Klodel
.
Regjistruar: 10/01/2003
Vendbanimi: .
Mesazhe: 5233
|
Armiqtë E Gjuhës Shqipe Dhe Triumfi I Saj
Lufta kundra gjuhës shqipe ka qenë e ashpër. Ky sulm ishte frontal dhe në të gjitha nivelet dhe drejtimet të ndryshme. Fanatikë fetarë, qe injoronin gjuhën shqipe, filluan të ndryshonin emrat e fshatrave ku banonin shqiptarët. Osmanët i quanin shqiptarët të PA FE dhe të PAUDHË kurse priftërinjtë greke e quanin gjuhën shqipe GJUHË BARBARE.
Një ligj kundra gjuhës dhe kulturës shqipe kishte lëshuar sulltani i Perandorise Osmane më 31-5-1779, Abdul Hamiti II, ku përcaktohej saktë marrja në mbrojtje nga ana e turqëve kultura dhe gjuha greke, dhe lufta kundër gjuhës shqipe. Ky dokument është nxjerrë nga arkivat greke dhe është botuar në gazetën THESALONIKI më 14-8-1999. Krahas atij vargu të pafund kryengritjesh të përgjakëshme, zuri fill edhe një revolucion kulturor, i cili ndonëse me pak i dhunës ishte gjithësesi më dramatik. Gjuhëtari i ndritur Sami Frashëri ka thënë: GJUHA ËSHTË GJËJA E PARË E PËRCAKTIMIT TË KOMBËSISË. Kultura e një populli cilësohet si mënyra e përgjithshme e jetesës dhe e mendimit.
Dëshmia më e lashtë e ekzistencës së gjuhës shqipe nuk u shkrua mbi pergame, pra në letër prej kallami, por mbi gurë të pavdekshëm nga koha. Këtë na e vërteton Prof. Dhimitër Shuteriqi për gjetjen e një fjale të vetme të gdhendur në një mozaik të Liknidit, sot Ohri i lashtë, që ka qenë kryeqyteti i fisit Ilir te Desharetëve. Është fjala GJON dhe është shkruar dhe shqiptuar njësoj vetëm nga shqiptarët, si në lashtësi dhe në kohën e sotme. Prof. Shuteriqi vure në dukje se fjala e lashtë GJON e zbuluar në Ohër, është shkruar me të gjitha normat e njohura drejtshkrimore shqipe.
Në vitin 879 pas e.s., ndeshet emri i qytetit të Krujës në kështiellën franceze të Shantilisë. Studiuesit kanë gjetur një doreshkrim, i cili në faqen 153 përmban një tekst prej tetë rreshtash me shkrim dore dhe qe është një poemë e vogël në gjuhën shqipe.
Në Shqipëri, ashtu si në të gjithë botën e qytetëruar, greqishtja dhe latinishtja u përdorën në të gjitha dokumentat e shkruara deri përpara pushtimit otoman. Dëshmia më e herëshme për ekzistencën e letërsisë shqipe është një thënie e shkruar nga prifti dominikan francez Brohariti, arqipeshkvi i Tivarit më 1332, i cili thoshte NDONËSE ARBËRIT KANË NJI GJUHË KREJTËSISHT TË NDRYSHME NGA LATINISHTJA, PRAPËSEPRAP ATA PËRDORIN SHKRONJA LATINE NË TË GJITHA LIBRAT. Kjo tregon se gjuha shqipe përdorej gjerësisht dhe shkruhej me shkronja latine në fillim të shekullit XIV.
