arturm
Veteran ne forum
Regjistruar: 06/12/2006
Vendbanimi: itali
Mesazhe: 1195
|
Marre nga Gazeta Shqiptare shkruar nga Bashkim Kopliku
FMN, MASA DRASTIKE KUNDËR FAJDEVE, QË NË FUNDIN I VITI 1995
Situatën e fajdeve tashmë e ndiqja si deputet dhe si shef i departamentit të ekonomisë të PD-së-nuk isha më kryeministër, dhe Wei Ding i FMN-së, ishte transferuar nga Shqipëria. Sidoqoftë, nuk ishte më detyrë imja e përditshme, por e konstatoja se situata ndiqesh me këmbëngulje nga FMN. Bile, nga fundi i vitit 1995, delegacioni i FMN-së, e kishte lënë "me shkrim" marrjen e masave drastike për ndërprerjen e fenomenit, në të kundërt rrezikohesh ndërprerja e marrëdhënieve të FMN-së me shtetin tonë. Qe ky ultimatum, kjo këmbëngulje e FMN-së, që detyroi Kuvendin të miratojë Ligjin e ri për Bankën, nga fillimi i vitit 1996. Ky ligj ndalonte përfundimisht fajdetë, sepse ndalonte marrjen e parave borxh ne publik nga çdo lloj institucioni, përveç bankave të licencuara. Ligji i Bankës u aprovua, por Fajdetë vazhduan të zhvillohen pa i prekur njeri.
Kjo liri e thyerjes së ligjit justifikohej me shprehje të tipit "të mbarojnë zgjedhjet pa i rregullojmë". Fajdexhinjtë u bënë me më tepër bodigardë se Presidenti, filluan t'i merrnin me të mirë të gjithë politikanët e PD dhe PS. Nuk guxonte njeri t'i prekte se i mbronte edhe "Rilindja Demokratike" e PD, edhe "Zëri i Popullit" i PS. Natyrisht, FMN nuk urdhëron në Shqipëri, ajo vetëm këshillon, e nuk i do vënë faji asaj se ne shqipot nuk zbatojmë ligjin. Zgjedhjet e majit 1996 po afronin dhe kandidatët u lidhën ngushtë me firmat piramidale; e natyrisht më tepër kandidatët e partisë në pushtet, PD, se sa ata të PS. Krimi i serviloset më të fortit, e PD dukej më e forta. Natyrisht, për moszbatimin e ligjit mbante përgjegjësi Qeveria, që ngarkohej për ta zbatuar ligjin, e jo Banka e Shqipërisë, e cila sinjalizonte, por nuk ishte organ ekzekutiv dhe nuk kishte asnjë mundësi të vepronte kundër firmave piramidale, përveçse mos t'u jepte licencë banke. (Po e theksoj këtë fakt, që lexuesi të mos gënjehet nga zërat që ngarkojnë me faj që nuk i ka, Bankën e Shqipërisë. I vetmi faj që kishte është që nuk doli publikisht, që në fillim të vitit 1996, por doli vetëm "pas zgjedhjeve").
Zgjedhjet e 26 majit 1992, i fitoi PD-ja, me vjedhjen e madhe të tyre. Por asgjë nuk po bëhej për zbatimin e Ligjit për bankat. Fajdetë vazhdonin të bënin kërdinë. Përgatiteshin zgjedhjet lokale, të 20 tetor 1996, të cilat duheshin fituar "pa hile", se komuniteti ndërkombëtar e kishte marrë seriozisht të mos na lejonte të vidhnim më. Që votuesit të na jepnin votën, qeverisja e PD-së stimuloi në kulm aktivitetin e fajdeve. Por le të kthehemi tek FMN-ja, se këtu e kemi fjalën. Organizmi që "u çmend fare me qeverinë tonë" ishte FMN-ja. Delegacionet e saj venin e vinin, por qeveria jonë veçse i sorollaste.
