myzeqari
daddy
Regjistruar: 13/10/2004
Vendbanimi: England
Mesazhe: 2498
|
Luftar Paja: Si ika në drejtim të paditur
Talentin tim e zbuloi një shofer nga Patosi, i cili luante në estradat diletante
Mjeshtrin e humorit shqiptar, Artistin e Popullit, Luftar Paja, ka vite që e kanë fiksuar dhe e ndjekin të gjithë në interpertimet skenike teatrore dhe filmike. Ka krijuar tipa e karaktere, ku është bërë mjaft i besueshëm dhe i veçantë për artdashësit tanë. Detajet artistike, humorin e hollë, si dhe satira e mprehtë përshkon personazhet e tij.
Artisti Paja është i vërtetë, sepse luan me një realizëm jo të ngjizur, një realizëm që ai e bie në skenë të ngritur në art. Portreti psikofizik dhe fjala e tij të bën për vete, jo vetëm në skenë, por dhe në mjedise shoqërore. Shpesh herë dashamirësit e artit e thërrasin në emrin e personazheve që ka interpertuar, sepse ai është njësuar me personazhet. Mjeshtri i humorit, Artisti i Popullit, Luftar Paja lindi më 1 dhjetor të vitit 1941 në Gorishov të Fierit. Ka interpertuar mbi 300 role, ku personifikon mjaft tipa e karaktere. Ka marrë pjesë në 15 filma. Humorin e gjen mes popullit e satirën e ka në majë të gjuhës. Ka interpertuar mjaft pjesë, ku ka spikatur tek Çobo Rrapushi, Këtu paska konita, Telefoni i prishur, Lufta e ngatërruar, Çeçoja, Tetë persona plus, etj. Ja çna tha ai dje, për lexuesit tanë.
Nga e ka burimin humori i Luftar Pajës?
Në përgjithësi pjesëtarët e familjes time njihen si njerëz me humor. Që nga gjyshi, por dhe babai kishte një humor të pëlqyeshëm në fshat. Edhe nëna kishte humor. E pyesin një herë nënën se si e ka nisur Luftari këtë estradën
. E, ajo u thotë: Oi, o u keqen nëna
si e nisi, ashtu e bitisi, rrënga dënga
me ca këmborë e ca zile
. Humorin në drejtim të punës time e gjej në popull. Që të bësh humor, është e vështirë, sepse halli im është komedia jote. Nëqoftëse nuk do të gërmosh për personazhin që do të luash në skenë, do të mbetesh i thatë. Unë kam vrojtuar shumë tipa e peronazhe që kanë ekzistuar dhe kam marrë atë që më ka interesuar. Kështu tek Konitat mora mënyrën se si lëvizë këmbët, tek një tjetër mënyrën se si dredh duhanin, tek një tjetër se si lëviz kokën. E kështu, ca e nga ca, i bëj kostumin vetes sime
Një gamë të gjërë rolesh në filma dhe në teatër, kush nga këta ju ka lodhur më shumë?
Me ka lodhur më shumë Çobo Rrapushi, sepse për atë rol mora rrugën për në Smokthinë, që është në zëmër të Labërisë të Vlorës. Qëndrova gati një muaj tek miqtë e mi, mes fshatarëve të kësaj krahine, ku ishin shumë mikpritës. Po dhe role të tilla tek Këtu paska konita, Luftë e ngatërruar. Ndërsa në filmin Gunat për mbi tela, Ëndërr për një karrike, Gurët e shtëpisë time, Këshilltarët, Gjeneral gramafoni, etj.
Para pak kohësh ishe në qytetin e Korçës, ku ke interpertuar në komedinë e autorit grek, Dhimitër Psaha, tek Hajdutët ikën në drejtim të paditur, pak fjalë për komedinë dhe rolin tuaj?
