Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqërore > Ekonomia dhe Biznesi > Prodhimi > Bisedë me lexuesin për depozitat e Vlorës
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër
Autori
Titulli Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
edzaloshnja
Anetar i regjistruar

Regjistruar: 30/09/2003
Vendbanimi: SHBA
Mesazhe: 83

Bisedë me lexuesin për depozitat e Vlorës

Nga EDUARD ZALOSHNJA

(botuar ne gazeten Biznesi - www.biznesi.com.al)

Lexues i nderuar, gjatë 12 vjetëve në kurbet, lajmet mbi investimet e huaja në Shqipëri i kam ndjekur me intersim të veçantë, sepse, si ekonomist që jam, e di që niveli i tyre shërben si një barometër i mirë për progresin ekonomik të vendeve në zhvillim. Por që të jem plotësisht i sinqertë me ty, ndërkohë që më ka gëzuar çdo lajm rreth investimeve të tilla, nuk më kanë munguar edhe shqetësimet. Sepse në vende të varfëra si mëmëdheu ynë, i nderuar lexues, ndonjëherë, llogaritë personale të politikanëve luajnë rol jo të vogël në vendimet për to.

Dhe meqë më është bërë si huq të shkruaj ndonjë artikull sa herë kam shqetësime për mbarëvjatjen e mëmëdheut, shqetësimet rreth investimeve të huaja më kanë bërë shpesh të ulem para kompjuterit për t’i adresuar ato. Por, në mungesë të informacioneve të plota, nuk më ka bërë dora të shkruaj gjë. Ose që ta them në mënyrë më figurative, ndjenja e profesionalizmit ka dalë fitimtare në betejën me hamendjet e këqia rreth motiveve që i kanë shtyrë politikanët tanë t’i aprovojnë ato investime.

Siç ndoshta e vure re dhe vetë, lexues i nderuar, foljet në fjalinë paraardhëse ishin në kohën e shkuar. Dhe kjo jo pa qëllim. Sepse profesionalizmi im, fitimtar deri vonë, nuk arriti t'i sfidojë hamendjet e këqia pasi lexova lajmet rreth konçesionit që Nano do t’i japë një kompanie italiane për ndërtimin e depozitave të karburantit në portin e Vlorës. Kjo është edhe arsyeja, i nderuar lexues, pse vendosa të bëj këtë bisedë me ty.

Dhe tani, pasi të bëra këtë hyrje të gjatë apologjetike (për ta bërë të qartë se ç’do të them më tej bazohet më shumë në hamendje se në fakte), më lejo të ndaj hapur me ty shqetësimet e mija rreth kësaj inisiative të fundit të Nanos.

Së pari, a nuk të duket pak e çuditshme që për këtë projekt të rëndësishëm nuk kishim dëgjuar asnjë fjalë përpara se qeveria të dërgonte në parlament projektligjin rreth tij? A nuk mendon edhe ti si unë se do të kishte qënë më mirë që ideja e projektit të ishte bërë publike me kohë, në mënyrë që të tërhiqeshin edhe investitorë të tjerë të gatshëm për të konkuruar në tender për të drejtën e marrjes së konçensionit? Po? Pra ti je në një mendje me mua në lidhje me nevojën e zhvillimit të tenderit? Bukur fort! Atëhere na ngelet të hamendësojmë pse Nano i ra kaq shkurt kësaj pune.

Mua një mendje më thotë se nuk do të ketë qënë nxitimi për të stimuluar sa më shpejt ekonominë. Sepse po ta gjykosh nga përfitimet që do të kenë Vlora e Shqipëria nga njëra anë, dhe kompania italiane nga ana tjetër, del që të parat fitojnë shumë pak në krahasim me të dytën. Kështu, kompanisë italiane do t'i jepet toka falas; do t'i falen taksat doganore e tatimet për çdo material investimi; do të jetë e çliruar nga detyrimi për të riinvestuar fitimet në Vlorë ose gjetkë në Shqipëri; do t'i sigurohet monopoli i depozitimit të karburanteve në atë port për 30 vjet; dhe toka e depozitat do t'i ngelen pronë e përjetshme pas 30 vjetësh. Ndërsa Vlorës e Shqipërisë do t'i ngelet vetëm një strukturë portuale që ndoshta duhet rindërtuar nga e para në vitin 2034.

