tolstoy86
Anëtar Aktiv
Regjistruar: 10/04/2006
Vendbanimi: tirane
Mesazhe: 362
|
Ishpo, shko qetesohu pak se nuk e ke kadarene babe.
Thenje kaq te bukur te Nje GJENIU (te paqes, te tolerances,te te qenit njeri..) si Krishti te cilin e njeh gjith bota (packa se nobel nuk i kan dhene akoma..), nuk mund te lidhej ne menyre me qesharake se kaq, me gabueshmerite 'njerezore' te Gjeniut Kadare.. Dipende tamorsha, tutto dipende.. Keto gabime per te cilat behet fjale ne keto shkrime, e sa akuza te tjera, per te cilat kadareja nuk ka pas me cte mbrohet vec idiotllikut te ca tifozave te marre, jane 'kafsherore'.. I pe akuzat lale? po ti perseris:
Anti-semitizem, anti-gegerizem, anti-islamizem.. ka edhe te tjera..
Po pate mundesi pergjigju me keto, psh me thuaj 'ky zoteria ka shpifur, ne kete faqe te permendur nuk ekziston nje gje e tille'
Kur te jemi ne tema te letersise, me deshire do shpreh mendimet e mia per talentin e madh te Kadarese, te supermagnifikuar nga pushteti i kohes, nga miqt e tij franceze qe permenden ne kete shkrim, nga breza te djegur qe kerkonin nje idhull apo edhe nga pamundesia per te zgjedhur shume.
Na kenaqet me nobelin, eshte gjithcka politike, aq e veshtire qenka per tu kuptuar.. Vlereso po deshe edhe pershkrimet interesante qe bejn Fatmir Koci e Mustafa Nanoja, edhe ato jane vleresu nga juri evvvrropiane..
Gjenine e tij, e diskutojm ke letersia e papolitizuar (zor te gjesh ne fakt te kadareja), ketu po diskutojm deshiren e tij per tu be simbol kombetar dhe sa ia vlen te jete i tille. I cilit komb esht nje simbol i tille, i budallanjve qe i genje cmimi 'Nobel'? Gjenine e tij shko tregoja cunit te Sarandaebukur. Si njeri, gjithnje e me shume po bindem ke gjenia e tij shpirtfelliqesi..
Kush mbet pa modele, pa idhuj po te dale hapur (fare) felliqesia e Kadarese, mund te gjeje te tjere. nqs na duhen sezben shqipetare te famshem, te kerkojm ne kujtimet e letrat e Nenterezes, kam degju se ndodhen edhe vende ku permend se ka origjine shqipetare.. Mund te rremoni thelle Napoleonin, thone qe ushtaret e tij e degjoshin te shante ne nje gjuhe qe nuk e kuptonin me fjalet 'te q...nenen'..me shume mundesi ka qene shqipetar, dhe se paku ka luftu me shpate te zhveshur....
Shkrimi mu duk interesant, ndaj e solla, jo te merrem me habine e 'marrezive ballkanike' te ndonjerit qe per mua esht i shkundur fare. nuk shkruajm per ti tregu njeri tjetrit se cmendojm ne lidhje me ta. (po sigurisht, ma merr mendja se pjesa derrmuese e 'njerezve', kur degjojne felliqesite e kadarese, nuk u vjen te thone:'secili prej nesh jemi mekatare, por sa nga ne jane gjeni letersie??'!!!!!!!!!!)
Ishalla e fiton Nobelin, do me behet qejfi shume. Po te ishte per fushatat e 'ethshme' qe behen ne Shqiperi, e per rendesine qe u jep komisioni qe jep cmimin Nobel, Kadareja do e kishte marre Nobelin edhe per Kimi.. Rri i qete, se sna ve kush veshin, thjesht 'po bejm ca muhabet' per nje 'dhi te zgjebosur' qe nuk rri te fronin e tij te shenjte, por 'con bishtin' here pas here e kujto se i behet vone te gjithe shqipetareve per pordhet qe leshon.
