agata
idealiste
Regjistruar: 20/02/2004
Vendbanimi: Utopial
Mesazhe: 2981
|
Ēfarė kėrkon teoria e lojėrave nė politikė?
Artikull i Artan Fuges
PBDNJ, përfaqësuesja politike e minorancës greke në Shqipëri ka ndërruar pllakën në prag të zgjedhjeve, duke kaluar nga aleanca 4-vjeçare me PD-në në atë me PS-në. Përtej asaj që deklarohet zyrtarisht, cilat mendoni se mund të jenë shkaqet e vërteta? Në pozitat e reja ndërkombëtare dhe gjeopolitike të Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon si e shikoni perspektivën e rolit elektoral dhe politik te minorancës greke?
E lexova këtë lajm dhe nuk u ndjeva i befasuar prej tij. Dukej një ngjarje politike që edhe pritej në njëfarë mënyre. Për ta vlerësuar, sikurse më kërkoni, ka dy versione të mundshme: I pari, një vlerësim prej amatori, ku mund të thuhen të gjitha opinionet apo deliret e mundshme, pasionet militantiste, që prodhon mendja njerëzore. Versioni i dytë kërkon që vlerësimi të bëhet mundësisht mbi një bazë që mbështetet në një skemë të përpunuar nga metodologjia e shkencave politike në veçanti dhe nga shkencat shoqërore në përgjithësi. Duke iu përmbajtur këtij të dytit, dëshiroj të them se për ta bërë këtë analizë, do të mbështetem te teoria e lojërave, një nga teoritë më moderne, me baza matematikore dhe më të përdorura kur gjykohen fenomene politike, ekonomike apo të llojeve të tjera.
Çfarë është kjo teori e lojërave? Në fakt, ka disa të tilla. Mua gjithnjë më kanë parapëlqyer ato të përpunuara nga Hayek, Popper dhe mbi të gjitha, nga një mendimtar francez, shumë në zë në shekullin e njëzetë, Raymond Boudon, përpunues i individualizmit metodologjik.
Sipas teorive të lojërave, dy janë parimet kryesore për të bërë analizën e sjelljeve politike dhe në këtë rast, meqë ma kërkoni, të lëvizjes së fundit politike të PBDNJ-së.
Parimi i parë lidhet me atë se çdo njeri apo aktor kolektiv politik priret ti bëjë mirë llogaritë e veta. Por, i ndodhur në një bashkëveprim me lojtarë të tjerë, nuk luan ashtu sikurse do të dëshironte, pra nuk ndjek dot realizimin e qëllimit të vet final, por e formulon qëndrimin e tij, në funksion të mundësive, të lojës së të tjerëve dhe këtë e paraqet si zgjedhjen racionale më të mirë të mundshme. Pra, bën një përllogaritje se si i del më mirë. PBDNJ-ja sigurisht do të dëshironte të dilte vetëm në zgjedhje dhe të fitonte shumicën e votave të shqiptarëve. Ky do të ishte qëllimi i dëshiruar virtualisht, por jo zgjedhja racionale sa kohë në skenën politike ka edhe parti politike të tjera që nuk e lejojnë këtë. Aq më shumë që Kodi i ri Elektoral penalizon ato parti të vogla që nuk futen në koalicione. Teoria e lojërave ndan pra dëshirën nga përllogaritja racionale e forcave. Dëshira: mundësisht të marrë të gjitha vota e shqiptarëve; zgjedhja racionale e bërë sipas hesapeve të veta: bashkimi me koalicionin e majtë.
Interesante është se një drejtues i kësaj force politike e ka shprehur hapur këtë gjë, duke thënë se po bashkohen me koalicionin e majtë për arsye matematike, pra, për të mbledhur, sipas tij, sa më shumë vota.
Së dyti, sipas teorisë së lojërave, çdo aktor politik, ndonëse i bën vetë përllogaritjet e tij, nuk është në gjendje të dijë se çfarë rezultati do të arrijë nga pikëpamja elektorale në të vërtetë. E ardhmja është e paparashikuar, na thotë teoria e lojërave, sepse me vetë veprimin tonë ne ndryshojmë pak ose shumë të dhënat e kontekstit ku kemi bërë llogaritë paraprake.