Shumica e dokumentave në gjuhën shqipe vërtet humbën, por disa prej tyre arritën të mbijetojnë jashtë Shqipnis në arkivat dhe muzetë e botës. Kështu në vitin 1915 studiuesi rumun Nikola Jorga zbuloi në Bibliotekën Laurentine të Firencës një letër qarkore, të shkruar më 1462 nga Pal Engjëlli (1416-1470), Arqipeshkvi katolik i Durrësit. Teksi orgjinal thotë UNË TË PAGËZOJ NË EMNIN E ATIT E T’BIRIT TË SHPIRTIT TË SHENJTË. Libri më i vjetër është vepra e Gjon Buzukut, titulluar MESHARI. Ai përfundoi dhe u shtyp më 1555. Kopja e vetme ekzistuese u zbulua në vitin 1740 nga arqipeshkvi shqiptar i Shkupit Gjon Kazazi. Më vonë MESHARI shkoi në Bibliotekën e Vadikamit, ku u rizbulua më 1909 nga arbëreshi Pal Skiroi. Libri ka pasur 220 faqe dhe sot mungojnë 32 faqet e para. Ky libër ishte shkruajtur me shkronja latine ku ishin shtuar dhe 5 të tjera.
Të tjerë dokumenta për gjuhën shqipe kemi nga shume shqiptarë që me të shumtit ishin njërës të fesë. Frank Bardhi (1606-1643) shërbeu si ipeshkev i Sapës. Bardhi hartoi fjalorin e parë në histori shqip-latinisht, që kishte 2544 fjalë shqipe dhe 5000 fjalë latine, dhe u botua në Romë më 1625. Pjetër Bogdani (1625-1689), lindi në Prizeren, dhe u emërua fillimisht ipeshkvi i Shkodrës dhe pastaj arqipeshkvi i Shkupit më 1667. Vepra e tij E VËRTETA E PAGABUESHME E BESIMIT KATOLIK u botua disa herë në Padovë dhe Venedik. Vdiq i sëmurë në Prizren dhe dëshira e tij e shprehur dikur u bë realitet. AH, SIKUR TË KISHA NJË KANDIL TË NDEZUR E TË NDRIÇOJA ATË TOKË TË VARFËR TË SHQIPNISË DHE TË SERBISË, NJË PJESË E MADHE E SECILËS FLET SHQIP.
Këto zbulime dëshmojnë që gjuha shqipe është shkruar më herët se librat historik që janë gjetur më vonë. Për shekuj me rradhë osmanët qëllimisht dhe sistematikisht kishin përçarë popullsinë shqiptare në grupe rivalësh, armiqësive fetare dhe zëvëndësimin e gjuhës amtare shqipe me gjuhë të huaja. Ndonëse trashëgimia e panumër e poemave, baladave, përrallave dhe fjalëve të urta ishin përcjellë gojarisht brez pas brezi, qeveria osmane i kishte ndaluar rreptësisht botimet në gjuhën shqipe. Kështu që shqiptarët shkolloheshin në shkollat fetare që ishin në gjuhën turke, greke, sllave, italiane, gjermane. Dhe ata që shkolloheshin nuk e dinin mirë gjuhën e mëmës, shqipen. Fëmijët moslemanë duhet të shkonin në shkollën e Xhamise, ku mësonin turqisht, fëmijët e krishterë duhet të mësonin greqisht. Kështu në ato pak shkolla fillore në Shqipëri asnjëra nuk përdorte gjuhën shqipe. Propagandistë të djallëzuar përpiqeshin të shkombëtarizonin brezat e ardhëshëm të rinisë shqiptare. Gjuha shqipe përdorej zakonisht në jetën e përditëshme, prandaj arriti të përcillej nga brezi në brez.
Shkolla e parë e dokumentuar në gjuhën shqipe u hap në Veljet të Mirditës më 1632. Më pas në Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshan më 1639 dhe në qytetin e Shkodrës më 1698. Si mësues në to ishin Gjon Shqiptari, Filip Shkodrani dhe Dhimitër Dhërmiu. Arsimi katolik morri vrull të madh në Shkodër më 1855, kur u hap shkolla ‘’Françeskane’’ që më vonë do quhej ILYRIKUM. Këto shkolla katolike në Shqipërinë e veriut mbaheshin kryesisht me fonde austriake. Qëndra Kulturore Voskopojare (Moskopojë) ka luajtur një rol të madh në kulturën shqiptare. Atje u themelua AKADEMIA E RE më 1744, kjo pati një ndikim të fuqishëm në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe dhe ndërgjegjies kombëtare shqiptare.