tani, per te mos u largu nga tema:::::::::
Marre nga www.gazetastart.com
Viti Orvellian i Ismail Kadaresë
Nga Olsi Jazexhi
Viti 1985 ka qenë një nga vitet më të zymtë për komunistët shqiptarë. Në këtë vit kur Shqipëria humbi ‘Vëllain e Madh,’ ministri i vetëshpallur i Ministrisë së të Vërtetës pranë Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ismail Kadareja, shkroi romanin ‘Viti i mbrapshtë’. Kush e ka lexuar romanin ‘1984’ të George Orvellit e ka pak a shumë parasysh se cili është misioni i Ministrisë së të Vërtetës në shtetin e ANGLOSOC-it. Funksioni kryesor i kësaj ministrie ishte rikrijimi i të shkuarës duke e furnizuar popullin me gazeta, filma, libra shkollorë, programe televizive, drama, letërsi ose argëtim për të krijuar një të vërtetë fiksionale, të cilën populli duhej ta pranonte si të vërtetë. Në shtetin e Anglosocit, ‘Vëllai i Madh’ paraqitej si udhëheqës dhe mbrojtës i Revolucionit qysh prej fillimit të kohës. Ama përveç këtij, punëtorëve të Ministrisë së Vërtetës ju duhej që herë pas here të shpiknin edhe heronjë të tjerë, siç ishte për shembull rasti i shokut Ogliv, i cili vdes në betejë në rrethana heroike duke mbrojtur Anglosocin, dhe legjitimizuar kështu një vijimësi ideologjike të betejës mesianike të ‘Vëllait të Madh’ në mbrojtje të vatanit.
Unë nuk jam i sigurtë nëse Ismail Kadareja e ka pat lexuar romanin ‘1984’, në vitin 1985, kur edhe shkroi romanin ‘Viti i mbrapshtë.’ Por skenat e romanit ‘Viti i mbrapshtë’ që mua m’u desh të rilexoj këto ditë, i ngjajnë pak a shumë përrallave të romanin orvellian ‘1984’. Fakti që më shtyu ta rilexoj romanin ‘Viti i mbrapshtë,’ për të cilin kam shkruar edhe më parë, ishte një konferencë shtypi që Ismail Kadareja bëri me regjizorin franko-shqiptar, Fatmir Koçi para disa kohesh në Tiranë. Fatmiri që ka siguruar një shumë të madhe parashë nga kompania Ciné-Sud Promotion në Francë dhe disa organizma të tjerë në Gjermani dhe Belgjikë, duke patur edhe Kadarenë në krah, njoftonte në media në mënyrë triumfaliste se planifikon të bëj një film i mbështetur mbi romanin ‘Viti i mbrapshtë’. Filmi do të quhej ‘Viti i Kometës’. Nga sa kuptova nga disa faqe të internetit kompania Cine-Sud është një nga ato shtëpi botuese zhgarravina të Francës që prodhojnë filma propagandistikë për vendet ku Franca ka bërë historikisht pisllëqe dhe tani mundohet të ruaj influencën e saj. Kështu disa nga prodhimet kryesore të kësaj kompanie ishin edhe filmi "Tirana Year Zero" ( prodhim franko/shqiptar drejtuar nga Fatmir Koci), filmi "Rashida" (prodhim franko/algjerian drejtuar nga Yamina Bashir), filmi boshnjak "Fuse" etj.
Duke ju kthyer romanit ‘Viti i mbrapshtë’ të Ismail Kadaresë, fiksioni i tij nis me ngjarjen e kalimit të Kometës Halley pranë tokës në fillim të shekullit të XX-të. Por edhe pse Kometa Halley ka kaluar në 1910, Kadareja problemin e saj e lidh me vitet 1913 – 1914, kohë kur habsburgët dhe italianët, duke marrë shkas nga dobësimi i Perandorisë Osmane, duan që të bashkojnë dy krahinat osmane të Gegërisë dhe Toskërisë dhe me ato formojnë një shtet të ri. Por përkundër fakteve historike të asaj kohe, Kadareja, siç ndodh rëndom në romanet e realizmit socialist, kërkon që në këtë aksident historik ku dy fuqi të mëdhaja ndërtojnë një shtet tip Ruritania – kërkon që të gjejë armiqtë, miqtë, të mirët dhe këqijtë e vendit. Duke qenë se tamam si në romanin ‘1984’ historia dhe arti duhet të shërbejnë për të legjitimizuar sundimin e Vëllait të Madh, edhe në rastin konkret, shkrimtari, historinë e vitit 1914 e projekton në të tashmen, për të legjitimuar në vitin 1985 sundimin e Vëllait të Madh dhe klanit të tij nga Gjirokastra, ndërsa në ripunimet e mëvonshme, vazhdimin e sundimit post-komunistëve në Shqipëri.
