Tulipani
< ArtHolic >
Regjistruar: 12/01/2007
Vendbanimi: Secret Garden
Mesazhe: 4717
|
Pellgu ujëmbledhës dhe vetëpastrimi i ujërave
Sipas Stanners et Bourdeau (1995) rrjedhjet e lumenjve përbëjnë burimet kryesore të ujërave të ëmbla. Është e qartë se të gjithë këta ndikohen shumë prej pellgut ujëmbledhës, klimës, shkëmbit amnor dhe tipit të tokës. Kjo e fundit ndikon në përmbajtjen e lëndëve minerale në ujëra. Aktiviteti i njeriut në këto sisteme ndikon në shumë mënyra, si p.sh. me anë të pyllëzimeve ose shpyllëzimeve, urbanizimit, zhvillimit bujqësor, sistemit të tokës, shkarkimit të ndotësve, sistemit të rrjedhjes etj. Theksojmë se liqenet, ujëmbledhësit dhe ligatinat gjatë rrjedhjes së lumenjve zbusin luhatjet e prurjeve dhe ndihmojnë në grumbullimin e lëndëve të transportuara prej tyre; për këtë, është e kuptueshme se cilësia e ujërave gjatë rrjedhës është pasqyrim i qartë i pellgut ujëmbledhës. Nga ana tjetër, kanalizimi i lumenjve ul dukshëm aftësinë e tyre vetëpastruese.
Burimi kryesor i ndotësve të mjediseve ujore janë lëndët organike që shkarkohen nga aktivitetet e mësipërme. Shpërbërja e këtyre lëndëve bëhet nga mikroorganizma që popullojnë sipërfaqet e sedimenteve dhe të bimësisë së zhytur (perifiton) në lumenjtë e vegjël, dhe që plluskojnë (plankton) në kolonën e ujit në lumenjtë e thellë. Meqë ky proces harxhon energji, ndotje të rënda çojnë në çoksigjenim të shpejtë të ujërave të lumit.
Lëndët organike në ujëra vijnë nga shkarkimet urbane dhe industriale. Gjatë rrjedhjes, menjëherë pas shkarkimit, kalbëzimi i lëndës organike ul sasinë e oksigjenit dhe shkakton çlirimin e amoniumit, i cili edhe pse vetë nuk është helmues, në varësi të pH dhe temperaturës kthehet në amoniak, i cili është helmues për gjallesat e ujërave. Më tej përqendrimi i lëndëve organike ulet prej hollimit dhe kalbëzimit të vazhdueshëm. Në një farë largësie nga burimi i shkarkimit bëhet oksidimi i amoniumit në nitrat; oksigjeni në ujë rritet nga oksigjeni sipërfaqësor; lëndët organike, oksigjeni dhe amoniumi, arrijnë ngadalë vlerat e rrjedhjes para shkarkimit. Një ecuri e tillë në lumenj quhet vetëpastrim. Aftësia vetëpastruese varet nga sasia e ndotjes dhe nga prurjet dhe tipi i shtratit të lumit.
Në kushte natyrore, lëndët organike vijnë në ujëra nga erozioni i tokës dhe biomasa e vdekur e bimëve dhe kafshëve; këto nuk janë të tretëshme dhe kanë shpërbërje të ngadaltë. Në të kundërt, lëndët organike prej aktivitetit të njeriut janë të tretëshme, të shpërndara uniformisht dhe shumë të kalbëzueshme, duke shkaktuar harxhim të menjëhershëm të oksigjenit në ujë. Me rritjen e dendësisë së banorëve në pellgun ujëmbledhës rritet dhe sasia e lëndëve organike në ujëra si dhe ulet sasia e oksigjenit. Kërkesa biologjike për oksigjen (BOD) është më e ulët se 2 mg/l O2 në basene me më pak se 15 ban orë/km2 , dhe i kalon 5 mg/l O2 në basene me më shumë se 100 banorë/km2 (Stanners et Bourdeau, 1995).
Eutrofikimi natyror dhe kulturor
Rreshjet që bien mbi sipërfaqen e tokës tresin mineralet gjatë depërtimit në tokë. Në zonat e virgjëra përbërja kimike e ujërave varet kryesisht nga dheu i tokës dhe shkëmbi amnor poshtë saj, duke bërë që niveli i ushqyesve të jetë i ulët. Vendbanimet dhe shpyllëzimet shoqëruese, zhvillimi bujqësor dhe urbanizimi e nxisin shumë shplarjen e lëndëve dhe ushqyesëve në lumenj dhe liqene. Një gjë e tillë nxit rritjen e fitoplanktonit, bimëve të tjera ujore dhe me radhë të organizmave të sipërm të zinxhirit ujor ushqyes, ky proces njihet me emrin ’eutrofikim kulturor’. Rritja e biomasës dhe dukuritë shoqëruese të eutrofikimit janë më të zakonshme në liqene dhe zonat bregdetare pranë grykë-derdhjeve të lumenjve. Fosfori dhe azoti janë ushqyes që nxitin këtë prodhim të lartë biologjik (Hallegraeff et al., 1995; Stanners et Bourdeau, 1995).
Pasojat ekologjike të eutrofikimit kulturor, të shkaktuar prej sasive të larta të ushqyesve mund të provokojnë ndryshimin e strukturës biologjike, ku mbizotërues bëhet fitoplanktoni, ujërat bëhen të turbullta, algat blu të gjelbra zhvillohen shumë duke shkaktuar formimin e shkumave dhe helmeve të fuqishme për kafshët dhe njeriun. Kalbëzimi i fitoplanktonit në fund shkakton uljen e oksigjenit në vlera të papranueshme për botën e gjallë. Nivelet e ulëta të oksigjenit shpejtojnë dhe çlirimin e fosforit prej sedimenteve, duke nxitur më tej prodhimin e fitoplanktonit, duke ndikuar në uljen e vlerave përdoruese dhe estetike të ujërave.
Në basene me aktivitet njerëzor të pakët vlerat e fosforit në ujëra janë përgjithësisht më të ulëta se 25 mg P/l , kurse vlera më të larta se 50 mg P/l tregojnë për ndikim të njeriut, p.sh. shkarkim ujërash të zeza ose shpëlarje bujqësore (Stanners et Bourdeau, 1995).
Kur ujërat marrin shkarkime urbane ose shkarkime nga fermat e kafshëve shtëpiake vlerat e amoniumit rriten dhe ato të oksigjenit ulen; në ujërat e ndotur rëndë vlerat e amoniumit mund të rritet nga 1 deri 5 mg N/l, i cili kur kthehet në amoniak mund të shkaktojë ngordhje peshqish dhe kafshësh të tjera ujore.
Aktiviteti i njeriut shkakton edhe rritjen e përmbajtjes së lëndëve kimike në mjediset ujore, sidomos të metaleve të rënda dhe të mikrondotësave organikë (pesticideve, poliklor-difenilet, lëndët organike të kloruara, hidrokarburet aromatike policiklike, etj.), me anë të shkarkimeve të ngurta, të lëngëta dhe të gazta, urbane, industriale, bujqësore dhe minerare. Të gjitha paraqesin rrezik për ekosistemet ujore dhe për vetë njeriun. Ujërat siperfaqësore të ndotura nga shkarkime fekale të njerëzve dhe kafshëve mund të transportojnë shumë patogjenë, si baktere dhe viruse, më e theksuar në zonat me popullsi të dendur, sidomos pranë qyteteve të mëdha.
Marre nga Dep. Bio. Univ. Tiranes
__________________
"Sono gli altri le strade, io sono una piazza, non porto in nessun posto, io sono un posto"
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|