Mbas një lufte të madhe për jetësën e gjuhës shqipe dolën atdhetarët e shquar shqiptar që shumë prej tyre u vranë nga armiqtë e gjuhës shqipe. Teodhor Kavalioti (1718-1797) nga Voskopoja, në vitin 1770 botoi Fjalori i gjuhës sllave-greke-shqipe, si dhe një studim shkencor të veçantë të shqipes. Ai ishte drejtor i AKADEMISË SË RE. Teodhor Kavalioti u vra nga të dërguarit e Fanarit (të kristerët ortodoksë të Stambollit), rrugës për të sjellë shkronjat latine shqipe të bëra prej plumbi, për shtypshkronjën ku do shtypeshin libra në gjuhën shqipe; (shih filmin UDHA E SHKRONJAVE). Naum Veqilharxhi (1767-1846) botoi në Bukurresht të Rumanisë më 1844 një abetare e quajtur EVETARI një libër me tetë faqe, që më 1845 u botua më i zgjeruar. Abetaret e Veqilharxhit u bënë qiriri i gjuhës shqipe në rrethin e Korçës. Por kjo abetare ngjalli frikë tek kleri ortodoksë grek, dhe me urdhër të Patriakut klerik të Stanbollit e helmuan Naum Veqilharxhin. Kostandin Kristoforidhi (1827-1895), i lindur në Skampa (Elbasan), u bë një nga gjuhëtarët më të shquar të Shqipëris, duke fituar titullin PISHTAR I GJUHËS SHQIPE. Studimet e para i morri në Janinë dhe më vonë në Kolegjin Protestant në Maltë. Në Janinë u ftua që t’i jepte mësim në shqip Dr. Johan Fon Hanit, i cili pas 40 vjet kërkimesh do të bëhej albanologu më i shquar shkencor në botë. Kristoforidhi dha mësim në Maltë, Tunizi, Tiranë dhe Skampa (Elbasan). Në Stamboll më 1882, botoi dhe një abetare në shqip, të quajtur ALFAVITAR SHQIP në gegërisht dhe toskërisht. Me rëndësi shumë të madhe është fjalori i shqipes me rreth 40.000 mijë fjalë, të mbledhura dhe të klasifikuara për 20 vjet rresht. Fjalori u botua në Athinë më 1904 pas vdekjes së Kostandin Kristoforidhit.
Për përhapjen e gjuhës shqipe, krerët bektashianë shqiptar dolën më haptazi dhe kjo për shkak të përleshjeve të tyre me otomanet e sektit Suni. Duke qenë se qeveria osmane mbajti një qëndrim mjaft armiqësor ndaj përhapjes së letërsisë në gjuhën shqipe, është e kuptueshme që angazhimi i pjestarëve të besimit mosleman në këtë fushë ka qenë fare i vogël. Megjithatë, interesi i njerëzve për gjuhën shqipe u rrit shumë dhe brenda pak vitesh u botuan katër gramatika të mira shqipe. Njëra u botua në Firencë nga Jeronin De Rada. Tjetra ishte Gramatika e Gjuhës Shqipe në Greqisht, e botuar më 1882 nga Kostandin Kristoforidhi. E treta ishte gramatika e Sami Frashërit e botuar në Bukuresht më 1886, në shqip. Kurse më 1887, Pashko Vasa nga Shkodra botoi në Londër një gramatike shqipe në gjuhën frënge.