ULTIMATUMI I SHTATORIT 1996
Prapë një ultimatum i FMN-së i shtatorit të 1996. FMN i dërgoi një raport Qeverisë shqiptare, ku i kërkon të mbyllen me urgjencë fajdetë. Ky raport filloi të depërtojë në publik vetëm nga tetori i 1996-s, e bile u kritikua si teorik, si "kundërshtar i zhvillimit të vullshëm të ekonomisë dinamike shqiptare, edhe nga qarqe e institute shkencore, që i serviloseshin pushtetit politik. Në këtë raport kërkohej prerazi që shteti shqiptar të merrte masa kundër fajdeve, se përndryshe do të shkatërrohej-kini parasysh se jemi disa muaj para fillimit të protestave anti-fajde, dhe kur fajdetë akoma nuk kishin arritur ato përmasa të tmerrshme që morën në tetor 1997, në prag të zgjedhjeve lokale.
Le të citojmë se ç'thuhej në raportin e FMN, të shtatorit të 1996.
"..Ka shumë pak të ngjarë që përqindje të tilla të dhëna nga institucione financiare jo zyrtare (firmat e fajdeve), të mund të realizohen vetëm nga veprimtari reale ekonomike dhe ka të ngjarë që pas tyre të ketë veprimtari ilegale, përfshirë [...] skemat piramidale".
Më tej: " kolapsi i skemave piramidale është i pashmangshëm dhe pasojat fiskale, për rrjedhojë ato makro-ekonomike, do të jenë tepër të ashpra". [...] Familjeve dhe ndoshta edhe disa bizneseve do t'u zhduken kursimet e tyre, gjë që do të rezultojë në një dëmtim të ndjeshëm të ekonomisë". [...] Qeveria duhet të nisë hetime zyrtare mbi këto skema [...] Ndryshe marrëdhëniet e FMN-së me Shqipërinë janë në pikëpyetje. [...] Kolapsi është në prag. [...] Do të jetë më mirë, në rast se kolapsi ndodh sa më shpejt, pasi humbjet do të jenë më të vogla. [...] Kur të përmbysen këto skema, ato do të thithnin edhe kursimet"
Më troç nuk mund të flitet, por njeri nuk vinte vesh.
MINISTRI LËPIN PARALAJMËRIMIN QË U BËRI SHQIPTARËVE
Ministri i financave Ridvan Bode, kur u kthye nga Uashingtoni, ku ishte takuar me FMN-në, më 7 tetor 1996, doli në një intervistë televizive, dhe tha:
"Fitimet e ofruara janë aq të mëdha, saqë ato ngrenë dyshimet mbi kapacitetet e kompanive për të kthyer huat". [...] "Shumë shpejt ne do të përcaktojmë kontekstin ligjor për të mbikëqyrur këtë rrjet dhe për të zyrtarizuar atë, duke minimizuar rrezikun e falimentimit (potencial)"
Nga këto gjysma fjalësh, u çmend populli, por edhe qeverisja. E mbytën ministrin, që nga presidenti: "ky do të na humbë zgjedhjet lokale!". Të nesërmen z.Bode, si ushtar i bindur, doli prapë para publikut dhe lëpiu atë që kishte thënë, duke e "shpjeguar më mirë", duke e bërë zero paralajmërimin e tij të "një dite përpara":
"Më kanë keqkuptuar. Nuk ishte ai mesazhi që dëshiroja t'i transmetoja publikut. Intervista nuk është transmetuar e plotë", intervistë në këmbë".
Kjo u hapi rrugë firmave të fajdeve, që ta bënin ministrin aleatin më të fortë të tyre. Piramidalët morën revansh. Ja një kronikë e shkurtër e pasojave të lëpirjes së ministrit:
Më dt.. 8.10.96, Interesat e fajdeve shpallen në shtyp: 8 deri 25 përqind në muaj"; dt. 8.10.96, f.f. "Sudja": "Mos pyetni për FMN. Nesër do t'ju jap 6 përqind më shumë"; dt. 9.10.96, "Kamberi" e "Sudja" rrisin interesat në 10 dhe 16% në muaj!;
U sigurua që mos të dëgjohej porosia e FMN-së, dhe populli e fjeti mendjen: qeveria e siguroi se fajdetë janë të sigurta.
