Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Politika Shqiptare > Analiza > Europa: destinacioni X (eseja e Mustafa Nanos qe fitoi ēmimin e pare) Vlerėsimi i Temės: 12 votime, mesatarja 3.92.
Gjithsej 3 faqe: [1] 2 3 »   Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
Fajtori
Apo jo?

Regjistruar: 11/06/2002
Vendbanimi: Europe
Mesazhe: 10706

Europa: destinacioni X (eseja e Mustafa Nanos qe fitoi ēmimin e pare)

Shkrimi qe vijon eshte pjese e nje eseje 60 faqeshe qe fitoi çmimin e pare ne konkursin e organizuar nga fondacioni Soros per esene me te mire mbi integrimin e Shqiperise ne Bashkimin Europian. Eshte nje udhetim i pameshirshem qe perdor nje fjalor te paster shqiptar dhe prek problemet dhe iluzionet aktuale. Me penen e tij Nano hap dritare te reja per te kuptuar pse-te e shumta qe mundojne brezin e ri.

Le te fillojme me pjesen e pare. Publikimi do te behet dita dites per te bere leximin sa me te kendshem dhe tema do te hapet ne fund per te shkruar opinionet vetjake.


--------------------------------------------------------------------------




Avitje tinzare tek argumenti

Sa herë që i kthehen dhjetorit të vitit '90, shumë prej nesh, edhe sot e kësaj dite, në mënyrë të vetvetishme janë të prirur t'i japin atij muaji një përmasë jo të zakontë; hëm heroike, hëm vizionare, gjë që është e diskutueshme sot e gjithë ditën. Madje, kam frikë se nuk është e vërtetë. Diku e dikur kam shkruar diçka, të cilën vazhdoj ta besoj edhe sot:
"Përmbysja e regjimit komunist nuk ndodhi ngaqë thjesht deshën apo u trimëruan përmbysësit dhe përfaqësuesit e tyre; me fjalë të tjera e në një rrafsh universal, nuk është e reja që avitet e shpërthen, aq sa është e vjetra që zbythet e ngordh, e rrjedhimisht, çdo përmbysje nuk duhet parë vetëm si prepotencë e gjallërisë së asaj që po lind, por edhe si zemërgjerësi e lodhjes së asaj që po vdes." E di, është një këndvështrim pesimist, çmobilizues, i kulluar niçean mbi historinë, thelbin e të cilit, dikush mund ta kërkojë (jo pa të drejtë), te përbuzja e reagimit të turmave, por do të bëjë më mirë ta shohë te zhveshja e këtij reagimi prej çdo domethënieje vizionare.


Dhe ndërsa, me pak fjalë, rrekem të deheroizoj e të ridimensionoj atë ngjarje, të cilën ndokush, o ngaqë ka qenë personazh i saj, o ngaqë ka qenë spektator i radhës së parë -trimëri më vete edhe kjo- o ngaqë lumturisht identifikohet në një mënyrë çfarëdo me të, o ngaqë nuk di gjë tjetër në këtë botë, veç të shkojë pas berihajt, nuk lodhet së vizatuari në mënyrë poetike, e pra, ndërsa rrekem të deheroizoj atë ngjarje, as nuk nxitem prej dëshpërimit që më (na) ka kapur më pas, as nuk më pëlqen të më ngatërrojnë me një reaksionar të lodhur, e çfarë do të ishte tejet trishtuese, me një njeri, i cili, pasi ka mbushur një kobure me baltë, qëllon me të mbi një ngjarje me të vërtetë fatlume në historinë e këtij populli. E kam përshëndetur dhe e përshëndes përmbysjen, por nuk mund të bie në ujdi me personalizimin poetik të saj (edhe kur autorësia u jepet turmave shumëmijëshe, kemi të bëjmë bash me një "personalizim". E nuk është se jam një idhtar i pandreqshëm i determinizmit. Jo! E lë veten shpesh të impresionohem e të kondicionohem prej spontanitetit. Dhe nuk ka dyshim që lëvizje të tilla, siç është ajo e dhjetorit të vitit '90, kanë anët e tyre spontane e mistike, shpesh herë të pashpjegueshme për një kohë të gjatë, e pse jo, për gjithë kohën.


Kjo është mistika e turmave dhe e lëvizjeve të saj, me të cilën mund të interpretohet paradoksalisht pagabueshmëria e tyre, kur qëllon që janë edhe të pagabueshme (qëllon ndonjëherë që janë të tilla). Dhe në këtë pikë, unë po heq dorë së kërkuari qimen në vezë, po heq dorë së kërkuari gabimin brenda pagabueshmërisë së përmbysjes. Do bëj të kundërtën. Do të kapem fort pas motos së asaj lëvizjeje, e cila, sidoqë ka qenë esencialisht magjepsëse, ka nevojë, aq më shumë sot, të saktësohet e të ndriçohet: "E duam Shqipërinë si gjithë Europa." Më shumë se një dekadë pas ngjarjes së madhe, kjo moto ngjan të jetë e vetmja poezi e lëvizjes. Nuk ishte një slogan publicitar i thurur në studiot e marketingut modern, apo pjellë e mendjeve të shkathëta të marifetçinjve të spektaklit. Ishte një duf i brendshëm, i artikuluar vetvetiu, qartë dhe larg çdo dileme. Ja, për këto çudira janë të afta turmat. Pikërisht kjo gjë duhet shpjeguar. Ose duhet tentuar të shpjegohet.



Modifikuar nga Fajtori datė 14/05/2005 ora 22:33

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 14 Maj 2005 00:56
Fajtori nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Fajtori Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Fajtori (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė Fajtori't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: Fajtori Shto Fajtori nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Fajtori nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Fajtori
Apo jo?

Regjistruar: 11/06/2002
Vendbanimi: Europe
Mesazhe: 10706




"Armiqësia" e shqiptarëve me orientin

Vërtet, si ndodhi që turmat pushtuan sheshet me thirrjen "E duam Shqipërinë si gjithë Europa?" A ishin ato të vetëdijshme mbi mesazhin që mbartte ky slogan? E nëse është e vërtetë ajo që thamë pak rreshta më sipër, pse ky shfrim popullor duhej të dilte i kondensuar në këtë frazë? Ç'dinin ata për Europën? Si ishte e përftuar kjo e fundit në përfytyrimin kolektiv të shqiptarëve? A kishim të bënim me një perceptim të saktë të këtij realiteti me emrin Europë, apo me një pjellë fantazie të lodhur njerëzish po aq të lodhur?


Përpara se të merremi me këto pyetje, duhet bërë një sqarim. Me Europë, të paktën prej gati një shekulli, shqiptarët kuptojnë atë perëndimore. Kjo është aq e vërtetë, sa pjesa jo perëndlmore e Europës dhe e botës, shpesh vizatohet si një realitet i largët, për të mos thënë armiqësor. Lindja, e thërrasin këtejpari, dhe merret vesh se nuk kemi të bëjmë thjesht me një përcaktim gjeografik. Në rastin më të keq, është një eufemizëm nënçmues, me anën e të cilit, klasifikohen qytetërimet, kulturat, zhvillimi i djeshëm dhe i sotëm i një pjese të botës. Është një klasifikim i vjedhur me qejf prej cliche-ve të historisë së shkruar kryesisht prej perëndimorëve, por që ndër ne, pasi është veshur me një arbitraritet që ia bën mu, është shndërruar në një cliche bazilare të asaj që mund ta quajmë folkpsychoiogy e mentality. Në lindje klasifikohet Kina, India, Rusia, Turqia, Slovenia, Greqia, Serbia, etj. secila prej të cilave është "lindore" për arsye të ndryshme. Logjika, mbi bazën e së cilës bëhet ky Idasifikim është një logjikë komplekse njëherësh patriotike, kulturore, fetare, politike, historike, moderne, që e tradhëton megjithatë atë clichë-në perëndimore. Në të vërtetë, Kina konsiderohet lindje edhe ngaqë vazhdon të jetë një vend komunist; Indianët, edhe ngaqë janë një popull shumë i varfër; Rusia, edhe ngaqë është një vend i fesë ortodokse e ngaqë ka qenë një vend komunist (komunizmi shihet si një dukuri pastërtisht lindore); Turqia edhe ngaqë është një vend mysliman, domethënë jo kristian; Slovenët edhe ngaqë janë një popull sliav; Greqia e Serbia, edhe ngaqë janë vende me fë ortodokse, domethënë jo katolike. Kur mendon që Shqipëria është hëm gjeografikisht në lindje, hëm një vend ish-komunist, hëm një vend ballkanik, hëm një vend kryesisht mysliman, hëm një vend shumë i varfër, guximi për të përbuzur lindjen e për t'u vetpërjashtuar prej saj të ngjan ose me një punë të lajthiturish, ose me një çalltisje nacionalistësh të currufjepsur që, ndërsa analizojnë e mbajnë frymën prapa në histori për t'u mburrur me Shqipërinë antike, e cila na paska qenë një herë e një kohë kristiane si të tjerët, jo barbare si sllavët e jo më e varfër se shoqet.