Vërshimi i letërsisë kombëtare shqipe në vend sigurisht që inatosi qeverinë turke dhe kishën ortodokse greke. Patriarku ortodoks grek lëshoi një mallkim mbi letërsinë shqipe dhe kërcënoi me shkishërim të gjithë ata besimtarë që do të guxonin të mësonin dhe lexonin në gjuhën shqipe. Sulltani urdhëroi të gjitha postat doganore që të mos lejohej asnjë libër në gjuhën shqipe të futej në Shqipni. Dy armiqtë historike kundra njëri-tjetrit tani po bashkëpunonin me zell për përndekjen dhe burgosjen e gjithkujt që kapej me libra të gjuhës shqipe.
Qeveritarët osmanllinj me dhunë dhe klerikët fetarë me propagandë u përpoqën ta përçanin popullin shqiptar dhe ta linin në errësirë. Kështu kleri mosleman në rrugë fetare ndalonte besimtarët moslemanë të ndiqnin shkollat shqipe bashkë me të krishterët, me pretekstin absurd se PRISHIN BESËN. Nga ana tjetër priftër e dhespotë grekë thonin se vetëm greqishtja është gjuha e perëndisë, kurse shqipja është gjuhë SHEJTANI dhe në këtë mënyrë përpiqeshin të ndalonin përhapjen e gjuhës shqipe në shkolla, xhami, kisha e kudo. Por kundër këtyre forcave armike të gjuhës shqipe dhe interesave kombëtare u ngritën atdhetarët shqiptarë. Ata u vunë në krye të masave popullore dhe i dhanë hov lëvizjes për gjuhën dhe shkollën shqipe.
Prijësit e Rilindjes Kombëtare e kishin kuptuar mirë se rruga drejtë pavarsisë shkonte drejt arsimit dhe shkollës shqipe. Hartimi i librave dhe çelia e shkollës shqipe u bë problemi më i ngushëm. Qëllimi ishte me zgjuar ndërgjegjien kombëtare dhe për të rritur vullnetin për të luftuar për panvarsinë pastaj. Vala kundra shqiptare ishte shtuar edhe më shumë prej fqinjëve tanë mbas formimit dhe programit të LIDHJES SË PRIZRENIT. Lidhja kishte si qëllim kryesor çeljen e shkollës shqipe, por me shkatarrimin e Lidhjes puna e pionierëve të parë të arsimit shqiptar u bë dhe më i vështirë. Në Shkodër qytetarët mund të mësonin në shkollat e klerit katolik, të cilat në sy të qeveritarëve turq paraqiteshin si shkolla fetare. Kështu shkollat fillore fetare katolike u bënë çerdhja e diturisë arsimore shqipe dhe Faik Konica pat mësuar në shkollën e jezuitëve të Shkodrës. Meqenëse mësuesit shqiptar u bënë pararoja e nacionalizmit shqiptar, qeveria turke morri frikë dhe pa u mbështetur në asnjë ligj, mori masa të rrepta duke presekutuar arsimtarët shqiptar.
Në Shqipnin e jugut përhapja e arsimit shqiptar kombëtar u pengua edhe nga influenca shkatarruese e propagandës greke. Pothuase të gjithë ata që çelën shkolla shqipe në jug, ishin të fesë ortodokse. Qeveria greke me anë të Patriakanës së Stambollit dhe Fanariotëve kishin siguruar të drejtën me çel shkolla për të krishterët për t’u mësuar ortodoksëve të Shqipëris vetëm gjuhën greke. Qeveria greke me anën të shoqatave arsimore të ndryshme çeli me qindra shkolla greke në Shqipërin Jugore, për të futur ndjenjën greke në brezat e padjallëzuar shqiptar. Shqiptarët e krishterë që nuk u përulën politikës së Greqisë u mallkuan dhe u luftuan me çdo mjet. Mbas shumë botimesh e fjaloresh, shkollat moslemane kur bënin mësim në shqip shkruanin me shkronja arabe. Ndersa shkollat ortodokse greke përdornin në shqip shkronja greke. Atdhetarët e klerik katolik dëshironin që gjuha shqipe të shkruhej me shkronja latine.