PARALAJMËRIMET E FMN NË NËNTOR 1996
FMN, edhe muajt në vijim, vazhdon të përpiqet, me delikatesën e mosurdhërimit të qeverive që asiston, t'i bëjë të reflektojnë qeveritarët tanë, por gjithnjë a i zëvendësuan ata, sepse kështu është mandati i FMN. Delegacioni i FMN ndenji disa ditë në Tiranë, bisedime sekrete me qeverinë. Kjo, gjatë javës së dytë e të katërt të nëntorit 1996.
Por ja reagimet e fajdexhinjve:
"Vefa," "FMN të na lërë rehat, nuk pastron dot as rrugët"
"Kamberi": "Këshillat e FMN kanë dështuar në lindje; Shqipërinë e bëjmë vetë"
Ja dhe reagimet e presidentit Berisha:
"Prononcimi për shtyp i presidencës mbron firmat: "firmat joformale kanë investime serioze në sektorë të rëndësishëm fitimprurës të ekonomisë"
Ja reagimi i ministrit të financave Bode, i cili kundërshton delegacionin e FMN, duke thënë se shteti është dorëjashtë në këtë aktivitet:
"Kur falimentojnë privatët, e mbajnë përgjegjësinë vetë privatë për mosmenaxhimin si duhet të aktivitetit të tyre"
Por ja dhe reagimet e vetë kryeministrit, pak më vonë, në një intervistë tek Gazeta Shqiptare, në prag të vitit të ri, më 29.12.96:
"Me një veprimtari të mirë investuese dhe prodhuese, ekziston mundësia që disa nga këto kompani [firmat e fajdeve-sh.BK] do të mund të vjelin aq të ardhura nga investimet sa për të kompensuar detyrimet ndaj depozituesve duke u konvertuar gradualisht në biznese normale"
TAKIMI IM ME FMN NË PRAG TË KOLAPSIT
Në atë kohë, delegacioni i FMN më ftoi për "një darkë pune" në restorant Piaza. Unë isha shmangur nga ministria e financave nga takimi me ta-isha kryetar i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Financave dhe të Privatizimit!-meqë unë isha kthyer në "armiku i partisë", sepse isha për masa drastike për fajdetë.
Anëtarët e delegacioni ishin krejt të prerë, ndjeheshin krejt të pafuqishëm, bile mundoheshin të mos gjenin ndonjë gjë racionale në qëndrimin e zyrtarëve shqiptar që kishin takuar, por ishte e kotë: "në Shqipëri nuk kishte përse të bënte vaki një çudi për herë të parë në botë?!"
Kërkuan mendimin tim, dhe ua dhashë prerazi: "Firmat piramidale duhen bllokuar, paratë u duhen shpërndarë njerëzve e së pari atyre që kanë futur nga pak, e që janë shumica, e pastaj duhen shitur të gjithë pasuritë e tyre dhe kthyer në para që edhe ato të shpërndahen. Nuk ka zgjidhje tjetër me situatën që vlon në popull. Në të kundërt, ka rrezik të shkatërrohet i gjithë vendi. ". Më shihnin të zgërlaqur, sikur donin të thoshin: "kjo qeveri nuk e bën këtë".
Mendoj se ata specialistë të financave të FMN-së, e kishin bërë të tyren, por ishte qeverisja shqiptare që nuk donte të dëgjonte. Megjithatë, FMN vazhdoi të bëjë presion mbi qeverisjen shqiptare për marrje masash për të shmangur kolapsin e plotë, por tashmë më kot: asnjeri nuk ia vinte veshin, relatat ishin pothuaj të prera.
Modifikuar nga arturm datė 24/03/2007 ora 08:56
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|