Një lloj shpjegimi tjetër mund të jetë përftimi në rrugë të ndryshme i vetëdijës së të qenurit tradicionalisht i varfër, i patakat, i prapambetur, i dekonsideruar, domethënë "lindor", dhe nga kjo, ndjesia e turpit, dhe nga kjo akoma, sforcimi për të mos u njëjtësuar me fatin e lig dhe me "bashkëvuajtësit". Duke mos gjetur në historinë tonë moderne asnjë përligjje për këtë vetpërjashtim, ajo (përligjja) kërkohet thellë në histori, ku megjithatë nuk gjendet, vetëm stiset. Është diçka e ngjashme me atë që provojnë slovenët e kroatët kur ndjehen të njëjtësuar me ballkanasit. Edhe këta i drejtohen për ndihmë historisë, por jo asaj të moçme dhe jo domosdoshmërisht për ndonjë nam të mirë në të shkuarën. Ata e gjejnë motivin e mburrjes te emri i kolonizatorit të tyre, i cili nuk quhet perandoria osmane (lindore), por perandoria austro-hungareze (perëndimore). E megjithatë, ata janë ballkanas, në mos për tjetër edhe për frikën e identifikimit me ballkanasit, a thua se identifikohen me mortjen. Kjo përpjekje, ashtu si dhe përpjekja e shqiptarëve për ta përjashtuar veten se s'bën nga bota "lindore", janë të tepërta e absurde.


Kjo nuk është një prirje e re, sidoqoftë. Ka filluar që në shekullin e XIX-të me një pjesë të rilindasve tanë dhe për këtë i ndihmonte identifikimi i natyrshëm i Lindjes me pushtuesin, të cilin, edhe kur nuk donin ta hiqnin qafe, e konsideronin anadollak (në kuptimin i prapambetur). Por gjithsesi, nuk mund të thuhet se sytë e rilindasve tanë ishin të drejtuar vendosmërisht nga perëndimi. Evokimi, fillimisht nga ana e arbëreshëve të Italisë së jugut, i krishterimit të hershëm dhe veshja e Gjergj Kastriotit, përveç të tjerash, me aureolën e "mbrojtësit të krishterimit", purizmi gjuhësor antiturk i Naim Frashërit i vënë në dukje prej Norbert Joklit dhe shprehja e tij pretencioze "dielli lind andej nga perëndon", si dhe ndonjë referencë iluministe në veprat e rilindasve, ishin një dëshmi e përkorë oksidentalizmi dhe nuk kishin aspak lidhje me një vend, i cili, siç thotë M.Delaise shumë vite më vonë (1913), ishte "vendi më i mistershëm dhe më i mbyllur ndaj qytetërimit". Megjithatë, këto përpjekje për t'u identifikuar me perëndirnin, sidoqë të kërkuara, sollën dëshminë më spektakolare të kësaj prirjeje: zgjedhjen në Kongresin e Manastirit (1908) të alfabetit latin, si alfabet të gjuhës shqipe.


Kjo prirje u zhvillua, zuri të artikulohej gjithmonë e më qartë dhe është vënë re si një përpjekje më e strukturuar e mendimit politik, filozofik e publicistik shqiptar në periudhën e pas pavarësisë. Publicistë, shkrimtarë, klerikë, studiues e politologë, si Mehdi Frashëri, Mit'hat Frashëri, Anton Harapi, Branko Merxhani, Fan Noli, Faik Konica, Ernest Koliqi, Tajar Zavalani, Ismet Toto, etj. kanë qenë frymëzues e nxitës entusiaztë të oksidentalizimit të vendit.


Më tej është konservuar si në një frigorifer gjatë regjimit komunist, derisa u rishfaq më në fund si një modë unanimisht e kërkuar pas rënies së këtij regjimi. Sot, ka një konsensus absolut ndër shqiptarët kur vjen puna të shpallet si objektiv madhor integrimi i Shqipërisë në Europën perëndimore. Në këtë kuptim, mund të thuhet pa frikë, që shqiptarët, ndërsa duan të projektojnë të ardhshmen e tyre, e kanë zgjedhjen të hazërtë. Asnjë popull tjetër i kontinentit tonë nuk shquhet për një vokacion e mentalitet kaq "të fortë" europian. Nëse rrekemi t'i gjejmë fillin këtij vokacioni, kam përshtypjen që do të kuptojmë se thellë-thellë, ky vokacion nuk është natyror e nuk vjen as prej dëshirës për t'i dëshmuar oksidentit oksidentalizmin tonë të pademonstruar e të pa vënë re deri më sot, as prej një fqinjërimi të njëmendtë me realitetin që quhet Europë, por vjen prej dobësisë, prej pasigurisë, prej një vetëdije të dobët identiteti kombëtar. Ndërsa një pjesë e paraardhësve tanë në shekujt XVII-XVIII, po njësoj prej dobësisë, pasigurisë e prej një vetëdije të dobët fetare, kishin zgjedhur të ishin myslimanë duke qenë në thelb kriptokristianë, ne sot kemi zgjedhur të jemi perëndimorë duke qenë në thelb kriptolindorë. Por me këtë fakt, do të merremi pak më poshtë.



Modifikuar nga Fajtori datė 14/05/2005 ora 22:03

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 14 Maj 2005 11:57
Fajtori nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Fajtori Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Fajtori (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė Fajtori't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: Fajtori Shto Fajtori nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Fajtori nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Fajtori
Apo jo?

Regjistruar: 11/06/2002
Vendbanimi: Europe
Mesazhe: 10706




Kamja, magjia e Perëndimit

Thirrja "E duam Shqipërinë si gjithë Europa" vinte së shumti prej përfytyrimit mitik që kishin për Perëndimin shqiptarët e rritur në komunizëm, të cilin (përfytyrimin mitik) shkrimtari e publicisti Fatos Lubonja e ndan në dy pjesë në një esse të vetën të titulluar "Ndryshimi në lindje i perceptimit të perëndimit"; miti i Perëndimit si toka e premtuar dhe miti i Perëndimit si shpëtimtari i mundshëm nga e keqja që i kish kapluar, komunizmi. Te kjo thirrje ishte çuditërisht e lehtë të gjente strehë çdo aspirim për liri, demokraci, siguri e kamje. Dy të parat, liria e demokracia, ishin e janë koncepte shumë të vagullta për shqiptarët (ç'është e vërteta, me gjithë zhbirilimet e bëra në shekuj, mbeten paksa të vagullta edhe për mendimin e sotëm filozofik e politik); ndërsa siguria e kamja jo. Nevoja për siguri nuk është ndonjë nevojë inteligjente. Është një nevojë primare e primordiale, domethënë, përpara se të jetë shqiptare, është njerëzore. E njëjta gjë mund të thuhet edhe mbi nevojën për të mbijetuar, gjë që, afërmendsh, nuk mund të njëjtësohet me nevojën për të qenë të kamur. Janë dy nevoja të ndryshme, por të përmbushura nëpërmjet së njëjtës rrugë nga shqiptarët: pragmatizmit proverbial të tyre. Shqiptarët kanë patur tradicionalisht me (s)kamjen një raport të drejtëpërdrejtë e mirëkuptues, që me shumë zor mund të trazohej e "ndotej" nga, fjala vjen, ideali patriotik, shqetësimi për të ardhshmen e vendit, apo nga fetishizimi i kulturës e i njerëzve të kulturës. Këtej nga anët tona, kamja ka qenë prore e lidhur me dinjitetin e me zotësinë e njeriut; dhe ka qenë e lidhur aq shumë, sa regjimit komunist, ndërsa idealin e kamjes e shihte si konkurenten më të frikshme të ideologjisë së vet, iu desh jo vetëm t'i shpronësonte në emër të një bote pa pronë private, por edhe t'i demonizonte, ish-çifligarët e ish-bejlerët dhe t'i vizatonte ata si e keqja totale e fatale e Shqipërisë. Por pavarësisht nga ky fakt e pavarësisht nga lufta sistematike që u bë kundër pronës private, raporti i shqiptarëve me (s)kamjen nuk u prish. Pas rënies së komunizmit, gjëja e parë që ndodhi natyrshëm e përveç të tjerash, ishte, jo vetëm rehabilitimi material i pinjollëve të ish-çifligarëve e ish-bejlerëve (gjë e drejtë, kjo), por edhe rehabilitimi "moral" i këtyre të fundit, madje aty-këtu, etërit e tyre shihen si krenaria e ajka e qëmotshme e kombit.


Në jug edhe sot e kësaj dite, njerëzit e varfër, për t'i dalluar si një kategori e përbuzur dhe e përbuzshme, thirren me një emër fyes e skualifikues, që Lumo Skëndo e përdorte për të poshtrit e të liqtë: harbutë. Skamja legjendare në regjimin komunist e shndërroi kamjen si kurrëndonjëherë në një kult. Europa për shqiptarët e fundviteve '80, përpara se të ishte Europa kristiane, Europa e vlerave, e kulturës, e qytetërimit, e solidaritetit njerëzor, e shtetit të së drejtës, ishte thjesht Europa që notonte në luks, Europa e kamur dhe e stërkamur; varianti hedonist për jetën përcillej së pari e së shumti, si një provokim konstant ndaj njerëzve të zhytur në mizerje, nga televizionet italiane e jo vetëm italiane. Këtij provokimi nuk mund t'i shpëtonte askush, as ai që dinte ta shihte realitetin perëndimor ashtu siç ishte në të vërtetë. Arsyeja është e thjeshtë. Mund të gjendej ndonjë mënyrë për të përmbushur kureshtjen dhe urinë intelektuale e kulturore, mund të gjendeshin mënyra për të lexuar ndonjë libër të ndaluar nga censura, mund të gjendeshin ca miq, me të cilët mund të tirrje biseda të thella, të rënda, ku jo vetëm s'lihej gjë pa thënë kundër komunizmit, por analizohej me sy kritik edhe vetë Perëndimi, mund të sajohej ndonjë strofull e painfektuar nga monotonia komuniste e larg syve vigjilentë të regjimit, mund ta mbaje gjallë mëtimin për të mos u njëjtësuar me realitetin, pra mund të bëheshin të gjitha këto por kishte një moment ku megjithatë ti ishe si të tjerët dhe asnjë gatishmëri për të bërë sfida heroike nuk të shpëtonte. Do të mbaje radhën e gjatë për të bërë shoping-un e përditshëm, domethënë për të blerë djathin, qumështin, vezët, mishin, perimet, do të digjej xhani për të mbathur një palë bluejeans apo për të mbllaçitur një chewing-gum, do t'i bije këmbës për një palë gym-shoes, ishte luks të përdorje shampo, letër higjienike, cigare me filtër, biçikletë, për të mos thënë pastaj që nuk mund të kishe kurrën e kurrës një makinë e nuk mund të organizoje pushimet sipas qejfit. Kur blije një palë këpucë, një radio dore apo qoftë edhe diçka më pak të vlefshme, gati të gjithë të njohurit nuk harronin të bënin urimin më kuptimplotë në një botë të mizerjes: t'i gëzosh me shëndet! Ishte një skamje okupatore e persekutore.


