Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Aktualitete Ndërkombëtare > Ted Sorensen, artikullshkruesi i Kenedit
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër
Autori
Titulli Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
lule
at this moment in time...

Regjistruar: 28/10/2010
Vendbanimi: Dans tes rêves..
Mesazhe: 8269

Ted Sorensen, artikullshkruesi i Kenedit

Ted Sorensen, që ndërroi jetë dy ditë më parë në moshën 82-vjeçare, ishte strategu dhe fjalimshkruesi politik i Presidentit Kenedi. Ishte një nga njerëzit që i mundësuan atij suksesin në zgjedhjet presidenciale të vitit 1960. Ishte ky një triumf që e bëri Sorensenin shumë të famshëm dhe mbi të gjitha ai konsiderohet si njeriu që ka vendosur standardet e oratorisë moderne

Ishte Sorensen njeriu që i përgatiti Presidentit të ri Kenedi fjalimin e tij 14-minutësh, të cilin e mbajti me rastin e inaugurimit të tij si i pari i vendit. Ishte një fjalim që u drejtohej amerikanëve me thirrjen për vetësakrifikim dhe përfshirje më të madhe civile në jetën e vendit. Ishte fjalimi që do të mbahet mend përjetësisht për fjalinë e famshme që u shndërrua në një “lapidar” për të gjithë ata njerëz që iu futën politikës me ndershmëri dhe idealizëm: “Mos pyet se çfarë do të bëjë vendi yt për ty, por çfarë do të bësh ti për vendin tënd”. Ishte fjalimi që shpalli se Amerika nuk do të kursente asgjë për të mbrojtur interesat e saj në çdo cep të botës.

Sipas një analisti, Sorensen “kishte lavdinë e fjalës, por ai ishte shumë më tepër se një ‘gdhendës’ i fjalës. Ai ishte edhe një mjeshtër i filozofisë politike dhe i strategjisë politike”.

Edhe pse Sorensen ishte më i riu në moshë ndër personat që konsideroheshin si rrethi i brendshëm i Kenedit kur ai erdhi në Shtëpinë e Bardhë, atë e konsideronin për nga fuqia dhe pushteti që kishte në administratë menjëherë pas vëllait të Presidentit Bob Kenedi. Bashkëpunimi i Sorensenit dhe Kenedit ishte jashtëzakonisht i madh, veçanërisht kur bëhej fjalë për përgatitjen e fjalimeve të rëndësishme. Madje askush nuk arrinte që të kuptonte se cilat ishin fjalët dhe idetë e Presidentit dhe cilat ishin ato të fjalimshkruesit të tij. Në momentet kur punonin bashkë, ata të dy bëheshin unikë dhe shkriheshin në një njeri të vetëm.

Dhe vërtet, Kenedi, politikani i famshëm dhe i pasur nga Masaçusetsi dhe ndihmësi i tij besnik nga mesi i Shteteve të Bashkuara, formonin një çift të çuditshëm, por shumë plotësues dhe të efektshëm. Në vitin 1960, revista “Time” e përshkruante Sorensenin si “një njeri me një mendje të ndritur, shumë i kthjellët dhe me një talent të jashtëzakonshëm për të shkruar”. Vetë Sorenseni e dinte që me Kenedin e lidhnin shumë gjëra. Të dy kishin një sens shumë të hollë humori dhe shihnin gjithmonë anën komike të gjërave; të dy e urrenin hipokrizinë, i donin pa masë librat dhe artin dhe kishin një mendje mjaft të hapur në lidhje me jetën publike.

Në tetor të vitit 1962, Sorensen ishte duke e ndjekur nga shumë afër krizën e madhe mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, e cila mund të kishte përfunduar me një luftë bërthamore.