Si ta them më shkoqur për ta kuptuar edhe ata që nuk kuptojnë as veten e tyre kur shkruajnë e as kur flasin? Për shembull, dikush dëshiron ti kalojë pushimet sa më mirë në një ishull, në një plazh të pabanuar dhe të papopulluar nga turistë të tjerë. Shkon atje ku hartat turistike thonë se ku gjendet ky ishull. Mirëpo, sikurse ai, po për të njëjtën arsye, në këtë ishull shkojnë edhe mijëra të tjerë. I pari sheh se pikërisht sepse veproi në mënyrë racionale, por pa marrë parasysh veprimin apo bashkëveprimin me të tjerët, çka nuk mund ta parashikonte, u ndodh në një plazh të mbipopulluar. Arrin ndonjëherë të kundërtën e asaj që dëshiron.
Drejtuesi kryesor i partisë në fjalë e ka shprehur shumë qartë gjithashtu se nëse fiton e majta, PBDNJ-ja do të jetë në qeverisje, nëse fiton e djathta do të jetë në opozitë. Pra, në njëfarë mënyre i ka hedhur zaret, atje ku ka menduar se do ti ndrisë fati më shumë, sipas përllogaritjeve të veta, por pa qenë i sigurt se cila do të jetë e ardhmja. Sinqeriteti i tij, së paku, në deklarimet e fundit, është për tu përshëndetur. Thotë gjëra që nuk thuhen zakonisht nga politikanët profesionistë.
Ky është thelbi i teorisë së lojërave. Bëhen përllogaritjet racionale më të sakta të mundshme, por pa ditur asnjëherë se si do të dalin ato.
Tani të vijmë më konkretisht, hap pas hapi. Çfarë kërkon teoria e lojërave?
Së pari: Përllogaritjen e atyre që quhen kosto të daljes nga një koniunkturë e caktuar politike dhe e shpenzimeve për të hyrë në një dinamikë tjetër politike.
Me thënë të drejtën, kostot e daljes nga koalicioni i djathtë nuk duken se kanë qenë shumë për PBDNJ-në. Zoti Berisha, më duket mua, u ka dhënë shumë lehtë aleatëve të tij gjithçka që ata kanë kërkuar dhe ka kërkuar shumë pak prej tyre si kundërpeshë.
As shpenzimet e bëra për të hyrë në koalicionin e majtë nuk duken të mëdha.
Me sa kam lexuar nëpërmjet shtypit, sepse me thënë të drejtën jetën politike e ndjek shumë rrallë, Partia për të Drejtat e Njeriut përgjatë katër viteve mori shumë nga të qenit në qeverisje, politikisht flas, dhe nuk është se u implikua në mbilodhje për të mbrojtur a përkrahur nga pikëpamja propagandistike qeverisjen aktuale. Kishte nga ato gjëra që i mori, sepse janë detyrime të politikës. Në radhë të parë mbrojtja e të drejtave të njeriut për sa u përket minoritarëve grekë në territorin shqiptar. Të drejta individuale, por edhe kolektive, që nga pranimi i dyshtetësisë prej shtetit shqiptar, nga të drejtat për mësimin në gjuhë amtare, për të marrë pensione nga shteti fqinj etj. Në fakt, të drejtat e pakicave janë shumë të rëndësishme në një vend demokratik si Shqipëria dhe, mendoj, se ato duhet të vijnë duke u zgjeruar. Meqë ra fjala, unë jam që në zonat ku banon minoriteti grek, të ketë, përse jo, tabela në shqip, anglisht edhe greqisht. Është edhe zonë turistike, edhe kalimi. Por, mori edhe gjëra të diskutueshme që i interesojnë minoritetit dhe Greqisë sikurse janë varrezat e ushtarëve grekë, e kështu me radhë.
Këtë ndryshim kjo parti politike ndofta e kishte të pamundur për ta bërë përpara vizitës së Kryeministrit grek, Karamanlis, para disa ditësh në Tiranë. Me këtë rast, sikurse dihet, u nënshkrua edhe marrëveshja për kufirin detar mes dy vendeve. Po ta bënte këtë veprim përpara, mund të kishte kosto, por pas tij, nuk ka më kosto, hëpërhë, së paku. Ato ditë pashë liderë të PBDNJ-së, që gati sa nuk përqafoheshin nëpër studio televizive me politikanë të djathtë, të niveleve të dyta bile.
