Klodel
.
Regjistruar: 10/01/2003
Vendbanimi: .
Mesazhe: 5233
|
Lufta e Gjirit:1991
PUSHTIMI I KUVAJTIT 2 gusht 1990
Në ora 0200 sipas kohës lokale, forcat irakiane kaluan kufirin, hynë në Kuvajt dhe morën kontrollin e Kuvajt Sitit.
Forcat ushtarake të Kuvajtit, shtet i pasur me naftë në Gjirin Persik, të vogla në krahasim me ato të Irakut, u mundën me shpejtësi.
Sunduesi i Kuvajtit, sheiku Xhaber al-Ahmed al-Sabah, iku në ekzil në Arabinë Saudite.
Sadam Huseini pretendoi se pushtimi irakian ishte në mbështetje të një kryengritjeje të planifikuar kundër Emirit, por vrasjet dhe abuzimet e qytetarëve të Kuvajtit që rezistonin pushtimin ishin të shumta.
Disa qindra shtetas të huaj u ndaluan si mburojë njerëzore në uzina dhe baza ushtarake të Irakut dhe Kuvajtit, por u liruan para fillimit të fushatës së aleatëve kundër Irakut.
Pushtimi ndodhi në kohën kur Iraku ishte në krizë ekonomike që buronte nga borxhi i pas-luftës.
Sadam Huseini akuzoi Kuvajtin se po i mbante të ulta çmimet e naftës dhe se, nga fushat e përbashkëta të naftës të të dy vendeve, po prodhonte më shumë se sa kuotat e caktuara për të.
Iraku kurrë nuk i ka pranuar kufijt e caktuar nga Britania, me të cilët u krijua Kuvajti si entitet i veçantë.
Kur Kuvajti refuzoi t'i anulonte borxhet e luftës së Irakut, Sadam Huseini ndërmori pushtimin.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi sanksione ekonomike dhe miratoi një varg rezolutash me të cilat dënonte Irakun.
U krijua një koalicion ndërkombëtar dhe në rajon u përqëndruan qindra mija trupa. SHBA hartoi një plan lufte, me në krye gjeneralin Norman Schwarzkopf, kryekomandant i Komandës Qendrore amerikane.
Në nëntor 1990, pasi u braktisën përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës, OKB-ja i caktoi Irakut një afat për tërheqje nga Kuvajti dhe autorizoi përdorimin e "të gjitha mjeteve" për të detyruar Irakun që të respektoi këtë.
STUHIA E SHKRETËTIRËS JANAR - SHKURT 1991
Më 17 janar 1991 avionët e SHBA-së, Britanisë dhe të aleatëve nisën një fushatë masive sulmesh ajrore me raketa dhe bomba
Presidenti Bush i vjetri deklaroi: "Ne nuk do të dështojmë.
Sadam Huseini njoftoi: "Ka filluar beteja e betejave."
Ishte hera e parë që në një luftë u përdorën raketat Kruiz, të cilat u lëshuan nga luftanijet amerikane.
Pamje të xhiruara në ajër bashkë me raketa, në trajektoren e tyre drejt objektivave, u trasmetuan në të gjitha vendet e botës.
Avionët luftarakë, bombarduesit dhe helikopterët amerikanë, britanikë dhe saudit u nisën për të shkatërruar qindra objektiva.
Në shënjestër ishin marrë zyra dhe aeroporte e deri tek ura e ndërtesa qeveritare, nga qendra të komunikimit e deri tek termocentrale.
Avionët e aleatëve bënë më shumë se 116 mijë fluturime gjatë gjashtë javëve dhe hodhën më shumë se 85 mijë tonë bomba.
Rreth 10 për qind e të ashtuquajturave 'bomba inteligjente', u drejtuan nga drita lazer të lëshuara nga një avion i dytë.
RAKETAT SKUD JANAR - SHKURT 1991
Ditën e enjte më 17 janar, Iraku ndërmori sulmin e parë me raketa Skud kundër Izrealit në Tel Aviv dhe Haifë.
Një tjetër raketë Skud lëshuar kundër forcave amerikane në Arabinë Saudite u rrëzua nga një raketë amerikane Patriot - i pari asgjësim në ajër i këtij lloji.
Forcat aleate bënë përpjekje të gjenin dhe ti shkatërronin raketat Skud
Izraeli nga ana e tij tha se nuk do të kundërpërgjigjej, duke u mbështetur në bateritë me raketa Patriot që u vendosën në territorin e tij.
Shtetet e Bashkuara nisën një aksion për të gjetur dhe asgjësuar raketat Skud që lëshoheshin nga Iraku në një kohë që ky i fundit i kishte shtuar sulmet kundër të dyja vendeve.
Sulmi më shkatërrues ndodhi më 25 shkurt, gjatë një beteje në tokë, kur një raketë Skud goditi bazën amerikane në Dhahran në Arabinë Saubite, duke vrarë 28 amerikanë.
Gjithsejt 39 raketa Skud u lëshuan kundër Izraelit, duke shkaktuar dëme, por shumë pak viktima.