Pasojat u panë pas përmbysjes së komunizmit. Aty për aty, ndërsa zunë të shijonin lirinë e ëndërruar (pasi makina e terrorit shtetëror u fik), shqiptarët mbetën të persekutuar prej skamjes. Rruga drejt kamjes ishte e gjatë (edhe drejt demokracisë xhanëm, por për këtë kokëçarja ishte dhe është e vogël), ndërsa durimi ishte i paktë. U thurën ato kohë në formën e një thashethemnaje gjigande ëndërra të bukura, të cilat kishin lidhje me vullnetin e Perëndimit për të sponsorizuar shpejt e shpejt një Shqipëri të kamur (e ç'është Shqipëria?, thuhej. S'e ka problem Perëndimi të ngrejë ekonomikisht më këmbë një vend me popullsi sa një e treta e një metropoli të tij), aq sa entusiazmi i paparë ndonjëherë, me të cilin u prit më 1991 Sekretari Amerikan i Shtetit James Backer, u shua në mënyrën më trishtuese, kur u mor vesh se nuk kish premtuar më shumë se gjashtë milionë dollarë. Perëndimi shihej kolektivisht bash ashtu siç shihej individualisht xhaxhai i ikur prej kohësh në Amerikë: si bamirës që me t'u bërë i vetëdijshëm për fukarallëkun e këtushëm, do t'i këputej shpirti, do të vinte dorën në zemër e do të hapte thesin e mbushur dingas me para.


Nuk u desh shumë kohë për të kuptuar se kjo shpresë ishte një vetëgënjim fëmijësh, gjë që, edhe pse ishte në të vërtetë një goditje e fortë, nuk e lëndoi psikozën e pasurimit të shpejtë. Pas hapjes së kufijve, emigrantët e parë, ndërsa ktheheshin përkohësisht, sillnin rrogën e disa muajve, që përbënte një shumë goxha të madhe për Shqipërinë e vitit '91, e rrëfenin pambarim historira me kapitalistë grekë e italianë, të cilët u kishin rezultuar kokëgdhë, por kishin para pa fund (ndërsa ne shqiptarët jemi më inteligjentë se ata, por jemi të varfër - thuhej). Shumica e këtyre historirave ishin të sajuara, por së bashku me suksesin e mikrobizneseve të këtushme në një ekonomi të sapolindur e të çoroditur tregu, nxisnin psikozën e një pasurimi të shpejtë e të pamundimshëm. Kjo psikozë u bë sunduese. Bashkë me epideminë e kioskave, plasi epidemia e lojrave fitimprurëse. Në çdo qendër urbane me një popullsi mbi dy mijë banorë lindën lokalet Bingo, ndërsa televizioni shtetëror (më i madhi në vend dhe i vetmi deri më 1998) organizoi programin më të ndjekur në historinë e televizionit shqiptar, të titulluar "Telebingo". Nisi organizimi kombëtar i toto-futbollit, i lloto-sportit, dhe i llotarive të panumërta, magjia e të cilave ishte dhe është te mundësia për t'u pasuruar tak-fak. Televizionet private me moshë vetëm trevjeçare janë pushtuar nga të njëjtat ethe. Mania e tyre janë mega-llotaritë e ndërtuara në formë spektaklesh super të kushtueshme, për të cilat bëhet një publicitet agresiv ne shtyp, në televizion, në radio, në rrugë, kudo e kurdo. Spot-i televiziv i lojës "gërvisht e fito" transmetohet me një frekuencë të çmendur nga më shumë se dhjetë televizione, ndërsa logo-ja publicitare e saj ka pushtuar uniformisht të gjithë gjatësinë e superstradës së sapondërtuar Tiranë-Durrës. Nuk është e tepërt të thuhet se kompanitë rentiere piramidale, falimentimi i të cilave më 1997 solli rrëzimin e shtetit, shpërthimin e depove ushtarake e armatosjen e popullsisë, përtej lojrave politike, i polli edhe kjo mani kolektive e pasurimit fët e fët; ashtu siç pjell sot korrupsionin, krimin e organizuar, rrjetin e prostitucionit, trafikun klandestin të njerëzve, të armëve, të drogës.


Është e qartë pra, se në dhjetorin e vitit '90, fari që ndriçonte që larg mendjet e njerëzve ishte kryesisht kamja. Ky ishte (në një masë të madhe është ende) ideal shumë i rëndësishëm i jetës së shqiptarëve, i cili, në dhjetor të '90-ës nuk u shfaq në formën e drejtëpërdrejtë "Duam të jemi të kamur", por me sloganin eufemistik "E duam Shqipërinë si gjithë Europa". Slogani i sotëm "të integrohemi në Europë" është e njëjta gjë, por i shprehur me një gjuhë më burokratike e më institucionale. Ky tashmë është një slogan programor i të gjitha partive politike.



Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 14 Maj 2005 21:58
Fajtori nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Fajtori Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Fajtori (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė Fajtori't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: Fajtori Shto Fajtori nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Fajtori nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Fajtori
Apo jo?

Regjistruar: 11/06/2002
Vendbanimi: Europe
Mesazhe: 10706




"Korigjimi" i mitit nga brenda


Por do të ishte gabim që përfytyrimi mitik i shqiptarëve për Europën të thjeshtohej si e sa më sipër.


Është shumë më kompleks. Do të mjaftonte një gatishmëri sado e kursyer për ta kundruar mirë mitin, dhe brenda tij, përveç adhurimit për kamjen, fuqinë, stilin e lakmuar të jetës, lirinë, demokracinë, etj., do të gjeje edhe mërinë e pakënaqësinë e konservuar për një kohë të gjatë. Miti i Europës, pra, nuk është miti i një gjëje të shenjtë, të drejtë, të pagabueshme. Përkundrazi, thotë me të drejtë studiuesi Piro Misha, ka edhe një anë tjetër të medaljes: Europa e pabesë, Europa armike, burim i një sërë padrejtësish që i janë bërë shqiptarëve, Europa e pamoralshme, kurva plakë, e kështu me radhë.


Edhe kjo optikë nuk është e re. Në themel të saj ka qëndruar për një kohë të gjatë një logjikë e një maraz nacionalist, që ngrihej mbi çështjen ende të pazgjidhur shqiptare, me fjalë të tjera, mbi faktin që në fillim të shekullit të shkuar, troje e popullsi shqiptare u janë lënë shteteve fqinjë. E në këtë arsyetim e sipër, ndërsa është fajësuar e fajësohet Europa për atë që "s'ka bërë" (zgjidhjen e çështjes shqiptare), harrohet të falënderohet dobare për atë që ka bërë: krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Kjo është aq e vërtetë, sa shpesh në shtypin tonë,. ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin '98 u trajtua në mënyrë folklorike edhe si ndreqje e një padrejtësie historike, apo më lezetshëm akoma, si larje e një borxhi të vjetër. Me logjikën e mësipërme, një këndvështrim i tillë ka shkak të qëndrojë edhe sot. Pavarësisht nga zhvillimet rajonale të viteve të fundit, në të cilat për herë të parë "është vënë re" një rreshtim i qartë i fuqive të mëdha kundër sllavëve "lindorë" e në favor të shqiptarëve "perëndimorë", këta të fundit vazhdojnë të jetojnë në katër shtete të veçantë e fqinjë me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, ka mendje "finoke e mendjemprehta", të cilët edhe te ky rreshtim "proshqiptar" i Fuqive të Mëdha, nuk arrijnë të shohin gjë tjetër, veçse një përputhje fatlume të interesave të tyre aktuale me aspiratat konstante kombëtare tonat. Pra, Europa është ajo që ka qenë, e pamoralshmja e përjetshme dhe e pandreqshme, por për fat, kurvëria e saj këtë herë na vjen për hosh.


E nuk mbaron këtu. Periudha e vështirë postkomuniste dhe rrjedha e ngatërruar e ngjarjeve të viteve të fundit, është shpjeguar tek-tuk edhe me optikën e mësipërme, thënë ndryshe me djallëzinë e Europës e të Amerikës. Madje nuk kanë munguar zërat që e lidhin krizën e famshme të vitit '97 me interesat e me vullnetin malinj të ndonjë fuqie të madhe. Në atë kohë, ndërsa shqiptarët protestonin në rrugë kundër regjimit autoritar postkomunist, një deputet e personazh i rëndësishëm i partisë në pushtet akuzoi në mënyrë të drejtëpërdrejtë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si "nxitëse të rebelimit komunist". Këtyre zërave u shtohet herë pas here edhe ndonjë kritikë racionale dhe e qëndrueshme që u bëhet politikave e strategjive perëndimore në Shqipëri, e të gjitha këto ndihmojnë të mbahet më këmbë sendërgjia e plakës kurvë, me emrin Europë (nënkupto: Perëndim). Nuk është një psikozë e përhapur, por ekziston gjithsesi. Te pjesa elitare e shoqërisë është disi më e arsyetuar e më konstruktive. Është një dukuri e njohur tashmë që elitat e popujve të vegjël e historikisht buzëpaqeshur, duke mos dashur ta mbajnë vetë apo t'ua lënë paraardhësve të tyre mbi supe përgjegjësinë mbi fatin e vendit, nuk heqin shumë për ta legjitimuar zemërimin me të huajt, të cilët mund ta ushtronin këtë përgjegjësi e nuk e kanë ushtruar.