Shqipëria e viteve 1914 ka qënë një fushëbeteje, ku si në të gjithë Evropën kacafyten turlifarë ushtrishë. Asnjë bir nëne që jetonte në këtë copë tokë që prej qindra vitesh, nuk e dinte se çka do të bënin habsburgët dhe italianët me dy krahinat e pushtuara turke të Adriatikut. Agjenturat frënge, serbe, ruse, austriake, greke, italiane dhe trupat e tyre që lëvrinin në Shqipëri në këtë kohë kishin ngritur banda e mercenarë kudo. Për personat që janë profesionistë në histori e dinë shumë mirë që shumica e banorëve që jetonin në Shqipërinë e kësaj kohe dhe ishin myslimanë, veten e tyre e shihnin ende si shtetas të Perandorisë Osmane, pasi siç Ernest Gellneri do ta kishte përkufizuar, koncepti i kombit dhe Shqipërisë sipas aksiomave nacional-komuniste nuk ishte shpikur ende.
Megjithatë, ashtu si në shtetin orvellian, edhe këtu, Ismail Kadareja pretendon që kombi real-socialist ishte njësi politiko – historiko – gjeografike e mirëditur dhe ata që mendojnë ndryshe janë armiq. Duke dashur që të përdorë të shkuarën për të legjitimuar të tashmen, në Shqipërinë e vitit 1914 Kadareja prodhon edhe protoherojtë e saj, të cilët ashtu si shoku Ogliv në romanin ‘1984’ janë gati të vdesin dhe luftojnë për tu përkujtuar me madhështi më pas në fjalimet e Vëllait të Madh.
Duke qenë se vetë Kadareja por edhe Vëllai i tij i Madh, Enver Hoxha, janë që të dy jugorë - gjirokastritë, në roman, herojtë që autori krijon për Shqipërinë, lokalizohen në Jug të vendit. Tamam si në shtetin Orvellian, autori është i kujdesshëm të shpikë një gjuhë të re dhe patriotike per vatanin socialist ku herojtë nga Toskëria duhet të kenë të gjithë emra kuptimplotë dhe politikisht korrekt me emrat që Partia e Punës kërkonte që shqiptarët në Epokën e Realizmit Socialist të mbajnë. Herojtë e ‘Vitit të mbrapshtë’ kanë të gjithë emra politikisht të pastër nga ‘barbarizmat turke – orientale’ dhe pak a shumë përmbajnë kombinacione emrash që ose lidhen me viset trimërore të komunistëve të jugut gjatë Luftës së Dytë Botërore, ose kanë kombinacione emrash herojshë ortodoksë, vllehë dhe bektashianë që luftuan në krah të shokut Enver, apo që partia i shpalli heronjë të kombit.
