipi ynë nuk do të kishte rezultate pozitive që të na mbanin gjallë pretendimet, të tërhiqesha. Madje, për këtë fakt i kisha vënë në dijeni edhe drejtuesit e ekipit kombëtar.
- Mos vallë tërheqja juaj nga kombëtarja kishte të bënte me vitet, apo me diçka tjetër?
- Personalisht, tërheqjen time nga kombëtarja në një moment të tillë e konsideroj diçka krejt normale. Sidoqoftë, kjo s'ka lidhje aspak me vitet. Unë isha i mendimit që t'i jepja të drejtën dikujt tjetër që ta mbronte tashmë portën kuqezi. Nuk është mendjemadhësi kjo që po them, të më kuptoni drejt, por dua të jem modest dhe realist. Është mirë që çdo njeri, qoftë ky edhe sportist, të pranojë realitetin. Realiteti ishte ky, që unë duhet të largohesha.
- A i qëndroni tashmë këtij vendimi?
- Pas një takimi që pata me trajnerin Brigel, të cilin dua ta falënderoj personalisht, jam ndier shumë më tepër i detyruar ndaj ekipit kombëtar. Besoj se gjatë gjithë këtyre viteve e kam treguar dëshirën dhe respektin që kam pasur për ekipin kombëtar, prandaj nuk kisha pse të prisja ta bëjë këtë gjë tani, në këtë moshë. Megjithatë, dua t'ju them se, pas bisedës me trajnerin Brigel, jam menduar gjatë me veten time, për të qëndruar apo për të ikur nga kombëtarja. Përfundimisht, them se kam vendosur t'i shkelmoj edhe ofertat që kam pasur, natyrisht në një drejtim tjetër, jo për të luajtur vetë, por për të drejtuar, dhe të vazhdoj ta mbroj sërish portën e kombëtares sime. Biseda me Brigelin më bëri të ndihem shumë herë më i ri, çka do të thotë se do ta mbroj portën e kombëtares deri kur të mos kem çfarë t'i jap më.
- Së fundi, a do vazhdojë të luajë Strakosha edhe sezonin tjetër me Kalithean, apo do të kërkojë një fat të ri?
- Me ekipin e Kalitheas e kam përfunduar kontratën dhe tashmë nuk kam asnjë lidhje me të. Në kampionatin grek ka qenë një vit nga më të vështirët, në të gjitha drejtimet, përfshi këtu edhe anën financiare të klubeve. Momentalisht gjendem këtu në Shqipëri, me pushime, i rekomanduar edhe nga mjekët, larg zërave të merkatos, për t'u riaftësuar nga dëmtimi që pësova në Dublin. Jam ende futbollist i lirë, pasi nuk kam firmosur kontratë të re me asnjë skuadër. Nuk e di se çfarë fati do të kem, por në ditët e ardhshme do të vendos për këtë gjë. Praktikisht kam refuzuar disa oferta që kisha nga skuadra të ndryshme, jo për të luajtur me to, por për të drejtuar nga stoli, pasi m'u desh të vazhdoja të mbroja portën e kombëtares. Me një fjalë, në Greqi, apo jashtë saj, unë do të luaj edhe disa kohë në fushat e blerta.
__________________
s...._d._m... says: for nothing that happened this time...!!
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|