Në fjalimin e mbajtur me rastin e marrjes së çmimit "Nobel", Gabriel Garcia Markez, sidoqë vjen nga një vend jo europian, gjen sallën mondane të Akademisë Mbretërore të Stokholmit, për të fajësuar edhe ish-kolonizatorët për kalvarin historik dhe për të sotmen e vendit të vet. E kam të lehtë të besoj, se sikur t'i jepej hera, të njëjtën gjë e me më shurnë lehtësi, do të bënte edhe kandidati disa herë për këtë çmim, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, i cili, në më shumë se një rast, është bërë zëdhënës i kësaj pakënaqësie. Kam frikë se kemi të bëjmë rne alibinë eterne të të dobëtit, për të cilin, çdo shpjegim ontologjik i fatit të vet të lig do të ngjante (padrejtësisht) shkurajues. Përveç kësaj, i dobëti, edhe prej faktit që është i dobët, kryesisht prej këtij fakti, ka një ndërgjegje autokritike shumë pak të zhvilluar. Madje, një nga gjërat lehtësisht të refuzueshme e të anatemueshme nga shoqëritë e vendeve të vogla e të varfëra, është orvatja e ndokujt për të zhvilluar këtë sens autokritik; thënë me terma më të troçtë, tentativa për ta zhveshur lakuriq vetveten, e për ta lënë të duket në mes të sheshit, ashtu kockë e lëkurë, me brinjët që na numërohen që larg. Kam bindjen gati të verbër se për të dobëtin e për të fortin, më shumë për të dobëtin sesa për të fortin, nuk ka gjë më shpëtimtare se sa ndërgjegja autokritike. Unë do të guxoja të thoja se magjia e zhvillimit, e çdo zhvillimi, është ndërgjegja autokritike. Ky është përveç të tjerash edhe një nga leksionet që na sjell bota ku duam të shkojmë, Europa.



Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 15 Maj 2005 20:08
Fajtori nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Fajtori Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Fajtori (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė Fajtori't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: Fajtori Shto Fajtori nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Fajtori nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Fajtori
Apo jo?

Regjistruar: 11/06/2002
Vendbanimi: Europe
Mesazhe: 10706




Integration - an irreversible process


Integrimi europian është tashmë një moto kontinentale, që ka zënë të sendërtohet në dy drejtime: si bashkim europian për vendet e zhvilluara dhe si integrim në Europë për vendet e tjera. Kjo është një moto, që po thith konsensus gjithnjë e më të thellë e gjithnjë e më të gjerë, por në këtë rrugë e sipër i është dashur dhe ende i duhet të kacafytet me ndërdyshje të natyrave të ndryshme, të cilat vinë kryesisht prej merakut për asgjësimin e kulturave "inferiore" apo prej ambicjes për të diktuar me kultura "superiore". Ky është përveç të tjerash edhe një problem planetar, që e ka nxjerrë në skenë dukuria shumë e diskutuar e globalizmit, e cila ngjan tashmë me një prirje natyrore e të pakërcënuar. Kjo është aq e vërtetë, sa sot, kundërshtarët e globalizmit, nuk duan ta sfidojnë, por thjesht ta kontrollojnë atë. Dhe me të drejtë. Globalizmi nuk është shpikje që mund ta ndalosh. Është ngjarje që duhet ta ndjekësh, qoftë dhe në rastin kur je i terrorizuar prej saj. Në një farë kuptimi, është një nga evenimentet më të rëndësishme në historinë mijëvjeçare të njerëzimit, pasi priret ta ndryshojë botën deri në atë masë, sa ajo të mos njihet më. Në botën moderne, diversiteti kulturor është parë si një thesar, ndërsa bashkëjetesa në diversitet, si një pedanë e shkëlqyer për të kërcyer përpara. Sot, tendencat integruese nuk është se e përjashtojnë bashkëjetesën në diversitet, por thjesht ngrihen mbi këtë, për të arritur në një botë, ku diversiteti (i kuptuar si larmi e identiteve kolektive) do të tretet çdo ditë e më shumë.


Semiologu i famshëm italian, Umberto Eco, në një artikull të vetin përfytyronte natyrshëm me mall e me dhimbje kohën kur Marko Polo, pasi kthehej nga udhëtimet e gjata, nuk ngopej së rrëfyeri peripecitë e tij dhe çudirat që kish zbuluar, ja, në këtë botë, e cila qëmoti ishte mrekullisht e larme, ndërsa sot nuk është më. Nisesh nga Europa, i hipën një avioni supersonik dhe në intervalin e disa orëve, je në një vend të Lindjes së Largme; prej andej mund t'i dërgosh një shkrim një të përditshmeje të vendit tënd, që të nesërmen botohet e ti mund ta lexosh në internet. Shkon atje, sistemohesh në një hotel "Holiday Inn", del për të ngrënë diçka e këmbët të ndalen pranë një McDonald's-i, del në rrugë e ballafaqohesh me qytetet e betonta, me njerëz të veshur me tesha të markës "Valentino" e "Armani", me dyqane, ku shitet çdo gjë që prodhohet kudo, sipër të cilave, ka diçka të shkruar me drita shumëngjyrëshe në gjuhën angleze. Shkurt, kthehesh në shtëpi e nuk ke ç'të tregosh. As që të pyet njeri, në fund të fundit. Ky është këndvështrimi poetik mbi globalizmin. E jo vetëm poetik.


Sikur mëdyshjet mbi globalizmin planetar dhe integrimin europian të ngriheshin vetëm mbi këtë fakt, kjo do të ishte mjaft për të siguruar të drejtën legjitime për të gjalluar. Por, thellë-thellë, nuk është ky uniformitet i jashtëm që na tremb. Është frika prej uniformitetit të brendshëm, prej zhvlerësimit të kulturës së vendit tënd, të gjuhës, të traditës, mjedisit e mikromjedisit shpirtëror, shkurt, prej humbjes së identitetit. Kjo është frikë që vjen njësoj, edhe prej krenarisë boshe e të rrezikshme që ngrihet mbi një identitet, që jo vetëm nuk ndjek qytetërimin, por edhe i kundërvihet egërsisht atij (fjala vjen, integralistët islamikë), edhe prej nevojës kuptimplote e bajagi intelektuale për të qenë i ndryshëm në këtë botë të madhe. Njerëzit, për arsye të njohura, krahas identitetit individual, kanë zhvilluar vazhdimisht e vendosmërisht edhe një identitet kolektiv, i cili, prej disa shekujsh quhet identitet kombëtar. Tendencat për t'iu kundërvënë identitetit kolektiv apo kombëtar (që nga stoikët e Greqisë antike deri te iluministët e shekullit XVIII-të e rnë tëhu) kanë qenë të pafrytshme. Ai është zhvilluar paprerë. Thënë ndryshe, nevoja për të qenë i armatosur me këtë lloj identiteti, është ndjerë gjithmonë e më shumë. Sot ndjehet gjithashtu, jo aq për mbrojtje, se sa për një rekuizitë, jashtë së cilës ti nuk ke nga ia mban, për të mos thënë që mund të ndihesh një hiç. Dhe jemi në këtë pikë, kur bota nuk është më e ndarë dhe e frikshme si më parë, madje po tenton të shndërrohet në një fshat global, ndërsa ne, homo sapiens-at e sotëm, nuk e kemi aq të lehtë të bëjmë pa rrobën e identitetit kombëtar, duke iu bërë pengesë në këtë mënyrë përpjekjeve integruese.


Paradoksalisht, shqiptarët si popull nuk duket se jetojnë shumë me këtë frikë. Bën përjashtim sigurisht një pjesë e elitës së këtushme, të cilët kanë zënë të shqetësohen për haraçet që i duhen paguar këtij integrimi, apo për vendin që duhet e mund të zëmë në një Europë të integruar.



Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 16 Maj 2005 16:51
Fajtori nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Fajtori Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Fajtori (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė Fajtori't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: Fajtori Shto Fajtori nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Fajtori nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Fajtori
Apo jo?

Regjistruar: 11/06/2002
Vendbanimi: Europe
Mesazhe: 10706




Haraçet që i duhen paguar integrimit


Janë shumë të paktë shqiptarët që, ndërsa janë duke kërkuar integrimin në Europë, janë të sigurtë mbi atë që kërkojnë. Rrjedhimisht, janë të paktë ata që, ndërsa nuk janë kundër integrimit, duan ta administrojnë e kontrollojnë këtë, me synimin për t'u bërë në një farë mënyre edhe nxitës të procesit, edhe gardianë të identitetit të shqiptarëve. A është e mundur?