Gjatë zhvillimit të letërsisë shqipe u hartuan disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stanboll. Megjithatë, mendimi i përgjithshëm ishte se shkronjat jolatine nuk ishin aspak të pranueshme për prodhimin e letërsise shqipe dhe gjuhës kombëtare shqipe. Për këtë arsye, shoqëria aktive dhe idealiste BASHKIMI në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. Më 14 Nëntor 1908 në Manastir u mblodh KONGRESI I MANASTIRIT ose KONGRESI I ALFABETIT.
Në këtë Kongres ishin të pranishëm 150 delegatë të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga bashkësitë shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjypt, Amerike, etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mithat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave, që botoheshin në Selanik LIRIA dhe DITURIA. Sekretare e komosionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça si dhe 11 antarë të tjerë. Në atë Kongres merrnin pjesë shqiptarë te fese moslemane, katolike, ortodoksë, protestante, njerës të ditur, te cilet erdhën së bashku të bashkuar si vëllezër për një qëllim të madh kombëtar. Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, nga Shkodra, preku të gjithë pjesmarrësit ...SA NJË HOXHË, RENDI TA PËRQAFONTE PARA TË GJITHËVE. Kërkesa e nacionalistëve shqiptarë ishte që gjuha jonë shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që nënkupton mosnënshtrimin qoftë ndaj osmanllinjve qoftë ndaj grekëve.
Kongresi vendosi me votë unanime të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja dhe që përdoret deri më ditët tona. Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë për të shqyrtuar problemet drejtëshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe. Duke qenë se para Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatiet e tyre, vendosmëria e delegatë vepër t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e panvarësise, që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria osmane e as nga kisha ortodokse greke dhe aleatet e tyre sllavë. Ndre Mjeda, një studiues jezuit, i thurri vargjet, ndoshta më të bukura gjuhës shqipe në atë kohë, si me poshtë:
Përmbi za, që lëshon bylbyli,
Gjuha shqipe m’shungullon,
Përmbi erë, qi nep zymbyli,
pa da zemrën ma ngushëllon.
Gegë e toskë, malësi, jallia,
jan nji komb, m’u da s’duron,
fundë e majë nji asht Shqipnia,
e nji gjuhë t’gjith na bashkon.
Në Manastir u hap dhe shtypshkronja, e cila financohej nga një grup tregëtarësh atdhetare shqiptarë. Shtypshkronja e Manastirit shpejt u bë e njohur në të gjithë Shqipninë si shpërndarëse e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Në këtë punishte ishin të punësuar 17 vetë, të cilët punonin me një makinë të re elektrike, që vihej në lëvizje me dorë për të shtypur gazetën e përjavëshme ‘’Bashkimi i Kombit’’ si dhe abetaret shqipe dhe tekstet shkollore. Çështja e gjuhës shqipe shpesh bëhej shkas shpërthimin e dhunës së fanatikëve që sulmonin pa mëshirë përparimin e gjuhës shqipe. Babë Dudë Karbunara (1842-1917) i lindur në Berat, bashkëpunonte ngushtë me Kostandin Kristoforidhin. Babë Karbunara shumë herë filloi gjatë kremtimit të meshës, të lexonte ungjullin në gjuhën shqipe, dhe kështu i filluan kërcënimet e para nga eprorët klerikë otodoksë dhe më 1895 fanatikët i dogjën të tërë shtëpinë.
Papa Kristo Negovani, një prift ortodoks i cili punoi për përhapjen e gjuhës shqipe, në moshën 30 vjeçare, më 12 Shkurt 1909 u masakrua me sëpatë e thika nga të dërguarit e vetë peshkopit ortodoksë grek. Atë natë i vranë dhe të vëllanë, Theodhos Negovanin. Poeti i asaj kohe, Loni Logri shkruajti një vajtim për të, si me poshte:
Papa Kriston e vranë,
Dhe s’ra për të një këmbanë,
Por malet e Shqipnisë
Dhe shpellat e malësisë
Thërrisnin an e mbanë,
Papa Kriston e vranë!