Pra, pasi i thamë këto gjëra, cila mendon ti, lexues i nderuar, se mund të ketë qënë arsyeja e nxitimit të madh të Nanos? Mos po mendon edhe ti atë që mendoj unë? Ë? Mos po mendon se ndonjë para nën dorë mund të ketë lëvizur ose do të lëvizë së shpejti? Sepse të dy ne kemi kohë që dëgjojmë ca gojë të liga të thonë se Kryeministrit tonë çoku i ngjit pak dora…

Por nejse, le të supozojmë për një moment se një gjë e tillë, qoftë larg, s'ka ndodhur e s'do të ndodhë kurrë. Pra, le të supozojmë që Nano thjesht mendoi se dhënia e konçensionit pa tender kompanisë italiane ishte në të mirë të Vlorës e Shqipërisë, dhe se asnjë pazarllëk i fëlliqur nuk fshihet pas nxitimit të tij.

Një pyetje tjetër që të vjen në mendje sapo e bën këtë presupozim lidhet me faktin që pse ky konçension nuk iu ofrua një grupi biznesi shqiptar. Sepse po të kishte qënë një grup shqiptar në vend të kompanisë italiane, të paktën, prona do të ngelej përjetë shqiptare dhe fitimet do të riinvestoheshin në Shqipëri. Që do të thoshte se biznesi vendas do të fuqizohej dhe, si rrjedhim, do të shtohej potenciali i tij për të hapur vende të reja pune.

Këtu po e ndërpres për një sekondë argumentimin tim i nderuar lexues sepse po më duket sikur ti po përtypesh. Mos nuk je i të njëjtit mendim me mua në lidhje me biznesin shqiptar? Ë? S'po të vjen zëri… Çfarë? Ti mendon se biznesit tonë i mungon eksperienca në ndërtimin e depozitave të karburantit? Për këtë ke mëse të drejtë. Por mos harro ama se firmat shqiptare mund të punësojnë ekspertë të huaj për të njëjtën rrogë që i paguan kompania italiane ekspertët e vet… Ndërkohë, edhe ekspertë shqiptarë mund të gjehen.

Më duket se prapë po përtypesh, i nderur lexues… Mos po mendon për gojët e liga që do të fillonin të flisnin për lidhjet e shkurtra midis Nanos e grupit shqiptar që do të merrte konçensionin e depozitave të Vlorës? Hëm…edhe këtu ke një farë të drejte, por prapë nuk duhet të harrosh se nëpër këto negociatat me bizneset e huaja, jo rrallë qëllon të jetë ndonjë shqiptar si sekser midis qeverisë dhe investitorit. Dhe mos harro gjithashtu se gojët e liga kanë përfolur edhe disa të huaj si mitëdhënës…

Apo mos po mendon se biznesmentët shqiptarë nuk kanë këllqe të bëjnë një investim 30 milion euro? Këtu të siguroj që je gabim. Sepse një investim i kësaj magnitude, i shtrirë gradualisht përgjatë 30 vjetëve, është, siç thoshim kur ishim fëmijë, bukë e djathë për shumë biznese shqiptare. Madje, në vetë qeverinë e Nanos, ka biznesmenë që kanë deklaruar publikisht se kanë një pasuri mbi 30 milionë euro. Pra edhe kjo arsye bie.

Hë, si thua tani, ta mbusha mendjen për biznesin shqiptar? Po? Bukur fare! Atëhere dëgjo ç'mendoj unë rreth arsyes pse Nano nuk ia dha konçensionin e depozitave të Vlorës një grupi vendas.

Duke presupozuar që ndonjë para nën dorë s'ka lëvizur ose s'do të lëvizë së shpejti nga italianët, ngelet që Nano ta ketë bërë këtë gjë për arsye politike. Sepse siç mund ta kesh vënë re edhe ti, ai ka shumë dëshirë t'iu demonstrojë shqiptarëve që ka mbështetjen e Italisë dhe Amerikës. Dhe për të realizuar këtë, bën të pamundurën që të sjellë sa më shumë investime italiane e amerikane në Shqipëri. Madje, ai shkon deri atje sa të paraqesë ndonjë projekt të financuar nga shteti shqiptar si investim amerikan apo italian.