Shkrimtari Ismail Kadare nuk është kundër integrimit, ndonëse të jep përshtypjen se do të donte të diskutonte gjatë mbi "modalitetet" e këtij procesi. Duke qenë se fundi i këtij procesi është ende larg (askush nuk e di me saktësi se sa larg), ai nuk heq dorë së foluri për identitetin e fortë të shqiptarëve, për rëndësinë që duhet të ketë Shqipëria në projektimin e zhvillimeve të ardhshme rajonale, për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve, i cili është dëmtuar keqas vitet e fundit nga një varg krizash, etj. Me sa duket, ai nuk beson se ka ardhur koha për të folur seriozisht për integrimin, e për këtë arsye, i mëshon pareshtur përpjekjeve për të mataruar punët nga brenda, në mënyrë që deri sa të vijë koha e bashkëjetesës së identiteteve të ndryshme ballkanike dhe integrimit të tyre në realitetin europian, ne të kemi mundësi të jemi të zëshëm, imponues, dinjitozë në këtë realitetin e sotëm. Kadare flet vazhdimisht për një çështje shqiptare e për një faktor shqiptar, për zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje dhe për rëndësinë e fuqizimin e këtij faktori. Ai është një nga luftëtarët e palodhur të kësaj kauze. Polemizon me gazetarë, artistë e shkrimtarë të njohur europianë, nuk lë ngjarje e krizë në hapësirën mbarëshqiptare pa komentuar, dhe gjithë këtë e bën me një zell impresionant. Duket sheshit që është njeri i lidhur fort me vendin e vet.


Nëse ndjekim me vëmendje qëndrimin e Kadaresë, mund të thuhet pra, se ai nuk e refuzon integrimin, por nuk e sheh si një problem të ditës. Sot për sot, ai e sheh Ballkanin e Europën, më shumë Ballkanin sesa Europën, si dy realitete inerte që lëvizin e ndryshojnë me vështirësi e mes pengesash. Kjo e bën të jetë i kujdesshëm. Duket sikur gati-gati u thotë shqiptarëve: "Kërkojeni integrimin në Europë, por, hë për hë, mos u besoni symbylltazi të huajve që e tundin këtë flamur. Ballkani, pavarësisht nga projektimi që i bëhet në Europën e ardhshme, është ende ajo xhungla që njohim, ku po të mos jesh i vëmendshëm, të vënë stërkëmbëshin e të hedhin në greminë."


Në bisedat që kam patur me studiuesin Aurel Plasari, këtë të fundit e kam parë veçanërisht të shqetësuar mbi fatin e gjuhës shqipe, e cila mbetet furka, rreth së cilës mbështillet leshi i dobët i identitetit tonë kombëtar. Gjuha shqipe është e kërcënuara e parë në këtë proces dhe, sipas Plasarit, me kalimin e kohës, ajo do të humbasë. Në mos do të humbasë, do të pësojë një transformim të thellë, gjë që në të vërtetë ka filluar. Nga një vëzhgim i hollë i asaj që ka ndodhur këto dhjetë vitet e fundit, bindesh lehtë se gjuha shqipe ka filluar të cedojë, fillimisht para tentativës së shfrenuar për të përdorur sa më shumë fjalë të huaja, më tej para eksperimentimeve e prurjeve të reja sintaksore, e nuk është çudi që në një të ardhshme jo dhe aq të largët, ata që do të flasin e shkruajnë shqip, të gjenden para tundimit për ta sfiduar sa më shumë gjuhën e tyre. Nëse kjo shihet si një prirje globale, me shqipen do të ndodhë më shpejt se sa me gjuhët e tjera të parëndësishme. Arsyeja është shumë e thjeshtë; gjuha shqipe është ndër më të parëndësishmet. Atë e flasin vetëm shqiptarët, ndërkohë që vendi i tyre, qoftë edhe brenda "lagjes" ballkanike të Europës, është vendi gjithashtu më i parëndësishëm. Sipas shumë gjasave, kështu ka për të qenë, deri në momentin që do të ketë kuptim të flasësh për rëndësinë e një vendi. Kush ka përqafuar e kush nxit procesin e integrimit, me siguri ose ka hequr dorë, ose është bërë gati të heqë dorë prej shqetësimit për rëndësinë politike, gjeopolitike, kulturore, ekonomike, ushtarake, të vendit të vet. Qysh tani, nëse pranojmë se ky proces ka filluar, kjo logjikë e ky arsyetim nuk kanë edhe aq kuptim. Brezi i ri i sotëm ka një raport disi të veçantë me vendin e vet. Atyre, propagandimi i patriotizmit u ngjan ose me një dëngël romantikësh qyqarë, ose me një demagogji politikanësh, prapa të cilit fshihen vepra e ambicje kopukësh. Ky është brezi më pragmatik në historinë e shqiptarëve tradicionalisht pragmatikë. Për të bërë këtë zgjedhje, u vjen në ndihmë, në radhë të parë gjendja e mjeruar e një vendi që edhe nuk u ofron gjë prej gjëje, edhe nuk ka nevojë hë për hë për ta, së dyti, konteksti përtej shqiptar i zhvillimeve, ku përfshihen më së shumti proceset integruese, hapja e botës, lehtësitë e komunikimit, etj. E në këtë botë, gjuha shqipe të lypset gjithmonë e më pak. Studimi i gjuhëve të huaja është shndërruar tashmë në një epidemi aq sa nuk e teprojmë të themi, se për shumëkënd, gjuha angleze vlen më shumë se një profesion. Qysh sot, ka shumë të rinj që e kanë më të lehtë të artikulojnë mendimet dhe opinionet e tyre në një gjuhë të huaj, sesa në gjuhën shqipe. Nëse shkojnë e rrinë jashtë për një kohë të gjatë, raporti me gjuhën e tyre, në mos vështirësohet, transformohet. Kur vinë këtu, nuk mund të thuhet se flasin bash shqip. Flasin një gjuhë hibride. Aurei Plasari ka të drejtë.


Fatos Lubonja ngjan të jetë i shqetësuar disi ndryshe, që në thelb mund të jetë e njëjta gjë. Ai duket sikur kërkon të identifikojë atë që mund të konsiderohet prurje shqiptare në një botë të integruar. Është lodhur shumë këto vite për të gjetur pika kontakti midis qytetërimit perëndimor e, le të themi, qytetërimit shqiptar (nuk besoj se është shumë i kënaqur në këtë tentativë), dhe ka këmbëngulur në nxitjen apo aktivizimin e asaj ndërgjegjes autokritike, për të cilën fola pak më sipër. Të jep përshtypjen se Europën e integruar e sheh më shumë si një bashkëjetesë sesa si një kacafytje identitetesh. Rrjedhimisht, është i shqetësuar mbi atë se me çfarë Shqipëria do të prezantohet në Europën e nesërme. Nëse është e vërtetë ky është modeli tjetër intelektual e kulturor që përfaqëson shqetësimin mbi procesin e integrimit të shqiptarëve në Europë. Këndvështrime të tjera elitare ndaj këtij procesi nuk para gjenden. Këndvështrimi kolektiv është tjetër gjë. Ai duket se nuk bart as shqetësimin për nëpërkëmbjen e shqiptarëve (Kadare), as shqetësimin mbi humbjen e identitetit (Plasari), as shqetësimin për t'u prezantuar me identitetin (Lubonja) në një Europë të integruar. Ajo që duan shumica e shqiptarëve është integrimi; integrimi me çdo mjet e me çdo rrugë. Me çdo çmim, gjithashtu. Edhe me çmimin e bjerrjes së identitetit. Sikur të merrnin pjesë në një referendum, në të cilin do t'u duhej t'i përgjigjeshin pyetjes se, a janë të gatshëm të paguajnë koston e deshqiptarizimit total për t'u bërë pakthyeshmërisht pjesë e Europës, nuk di pse jam i sigurtë, që shumica e tyre nuk do të mendoheshin dy herë për të thënë "po".



Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 17 Maj 2005 21:11
Fajtori nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Fajtori Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Fajtori (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė Fajtori't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: Fajtori Shto Fajtori nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Fajtori nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Fajtori
Apo jo?

Regjistruar: 11/06/2002
Vendbanimi: Europe
Mesazhe: 10706




Kozmopolitizëm apo krizë identiteti?


Në një vështrim të jashtëm, shqiptarët, çdo ditë e më shumë, po rriten si një popull kozmopolit. Ky vështrim bazohet mbi një dukuri të vënë re që herët, por që paradoksalisht ka gjalluar fort edhe gjatë viteve të regjimit komunist dhe në këtë pikë ka qenë e favorizuar nga doktrinat që ky i fundit i ka patur për zemër, fillimisht nga internacionalizmi, më tej nga ateizmi, e më në fund, ndoshta i zhvilluar si një sfidë instinktive ndaj autarkizmit të imponuar. Diktatori nacional-komunist (kështu këmbëngul ta quajë F. Lubonja), ka bërë sikur nuk e vinte re dhe nuk u përpoq ta frenonte. Ndoshta nuk i prishte punë.


Por, asëll-asëll, nuk kemi të bënim me kozmopolitizëm; ka qenë një ftohje graduale e shqiptarëve me vendin e tyre, i cili ngjante të ishte gjithmonë e më pak i tyre dhe gjithmonë e më shumë i nomenklaturës. Duke qenë se ishte e lehtë që vendi të identifikohej me regjimin (nën diktatura kjo nuk është ndonjë gjë e pazakontë), duke qenë se nga ana tjetër regjimi për një kohë të gjatë nuk jepte shenja squlljeje e zbythjeje, dëshpërimi merrte formën e një apatie kolektive dhe armiqësia me diktaturën shndërrohej në një raport të ngrirë 'me atë që quhet Atdhe. Është e vështirë të shpjegohet se si në këtë klimë apatie e në rrethanat e një izolimi total nga pjesa tjetër e botës, njerëzit kërkonin e gjenin me kurajo kanale komunikimi me botën që u mohohej. Ishte ndoshta një mënyrë për t'iu përvjedhur identifikimit me diktaturën e për ta sfiduar këtë të fundit, e cila, përveçse ishte e frikshme, ishte edhe e mërzitshme. Universi i saj autarkik nuk të ofronte asgjë të gëzueshme. Nuk ishte çudi që shumëkush, më shumë se sa diktaturën vetë, të vuante mërzinë që ajo pillte. Një festival i shplarë i muzikës së lehtë, i 11-ti, pikërisht ngaqë u shfaq si agresion i përkorë ndaj kësaj mërzie e si shmangje jo dhe aq domethënëse nga ritmi e skemat artistike të kohës, u anatemua me vendosmëri nga regjimi, a thua se bëhej fjalë për një coup d'etat. Pse? U tentua që banaliteti e mediokriteti të visheshin me një rrobë të ndryshme. Shkurt, larmia e shfaqjes së banalitetit ishte mjaft për ta bërë jetën më të gëzueshme e më interesante, gjë që, afërmendsh, regjimi nuk e honepste dot.


