mayday
Anetar i regjistruar
Regjistruar: 13/01/2004
Vendbanimi: Tirane
Mesazhe: 50
|
Lexoni edhe pak kete shkrim i publikuar sot nga dy koleget e mi te Panorames...
Nuk e kanë pritur që edhe atje në shkretëtirë, kur mendonin se ishin të vetmit që flisnin shqip, do të takonin të tjerë bashkekombas, që, edhe pse me tjetër uniformë, flisnin të njëjtën gjuhë.
Madje, mes tyre kanë takuar edhe një hero. Vilson Aldeda, pjesëtar i kompanisë së parë Komando në Irak, tregon takimin me Ervin Dervishin, shqiptarin e vrarë të shtunën që kaloi në Tikrit më 19 prill të vitit të kaluar. Kur përmendet emri i tij, djaloshi me uniformë, që ka kaluar me dhjetwra situata të vështira, fshin sytë me njërën dorë. Ervini ishte ai që u dha kurajo në momentin që do të shkelnin atje ku bëhej luftë e vërtetë. Në një intervistë për gazetën Panorama, Vilsoni rrëfen momentet e takimit dhe mbresat që i la Ervin Dervishi, heroi i parë shqiptarë në Gjirin Persik.
Para katër ditësh, në Irak, u vra një shqiptar, që luftonte në ushtrinë amerikane, mësuam se ju dhe shokët tuaj e keni njohur?
Po, Ervinin e kemi takuar në Irak, pak kohë para se të nisnim misionin tonë. Ai ishte ushtar në Divizionin 4-ët dhe po kthehej nga Bagdadi, pasi kishte kryer një mision atje. Kishte hyrë në Irak me forcat e para luftuese dhe ishte pjesë e një divizioni me tradita.
A mbani mend ndonjë detaj të këtij takimi?
Po, e mbaj mend shumë mirë. Jemi takuar më 19 prill të vitit 2003. Ne ndodheshim në radhë pranë gabinës telefonike, duke pritur të flisnim në telefon me familjet në Shqipëri. Ai, pasi kishte parë flamurin, u afrua vetë dhe na foli shqip. Shqiptarë jeni, pyeti, ne iu përgjigjëm dhe e pamë të habitur, ai na shtrëngoi dorën të gjithëve, njëri pas tjetrit dhe na tregoi se vinte nga Tirana.
Çfarë biseduat me Ervinin?
Ai na tha se si kishte shkuar në Amerikë, me anë të llotarisë dhe se si ishte regjistruar në ushtrinë amerikane. Gjithmonë kam dashur të bëhesha ushtarak, na tha, edhe po të kisha qëndruar në Shqipëri do të isha regjistruar në ushtri, pasi e kam me pasion. Më pas na pyeti për Shqipërinë.
Çfarë përshtypjesh iu la?
Ishte një djalë shumë i mirë, i qeshur dhe i dashur. Edhe pse kishte kohë që ndodhej në Amerikë, fliste shqip shumë mirë dhe u kënaq që na takoi.
Keni ndonjë kujtim prej tij?
Jo nuk morëm ndonjë gjë. Nuk bëmë as fotografi, pasi nuk kishim as aparat në ato momente. Ne i dhamë një stemë komandoje dhe një flamur shqiptar, që e kishim me vete. Mbaj mend që ai u përlot.
E takuat më pas herës së parë?
Po, ai vetë erdhi edhe një herë të dytë të na takonte, ndërsa ndodheshim në sheshpushimin tonë. Ai na foli për gjendjen e rrugës për në Bagdad, pasi kishte qenë aty më parë dhe kishte marrë pjesë në luftimet e para, që u zhvilluan në këtë vend. U mundua të na ulte tensionin, duke na treguar se nuk kishte shumë rreziqe, dhe nuk duhej të trembeshim. Mbaj mend që e dëgjonim mirë atë që na tha ai dhe se na hynë në punë, më pas kur marshuam drejt Bagdadit. Vërtet që fjalët e tij na dhanë kurajo.
Ervini është varë para disa ditësh në Irak, çfarë ndjeni pas kësaj?
Fakti që e njihnim dhe për më shumë që ishte shqiptar, na bënë të na vijë keq. Sepse ai ishte në të vërtetë një djalë dhe njeri shumë i mirë. Edhe pse u takuam vetëm dy herë, e mbajmë mend mirë, një nga të paktët persona që na mbeti në mendje gjatë misionit tonë në Irak.
Ju keni qenë në kompaninë e parë komando shqiptare në Irak, a keni ndonjë përshtypje të veçantë prej andej?
E kam të vështirë të dalloj një moment të qëndrimit tim atje. Gjithçka ka qenë nën presionin dhe ato që të jep lufta, ku gjëja kryesore ishte t“ia dilje mbanë.
Ka patur ndonjë moment që nuk do donit të ishit në Irak?
Jo, këtë e them me plot bindje, atje nuk ke kohë të bëhesh pishman, e vetmja gjë që të duhet është të kryesh misionin që ke marrë përsipër. Kur i del në ballë një rreziku dhe arrin ta kapërcesh me sukses atë, gjithçka që ka lidhje me të duket e lehtë. Është e vështirë të flasësh për situata të rënda, pasi kur shikoj pas më duken të lehta.
A keni patur raste të përballjes me armë me irakenë?
