sarandaebukur
Veteran ne forum
Regjistruar: 21/06/2003
Vendbanimi: New-York
Mesazhe: 817
|
14 keshilltaret e Berishes,"portokalli"qeveritare.
Nga Kastriot MYFTARAJ - Kryeministri Berisha ka bërë një veprim transparent duke u kërkuar këshilltarëve të vet që të paraqesin jetëshkrimin e tyre në faqen on-line të Këshillit të Ministrave, gjë që nuk e ka bërë bie fjala Presidenti i Republikës, ministrat, ose të tjerë institucione.Por, duke bërë këtë Berisha ka evidentuar joseriozitetin e qeverisjes së vet, se mjaft që të shikosh jetëshkrimet e këshilltarëve të Berishës, për tu bindur për këtë gjë. Kryeministri Berisha ka 14 këshilltarë, të cilët i kushtojnë jo pak taksapaguesve shqiptarë, me rrogë, pagesë telefonash, udhëtime jashtë vendit etj. Nëse do të shikosh jetëshkrimin e tyre, do të bindesh se vështirë se ndonjë prej tyre është njeriu i duhur në vendin e duhur. Duke i marrë këshilltarët e kryeministrit në rend alfabetik, siç janë paraqitur në faqen on-line të Këshillit të Ministrave: Avenir Peka është këshilltar i kryeministrit për rendin dhe sigurinë. Pra, ky është njeriu që në një mënyrë ose në një tjetër duhej të interesohej për procesin e demilitarizimit, veçanërisht për atë se ku do të bëhej çmontimi i municioneve, duke e ditur se ky proces kishte rreziqe për sigurinë e vendit. Për të bërë punën e vet, këshilltari i kryeministrit supozohet që të grumbullojë sa më shumë informacion në fushën përkatëse. Por, Aveniri nuk kishte nge për këto gjëra se ai jep mësim dhe në dy universitete private, siç thotë me sa duket për mburrje në jetëshkrimin e vet. Merret vesh është i pangopur me lekë. Do të ishte kurioze p.sh. që ky Aveniri të dilte ndonjë mbrëmje në studion e kushëririt të vet Çlirimit, në emisionin Fakt dhe të pyetej për këto gjëra. Ironia është se në jetëshkrimin e vet, këshilltari i Berishës për sigurinë, nuk paraqet as datëlindjen e vet, a thua se kërkon ende të sigurohet për këtë gjë. Dhe të mendosh që është edhe jurist. Në jetëshkrimin e vet, ky Aveniri i sigurisë mburret se në vitin 2002 ka bërë një trajnim në Kroaci, mbi çështjen Terrorizmi dhe siguria në shekullin XXI, Evropa Juglindore dhe bota. Avenirit duhet ti shkonte mendja se terrorizmi më i sofistikuar është ai që shfrytëzon situatat, për të mos ngjarë si terrorizëm. Duket se Aveniri, postin e këshilltarit për sigurinë dhe rendin nuk e kishte marrë si punë serioze, si aventurier i burokracisë ndërkombëtare që është. Nga jetëshkrimi i tij merret vesh se deri në mars 2005 ai ka punuar në Departamentin e Drejtësisë të UNMIK, në zyrën e Prokurorëve ndërkombëtarë. Ky i përket atij grupi njerëzish pranë PD, që kur kjo parti doli në opozitë shkuan jashtë vendit për të gjetur punë pranë burokracisë ndërkombëtare, ndërsa kur PD erdhi në pushtet, u kthyen me CV të pasura, për të marrë poste. Admir Drago është këshilltar i kryeministrit për Çështjet Ligjore. Sipas jetëshkrimit të vet, deri në 2007 ka qenë avokat pranë AMC. Duket se Berisha e ka zgjedhur këtë person si këshilltar, duke menduar se këtë gjë do ta mirëpriste Greqia. Admir Drago, sipas datëlindjes që ka dhënë vetë, është 30 vjeç, çka do të thotë se kur Berisha erdhi në pushtet, në 2005, ishte 27 vjeç. Një kryeministër në të gjashtëdhjetat, si Berisha, që merr këshilltar për çështje ligjore një njeri në këtë moshë, tregon qartësisht joseriozitetin e vet. Eksperiencat e