Pas betejës komuniste kundër zotit, përpjekja për të krijuar "njeriun e ri", ndonëse u shoqërua me një propagandë nacional-komuniste, nuk prodhoi gjë tjetër, veç një njeri të lodhur e moskokëçarës ndaj identitetit kombëtar. Shembujt janë të shumtë. Ndër mijëra bar-restorante, disko, dyqane, të hapura në Tiranë dhjetë vitet e fundit, numërohen me gishtat e duarve ato që emërtohen në shqip. Pjesën tjetër e zënë emërtimet në gjuhën angleze, italiane, por edhe gjermane, franceze, etj. Emërtimet "Las Vegas", "Florida", "California", "Chaplin", "Berlusconi", "International", "Bar West", "München", "Dolly", "My baby", "Berlin", "Montpellier", "Marilyn Monroe", etj., etj., të krijojnë përshtypjen e një qosheje të botës, e cila është zgjedhur për të eksperimentuar qysh tani globalizmin më të guximshëm e më të suksesshëm. Këtë praktikë nuk kanë munguar ta ndjekin edhe institucione shtetërore, bashki e komuna, të cilat kanë zënë të emërtojnë në të njëjtën mënyrë sheshe, rrugë, ndërtesa. Ecim më tej.


Pjesa myslimane është tradicionalisht shtresa më pak fetare e më "kozmopolite" e popullsisë. Personalisht njoh shumë të rinj myslimanë që mbajnë kryqin në qafë. Gjenden shumë familje që mbajnë të varur në muret e shtëpisë simbole të fesë së krishterë. Më kanë treguar që shumë shqiptarë të emigruar, pa bërë konvertimin në fenë e të krishterëve, ndjekin megjithatë festat e tyre fetare, respektojnë ritet, pagëzojnë fëmijët në kisha, ndonëse thellë-thellë janë ateistë. Kufiri grek i dhjetë viteve të fundit është bërë dëshmi e lehtësisë, me të cilën shqiptarët ndërrojnë emrat nga myslimanë në ortodoksë. Nuk janë një e dy. Janë me mijëra.


Në vitet 70 e '80, modën e para e pasluftës për të vënë emra shqiptarë afetarë si Flamur, Tomorr, Korab, Bujar, Besnik, Ilir, Shkëlzen, Valbona, Petrit, Agim, Luan, Pëllumb, Burbuqe, Mimoza, Trëndafile, Adriatik, Sokol, Bashkim, Bukuri, e zuri alergjia ndaj këtyre emrave. Plasi moda e emrave të huaj. Sot gjen me shumicë myslimanë 20 e 30 vjeçarë, të cilët kanë emra me origjinë çifute si Mojsi, Emanuel, Rakela, Pamela, Albert, me origjinë greke si Kristina, Igli, Sofie, me origjinë sllave si Vladimir, Natasha, Aljosha, Boris, Ivan, me origjinë legjendash si Orland, Roland, Kleopatra, Helena, Akil, me origjinë latine si Armand, Martin, Artur, Robert, pa pikë origjine e kuptimi si Ledio, Ervis, Marsela, Ervin, Denada, Ergys, Desara etj. Emrat me origjinë islame nuk përdoren më as në zonat më të thella malore, duke përjashtuar këtu zakonin e "ngjalljes" së një të vdekuri (ka ende ndonjë rast shumë të izoluar, kur për t'i bërë homazh një të afërmi të sapovdekur, fëmijës më të parë që lind i vënë emrin e tij). Sikur dikush në Tiranë të imitonte gjestin e këngëtares së njohur italiane me origjinë shqiptare, Ana Oxa (Hoxha), e cila, për të evokuar origjinën i vuri djal.it të sapolindur emrin mysliman Qazim, me siguri do të përqeshej.


Përveç kësaj, ndërsa nuk e pëlqenin e nuk para e pëlqejnë muzikën e tyre të lehtë, e cila, me ndonjë përjashtim jo shumë të rëndësishëm, vazhdon të jetë një muzikë pa një fytyrë të vetën, shqiptarët ishin shumë të dhënë pas asaj të huaj; në jug pas asaj greke, në veri pas asaj jugosUave, në Shqipërinë e mesme pas asaj italiane. Sot, me dhjetra radio private kombëtare e lokale transmetojnë 24 orë non stop vetëm muzikë të huaj (atë sllave nuk e dëgjojnë më). Ka megjithatë një muzikë "shqiptare" të preferuar nga publiku "low-brow", por që injorohet nga radiot e televizionet, e në përgjithësi, nga publiku "high-brow": një muzikë tipike orientale, në të cilën, avaze të vjedhura nga këngë turke e arabe vishen me vargje vulgare, tmerrësisht vulgare, të thurura me lehtësi nga bejtexhinj mejhanesh të Tiranës. Kjo lloj muzike mbizotëron në mënyrë absolute tregun e shitjeve dhe është e vetmja që përcjell ceremoni e festa popuilore, sidomos dasmat.


Ceremonitë e dasmës dhe ato mortore janë larg një identiteti të caktuar. Ka në ritet e këtyre ceremonive elementë paganë, fetarë, afetarë, antifetarë, perëndimorë, lindorë, dhe në këte coctail prore të rrëmujshëm e të zhurmshëm, gjërat pastërtisht kombëtare gati mungojnë. (Një përmasë të qartë identiteti kombëtar e gjejmë te folklori, te ceremonitë e mikpritjes, kostumet tradicionale, vallet, këngët e vjetra, lahuta, çiftelia, isoja, mekanizmi i dollisë etj., etj. Këto të fundit, që janë me të vërtetë shqiptare, për fat të keq po humbasin. Askush nuk bëhet merak që po humbasin. Askush nuk i ushtron më, qoftë edhe në raste e ceremoni të veçanta. Janë ca si tepër old-fashioned për shqiptarët snobë).


Është e qartë pra se përpara se të flasim për kozmopolitizëm, duhet të flasim për një krizë identiteti te shqiptarët. Dhe këtu nxjerr krye një paradoks paralizues: e vetmja gjë tradicionale që vazhdon të jetë "e respektuar" nga një pjesë shqiptarësh është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Në të vërtetë, nëse do të çalltisim të kapemi pas një dukurie sa më përfaqësuese në historinë e traditën tonë për të shpjeguar sa më mirë të jetë e mundur konstitucionin shpirtëror dhe esencën e vërtetë psiko-mentale, në fund të fundit identitetin e shqiptarëve, nuk është e tepërt të ndalemi te "Kanuni i Lekë Dukagjinit". Dhe nuk janë të paktë ata që janë ndalur. Ky kod i pashoq zakonor që përbën veç të tjerash kushtetutën më jetëgjatë e më autentike, mbi bazën e së cilës është rregulluar jeta, jetesa e bashkëjetesa në malësitë e Shqipërisë (vë re: në malësi, atje ku universi shqiptar mbeti pothuaj i virgjër e i patrazuar), flet e shpjegon thelbin tonë shumë më tepër e shumë më saktë se çdo legjendë, vepër, libër, pasuri folklorike, gjurmim etnografik, studim antropologjik, zbulim arkeologjik, lëvizje kulturore, kryengritje popullore, program politik e lëvizje kombëtare.


Po rikthimi te Kanuni, duke qenë i vetmi rikthim i bujshëm te tradita, na bën të arrijmë në një përfundim të pamëshirshëm: diçka prej identitetit tonë, pa të cilën nuk mund të bëjmë dot, nuk puqet në asnjë pikë me qytetërimin europian, pjesë e të cilit duam të jemi si "një edhe një që bëjnë dy", megjithatë. Credo quia absurdum! Të shkojmë` në Europë - kjo është moda jonë. Të mbetemi të paqytetëruar - kjo është vendosmëria jonë.



Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 18 Maj 2005 16:07
Fajtori nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Fajtori Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Fajtori (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė Fajtori't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: Fajtori Shto Fajtori nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Fajtori nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Fajtori
Apo jo?