Herojtë e romanit ‘Viti i mbrapshtë’ quhen Shestan Verdha, Alush Gjata, Doskë Mokrari, Tod Allamani, Xhemal Lufta, Hysmë Shteti, Nase Shmili, Arif Skamja, Cute Bënja, Llaz Mandili, Gjergjan Vaja, Aleks Belshi, Prift Stiliani dhe Andre Kosturi. Herojtë nisin udhëtimin e tyre legjendar nga jugu i Shqipërisë. Ata e njohin mirë situatën politike në vend, dhe me një pjekuri patriotike formësojnë trupën e tyre atdhetare të njohur si ‘forca mokrare’ dhe nën udhëheqjen e Shestan Verdhës nisin marshin për të mbrojtur Shqipërinë. Rrugës drejt veriut të Shqipërisë, luftëtarët mokrarë i prêt populli. Si në filmin ‘Nëndori i Dytë’, në vendin e quajtur Shtatë Krojet psh. gratë e katundit i dhurojnë Shestanit një flamur kombëtar të qëndisur me dorën e tyre. Rrugës, herojtë e romanit takohen me turlifarë njerëzish, ndërmjet të cilëve edhe me trupat franceze të cilat Kadareja në ribotimin e librit në 2003 – pasi është bërë shtetas francez – i trajton si njerëz që i deshën të mirën Shqipërisë, por që nuk u morrën dot vesh me ‘forcën mokrare’ si pasojë e moskuptimit në komunikim. Me gjithë peripecitë e rrugës, autori e mbyll përshkimin e udhëtimit të mokrarëve drejt bërjes së Shqipërisë me një lutje nga prifti ortodoks Stiliani, i cili murmuriste ‘Zot mbroje Shqipërinë’.
Ndërsa toskët janë herojtë e ‘Vitit të mbrapshtë’, në anën tjetër hasmit e kombit Kadareja i projekton në Shqipërinë e Mesme dhe veriore, apo pak a shumë në Gegëri. Urrejtja dhe racizmi anti-gegë i Ismail Kadaresë të cilin ai e ka treguar edhe në një intervistë dhënë ditores së Tiranës «Shekulli», në 3 korrik 2006, kur tiranasit i quan ‘kolonë turq’, lexohet që në fillim të librit. Kadareja e përshkruan Shqipërinë e Mesme dhe veriun e Shqipërisë si një vend të egër ku rrojnë kafshë dhe jo njerëz. Një krahasim kaq të egër dhe racist kundër gegëve unë kam mundur të gjej vetëm te njerëzit e egjër, skithët e Rusisë, në Rihlën e Ibn Fadlanit, të portretizuar në filmin ‘Luftëtari i Trembëdhjetë’ ku rusët shfaqen si kanibalë që udhëhiqen nga një burrë që i duket vetja se është ari. Pak a shumë të njëjtin trajtim merr edhe Gegëria e Ismail Kadaresë e cila jo vetëm se është anti-shqiptare dhe filo-turke, por sundohet edhe nga disa njerëz gjysëm bishë:
… në pyjet e Mamurrasit zdërhalleshin bandat e Tur Kusarit, dhe më tej ushtria veriore me tirq të zinj e Uk Bajraktarit… ndërsa bandat myslimane të Esad Pashës që kërkonin rikthim te Turqia, vinin vërdallë në Shqipërinë e Mesme nën zhurmën e lodërtive, britmave ‘Dum Babën’… dhe duke kënduar si në dergjë këngë të zymta:
Për xhenet u nisëm, sosëm në xhehenem
Shqipëri moj kuçkë, ç’na bëre verem (fq. 12)
Për Kadarenë, në Gegëri rrojnë disa lloje kafshësh të egra me dy këmbë të cilat jo vetëm që nuk duan kombin, por janë edhe të degraduar moralisht. Gegët të cilët rrojnë në ish-vilajetet myslymane, Kadareja i ndan në disa derexhe, ku më të poshtrit e tyre duken që janë islamikët. Këta udhëhiqen nga dy komandantë kryesorë, Esad Pasha dhe Haxhi Qamili. Këta gegë që Kadareja i ngjyros si armiq të qytetërimit janë të pakuptueshëm nga ushtritë evropjane dhe kapter Vilhelm Vidi, princi kukull që austriakët i vunë Shqipërisë.
Për Kadarenë, pushtuesit evropianë të vitit 1914 nuk duket se janë në Shqipëri për të copëtuar atë, por përkundrazi për ta qytetëruar. Ama evropjanët që përballen me një popull egërsirash që janë muslimanët shqiptarë, kanë probleme me të kuptuarit e gegëve që kanë emra UK (Ujk), Tuç, Kus Baba, Tur Kusar etj. Një rast moskuptimi Kadareja përmend psh. kur esadistët fanatikë që austriakët duan ti rrethojnë, shpëtojnë pasi austriakët kujtojnë se ka ardhur muaji i Ramazanit, ndërsa esadistët që e kuptojnë moskuptimin e muajve islamë nga austriakët, brohorasin duke thënë:
Allahu na shpëtoi.