punës të Admir Drago, sipas jetëshkrimit të vet, fillojnë në vitin 2003, kur ai hyri në punë si avokat pranë studioje ligjore të huaj që vepron në Shqipëri (kjo studio ligjore që angazhon një avokat 25 vjeçar tregon nga ana e saj joseriozitetin e vet), dhe kjo është një nga dy eksperiencat e punës të Dragos. Tjetra është pas kësaj, e shkurtër, tek AMC. Këshilltari i kryeministrit për çështjet ligjore supozohet që të jetë një jurist me përvojë në këto 18 vjet të tranzicionit, jo një si Drago. Fatbardh Kadilli është këshilltar i kryeministrit për antikorrupsionin. Kjo tregon se angazhimi i deklaruar i kryeministrit Berisha për të luftuar korrupsionin ka qenë më së paku joserioz. Shqiptarët janë fatzinj, që Fatbardhi është këshilltar i kryeministrit për antikorrupsionin. Sipas jetëshkrimit të vet zyrtar, Fatbardh Kadilli është diplomuar në Universitetin e Tiranës për gjuhë-letërsi. Më pas, siç është praktika e aventurierëve të OJF-ve të Tiranës, Fatbardhi ka kryer studime pasuniversitare për punonjës social, në Tiranë. Sipas jetëshkrimit të vet, zyrtar Fatbardhi vazhdon studimet në Londër për një master për Politikat publike dhe menaxhimin. Është për tu habitur që kryeministri merr si këshilltar një njeri që ende vazhdon të shkollohet, në kohën kur paguhet për të bërë këshilltarin. Kjo tregon joseriozitetin e kryeministrit, se sa për Fatbardhin dihet se është një aventurier i OJF-ve. Duke marrë Berisha si këshilltar për antikorrupsionin, një të diplomuar për gjuhë-letërsi, që është duke kryer një master për ligje, tregon më së paku joseriozitetin e vet. Por, Berisha e ka marrë Kadillin se ai në vitet 2001-2004 ka qenë zëvendësdrejtor i programit të USAID për reduktimin e korrupsionit. USAID ia dha këtë vend Kadillit se ai ishte bashkëthemelues dhe anëtar bordi tek OJF e Genc Rulit, Instituti i Studimeve Bashkëkohore, që ka qenë i parapëlqyeri i USAID. Kjo tregon dhe joseriozitetin e USAID në Shqipëri. Kadilli, kur punoi për dy vjet, në 1993-1995, si inspektor i pritjes së popullit dhe ankesave në kryeministri, u bë anekdotik për mënyrat që gjente për t i sjellë rrotull ata që ankoheshin dhe jo për të bërë seriozisht detyrën e vet, që mund të quhej si pikë-kyç për të perceptuar korrupsionin. Këshilltari i kryeministrit për territorin dhe pronat, Flamur Kuçi është diplomuar për arkitekturë. Është disi e habitshme që për këto çështje kryeministri ka për këshilltar një arkitekt. Çlidhej ka një arkitekt me çështjen e pronave? Aq më tepër kur ky njeri në jetëshkrimin e vet nuk ka shënuar asnjë punë konkrete si arkitekt, por vetëm projekte OJF-ësh. Pastaj duket dhe si një humor i hidhur fakti që këshilltari i kryeministrit për pronat është dhe pedagog në Akademinë e Arteve, dega skenografi. Kjo i jep një kuptim artistik çështjes, sikur kryeministrit nuk i duhet një këshilltar për territorin dhe pronat por një ekspert në inskenim. Këshilltari i kryeministrit për integrimin euroatlantik, Glori Husi, është diplomuar në fakultetin juridik të Universitetit të Athinës në vitin 2001. Në jetëshkrimin e vet zyrtar ai thotë për vetveten në vetën e tretë: Z. Glori Husi është një jurist me formim të plotë dhe të gjithanshëm përsa i përket sistemeve ligjore nacionale duke pasur një njohje të thellë të së Drejtës Greke dhe gjithë aspekteve institucionale të sistemit ligjor Grek por edhe të shumë aspekteve të sistemit