Prifti ortodoks kapedan Stathi Melani, vraponte me librat shqip në gji dhe me pushkën në krah fshat më fshat në Shqipërinë e Jugut për përhapjen e shkollës shqipe dhe kishën shqiptare. Veprimtaria e At Stath Melanit ra në sy të autoriteteve osmane dhe Fanarioteve të Stambollit. Tri herë osmanllinjtë ia dogji shtëpinë dhe librat shqip, por At Melani nuk pyeti. Më 24 dhjetor 1917, At Stathit i kishte zënë pritë banda e kusarëve të Josif Suropullos, te cilet e vranë, i prenë kokën At Stath Melanit dhe ia çuan në Athinë tek paguesit e vrasjes.
Petro Nini Luarasi (1865-1911) është një nga atdhetarët e shquar që punoi për përhapjen e gjuhës shqipe në rrethin e Korçës. Qe drejtor i shkollës së djemëve në Korçë. Petro Nini Luarasi shkonte fshati në fshat për përhapjen e gjuhës shqipe. Më 20 shtator 1892, peshkopi i Kosturit, Fillaterri, nxorri një lajmërim, me titull MALLKIMI I SHKRONJAVE SHQIPE. Qëndrimi grek i kishës ortodokse ishte aq i vendosur saqëe kush guxonte të këndonte meshën në gjuhës shqipe do të përfundonte me vdekje. Më 1909, qeveria osmane në bashkëpunim me kishën greke dhe sllavët, mbylli të gjitha shkollat shqipe dhe dha urdhër të prerë të shuhen në zjarr të gjutha librat, dokumentat dhe letërsia shqipe. Gjendja politike në vend në atë kohë ishte kritike për të marrë flakë nga çasti në çast.
Për atdhetarët shqiptarë u bë më se e qartë nuk do t’i realizonin dot kurrë qëllimet e tyre të larta pa hapur më parë shkollat shqipe për formimin e rinisë. Deri në atë kohë rinia shqiptare kishte qenë objekt i propagandës së huaj në shkollat e hapura nga qeveria turke dhe nga kisha greke, që të dyja kundërshtarë fanatikë të gjuhës shqipe dhe të çdo ndjenjë atdhetare. Megjithatë, gjatë punës për krijimin e sistemit të tyre shkollor, atdhetarët shqiptar u ndeshën me tri probleme të mëdha: pengesa nga autoritetet turke dhe greke, mungesa e të hollave dhe mungesa e mësuesve të kualifikuar. Shuma të vogla por të dobishme të hollash ishin mbledhur aty-këtu brenda vendit, kurse ato më të mëdha kishin ardhur nga shoqëritë dhe klubet shqiptare në vendet e tjera. Mirëpo kishte fare pak mësues të kualifikuar të gjuhës shqipe.
Për të bërë ballë kësaj sfide arsimore, Klubi i Selanikut thirri një tjetër Kongres në Elbasan, në zemër të Shqipëris, nga data 20 deri 27 gushtë të 1909. Në këtë Kongres tetëditore, që kishte synim zhvillimin e lëvizjes arsimore anembanë vendit, erdhën delegatë nga 28 shoqëri e klube shqiptare. Në Kongres u vendos që të themelohet SHKOLLA NORMALE NË ELBASAN një shkollë gjashtëvjeçare për pregatitjen e mësuesve të rinj. Njerës të mësuar në Universitetet e huaja Europjane u gjetën dhe u caktuan për të formuar trupin pedagogjik.