Një nga faktorët kryesorë nëpërmjet të cilit Kadareja justifikon barbarizmin e gegëve është vetë feja e tyre, islami. Ndërsa në roman autori të krishterët, të bardhët, evropjanët, francezët, prift Stilianin dhe priftin françeskan Vinçens Marku i tregon si të qytetëruar dhe human, myslymanët që rrojnë nëpër ish-vilajetet myslymane, hoxhallarët dhe dervishët i tregon si hasmit e qytetërimit që kanë çuar gegët në barbari. Anti-myslymanizmi proverbial që shkrimtari franko-shqiptar Kadare ka shprehur edhe më vonë në librin nga Nëntori në Nëntor, rrëfehet edhe në këtë roman si sëmundja kryesore e anti-qytetërimorisë të shqiptarëve. Islamikët gegë në roman tregohet që arrinin të konfuzojnë edhe vetë evropjanët, të cilët edhe pse kishin futur spiunë të shumtë në mesin e tyre, e kishin të vështirë të parashikonin lëvizjet e myslymanëve esadistëve, pasi këta nuk vepronin sipas ndonjë plani të fshehtë, por sipas ftesave:
Që baballarët e teqeve u bënin shefave… nga spicat e myftiut të Tiranës… e sidomos nga fallet e Hançe Hamdije Pezë e Madhe, një fatthënëse e re muslimane e cila kishte parashikuar se Shqipëria… do të mblidhej kruspull e bëhej sa një portokall. (fq. 47)
Për të kuptuar sjelljen e gegëve barbarë, në romanin e Kadaresë vuan edhe vetë princ Vidi i cili kishte qëndruar një natë pa gjumë për të kuptuar ‘pse Haxhi Qamili që shkonte gjak e lak si me Esad Pashën, si me serbët nuk bashkohej me të.’ Por më fund princ Vidi e kupton që kryetiranasi Haxhi Qamil ishte një i ikur nga çmendia (fq. 50). Pashpjegueshmërinë e gegëve, Kadareja e projekton edhe në sjelljet e ushtrive tirqzeza veriore të Uk Bajraktarit. Evropjanët ashtu si vikingët në filmin ‘Luftëtari i Trembëdhjetë’, nuk arrijnë të kuptojnë dot lëvizjet e Ujkut Bajraktar dhe malokëve të tij të veshur me të zeza. Por edhe kësaj radhe, Kadareja solucionin e barbarisë e gjen te të krishterët apo më saktë te prifti françeskan Vinçens Marku, që Karadareja e cilëson si ‘shqiptar’. Ky arrin të dekodojë sjelljen e gegëve dhe kupton që lëvizjet e forcave të veriut shpjegoheshin nga gjetja e malokëve të një harte të humbur austriake, e cila i kishte magjepsur dhe këta lëviznin sipas saj. Por veriorët tirqzinjë të Uk Bajraktarit, më në fund zhduken në roman kur përleshen me ushtrinë e principatës së Mirditës, ku të dy tributë e egra gege humbin nëpër thellësitë e bjeshkëve të Gegërisë për të mos dalë më. (fq. 50)
Kadareja si të egjër dhe anti-civilizuese nuk tregon vetëm sjelljen e gegëve, fenë islame të shqiptarëve, mosdashurinë e tyre për t’u bërë evropjanë, mospranimin e një princi kristjan dhe dëshirën e tyre për të ndejtur me Turqinë. Egërsinë, gegëve Kadareja ua fut edhe në emrat e tyre dhe vendeve nga ata vinë. Emrat që ai u jep atyre janë Rrem Qorr-Mehmeti, Tur Kusari, Ali Haxhija, Lalë Vuthi, Shaqir Aliu, Musa Muhtari, Tuç Osmani, Uk Bajraktari, Zija Beqiri, Hasan Zyberi, Hançe Hadije Pezë e Madhe, Mazllum Agaj, Ceno Beu, Haxhi Dervishi etj. Ndërsa për lider kryesor të gegëve Kadareja vendos Kus Babain. Edhe pse Kus Babai është një shenjtë i rrespektuar i bektashizmit, në teqen e të cilit në Vlorë shkojnë më mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria sot, për Kadarenë, Kus Babai i cili edhe këtu është dervish bektashian, është i dhënë keq jo vetëm pas nderimit të Babë Sulltanit dhe urrejtjes ndaj Shqipërisë, por në veçanti ndaj pederastisë. Kadareja, Kus Babain e paraqet si një dervish që lëngon në teqen e tij gjithë ditën për vdekjen e dylberit të tij, Vasillaqit.