DËMET NË CIVILË JANAR-SHKURT 1991
Numri i viktimave civile, të quajtura nga zyrtarët amerikanë dëme anësore, u shtua ndërsa forcat aleate vazhduan ndërmarrjen e dhjetëra mija fluturimeve ajrore.
Refugjatë të frikësuar mbërrinin në kufi me Jordaninë dhe njoftonin për vrasje të civilëve dhe për ndërprerje të ujit dhe të energjisë elektrike në Bagdad.
Debatet shpërthyen pas shkatërrimit të një fabrike për të cilën Iraku tha se prodhonte qumësht për fëmijët.
Shefi i Shtabit të ushtrisë amerikane, Kolin Pauell, tha se Amerika ishte e sigurtë se fabrika prodhonte armë biologjike.
Të mërkurën e 13 shkurtit, një aeroplan amerikan "stealth" hodhi dy bomba me lazer kundër një objektivi për të cilin amerikanët ishin të sigurtë se ishte një qendër e rëndësishme komande.
Por doli se ajo ishte një bunker i përdorur nga civilët irakianë për t'u mbrojtur nga sulmet ajrore. Të paktën 315 vetë u vranë, mes të cilëve edhe 130 fëmijë.
Ndërkohë, Sadam Huseini i shfrytëzonte për efekte propagandistike gabimet e aleatëve dhe vendosi civilë kuvajtjanë si mburoja njerëzore në qendra kryesore ushtarake dhe industriale në Irak.
LUFTA TOKËSORE 24 - 28 SHKURT 1991
Të dielën e 24 shkurtit 1991, forcat aleate filluan një sulm të përgjithshëm, tokësor, ajror dhe detar dhe brenda 100 orësh e shpartalluan ushtrinë irakiane.
Një ditë më parë, Iraku nuk iu bind ultimatumit për t'u tërhequr dhe i kishte vënë flakën qindra puseve kuvajtjane të naftës.
Trupat aleate hynë në Irak nga disa pika përgjatë kufirit arabo-saudit. Qindra tanke u drejtuan me shpejtësi drejt pozicioneve të Gardës Republikane irakiane..
Forca të tjera morën nën kontroll rrugën që lidhte Basrën me Kuvajtin dhe ndërprenë linjat e furnizimit të trupave irakiane. Ndërkohë, trupa të udhëhequra nga sauditët hynë në Kuvajt.
Më 26 shkurt, Iraku deklaroi se po tërhiqte forcat nga Kuvajti, por sërish refuzoi të pranonte zbatimin e të gjitha rezolutave të OKB-së të miratuara kundër tij.
Tanke, autoblinda, makina dhe trupa irakiane që në tërheqje e sipër formuan rradhë të gjata në rrugën kryesore që lidhte Kuvajtin me qytetin jugor Basra.
Forcat aleate e bombarduan autokolonën irakiane. Mijra trupa u vranë në makinat e tyre dhe rruga u quajt "Rruga e Vdekjes".
Vlerësohet se vetëm gjatë fushatës tokësore u vranë 25,000 deri në 30,000 irakianë.
ARMËPUSHIMI IRAKIAN 28 SHKURT 1991
Më 27 shkurt 1991, kuvajtjanët mirëpritën autokolonat e trupave aleate.
Fillimisht u futën forcat speciale që u pasuan nga trupat kuvajtjane dhe nga marinsat amerikanë.
Në orën 2100 sipas orës së Shteteve të Bashkuara, Presidenti George Bush deklaroi se duke filluar nga ora 0400 e mëngjesit do të vendosej armëpushim.
Kuvajtjanët i mirëpritën forcat aleate
Ndërkohë, forcat aleate në Irak kishin kapur rob mijëra ushtarë irakianë.
Shumë prej tyre ishin të uritur, të lodhur e të demoralizuar dhe u dorëzuan pa shumë rezistencë. SHBA vlerëson se rreth 150,000 ushtarë irakianë dezertuan.
Nga forcat aleate u vranë në betejë 148 ushtarë dhe 145 të tjerë vdiqën për arsye që u cilësuan "jo në betejë".
Ushtria irakiane vlerësohet se humbi nga 60,000 në 200,000 ushtarë. Shumë kufoma irakianësh u varrosën në varre masive në shkretëtirë.
Më 2 mars Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë ku përcaktoheshin kushtet e armëpushimit.
Irakut i kërkohej të ndalonte të gjitha veprimet ushtarake, të hiqte dorë nga aneksimi i Kuvajtit, të bënte publike të dhëna për armët kimike dhe biologjike që kishte, të lironte të burgosurit dhe robërit ndërkombëtarë të luftës dhe të merrte përgjegjësi për dëmet dhe viktimat e shkaktuara gjatë pushtimit të Kuvajtit.
Një ditë më pas, ushtarakët irakianë i pranuan kushtet e armëpushimit në një takim zyrtar me udhëheqësit ushtarakë amerikanë në një çadër në bazën ushtarake të pushtuar në Safwan.
Sadam Huseini nuk mori pjesë.
__________________
It takes just as much courage to express your love when it's right, as it does to walk away when it's wrong.
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|