Për çfarë projekti e kam fjalën? Hej, i nderuar lexues, mos bëj sikur nuk kupton. Apo me të vertetë nuk të ka rënë rasti të dëgjosh për atë linjën e trenit modern Tiranë-Rinas-Durrës që do të ndërtojë filiali italian i General Electric? Por nejse, le të mos e tjerrim gjatë këtë meselenë e trenit. Sepse po të duash informacione rreth saj, mund të gjesh me bollëk në faqen e internetit të Ilir Metës (www.ilirmeta.com).

Pra le t'iu kthehemi depozitave të Vlorës. Duke përmbledhur ç'kemi thënë deri tani për to, na rezulton se Nano duhej të kishte shpallur një tender, në mënyrë që kontratën ta fitonte kompania që do të ofronte kushte sa më të favorshme për Vlorën dhe Shqipërinë. Gjithashtu, na rezulton se ai mund të kishte nxitur biznesin shqiptar ta merrte përsipër atë projekt, në mënyrë që në portin e Vlorës të mos ndodhë ajo që ka ndodhur në portin e Durrësit me depozitat greke. Me pak fjalë, na rezulton se, në rastin më të mirë, Nano është gabim në lidhje me këtë projekt, dhe në rastin më të keq, mund të jetë fajtor.

Pasi arritëm në këto konkluzione, i nderuar lexues, pyetja është se ç'na ngelet ne të dyve të bëjmë. Për mua, përgjigjia është e thjeshtë - jo shumë. Ndërsa ti ndoshta mund të bësh diçka. P.sh., në qoftë se je PS-ist, mund të përpiqesh t'ua mbushësh mendjen shokëve të tu që të dërgoni një peticion në parti a parlament rreth kësaj çështje. Ose mund t'ua mbushësh mendjen shokëve që të dilni në përkrahje të hapur të kundërshtarëve socialistë të Nanos. Ose, po s'bëre asnjë nga të dyja, mund ta mbash në xhep pakënaqsinë rreth depozitave të Vlorës për ndonjë moment kur vota jote do t'i duhet kryetarit.

Dhe po të jesh PD-ist, i nderuar lexues, mund të përpiqesh të ndikosh sadopak që ajo partia jote të reformohet deri në atë masë sa të jetë e aftë të fitojë më së fundi një palë zgjedhje. Ndërsa po të jesh MJAFT-ist, mund t'i kërkosh udhëheqësve të tu të bëjnë ndonjë peticion, apo ndonjë deklaratë shtypi, apo, më mirë akoma, ndonjë nga ato protestat e lezeçme që vetëm ata dinë të bëjnë. Dhe së fundi, po të jesh thjesht menefregist, mund të bësh përpjekje të heqësh nga mendja idenë se zëri yt nuk ka vlerë. Sepse po menduan edhe shumë të tjerë si ti, zëri juaj me të vërtetë nuk do të ketë vlerë.

__________________
Mos i bej te tjereve ate qe nuk deshiron ta bejne te tjeret ty!

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetër 18 Maj 2004 19:24
edzaloshnja nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të edzaloshnja Kliko këtu për të kontaktuar me edzaloshnja (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale të edzaloshnja't! Kërko mesazhe të tjera nga: edzaloshnja Shto edzaloshnja në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto edzaloshnja në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 01:31 Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër

Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqërore > Ekonomia dhe Biznesi > Prodhimi > Bisedë me lexuesin për depozitat e Vlorës

Përgatit Këtë Faqe Për Printim | Dërgoje Me Email | Abonohu Në Këtë Temë

Vlerëso këtë temë:

Mundësitë e Nën-Forumit:
Nuk mund të hapni tema
Nuk mund ti përgjigjeni temave
Nuk mund të bashkangjisni file
Nuk mund të modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML nuk lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko për tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.