Klubi i Manastirit u caktua si qendra për krijimin e një Federate të Klubeve Shqiptare në Shqipëri dhe në kurbet. Qëllimi i Klubeve ishte pëhapja e gjuhës dhe arsimit shqip, pa u përzier me politikë. Klubi korçar PËRPARIMI u caktua si qëndra financiare, që do të adimistronte ndihmat dhe shtimin e shkollave të ditës dhe të natës. Përgjegjësia kryesore dhe prokupimi i madh ishte mbajtja e Shkollës Normale të Elbasanit. Kongresi i Elbasanit nxiti të gjithë shqiptarët të futnin gjuhën shqipe në shkollat e huaja të përhapura anemban Shqipërisë. Më 18 nëntor 1909 u bë thirrja haptazi: PËR MBAJTJEN E SHKOLLËS NORMALE TË ELBASANIT DUHEN PARA, PARA E MË SHUMË PARA. Nuk është e vështirë të përfytyrohet niveli i ulët i jetesës së njerëzve që u bëhej një propozim i tillë! Mirëpo, me ose pa mjetet e përshtatëshme, Shkolla Normale Elbasanit vazhdoi të pregatiste pionierët e arsimit për Shqipërinë që po rilindëte. Drejtori i parë i Normales ishte Luigj Gurakuqi dhe vite më vonë kjo shkollë u pagëzua me këtë emër. Shkolla Normale u hap më dhjetor të 1909 me 143 nxënës.
Shpërthimi i shqiptarizmit i kaloi të gjitha parashikimet e armiqëve të gjuhës shqipe. Në atë kohë dolën në dritë rreth 90 gazeta dhe revista shqipe që botoheshin në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit. Xhonturqit me kryetarin e tyre Ferit pashën, të friksuar nga ky shpërthim i shpejtë i arsimit shqip, reaguan ashpër duke ndaluar shoqëritë, shkollat dhe botimet në shqip. Në Vlonë atdhetarët e ndershëm arrestoheshin dhe internoheshin, shkolla e Vlonës u mbyll, kurse drejtori i saj Loni Naçi u largua nga Shqipëria nga frika e vrasjes. Në Gjirokastër pionieri i arsimit shqip kombëtar, Koto Hoxhi, u internua në kështjellën e Bosforit. Pandeli Sotiri, themelues i së parës shkollë shqipe në Korçë u internua në Selanik. Zhonturqit i kishin vënë detyrë vetes për të rrjepurr të gjallë të gjithë shqiptarët e ndershëm që punonin për përhapjen e gjuhës shqipe. Gjërat po shkonin keq më keq.
Dalja në pah e gjuhës shqipe me shkronja latine, provokoi moslemanët injorantë e konservatorë. Ata protestuan se shqipja, ashtu si turqishtja, duhen shkruar vetëm me shkronja arabe dhe se preferenca e atdhetarëve shqiptarë për shkronja latine perendimore ishte një përçmim për fenë myslimane. Njerës të paditur dhe injorantë formuan me mbështetjen edhe të Qeverisë së Zhonturqëve në Stamboll shoqërinë MAHFELI me synimin për përçarjen e shqiptarëve dhe frenimin e arsimit në shqip. Në fund të vitit 1909, Qeveria turke ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe me shkronja kombëtare në të gjitha shkollat anemban vendit. Gjithashtu nxorri një dekret, sipas të cilit gjuha shqipe do të shkruhet vetëm me shkronja arabe.
Shoqëria reaksionare MAHFETI me mbështetjen e qeverisë turke, shtypi dhe shpërndau abetaret e para me gërma arabe. Për këtë arsye, në shkurt të 1910, u mbajt në Elbasan një miting proteste ku 7000 njerës protestuan kundra përdorimit të shkronjave arabe për gjuhën shqipe. Kështu po atë muaj protestat vazhduan në Korçë, Berat, ku mbi 15000 vetë dogjën në qendër të qytetit abetaret shqiptare me gërma arabe të dërguara nga Stambolli. Telegrame të shumta nga shoqëritë, shqiptare të Selanikut, Shkupit e Manastirit u shprehën në mbrojtje të alfabetit shqip. Në Shkodër, një grup moslemanësh u bënë gati të organizonin një manifestim në përkrahje të shkronjave arabe. Mirëpo ndërruan mëndje kur 60000 katolikë dhe moslemanë të ndershëm shqiptar nga Malësia e Madhe organizuan ditë më parë një manifestim madhështor në përkrahje të shkronjave latine. Protesta të ngjashme u organizuan në Përmet, Kolonjë, Tepelenë, Frashër, Konicë, etj. Por turqit nuk deshën t’ia dinin. Atëherë në Mars 1910 u thirr Kongresi i dytë i Manastirit. Aty u vendos që të vazhdojë përdorimi i alfabetit kombëtar me shkronjua latine dhe protestat kundër vendimit të padrejt të Qeverisë Turke.