Regjistruar: 11/06/2002
Vendbanimi: Europe
Mesazhe: 10706




Keqkuptimi nga mosnjohja


Vaclav Havel, ndërsa shpjegon Rusinë e sotme dhe krizën e saj të identitetit, thotë: "Nëse unë nuk di kush jam, kush dua të jem, çfarë dëshiroj të ndjek, cila është pika ime e nisjes, raportet me ata që më rrethojnë e me pjesën tjetër të botës do të jenë paevitueshmërisht të tendosura, të ngarkuara me dyshime e të rënduara nga një kompleks inferioriteti, që do të mund të fshihej pas mburrjeve pompoze. Mosbesimi në vetvete dhe pasiguria në identitetin tonë prodhojnë me pahir mosbesimin te të tjerët, atribuimin e qëllimeve të këqia pjesës tjetër të botës." Gjithçka është e saktë në këtë që thotë Havel-i, por ai ka parasysh rusët, të cilët, për një inerci grandomanie, nuk mund të pranojnë asnjë lloj integrimi që përjashton supermacinë e tyre. Me shqiptarët është një rast i kundërt. Ndërsa kriza e identitetit favorizon integrimin, prapambetja e mungesa e qytetërimit i bëhen pengesë atij. Në planin individual, nuk besoj se mund të ketë qenie më te integrueshme se shqiptarët, dhe kjo buron nga fakti që janë pragmatikë. Nacionalistët dhe patriotët e mëdhenj nuk bien në një mendje me mua, por kjo s'më pengon të them që pragmatizmi është gjymtyra e tyre kryesore, me të cilën kanë ecur çalë-çalë nëpër histori. Ajo që ndodhi për dy-tre shekuj nën sundimin osman (integrimi jo dhe aq i sforcuar brenda perandorisë, tundimi para favoreve, ofiqeve, konvertimi në fenë islame etj.) mund të ndodhë shumë më shpejt nën "sundimin" europian. Është vetë bota që është bërë pragmatike e që u është larguar apo po u largohet ideologjive kombëtare, politike, kulturore etj, dhe kjo, në mënyrë të natyrshme, e shfajëson, e motivon dhe e shumëfishon, pragmatizmin shqiptar, i cili ka si element të vetin moskokëçarjen prej rrezikut të të qenit i asimiluar. Në këtë kuptim, një botë globale nuk mund të gjejë qytetarë më të natyrshëm se sa shqiptarët.


Por kjo është një e vërtetë që nuk vlen. Këtu s'bëhet fjalë për integrim një ë nga një të shqiptarëve. Bëhet fjalë për integrim të Shqipërisë. Në këtë pikë nxjerrin krye pengesat drejt integrimit, e bashkë me të, një keqkuptim midis Europës e shqiptarëve. Të huajt përgjithësisht i vizatojnë shqiptarët si të paintegrueshëm, e ndërsa janë të sigurt për këtë, nuk kanë parasysh vetëm faktin që jemi një popull i prapambetur dhe ende i paqytetëruar, por edhe një fakt tjetër; Në një sondazh të fillimkorrikut 2001 të bërë në disa vende perëndimore, pyetja se cilët janë ekstrakomunitarët më të padëshiruar, ka marrë përgjigjen: shqiptarët. Pasi janë pyetur pse, qytetarët e anketuar perëndimorë kanë thënë përveç të tjerash: Shqipëria është një vend islamik. Është një gjepur me bisht, ashtu siç është edhe aluzioni, sipas të cilit shqiptarët janë dramatikisht të ndarë në "gegë të veriut të varfër e të egër dhe toskë të jugut të pasur e te butë". Deri para Luftës së Dytë Botërore ka qenë vërtet kështu, por regjimi komunist, në orvatjen për të homogjenizuar jetën në funksion të jetëgjatësisë së vet, imponoi lëvizjen e njerëzve nga jugu në veri e anasjelltas, realizoi unifikimin e gjuhës, krijoi e mbivendosi një stil jetese standart, nxiti martesat e njerëzve me fe e me origjinë (vendbanimi) të ndryshme, shkurt iu kundërvu, shpesh herë edhe me metoda të dhunshme, diferencave, e në këtë mes edhe diferencave veri-jug. Duhet thënë që nuk qe i pasuksesshëm në këtë ndërmarrje. Ndërsa shfryjmë gjithë ditën pa u lodhur e me shumë të drejtë kundër regjimit të Enver Hoxhës, bëjmë mirë t'ia njohim këtë, le ta quajmë, meritë. Më shumë se sa diktaturat, asnjë regjim tjetër nuk është i aftë për arritje të këtij lloji. Duke lënë mënjanë këtë arsyetim, nuk duhet harruar megjithatë se ka vende perëndimore ku diferenca midis jugut e veriut është ku e ku më e thellë se sa në Shqipëri. Jugu i Italisë është aq i ndryshëm nga veriu, sa kush e njeh atë realitet, mund të çuditet se si siçilianët e toskanët janë njësoj shtetas italianë.


Paragjykimet e mësipërme për shqiptarët janë pjellë e një mass media-je. mendjelehtë e të shkujdesur. Kur vinë sefte në Shqipëri, pasi shuajnë kureshtjen me dukurinë e gjakmarrjes, gjëja e parë që u bie në sy të huajve është fakti që shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje me hamendësimet a priori të përftuara me lloj-lloj rrugësh në vendin e tyre. Kam vënë re që disa të huaj vinë këtu me sigurinë se do të kontaktojnë një vend qartësisht mysliman, apo më keq akoma, të sunduar nga integralistë islamikë, e për të mos ua prishur ideve fikse, me të cilat janë mëkuar për një kohë të gjatë nga shtypi e mediat e vendit të tyre, stërmundohen fort për të gjurmuar mbeturina të kulturës islame në jetën e përditshme. Nuk para gjejnë e për të mos ikur duarbosh, zënë vend para xhamisë së Et'hem Beut në qendër të Tiranës, e përballë kamerës zënë e flasin për atë që kanë parë. Në mendjet e teleshikuesve të tyre nuk mbeten fjalët që thuhen, por pamja në sfond, domethënë xhamia, mesazhi i së cilës kapet fët e fët nga audience-a: ah, Shqipëria qenka vend islamik! I njëjti marifet ka ndodhur me gazetarë e kameramanë të huaj që pasqyruan krizën kosovare të viteve '98-'99, të cilët, ndërsa kerkonin të rrisnin ndjeshmërinë për viktimat e luftës e të krizës, nuk harronin të transmetonin pamje luftëtarësh mjekërgjatë, xhami pafund në tokën kosovare, rite fetare ku binte në sy barbaria, pleq me qylaf e gra me perçe. Sigurisht, ata që vinë në Shqipëri binden dhe e mbledhin mendjen top, që Shqipëria mund të ngjajë me çdo gjë, por jo me një vend tradicional islamik, e megjithatë kur kthehen në vendin e tyre, ndoshta shkojnë të shohin filmin e Hollywood-it "Wag the dog", ku këshilltari i Presidentit amerikan, alias Robert De Niro, për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga një skandal i shefit të vet, sajon një luftë të SHBA-ve me një vend që quhet Shqipëri. "Ç'dimë ne për Shqipërinë?" - e pyet një kolege këshilltarin. "Asgjë, me përjashtim të faktit që është një vend i varfër islamik e shërben si bazë e terrorizmit" - i përgjigjet Robert de Niro. Pas kësaj, mund të ndodhë që cliché-ja ta mundë përjetimin.



Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 19 Maj 2005 20:41
Fajtori nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Fajtori Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Fajtori (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė Fajtori't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: Fajtori Shto Fajtori nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Fajtori nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Fajtori
Apo jo?

Regjistruar: 11/06/2002
Vendbanimi: Europe
Mesazhe: 10706




Shqipëria është lindore, megjithatë


Kur thashë pak më sipër se shqiptarët janë lehtësisht të integrueshëm, afërmendsh nuk nënkuptoja ndonjë afrimitet natyror midis Shqipërisë dhe botës perëndimore, por atë që theksova në mënyrë të troçtë, pragmatizmin dhe krizën e tyre të identitetit. Nga ana tjetër (dhe kjo është më e rëndësishmja), një gjë është lehtësia me të cilën ne përshtatemi, aklimatizohemi e integrohemi në botë të ndryshme nga e jona, e një gjë tjetër, madje krejt tjetër, është aspirata për integrimin e Shqipërisë në Europë. Ky proces integrimi kërkon europianizimin real të universit shqiptar dhe jo gatishmërinë e aftësinë e shqiptarëve për t'u sjellë si europianë jashtë vendit. Me fjalë të tjera, integrimi na kërkon të jemi europianë në Shqipëri dhe na mundëson të jemi shqiptarë në Europë.


Në të vërtetë, diferenca e Shqipërisë me Perëndimin dhe e shqiptarëve me perëndimorët është e dukshme dhe e madhe. Por ama (duhet ta riktheksoj edhe njëherë), jo aty ku e kërkojnë me zell maniakal një pjesë perëndimorësh, pra te identiteti i ndryshëm fetar. Është gjetkë dhe periudha pas përmbysjes së diktaturës i ka nxjerrë në dritë më së miri këto diferenca, për të cilat, neve na është bërë zakon të paditim izolimin e gjatë komunist. Është arsyetimi më pak i zorshëm që mund të bëhet, por ka lidhje vetëm pak me të vërtetën. Nëse biem dakord që me Lindje të kuptojmë diçka të pangjashme apo të kundërt me Perëndimin, duhet thënë se ne jemi lindorë në rrënjët tona. Historia e Shqipërisë është historia e një vendi lindor. Askush, asnjeherë, nuk ka marrë mundimin t'i kualifikojë kulturën e qytetërimin shqiptar si perëndimore. Historikisht, vetëm në kohën e qytetërimit romak kemi qenë pjesë e "perëndimit", por atëherë e ca më pas, së pari nuk ekzistonte mirëfilltazi ndonjë Shqipëri; së dyti, Lindja ish larg e, së treti, Lindja nuk i linte gjë mangut Perëndimit, për të mos folur për raste kur Lindja e përqeshte Perëndimin. Ja, si shprehet me përçmim një udhëtar arab, i cili vizitoi Europën e shekullit të IX-të: "Nuk mund të gjendet një popull më i pistë sesa frankët. Janë të pabesë e meskinë. Lahen e pastrohen jo më shumë se dy herë në vit dhe me ujë të ftohtë. Nuk e kanë zakon t'i lajnë veshjet e tyre herë pas here. Përkundrazi, i veshin e nuk dinë t'i heqin, deri sa ato të bëhen zhele. Rruhen dhe pasi janë rruar, në fytyrat e tyre duken ende qimet e lëna pa kujdes." Dua të them me këtë citim, që miti i "Perëndimit", edhe pse është i natyrshëm e i kuptueshëm, është një mit modern; dhe me këtë, prirja e shqiptarëve për të gjetur dëshmi antike të fqinjërimit me Perëndimin është një kotësi më vete. Puna është të gjejmë dëshmi të sotme të fqinjërimit me qytetërimin perëndimor. Këtu arsyetimi ngec. Kontaktet e para të drejtëpërdrejta me Perëndimin kanë për të mbetur një nga momentet më të paharrueshme në jetën e secilit prej nesh. Ka qenë aq inçiziv ky kontakt në kujtesën tonë, sa te ndokush ndoshta superon edhe inçizivitetin e kontaktit të parë seksual. Nëse dikush do të provonte të mblidhte të gjitha përvojat individuale të këtij ballafaqimi e të bënte me to një libër, kjo do të ishte mënyra më fantastike për të evidentuar mentalitetin e shqiptarëve pas rënies së izolimit e, për rrjedhojë, hendekun e madh midis dy botëve, asaj tonës e asaj Perëndimore. Diçka të tillë ka bërë Edi Rama kur është rrekur të përshkruajë mes një sarkazme mizore kontaktin e parë me kufirin Shqipëri-Greqi në "Lule shqipo, lule djalë", të botuar në një nga numrat e revistës "Përpjekja". Është shumë argëtuese ta lexosh atë shkrim, në të cilin, duke përjashtuar edhe fantazinë e Ramës, kemi të bëjmë thjesht e vetëm me një përvojë në fund të fundit.