Kadareja tregon si të egër edhe vendet nga vinë gegët islamikë. Emrat që ai përmend për vendet e ish-vilajeteve myslymane ku rrojnë esadistët janë Qishbardha, Zall-Herri, Rrashbulli, Zall-Bastari, Dumreja. Gegët me në krye Kus Babain që nuk duan Shqipërinë por Turqinë betohen se:
po qeder mos kini djema, sa shqitet mishi nga thoi aq shqitet Shqipëria nga Turqia, gjaku do të derdhet gjer në gju të kalit si në Qorrbela, dhe një dervish përmendi yllin me bisht, kometën, si i thoshin kaurët, që ishte shenjë e allahut...
Gegët dhe në veçanti esadistët; që gjirokastriti Kadare i portretizon në terma orientaliste – si e kundërta e toskëve të civilizuar që janë superiorë dhe kristjanë, duan Shqipërinë dhe udhëhiqen nga prifti ortodoks Stilian – nuk e duan Shqipërinë. Ndërsa toskët kudo që luftojnë përmendin Shqipërinë, në gojën e gegëve myslymanë, qafiri Kadare vendos fjalët për Allah dhe Pejgamber. Kur përleshen me mokrarët psh, esadistët Kadareja i portretizon si kanibalë të cilët vetëm në muaj të Ramazanit tërhiqen nga kanibalizmi i tyre. Tironsi esadist që në kapitullin 8 vret ‘patriotin’ Andre Kosturi, thotë që ‘gjynah se ishte muaj Ramazani’ ...pse... ‘do të më shihte po s’ia haja të gjallë mëlçinë bashkë me shpretkën’ (fq. 59).
Në të gjithë lesh e li-në që Kadareja zhyt Shqipërinë e vitit 1914, qytetërimin e këtij lesh-vendi e projekton jo vetëm të jugorët por edhe ushtritë evropjane të cilat nuk tregohen si pushtuese dhe kolonizatore të Shqipërisë, por si qytetëruese të zuluve myslymanë shqiptarë. Mercenarët hollandezë të Princ Vidit, Kadareja nuk i quan okupatorë, por ‘ushtria e shtetit shqiptar’, të cilët ashtu si toskët e Shestan Verdhës janë të vetmit që ju dhimbet Shqipëria. Por tiranasit e Haxhi Qamilit të cilët Kadareja i quan në intervistën e «Shekullit», në 3 korrik 2006, si pasardhës të pushtuesve turq, janë të pacipë. Këta trembin trembin edhe gruan e pushtuesit austriak – princ Vidit, Sophi Schonburg Valdenburgun, të cilën Kadareja e quan mbretëreshë e Shqipërisë. Ashtu si gjirokastriti i tij, Kamban Kadareja që në 1914 priti me lule Venizellosin në Gjirokastër, edhe në këtë roman Kadareja ka vetëm lule për gruan e Vidit. Sophi Schonburgu nuk tregohet si një kolonialiste e bardhë që donte me gjithë të shoqin ti hipë në qafë shqiptarëve dhe të ju marrë vendin, por, si një ëngjëllushe që trembej kur dëgjon që tiranasit, kavajsit, shijaksit, elbasanllitë dhe durrsakët i kanë kërkuar burrit të saj të bëhet synet nëse do të bëhet i pari i Shqipërisë.