ligjor të Gjermanisë. Pra, këshilltari i kryeministrit për integrim euroatlantik na qenka një ekspert i së drejtës greke. Duket se Berisha e ka marrë këtë këshilltar për të kënaqur Greqinë, që u thotë shqiptarëve se rruga e Shqipërisë për integrimin euroatlantik kalon nga Athina. Këshilltari i kryeministrit për arsimin, Myqerem Tafaj, sipas jetëshkrimit të tij zyrtar, është diplomuar për veterinari. Çmarrëzi e çuditshme kjo e kryeministrit, që merr si këshilltar për arsimin një veteriner, a thua se për kryeministrin shkollat shqiptare janë stalla dhe nxënësit dhe studentët shqiptarë janë viça dhe derra! Pjerin Marku është këshilltar i kryeministrit për industrinë e informacionit. Edhe ky është një intelektual-master, që ka kapërcyer nga fusha e vet, në të gjitha fushat e mundshme. Si shkollim bazë ai ka kryer fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit, në universitetin e Tiranës, dega topogjeodezi. Sipas jetëshkrimit të vet ka kryer studime pasuniversitare jashtë vendit për shkencat kompjuterike, si dhe ka kryer një master në administrim-biznes, si dhe është duke marrë doktoraturën. Pra, një i diplomuar për topografi-gjeodezi, që pretendon se është duke marrë si drejtim kryesor atë të administrim-biznesit, ku po bëhet doktor, është këshilltar i kryeministrit për industrinë e informacionit, fushë ku pretendon se ka bërë disa studime pasuniversitare, për të cilat nuk jep kohën se kur i ka bërë! Vetëm një kryeministër bufon mund ta merrte për këshilltar këtë njeri. Arsyen pse e ka marrë për këshilltar, e gjen në jetëshkrimin e Pjerin Markut, kur thotë për veten se ka qenë drejtor ekzekutiv i koalicionit shqiptar kundër korrupsionit. Pra, ka qenë klani i Fatbardh Kadillit dhe Genc Rulit. Këshilltarët e kryeministrit për ekonominë janë tre, njëri më i çuditshëm se tjetri. Një nga këshilltarët e kryeministrit për ekonominë, Neritan Sejamini, është diplomuar për fizikë në Universitetin e Tiranës, dhe më pas ka bërë një master për analiza ekonomike në SHBA, siç pretendon vetë në jetëshkrim. A nuk është joserioz një kryeministër që merr këshilltar për ekonominë, një të diplomuar për fizikë, që ka bërë një master në ekonomi? Masteri është studim pasuniversitar dhe njohuritë që jepen në të, supozojnë një bazë njohurish të fituara nga studimet universitare. Ndërsa fizika dhe ekonomia janë dy fusha kaq larg njëra-tjetrës. Edhe Sejamini, si Kadilli është bashkëthemelues i OJF të Genc Rulit, pra i një prej klikave që morën në dorë pushtetin e PD në 2005. Këshilltari tjetër i kryeministrit për ekonominë, Petraq Milo, ka si shkollim të parë të lartë, atë në Shkollën e bashkuar të oficerëve, ku në vitin 1981, është diplomuar si oficer artilerie. Më pas në vitin 1988 është diplomuar si ekonomist. Por në jetëshkrimin e vet zyrtar thotë se është jurist?! Është me të vërtetë një gjë shumë fantastike që një njeri që e fillon karrierën si pedagog i degës së artilerisë në shkollën e oficerëve rezervistë në Zall-Herr, siç thotë në jetëshkrimin e vet, të përfundojë në 1999 funksionar i UNMIK në Kosovë, ku në 2003 u bë drejtues i Zyrës Fiskale të Kosovës dhe drejtor i politikave këshillëdhënëse! Këshilltarja tjetër e kryeministrit për ekonominë, Suzana Guxholli, ka dhënë jetëshkrimin më të gjatë, me 1678 fjalë, ku ka treguar në mënyrë të detajuar të gjithë anabasin e vet në OJF-të dhe zyrat e burokracisë