Edhe në planin politik, dalja nga koalicioni i djathtë, nuk i dukej me kosto. Në Kuvend, me sa di, deputetët e kësaj partie kanë votuar me shumicën parlamentare, por në planin propagandistik, gjithmonë më janë dukur sikur nuk kishin ndonjë afinitet me të. Dukej se një hije dyshimi qarkullonte. Aq më shumë se liderë të rëndësishëm të kësaj partie pothuajse kanë deklaruar se janë të majtë, kanë qenë në poste në qeverisjen e majtë të dikurshme. Pra, nuk është se kemi të bëjmë me ndonjë parti të djathtë.
Nuk dua të thellohem shumë në një analizë që zakonisht e bëj në mjedise më të mbyllura, por statistikisht fare të pakundërshtueshme, sipas së cilës ka një lloj përputhjeje midis përkatësive politike dhe atyre fetare në Shqipëri. Në Shqipëri - thashë? Edhe në shumë vende të tjera, por le ta lëmë për një herë tjetër këtë analizë. Tek e djathta ka më shumë individë me origjina fetare myslimane sesa të krishtera ortodokse, kurse te e majta prania e këtyre të fundit është më e shpeshtë sesa djathtas. Nuk është se mbroj kulturalizmin politik. Nuk e besoj qorrthi këtë teori. Kjo që thashë, është një konstatim që vjen nga rrethana historike, të cilat nuk mund ti analizoj këtu.
Edhe kostot e hyrjes te koalicioni i majtë nuk ishin shumë për PBDNJ-në. Ky koalicion e pranoi pa bërë asnjë analizë nëse duhej ose jo pranuar sa kohë që kishte qeverisur katër vjet me Partinë Demokratike dhe me parti të tjera aleate të saj. Përse mezi priteshin? Por, mendoj sepse Partia Socialiste nuk arriti ende ta realizonte një bashkim me parti të ndryshme pavarësisht akseve të tyre politike, pra të krijonte një bashkim përtej së majtës dhe të djathtës. Në këto kushte paraelektorale as të majtën nuk e mbështolli dot në një unitet të vetëm. Prandaj, ardhja e partisë për të drejtat e njeriut pritej me krahë hapur në këtë kuadër, një sukses në fakt, pra me të shpresonte ti jepte një farë kuptimi propagandistik, sado tepër të papërcaktuar, lidhjes së pretenduar përtej së majtës dhe së djathtës. Pastaj, shpreson se do të marrë ndonjë deputet më shumë. Dhe më në fund, vota emigrantësh apo mbështetje nga Greqia në rast qeverisjeje.
Pak kosto për të dalë nga një grup dhe pak shpenzime për tu futur në një grup tjetër. Ja kjo është arsyeja e parë, që teoritë e lojërave do ta kishin nxjerrë në pah shkencërisht.
Le të mos harrojmë se këtë e lejon edhe Kodi i sotëm Elektoral, me të cilin as kam qenë ndonjëherë dakord dhe nuk jam as sot, sikurse nuk do të jem as nesër e as pasnesër derisa të ndryshohet. Na e paraqitën si një kod që do të synonte që deputetëve që nuk marrin vota në elektorat do tu pritej rruga për në Kuvend, sikur partitë e vogla nuk do të merrnin më vota falas, sikur nuk do të kishim më aq shumë parti të vogla në Kuvend. Na tani! Veç koalicioneve serioze ka edhe koalicione me parti që në fakt nuk janë veçse një grusht individësh që mbështeten nga disa dhjetëra fansa, të cilët marrin nga kartat e anëtarësimit nëpër këto parti karrige të mjera nëpunësish të mesëm në administratën lokale apo qendrore. Më shumë janë koalicione me individë të veçantë sesa me parti. Çfarë të themi për ato parti që pas njëzet vitesh tranzicioni ende nuk marrin më shumë sesa 1% të votave? Ka njerëz të nderuar në lagjen time që vetëm te ballkoni të dalin dhe të thërrasin, gjejnë më shumë simpatizantë sesa kaq. Nga shtypi lexoj se për në Kuvend mëtojnë nja njëzet a tridhjetë parti politike!!! Ky është reduktimi i numrit të partive, që na u premtua? Shihet se reforma e Kodit Elektoral nuk dha asnjë gjë pozitive. Ishte një dështim i plotë. Tani njëri koalicion apo tjetri do të jenë qeverisës ose jo në funksion të grupeve politike apo individëve që nuk kanë legjitimitet të vërtetë politik. Nëse koalicioni i majtë fiton, le ta fitojë pa pasur nevojë për kontributin e Partisë së të Drejtave të Njeriut, sepse po qe se fiton për shkak të kësaj partie, parë deklaratat e sotme të saj, del se do të qeverisim për shkak të matematikës dhe jo të politikës.