Në romanin ‘Viti i mbrapshtë,’ Kadareja nuk sulmon dhe tallet vetëm me islamin, muslimanët shqiptarë, gegët dhe veriorët. Në këtë roman ai shfaq edhe shenja anti-semitizmi. Kështu psh. në kapitullin 12 dhe 13 ai flet për kurvën e Durrësit, Sara Stringa në shtratin e të cilës kalonin gjithëfarë lloj diplomatësh të huaj. Sara tregohet të bëjë akte të turpshme, si ato që Janulla Rrapi tregonte përpara ca kohësh në gazetat e Shqipërisë që vajza e Kadaresë bënte në vitin 1984 me djalin e saj, Renato Rrapin. Megjithatë, çka të tërheq vëmendjen në këtë pjesë të romanit është se Kadareja, i cili për nderin e vajzës së tij internoi një familje të tërë në vitin 1984, këtu, kurvën Sara Stringa ja jep komunitetit çifut. Sara ishte vajza e një vejushe hebreje nga Malta (fq. 91). Projektimi i kurvës së Durrësit te një çifute duket se nuk është një koicidencë. Çifutët, Kadareja i përmend edhe në kapitullin e 20 të librit, ku Isak Agai që është po ashtu çifut tregohet të jetë trafikant droge. E keqja çifute për Kadarenë ndodhet kudo. Kështu psh. dy herojtë e romanit, Shestani dhe Doska vdesin në Çifut Çifligun, i cili tregohet si një vend tersi dhe ndjellëkeq. Kadareja i ngre edhe këngë Shetsanit të vrarë në Çifligun Çifut si më poshtë:
Pse u ktheve pas në Çifut Çiflig
Kapedan Shestan
Në Çifut Çiflig nata është e ligë
Kapedan Shestan (fq. 119)
Racizmi anti-semitik, anti-gegë dhe anti-islamik i Kadaresë, që është shpalosur edhe në shkrimin e tij ‘Identiteti Evropjan i Shqiptarëve’, në roman nuk lë mënjanë edhe arixhijtë dhe evgjitët. Kështu ndërsa arixhijtë tregohen si hajdutë kuajsh, evgjitët Kadareja i rrëfen si degjenerata sociale që mendjen e kanë te qejfi dhe ahengu.
Deklarata e Fatmir Koçit disa ditë më parë që romani ‘Viti i Mbrapshtë’ i Ismail Kadaresë po bëhet film, mua më ka shqetësuar jashtë mase. Ndërsa në kohë të PPSH-së sulmi dhe zhdukja e grupeve armike dhe jo-konformiste, nga aparatçikët komunistë ka qënë detyrë dhe punë e Ismail Kadaresë; misioni i të cilit ishte të ndërtojë njeriun e Realizmit Socialist dhe rikrijimi i të shkuarës me realitete fiksionale, promovimi i sotëm i ideve të Kadaresë nga kompania Ciné-Sud Promotion në Francë është kriminal. Unë nuk e kam lexuar ende në detaj skriptin e filmit ‘Viti i Kometës’. Ama anti-myslymanizmi, anti-gegërizmi, anti-semitizmi dhe racizmi i Ismail Kadaresë në romanin ‘Viti i Mbrapshtë’ mesa di unë, në vende si Franca por edhe Gjermania dënohet me burg.
Historia ka treguar shpesh që Franca përdor standarte të dyfishta kur merret me botën e tretë. Ashtu si gjatë luftës në Bosnje kur ajo mbështeste krimet serbe apo edhe në Ruanda Burundi, edhe në rastin e filmit ‘Viti i Kometës’, kompania Ciné-Sud Promotion duke prodhuar një film racist dhe anti-musliman si ky, po ndihmon në nxitjen e racizmit, islamofobisë dhe urrejtjes kundër shqiptarëve, gegë dhe muslimanë në kulturën post-komuniste shqiptare. Prodhimi i filmit ‘Viti i Kometës’ përbën një mbështetje me paratë e taksapaguesëve evropjanë të projektit gjysëm shekullor orvellian të komunistëve në Shqipëri, të cilët, për të legjitimizuar krimet e tyre kundër shqiptarëve, kthyen mbrapsht historinë e një populli të tërë .
19/09/2007
__________________
dita me e bukur: sot
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|