ndërkombëtare, me projekte, trajnime, poste të mirëpaguara. Problemet reale të ekonomisë shqiptare për tipa të tillë nuk kanë asnjë rëndësi, për ta ka rëndësi vetëm si të jenë të pëlqyeshëm për ndërkombëtarët, të cilët bëjnë sikur nuk dinë asgjë kur gjërat shkojnë keq. Këshilltarja e kryeministrit për agroindustrinë, Valdete Vorpsi, e diplomuar në biologji, duket se është zgjedhur nga kryeministri vetëm për faktin se ajo në vitet 1994-2007 ka kryer katër kualifikime shkencore në Greqi, dhe bashkëpunon me Universitetin e Selanikut. Berisha i mban pranë njerëz të tillë jo për këshilla, se nuk po shohim të zhvillohet agroindustria në Shqipëri, por për dekoracion, për tu bërë i pëlqyeshëm për grekët. Këshilltari i kryeministrit për pushtetin vendor, Ylli Asllani, është një njeri për të cilin e ke të qartë se me kë ke të vësh, kur lexon në jetëshkrimin e tij se ka aftësi kompjuterike, që konsistojnë në zotërimin e programeve Word dhe Excel. Sipas kësaj i bie se të gjithë këshilltarët e tjerë të kryeministrit, si dhe vetë ky, nuk e zotërojnë programin kompjuterik Word, meqë nuk e kanë vënë këtë në jetëshkrimin e tyre. Enkelejda Patozi është këshilltare e kryeministrit për çështjet e ujit. Si inxhiniere hidroteknike kjo është në fushën e vet, por problemi është se ka ardhur në këtë detyrë jo për merita, por se është gruaja e nënkryetarit të PD, Astrit Patozit. Edvin Kulluri është zyrtarisht ndihmës i kryeministrit. Edvini është në këtë post vetëm se është i afërm i Arben Imamit, shefit të kabinetit të kryeministrit. Edvini ka studiuar për filozofi dhe sikur të dinte diçka nga filozofia, do të mendohej se Berisha e mban pranë si filozof. Se për çfarë e ndihmon Edvini kryeministrin mbetet mister, por një gjë është e sigurt, Edvini e kalon kohën duke sharë Berishën kafeneve, pa u kujdesur shumë për t i filozofuar termat. Drejtori i Kabinetit të kryeministrit, Arben Imami, nuk parapëlqen të thotë se ku ka punuar që nga viti 1981, kur mbaroi Institutin e Lartë të Arteve, deri në 1991 kur u bë deputet. Duket se e kupton se një regjisor në postin e drejtorit të kabinetit të një kryeministri, është një gjë që ve në dyshim seriozitetin e kryeministrit. Imami, me delirin e vet të madhështisë, krijon në jetëshkrimin e vet një ndarje të posaçme me titull Fushat e kompetencës, ku shkruan për veten, në vetën e tretë, se fushat e kompetencës së tij janë: Reforma kushtetuese, reforma institucionale, reforma administrative, reforma në drejtësi, reforma e pushtetit lokal. Hartimi i programeve e politikave strategjike, organizimi dhe drejtimi i ekipeve për zbatimin e tyre. Shkruarje e ligjeve. Organizimi i partive dhe organizimi i fushatave elektorale individuale e partiake, hartimi i programeve politike e elektorale. Kur, këto i thotë një njeri që ka turp të thotë se cili është shkollimi i tij bazë dhe çfarë pune ka bërë para se të hyjë në politikë, atëherë me të vërtetë kemi të bëjmë me një rast klinik. Duket se ai druri që i dhanë njerëzit e Berishës në 28 maj 1996 ia hoqën Imamit edhe ato pak mend që kishte. E fundit mbetet zëdhënësja e kryeministrit Juela Meçani. Juela në jetëshkrimin e vet të shkruar në vetën e tretë për vetveten, thotë deri edhe se: Në 1993 prezanton festivalin e këngës në RTSH. E çtë thuash më për zëdhënësen e kryeministrit!
Gazeta Sot
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|