Ky Kod Elektoral e ngre përfundimisht në piedestal atë që është quajtur në Shqipëri fenomen i Dushkut.
Dushk dhe gogla.
Jo google, gogla.
Së dyti: Në teorinë e lojërave ka rëndësi edhe ajo që quhet variancë e statuseve. Me një fjalë, çdo aktor i bën vetë përllogaritjet e veta, në mënyrë shumë racionale, sipas tij, por puna është se ai shpesh nuk e di se kush është. Nuk e di se kush është dhe nuk di se çfarë të kërkojë. Një herë i duket vetja i majtë, një herë tjetër i djathtë. Po sipas deklaratave të udhëheqjes së Partisë për të Drejtat e Njeriut, del se kjo parti ka pasur koalicione edhe me të majtët edhe me të djathtët. Dhe kështu është në fakt. Konstatim shumë realist. Pra, në drejtimin e kësaj partie ka individë, shpesh me zotësi politike dhe administrative shumë të mira (sikurse kam dëgjuar), të cilët herë kanë qenë në shërbim të qeverive të majta dhe herë tjetër në shërbim të qeverive të djathta. Por, të njëjtët individë nuk mund të pretendojnë të kenë poste edhe në qeveritë e majta dhe në ato të djathta. Pra, që këtej, teoria e lojërave na mëson se brenda kësaj partie duhet të supozohet se ka edhe një rivalitet për të pasur pushtet administrativ midis individëve drejtues. Kuptohet, po të jetë në qeverisje e djathta, vetëm disa individë të PBDNJ-së do të kenë poste ministrore apo të tjera; po të jetë në fuqi një qeverisje e majtë, individë të tjerë do ta kenë këtë privilegj. Për mua një luftë e tillë bërrylash duket se ekziston brenda asaj partie, një rivalitet bile edhe midis saj dhe OMONIA-s. Kjo duket edhe nga ato pjesë të procesverbaleve që u botuan në media ku lexoheshin edhe fraza si ato të mbledhjeve të plenumeve.
Dil jashtë nga dera!
Shko thuaji atij...!
Nuk besoj se janë të vërteta.
Kjo luftë bërrylash është parë edhe gjatë kësaj legjislature kur ne si qytetarë asnjëherë nuk e kuptuam se përse u hoq një ministër Pune dhe u vendos një tjetër si pasojë e rivaliteteve të brendshme midis individëve drejtues të asaj partie, disa të specializuar në bashkëpunimin me të djathtën dhe disa me të majtën. Ndruaj se ky rivalitet do të vazhdojë për gjithë këtë kohë. Do të njohë zhvillime të tjera skena politike e vendit. Jam i bindur se po fitoi e djathta, krahu i mundur sot brenda PBDNJ-së do të marrë revansh, kurse po fitoi e majta, vendimi i tanishëm do të mbetet në fuqi përderisa të tjera dinamika brenda asaj udhëheqjeje të mos ndodhin. Këtë do ta tregojë koha...
Së treti: Në teorinë e lojërave flitet për një pozicion që merret në raport me lojtarët e tjerë mbi bazën e përllogaritjeve, të cilat asnjëherë nuk janë të sigurta, por që përfaqësojnë gjithmonë atë nivel dijesh të kufizuara që ka çdo lojtar i veçantë.
Këtu mund të shtrohet pyetja se përse marrëdhëniet midis Partisë Socialiste dhe PBDNJ-së janë tani sipas formulës CC (kooperim kooperim). Është një nga katër matricat e mundshme të këtyre marrëdhënieve. E thamë interesin e Partisë Socialiste, e cila pa bërë shumë komente, e pranoi bashkëpunimin. Kurse PBDNJ-ja, sipas meje ka disa arsye. Së pari, e di që edhe nëse koalicioni i djathtë fiton zgjedhjet, në çdo rast ai do të ketë nevojë për ta pasur mirë me minoritetin grek dhe me Greqinë. Pra, qoftë edhe pas një kohe do të jetë gati që ta shtrijë dorën drejt individëve brenda PBDNJ-së që edhe deri sot i kanë shërbyer administratës së qeverisur nga të djathtët. Së dyti, sepse në koalicionin e djathtë ka më shumë parti dhe më pak ministri sesa te versioni qeverisës i Partisë Socialiste. Pra, ka më shumë shanse për të kapur vende ministrore në një qeverisje socialiste sesa të djathtë. Këtu, ndalem për të thënë se nuk e kuptova tamam se përse në fushatën elektorale të Partisë Demokratike u tha se do të qeveriset me më pak ministri! Ka nëpunës që tremben nga kjo. Nejse. Së treti, PBDNJ, në bazë të teorisë së lojërave, gjykon se edhe para Partisë Socialiste del e larë. Vërtet kemi qenë në aleancë me Partinë Demokratike për katër vite në qeverisje, por ja, në fund u shkëputëm dhe kjo pati influenca në elektorat... Duket se bashkëpunimi shlyhet me ndarjen në çastin e fundit simbolik.