Kenedi në atë moment e urdhëroi Sorensenin dhe vëllain e tij, Bob, që ishte prokurori i administratës, të hartonin një letër drejtuar Presidentit rus, Nikita Hrushov, i cili, nga ana e tij, u kishte dërguar amerikanëve disa mesazhe shumë konfliktuale. Kenedi synonte që ata, përmes gjuhës së diplomacisë dhe argumenteve, të arrinin ta zbusnin Hrushovin dhe ta ulnin tensionin shumë të madh të krijuar mes dy superfuqive të botës, në ato vite të Luftës së Ftohtë. Pikërisht letra e hartuar nga Kenedi dhe Sorensen, që e injoronte gjuhën e ashpër dhe konfliktuale të përdorur nga Hrushovi në mesazhet e tij, bënë që lideri rus të rishikonte qëndrimet dhe si pasojë edhe e veprimeve të tjera diplomatike, rusët të hiqnin raketat e tyre bërthamore nga Kuba dhe t’i jepnin fund një kërcënimi të madh jo vetëm për të dyja vendet, por me pasoja në të gjithë botën. Në këtë mënyrë u shmang një luftë thuajse e sigurt. Vetë Sorensen e konsideroi këtë një ngjarje shumë të madhe dhe një arritje të penës e gjuhës së tij. Por ai që mbetet monumental ndër fjalimet e shkruara prej tij është fjalimi i parë i mbajtur nga Kenedi si Presidenti i vendit. Ai është i mbushur me sentenca të mençura, të tilla si: “Le ta marrë vesh çdo vend i botës, nga ata që na duan të mirën, por edhe nga ata që nuk na e duan, se ne do të paguajmë çdo çmim, do të mbajmë çdo barrë, do të përballojmë çdo vështirësi, do t’i kundërvihemi çdo armiku, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.

Disa e quanin edhe “poeti i Camelot”, (Camelot ishte emri që i kishin vënë administratës së Kenedit), por vetë Sorensen nuk e ka pretenduar kurrë autorësinë ekskluzive të fjalimeve të Kenedit, edhe pasi Presidenti ndërroi jetë në mënyrë tragjike. Përkundrazi, procesin e të shkruarit të fjalimeve ai e ka përshkruar si një proces shumë bashkëpunues dhe një proces ku vetë Presidenti kishte vulën e mendimeve, ideve dhe fjalëve të tij. Në prill të vitit 1961, disa javë pasi Kenedi kishte marrë presidencën, Bashkimi Sovjetik dërgoi njeriun e parë në Hënë, duke lançuar kështu një sfidë të hapur për administratën amerikane. Por më pak se një muaj më pas, amerikani Alan Shepard bëri gjithashtu një fluturim orbitor. Në këtë periudhë Sorensen ishte i magjepsur edhe nga një ide tjetër shumë e guximshme, ajo e “pushtimit” të Hënës, pra e dërgimit të një anijeje kozmike me njerëz në satelitin e Tokës. Pikërisht në atë kohë Kenedi, Presidenti që donte qiellin dhe ishte i etur për të eksploruar hapësirën, deklaroi: “Unë besoj se ky komb duhet të zotohet që do ta arrijë këtë objektiv para fundit të këtij dhjetëvjeçari. Njerëzit duhet që të shkojnë në Hënë dhe të ulen në sipërfaqen e saj dhe mbi të gjitha të kthehen të sigurt në Tokë”. Me të drejtë astronautët amerikanë e realizuan këtë premtim të Kenedit, duke e bërë ëndrrën e tij realitet në korrik të vitit 1969.