Gazeta atdhetare SHKREPTINA e Kajros botoi një momerandum të hartuar nga kryengritësit që luftonin në malet e Shqipëris. Në të theksohej se qëllimi i tyre nuk ishte për plaçkitur apo për të vrarë, por për të luftuar për lirinë e edukimit në gjuhën shqipe dhe me alfabetin kombëtar, lirinë për të hapur të gjitha shkollat shqipe të mbyllura nga qeveria turke dhe vënien në punë të shtypshkronjave, si dhe botimin e gazetave të ndaluara, lirimin e të burgosurve politikë. Dhe përfundonte me mesazhin: E GJITHË BOTA E QYTETËRUAR DHE VEÇANËRISHT QEVERIA E PERANDORISË OTOMANE LE TA DIJË MIRË SE TË GJITHË SHQIPTARËT, GEGË E TOSKË, KRISTJAN DHE MOSLEMAN, NUK DO TA PUSHOJNË LUFTËN PËR KËTO TRI KËRKESA, DERISA QEVERIA TË NA I GARANTOJË ATO ME SIGURI. Edhe në këtë luftë shkolla shqipe doli fitimtare. Me pak mjete dhe mësues, por me dëshirën në shpirt për dituri shkollore shqiptare, midis pengimeve sllave, greke dhe turke, shkolla shqipe fitoi nga veriu e deri në jug të Shqipërisë dhe pregatiti breza të rinjë atdhedashës.
Megjithëse ky zhvillim kulturor ishte përfytyruar si jo i dhunshëm, shpejt ai ishte kthyer në një zjarr të rrezikshëm. Që shqiptarët trima si Isa Boletini dhe burri i zoti Ismail Bej Qemal Vlona, do nxitonin hapat për të shpallur mëvetësin e Shqipërisë më 28 nëntor të 1912 në Vlorë. Mbas pak muajsh filloi Lufta Ballkanike dhe Manastiri e Shkupi, dy qytetet historikisht të banuara kryesisht nga popullsi shqiptare, u pushtuan nga serbët. Të gjitha dyqanet dhe librat shqip u dogjën dhe shumica e atdhetarëve shqiptar u therrën nga serbët e disa u burgosën. Popullata moslemane shqiptare u detyrua të braktiste qytetin e Shkupit dhe të Manastirit, ndersa ata familje ortodokse shqiptare që mbetën aty me kalimin e viteve dhe me dhunë u asimiluan duke humbur dinjitetin e tyre shqiptar.
Në përfundim të kësaj përmbledhje të shkurtër mbi ARMIQTË E GJUHËS SHQIPE DHE FITORJA E SAJ duhet të kujtojmë amanetin e atdhetarëve të ndershëm, që luftuan e punuan të bashkuar, gegë e toskë, të çdo feje, në Prishtine, Shkup e Tiranë, në Ulqin, Janine e gjetkë, për mos zhdukjen e gjuhës tonë kombëtare. Prandaj, kurrë të mos e braktisim gjuhën tonë amtare shqipe, mos ta lemë të vdesi sa t’kemi jetën, të punojmë dhe të merremi vesh të bashkuar, që sa më gjatë ta ruajmë gjuhën tonë, atdheun dhe zakonet tona të bukura të lashta që rrrjedhin nga pellazgjët tek shqiptarët.
-------------------------------------- - -
Përgatitur nga Teuta Llalla
__________________
It takes just as much courage to express your love when it's right, as it does to walk away when it's wrong.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|