Por ballafaqimi i parë është një gjë dhe ballafaqimi i mëpastajmë e i vazhdueshëm është një gjë tjetër. Me këtë të dytin merret Lubonja në esenë që përmenda më sipër, me anë të së cilës ai ndjek ndryshimin e perceptimit mbi perëndimin, që është në të njëjtën kohë edhe ndryshimi ynë. Këto vite gjithsekush, paralelisht me ndryshimin e perceptimit mbi Perëndimin (që nuk ka ardhur vetëm nga zhgënjimi prej një lindori të përçmuar, por edhe prej një kapaciteti të shëndetshëm kritik), duhet të ketë arritur në konkluzionin (këtë herë edhe në sajë të një kapaciteti autokritik), sipas të cilit, ne shqiptarët, jemi vendosmërisht e qëndrueshmërisht lindorë. Edhe njerëzit më të kënduar e më të gdhendur, ata që aklimatizimin në një realitet perëndimor e kanë konsideruar si gjënë më pak problematike, me t'u ndeshur për herë të parë me të, e kanë kuptuar se nuk ishin tamam në terrenin e tyre, e kanë kuptuar se do t'u duhej kohë për të vendosur një lloj familjariteti e për të krijuar një klimë mirëkuptimi me këtë realitet. E kush nga ne mund të mburret se në kontaktet e para me perëndimorët nuk ka dekonspiruar në asnjë rast edhe/ose nacionalizmin primitiv, edhe/ose konceptimin macho-ist të raportit midis sekseve, edhe/ose një frymë skarco autokritike, edhe/ose një mburravecëri provinciale, edhe/ose gatishmërinë për vetëgjyqësi, edhe/ose natyrën tonë transgresive, edhe/ose paragjykime të përftuara në botën tonë patriarkale e të bartura pavetëdijshmërisht kudo? Sigurisht, e kam fjalën për vizionin mbi botën, sepse në një plan tjetër, ndonjë inxhinier, diplomat, gazetar, studiues, artist apo edhe shkrimtar shqiptar, nuk kanë munguar të dëshmojnë zotësinë e integritetin e tyre, le të themi, profesional. Por njeriu i talentuar dhe njeriu që ndjek hap pas hapi qytetërimin, nuk është e thënë të jenë e njëjta gjë. Unë po flas për këtë të dytin.


Dhjetë vjet pas rënies së komunizmit, gjenden sa të duash shqiptarë, që e kanë krijuar më në fund atë mirëkuptim me Perëndimin. Disa prej tyre nuk kanë lënë rast pa e dëshmuar këtë edhe në jetën e tyre të përditshme, edhe në jetën e debatin publik të këtushëm. Por këta të fundit janë pak. Jeta e hapësira publike është e pushtuar nga përfaqësues besnikë të një mentaliteti lindor, të cilët, për ironi të gjërave, ngrenë zërin më shumë se kushdo për kauzën perëndimore, për integrimin në Europë. Këta paladinë të Orientit, pasi kanë nuhatur që kauza e Oksidentit është një kauzë në modë, ua kanë vjedhur këtë kauzë paladinëve të vërtetë të oksidentit në Shqipëri dhe nuk i lënë këta të fundit të pipëtijnë. Pikërisht kjo është njëra nga bufonadat e shumta që konsumohet në Shqipërinë e fillimit të këtij shekulli, e cila vazhdon të tërhiqet zvarrë prej mendësive lindore.



Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 20 Maj 2005 03:49
Fajtori nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Fajtori Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Fajtori (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė Fajtori't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: Fajtori Shto Fajtori nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Fajtori nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Fajtori
Apo jo?

Regjistruar: 11/06/2002
Vendbanimi: Europe
Mesazhe: 10706




Jemi shoqëri klanore


Çfarë bie në sy menjëherë është fakti që shoqëria shqiptare është një shoqëri klanore. Klani është institucioni më i vjetër në Shqipëri, i cili ka rivalizuar me çdo ideologji kombëtare, me çdo dogmë fetare, me çdo ideal kulturor. Nëse do të na duhej të shpjegonim fatin e shqiptarëve nëpër histori me sa më pak elementë, nuk do të bënim gabim të ndaleshim edhe te kjo lidhje patologjike e shqiptarëve me klanin, të cilit i përkasin apo të cilin përfaqësojnë. Është e vërtetë që përgjërimi për klanin, ashtu si edhe shumë "tabiate" të tjera, një pjesë të të cilave do t'i rreshtoj më poshtë, nuk janë thjesht shqiptare; janë ballkanike. Por ama, që janë edhe shqiptare nuk mund të mohohet. Përsiatja duhet të vijojë.


"Yti mishin ta ha, por. kockën ta ruan" është një thënie e vjetër shqiptare, prapa formës kanibaleske të së cilës fshihen, së pari raportet e egra njerëzore (mishin në fund të fundit, edhe brenda klanit mund të ta hanë), së dyti e së shumti, dyshimi total te ata që s'i përkasin klanit. "Gjaku s'bëhet ujë" është një thënie tjetër e lashtë që ka rregulluar e kushtëzuar sistematikisht sjelljen publike të shqiptarëve dhe raportin e tyre me komunitetin. Kjo do të thotë se në gjithë aksionin njerëzor, meraku bazë nuk është fati i komunitetit, por gjaku që nuk duhet të bëhet ujë ose, thënë ndryshe, klani që nuk duhet të tradhëtohet. Kjo do të thotë më tej se, mbi çdo ndërgjegje kolektive, mbi çdo ideal, mbi çdo interes publik, kolektiv, shtetëror e kombëtar vihet interesi i klanit. Është i vetmi interes që prodhon solidaritet, që mobilizon njerëz, që i nxjerr ata nëpër sheshe, që i motivon për të protestuar, për të qenë të dhunshëm, për të sfiduar shtetin, institucionet, ligjin. Kjo ka bërë që një funksion publik të shihet prore si mjet për të favorizuar klanin. Është një mendësi tragjikisht e përligjshme nga shumëkush, aq sa të qëllon shpesh të dëgjosh të thonë për një funksionar publik: nëse s'mendon për vete e për të vetët, nuk mund të mendojë për ne të tjerët.


Realiteti politik i këtushëm dhe sjellja politike e një pjese të madhe të popullsisë janë të kushtëzuara në mënyrë dramatike nga mendësitë klanore. Në disa parti, kreu i tyre, më shumë se sa udhëheqës, është kapo, prijës, figurë e padiskutueshme dhe e pakundërshtueshme. Votimi i herë pas hershëm për zgjedhjen e kryetarit të partisë nuk bëhet për ta ndëshkuar atë pas një dështimi, por për ta rikonfirmuar e për t'i shprehur solidaritet në çdo rrethanë. Ata që shfrytëzojnë dështimin e partisë në një garë elektorale për t'iu kundërvënë kryetarit, marrin menjëherë damkën "tradhëtar" e "i shitur". Ata që, në emër të interesave të të gjithë komunitetit, i kërkojnë kryetarit të komunikojë, të dialogojë e të bëjë kompromise me kundërshtarët politikë, konsiderohen frikacakë e zemërpulë. Kompromisi me kundërshtarin është një gjest i turpshëm, është shenjë dobësie, është një korrupsion moral i patolerueshëm. Vetëm gjëmat kolektive, ato lloj gjëmash që rrezikojnë edhe ekzistencën e vetë klaneve (nënkupto partive), mund të shërbejnë si përligjje e gatishmërisë "lapërdhare" për kompromisin e orës së fundit, i cili në të vërtetë më shumë ngjan me fundin natyror të një lufte sesa me një kompromis; njëra palë del krejt e humbur dhe tjetra krejt e fituar. Viti '97 e dëshmoi këtë.



Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 22 Maj 2005 20:19
Fajtori nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Fajtori Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Fajtori (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė Fajtori't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: Fajtori Shto Fajtori nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Fajtori nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 23:18 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
Gjithsej 3 faqe: [1] 2 3 »   Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Politika Shqiptare > Analiza > Europa: destinacioni X (eseja e Mustafa Nanos qe fitoi ēmimin e pare)

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.