Theodor Chaikin Sorensen lindi në atë që ai e quante si një familje danezo-ruso-hebreje më 8 maj të vitit 1928 në Linkoln, Nebraska. I ati i tij ishte Prokuror i Përgjithshëm i shtetit dhe republikan. Pasi u diplomua në shkollën e lartë të Linkolnit në vitin 1945, ai studioi ligje në Universitetin e Nebraskës. Në vitin 1952, kur ishte 24 vjeç, ai iu bashkëngjit stafit të Kenedit. Senatori i sapozgjedhur i Masaçusetsit i dha Sorensenit dy intervista të shkurtra një ditë para se t’i propozonte që të punonte përkrah tij. Që në takimin e parë Kenedi dhe Sorensen u ndien shumë mirë me njëri-tjetrin, duke e plotësuar dhe duke i shtuar vlera bashkëpunimit të tyre shumë të frytshëm. Për katër vjet, që nga viti 1956, kur Kenedi dështoi në nominimin e tij për postin e zëvendëspresidentit, ai dhe Sorensen udhëtuan së bashku në të gjitha shtetet e vendit, duke u përqendruar në një qëllim dhe objektiv të vetëm: zgjedhjen e Kenedit si Presidenti i ri i vendit. Në janar të vitit 1960, Kenedi njoftoi kandidimin e tij për zgjedhjet presidenciale dhe së bashku me stafin e tij dhe veçanërisht me Sorensenin, kryen një nga fushatat presidenciale më të paharruara dhe më të suksesshme në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sorensen punonte shumë dhe nën një presion të madh. Ishte mjaft rezultativ dhe ndërsa Kenedi ishte duke lexuar njërin fjalim, ai ndërkohë i përgatiste fjalimin tjetër. Për Kenedin ai ishte një burim i pashtershëm idesh. Nuk ishte pra rastësi që ai u shndërrua në një nga figurat më të famshme dhe më të fuqishme të stafit të afërt të Presidentit amerikan deri në ditën e tij të fundit të punës dhe të jetës. Gjatë gjithë presidencës ka qenë një nga personat me profil më të veçantë dhe me një reputacion të padiskutueshëm.

Pas vrasjes së Kenedit në vitin 1963, Sorensen punoi si avokat i çështjeve ndërkombëtare dhe ndër klientët e tij ishin shumë njerëz të shquar e shtetarë, ndër të cilët edhe ish-presidenti egjiptian Sadat. Ai vazhdoi të ishte i përfshirë në politikë, duke iu bashkëngjitur fushatës zgjedhore të Bob Kenedit në vitin 1968 dhe 4 vjet më pas pati edhe vetë një përpjekje të dështuar për t’u bërë senator i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1977, Presidenti i asaj kohe, Jimmy Carter, e emëroi Sorensenin drejtor të CIA-s, por kritikët konservatorë e hodhën poshtë me shumë zell këtë emërim, duke mos i dhënë mbështetjen e tyre.

Sorensen ishte një njeri shumë i përkorë, nuk pinte as duhan dhe as alkool. Ishte përgjithësisht i shëndetshëm. Vetëm në vitin 2001, një goditje në zemër e la Sorensenin me sy të dobët dhe për këtë arsye atij iu desh që t’ia diktonte kujtimet e veta që kishte nisur t’i shkruante sekretares së tij. Libri i tij me kujtime, “Këshilltari”, u botua në vitin 2008. Po atë vit Sorensen i doli për krah kandidatit demokrat për President Barak Obama, duke bërë paralele mes tij dhe Kenedit për sa u takon gjykimeve dhe vendimeve që kishte marrë si senator, ndër të cilat edhe kundërshtia e hapur ndaj luftës në Irak. Por, ndërkohë, në lidhje me fjalimet e Obamës shprehu zhgënjim, duke deklaruar se ato ishin shumë të komplikuara për njerëzit e thjeshtë. Ted Sorensen ishte i martuar tri herë dhe kishte katër fëmijë.

(Shqip)

__________________
"Tmerrohem kur e mendoj boten pa mua!!"--Jean-Paul Sartre

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetr 04 Nëntor 2010 21:56
lule nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të lule Kliko këtu për të kontaktuar me lule (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: lule Shto lule në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto lule në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 15:51 Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
  Tema e mëparshme   Tema Tjetër

Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Aktualitete Ndërkombëtare > Ted Sorensen, artikullshkruesi i Kenedit

Përgatit Këtë Faqe Për Printim | Dërgoje Me Email | Abonohu Në Këtë Temë

Vlerëso këtë temë:

Mundësitë e Nën-Forumit:
Nuk mund të hapni tema
Nuk mund ti përgjigjeni temave
Nuk mund të bashkangjisni file
Nuk mund të modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko për tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.