Me një fjalë, unë jam dakord me atë që deklaroi njëri nga drejtuesit e PBDNJ-së, se arsyet e koalicionit të saj me Partinë Socialiste janë matematike. Pra, vijnë si zbatim, ndofta i pandërgjegjshëm, i teorisë së lojërave.
Nuk është arsye e vërtetë ajo historia që nxjerr në pah shtypi sikur gjoja ndarja nga Partia Demokratike u bë për shkak të aleancës së saj me partinë që përfaqëson çamët. Ku ka principe kaq ideologjike në politikën e sotme? Po aq mund të ishte thënë: Do të jemi edhe në qeverisjen e djathtë, pikërisht për të ekuilibruar atje influencën e çamëve. Po nuk besoj se është thënë kjo arsye. Do të ishte mbi baza armiqësie etnike. Pastaj PBDNJ-ja nuk është aspak thjesht parti e minoritetit grek. Nuk e kam ditur dhe nuk e di kështu. Ajo kandidon edhe në Bulqizë, me sa di unë. Ajo është parti që ka në program qëllimin për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Si e tillë, që mbron minoritetet, të drejtat e pakicave, ka vend të mbrojë jo vetëm të drejtat e romëve, por edhe ato të çamëve...
Mos çamët, si me origjinë fetare myslimane, shkuan politikisht djathtas dhe PBDNJ me anëtarë me identitet fetar të krishterë ortodoks shkoi majtas? A është identiteti kulturor i gjithsecilës palë faktor që përbën vija force tërheqëse politike drejt njërit apo tjetrit pol? Mbetet për tu parë.
Së katërti: Sipas teorisë së lojërave, asnjëherë nuk ka siguri në përllogaritjet racionale që kryen njeriu apo grupi kolektiv shoqëror. Së pari, sepse askush nuk di reagimin e lojtarëve të tjerë ndaj lojës së vet. Së dyti, sepse askush nuk mund të përllogarisë me saktësi, pasojat që vijnë nga veprimi i vet. Janë ato që quhen pasoja të pakontrolluara. Këto do të kemi rast për ti analizuar se sa do të jenë dhe cilat do të jenë. Mund të mos ketë, por edhe mund të ketë që e kthejnë mbrapsht përllogaritjen e bërë. Do të jetë OMONIA në të njëjtën vijë politike me PBDNJ-në? Do të kandidojnë si të pavarur apo si të inkuadruar në koalicionin e djathtë individë që brenda PBDNJ-së janë dukshëm në krahë të së djathtës, po aq sa të tjerë individë drejtues janë dukshëm pro të majtës? Do të dijë koalicioni i djathtë të paraqesë në zonat minoritare individë të besueshëm, ndofta të prejardhur nga ky minoritet? Do të ndjekë elektorati i minoritetit grek vendimin e partisë apo do të ndjekë influencën e individëve që kanë zgjedhje politike të pavarura? Këtë do ta shohim. Fusha e pasojave të pakontrollueshme është e hapur.
Me thënë të drejtën, kur lexova në shtyp se ministri aktual i Punës, i prejardhur nga PBDNJ-ja, do ti jepte dorëheqjen Kryeministrit Berisha, në kokë më lindi një kureshtje. Mos vallë Kryeministri do ti thotë atij: Partia juaj doli nga koalicioni, por ju mund të qëndroni ende ministër në qeverinë që unë drejtoj. Jo si përfaqësues i asaj partie, por me titull personal. Mund të qëndroni! Ose të thërriste në qeverinë e tij ndonjë pjesëtar tjetër të rëndësishëm të minoritetit, përsëri me titull përfaqësimi personal. E di se do të tingëllonte ndofta provokuese, por kjo është teoria e lojërave në politikë. Gjithkush ul kostot e veprimeve të veta politike dhe rrit kostot e veprimeve që të tjerët ndërmarrin.