Po, kam qenë në një rast të tillë, kur patrulla jonë u qëllua me armë nga një person. Ne sapo kishim lënë makinën, disa metra më tutje, për të vazhduar patrullimin në këmbë. Ishte natë dhe, megjithëse ishim të pajisur me dylbi për natën, nuk arrinim të shquanim kundërshtarin, që ishte vendosur mbi një kodër, në mënyrë të atillë që as plumbat nuk e merrnin. Menjëherë sapo na qëlloi, u shtrimë në tokë dhe iu kundërpërgjigjëm, nuk arritëm që ta kapnim sepse ai ndodhej larg. Vetëm pak minuta më vonë disa metra më tutje, arritëm të ndalojmë një iraken të dyshimtë.
Endrra e shqiptarit
Vëllai i Ervinit: Tani do të shkoj unë në ushtri
FORT UORTH Për Ervin Dervishin, t“i shpëtonte skamjes e varfërisë në Tiranë, Shqipëri, ishte gjëja më e lehtë. Gjithçka që familja e tij duhej të bënte ishte të fitonte një llotari amerikane. T“i shpëtonte Irakut, rezultoi më e vështirë. Kur shokët dhe miqtë e Vinit (siç e thërrisnin ata), po përgatisnin ceremoninë funerale, ata kujtuan një djalë të mirë, i cili e donte futbollin dhe që ëndërronte të bëhej oficer policie. Ai shpresonte se regjistrimi në ushtri, pasi kishte mbaruar studimet e mesme, në maj të vitit 2002 në Uestern Hills High School do ta çonte në një karrierë ushtarake. Ishte entuziast, pasi u regjistrua te divizioni i katërt i këmbësorisë në Fort Hood. Të gjithë po qajnë për të, thotë vëllai i vogël i Ervinit, Saimiri, 19 vjeç. Shumë nga të ardhurit kanë ardhur nga Shqipëria. Qeveria shqiptare na mori në telefon duke na dërguar ngushëllimet më të ngrohta. Megjithëkëtë, ne jemi njerëz të thjeshtë, ata e kanë respektuar idenë që ne erdhëm këtu për t“u përpjekur të krijojmë një jetë më të mirë për veten tonë. Vini ishte prezent edhe në kapjen e Sadamit më 13 dhjetor 2003, duke iu referuar atyre që thotë zonja Kim Beebe, sponsori i familjes për ardhjen në SHBA. Vini iu bashkua ekipit të futbollit dhe u votua si lojtari më i vlefshëm nga vetë shokët e tij të skuadrës. Trajneri i tij e tregon si një lider të vërtetë dhe lojtarë shumë të mirë. Komshiu dhe shoku i lagjes Maureen De Serio, i cili ka banuar në të njëjtin pallat me familjen Dervishi, e kujton Ervinin si një djalë të këndshëm, të qeshur dhe të zgjuar. Vini siç e thërrisnin atë - fliste shumë dhe i pëlqentë të dilte me vajza, por në fillim gjendej në vështirësi, derisa mësoi mirë gjuhën, tha De Serio. Dhe njerëzit e familjes së tij, ishin njerëz të mrekullueshëm. Nëna e tij bënte bakllava, dhe bisedonim shpesh. Vini ishte mysliman, por shkonte në shumë bashkësi të tjera, madje edhe kisha kristiane. Ai donte të fitonte eksperienca për vete, nuk kishte paragjykime dhe nuk njihte kufi në pikëpamjet e tij, tha De Serio. Për trajnerin e ekipit të Fort Uorth, ai ishte tifozi nr.1. Trajneri Chuck Green, tregon se S“kishte rëndësi se si dilnim ne me rezultat, ai do ishte gjithnjë aty prezent, ekipi i futbollit do ta kujtojë Ervinin para ndeshjes që ata do të zhvillojnë të martë që do të vijë, tha Green. Ndërkohë që vëllai i vogël i Ervinit tha se do të vazhdonte në hapat e tij dhe do t“i bashkohej ushtrisë. Një përshtypje të mirë ka për shqiptarin edhe shefi i policisë së Maypearl, Nathan Bickerstaff, që tha se ai kishte një dëshirë të zjarrtë t“u shërbente njerëzve në komunitetin e tij, dhe në fund, ai dha jetën për të mbrojtur SHBA-të.
Marrë nga Star-Telegram
Në ushtrinë amerikane ka edhe shqiptarë të tjerë
Ervin Dervishi, që vdiq në krye të detyrës, nuk ishte as i pari dhe as i fundit ushtar shqiptar, në ushtrinë amerikane, që ndodhet në Irak. Sipas informacioneve që kanë komandot tanë, shumë shqiptarë, që kanë edhe familjen në Amerikë kanë hyrë në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe pse nuk ka shifra të sakta, duke qenë se këto informacione nuk bëhen publike, gjithsesi komandot tanë tregojnë se, përveç Ervinit, kanë takuar edhe shqiptarë të tjerë. Në përgjithsi, ata janë shprehur se edhe po të kishin qenë në Shqipëri do të zgjidhnin ushtrinë, dhe se për ta ishte e rëndësishme që ta kryenin misionin sa më mirë.
__________________
Shpesh here njeriu "qahet" per lirine e fjales te cilen e ka, por rralle here flasin per te verteten...
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|