Komedia Hajdutët ikën në drejtim të paditur shtjellon problemet që ka pasur Greqia në vitet 1975, ku ne këto probleme i kemi dhe sot. Në qendër të kësaj komedie është korrupsioni, që shkon deri në institucionet më të larta. Unë isha në rolin e një gjenerali në ushtri, që më vonë bëhet ministër dhe ka të zhvilluar shumë nepotizmin në Ministri. Në fund të komedisë, gjenerali thotë: Këta vjedhin dhe parat i shpërdorojnë me dashnoret e tyre, ndërsa unë i shpërdoroj me gruan time. Njëlloj shoqërie e pakontrolluar, vidh të vjedhim, derisa ju del boja. Komedia u prit mirë në takimin e teatrove në Fier, ku u rendit pas Teatrit Kombëtar.
More titullin e lartë Artist i Popullit, si e prite këtë vlerësim?
Çdo njeri ndjen një diçka të veçantë, kur i vlerësohet puna. E quaj një eveniment të rrallë në punën time. Ishte viti 1990, kur mora këtë titull.
Dhe vjen një ditë, kur artisti ecën drejt majave të suksesit, por përsëri kujton fillesën drejt rrugës së artit?
Që të arrish majat, duhet ta zësh nga rrënjët, sepse nuk i hipën nga majat, por hipën nga poshtë e ngjitesh lart. Për të arritur tek maja, duhet të grisësh pantallonat. Artisti bën një rrugë të mundimshme, nëqoftëse pretendon të arrijë diçka. Kjo nuk ka qënë e lehtë, por ka qënë dashuria e atyre njerëzve që më kanë përkrahur. Kam lëvizur në shumë qytete, sepse babanë e kam pasur oficer. Por, në Patos më 1949 njoha një shofer. Ndreka e quanin, burrë zotni, i cili luante në estradë e bënte një humor të këndshëm. Ai më aktivizoi. Mbarova shkollën teknike e më vonë një kurs të aktrimit pranë Teatrit Popullor, ku kam pasur pedagog Andrea Malon e Pjetër Gjokën. Më 1968 fillova punën në estradën e qytetit të Fierit. Kam punuar me aktorë të mirë si Nestor Pogaçen, por dhe me regjisorin e mirënjohur Pëllumb Kulla. Estrada e Fierit u cilësua Estrada shkollë në Republikë. Në Tiranë erdha më 1993, ku fillova në Teatrin Kombëtar, ku kam luajtur në katër premiera, si Tetë persona plus, Inspektori, por dhe tek Oportunesku, Lezeti i kolltukut dhe i krevatit etj.
Në cilin rol e ke ndier veten të lumtur?
Në rolin e Çobo Rrapushit
Cili nga regjisorët, po dhe nga aktorët shqiptarë është i preferuari yt?
Piro Mani, Kujtim Spahivogli, ku kam pasur respekt për të. Nga aktorët, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, aktor i dramës dhe i komedisë, por dhe për më të rinjtë si Robert Ndrenika, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Yllka Mujo, etj
Po nga regjisorët apo aktorët botërorë?
Kam respekt për regjisorin italian Felinin, më pëlqen loja e Marlon Brandos dhe aktori italian Totoja, i cili ishte mjeshtër i komedisë, por dhe Gregory Peck si dhe Anthony Quinn tek Plaku dhe deti.
Sikur ta filloje dhe një herë jetën nga fillimi, çdo të ndryshoje?
Të bëhesha dhe një herë nuse, pa do të dija si të nusëroja
Si e kalon kohën e lirë?
Kohën se kam shumë të organizuar, por me miq e me shokë, me shoqëri produktive.
Fëmijët a e kanë pasion artin?
Djali i madh kishte të dhëna, por erdhi koha e trazicionit dhe iku në Greqi. Ndërsa djali tjetër, Gazmendi, vazhdon shkollën e aktrimit, po është aktivizuar qysh pesë vjeç.
Tani e më pas, cilat janë pikësynimet tuja?
Mendoj të aktivizohem në një komedi në Fier, por dhe në një film. Edhe në Greqi më kanë ftuar për një komedi, ku do të japin shfaqje për emigrantët. Kurdo që të më thërrasin regjisorët, jam i gatshëm. Jeta ime është arti e pranë tij ndihem përherë i ri.
__________________
Ja fute kot
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|