Presidenti i Maqedonisë, Ivanov, nuk e ftoi Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, në përurimin e tij për shkak të reagimit të politikës serbe. Si ju duket ky veprim i kryetarit të shtetit maqedonas që e ka njohur shtetin e Kosovës? Po reagimi i politikës së Shqipërisë ndaj këtij incidenti, nëse bëjmë krahasim me qëndrimet dhe mjetet politike e diplomatike që përdorin fqinjët e tjerë të Shkupit për zgjidhjen e problemeve të ngjashme, a është i mjaftueshëm?
I kam thënë lexuesit tonë dhe i qëndroj po atij mendimi. Politika ballkanike, por jo vetëm ajo, e Shqipërisë ka qenë shumë e drejtë dhe e suksesshme. Është fare naiv ai që kërkon ta hedhë poshtë duke marrë si shembull ndonjë trafikant droge që penetron apo tundohet nga imuniteti që kombi i ka besuar. Mos ti ngatërrojmë gjërat.
Përderisa shteti maqedonas e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, nuk ka më asnjë arsye të mos ftojë Presidentin e saj të nderuar në ceremonitë zyrtare që organizon sa kohë fton atje edhe presidentë të tjerë nga Ballkani. Por, nuk besoj se kjo ka ardhur nga presioni serb. Ka arsye të tjera më të forta. Por, nuk kam dëshirë të flas për to tani.
Politika e jashtme shqiptare është shumë gjakftohtë. Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi, shkoi atje dhe bëri shumë mirë që nuk vuri kushte. Nuk kishte si ta kushtëzonte vajtjen e tij me praninë e Presidentit Sejdiu. Nuk ishte në shtëpinë e tij, as në një takim shumëpalësh, as një forum të përbashkët panballkanik, as në një konferencë ku do të merreshin vendime. Po të kishin qenë këto aktivitete, sigurisht që qëndrimi do të duhej të kishte qenë tjetër fare. Mospjesëmarrje ose pjesëmarrje me kushte. Por, nuk ishte ky rasti. U tregua maturi dhe dëshirë për bashkëpunim, lartësi diplomatike që e ka vetëm ai që ka të drejtën me vete, ai që ndihet i fuqishëm, që ngrihet mbi vogëlsirat, pra shqiptarët.
Ai bëri burrërisht detyrën e tij. Në sytë e të zotëve të shtëpisë, jo me gazetarët në veçanti, tregoi hapur, me edukatë, me diplomaci, me sinqeritet se mosprania e Presidentit të Kosovës atje, e kishte plagosur, por ai aty shprehte një ndjesi kolektive. Është e rrallë që ky qëndrim kaq i fortë të bëhet qysh në përurimet e një funksioni shtetformues te fqinjët. Afishoi të ardhmen e qëndrimeve shqiptare në raste të tjera. Raste të tjera do të vijnë.
Por, nëse kryetarit të shtetit i takon të sillet në atë mënyrë, kjo nuk do të thotë që në partneritetin në nivele të tjera, shqiptarët të jenë po kaq tolerantë. Nuk ka arsye. Unë për vete e kam ndarë mendjen prej më shumë se dhjetë vitesh dhe u qëndroj bindjeve të mia pa lëvizur asnjë qime. Nëse institucioni ku unë punoj, njësi departamentale të Universitetit të Tiranës, ftohen në aktivitete ndërballkanike dhe shoh se atje nuk janë ftuar homologët tanë shqiptarë nga Tetova, Prishtina etj., kthehem rrugës, sepse është e sigurt se ose më zë gripi rrugës, ose kam diarre të paparashikuara, ose sepse më zë makina, ose sepse më dhemb koka... apo sikurse thoshte Qenan K. kur nuk donte të vinte në datëlindjen e dikujt: Më fal, por sapo po nisesha për të ardhur te ti, mik i dashur, pashë se më kishin ardhur drutë... Me një fjalë, shtirem si i sëmurë për të mos vajtur, nëse nuk them hapur arsyen e vërtetë.
Artan Fuga
__________________
Gjysma e asaj qe shkruaj ndoshta eshte e pa kuptimte per ju, por un e shkruaj qe gjysma tjeter te mund te arrije tek ju. FIRDUSI
Modifikuar nga agata datė 21/05/2009 ora 13:36
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|