PARIS
beautiful pain
Regjistruar: 16/12/2005
Vendbanimi: AIR&TRAIN
Mesazhe: 623
|
NDREK LUCA, -madheshtia e thjeshtesise!
"Ndreka nuk kishte bërë ndonjë shkollë të veçantë për aktor, por dhuntit e tij të pafundëme aktorjale që ia kishte falë Zoti me bollëk, bënë shumë shpejt që ti besoheshin role të dorës së parë"
Në një ditë të zakonëshme si gjithë ditët e tjera, u ngrit herët, bëri ritualin e mëngjesit mori biçikletën, një ''Bianchi'' femrash të zezë të paraluftës së Dytë Botërore që i sherbeu pothuajse gjithë jetën për të shkurtuar rrugët dhe për të kursyer kohën, futi nën sqetull një trastë dhe doli për të bërë pazarin...
U kthye rreth orës njëmbëdhjetë. Në njerën dorë trastën me ato që kishte blerë, në tjetrën biçikletën dhe ngjiti shkallët deri në aprtament.
Pas pak vdiq.
Thjeshtë.
Nga një goditje në zemer.
Në vitet '50, unë isha tepër i vogël dhe kisha vesin që të ndalohesha i hutuar me orë të tëra para dyqaneve të zanatçijve që ishin me shumicë në atë kohë, si teneqexhi, saraç, bakraxhi, nallban, samarxhi, mjeshtër qendistarë rrobash popullore që të ulur këmbëkryq çorronin sytë në imtësirat e filigramave të kostumeve që ishin vepra të verteta arti, aty në dyqanet e tyre me taraba të ulura, para syve të kalimtarëve, blerësve dhe para hutaqëve si puna e ime të habitur nga çuditë e krijimit dhe të punës.
Në vitet '50 kishte edhe vetrina të mëdha me xham që tregtonin stofra, argjendari, ëmbëlsira... por këto nuk më tërhiqnin.
Një ditë gjatë proçesioneve të mia të zbulimit, njohjes dhe kënaqësisë që ndjeja, i hutuar tërësisht nga xixat që lëshonte hekuri i skuqur kur e rrihte në kullë një farkëtarë që verë e dimër mbante veshur një kanatjere të trashë leshi, u kujtova që isha vonuar dhe si gjithmonë do të haja të bërtiturat e nanës sime për vonasat që bëja.
U nisa me vrap për në shtëpi.
Pa pritur u detyrova të ndaloj tek një vetrinë me xham të madh. Diçka e pazakontë më kishte detyruar të ndaloj aty pa vullnetin tim.
Nga përtej xhamit dikush po më shikonte me ngulm.
Vesi i im i të hutuarit para dyqaneve fitoj mbi frikën e të beriturave të nanës.
Ishte dyqani i fotografit Jakova.
Në vetrinë ishin tri fotografi të mëdha në kornizë. Tre portrete.
Njeri, ai që ishte në krahun e djathtë timin, këtë e mbaj mend mirë, më kishte ngulur sytë dhe diçka donte të më thoshte.
Pas pak hodha shikimin tek dy fotografitë e tjera: Ishin dy portrete të dy djemve me flokë të lëpirë, që u shkëlqenin nga brilantina dhe me nga një buzëqeshje të sforcuar ala Rudolfo Valentino ngjeshur mbi lëkurë të fytyrës.
Ndjeva neveri.
Ai portreti djathtas ishte me uniformë ushtarake.
Nuk e harroj atë shprehje fytyre. Në buzët e tija, në sytë e tij shkrepja e aparatit fotografik, kishte ngrirë atë që donte të më thoshte.
Kam ndej gjatë atë ditë (ishte mbasdreke) para asaj fotografije.
I ngurtësuar.
Kam kaluar prap disa ditë më vonë, dhe prap jam ndaluar gjatë.
Nuk e di pse! Nuk e di pse mu ngulit në mendje, sa edhe sot e kësaj dite, nuk e harroj atë burrë që më shikonte nga ajo fotografi, nuk e harroj atë shikim: Sy të fortë që të depertonin, sy të qeshur që shihnin larg, sy të mirë, sy të vendosur... Në atë portret oficeri kishte gjithshka: mirësi, zemer të madhe, zgjuarsi, vendosmëri, vullnet të paepur...
Shkova disa herë para asaj vetrine dhe u ngula para asaj fotografije me atë fizionomi që të mbërthente, që të knellte, që bënte një kontrast të jashtëzakonshëm me ato dy fotografitë e tjera me ata djemt me flokë që sapo ua kishte lëpirë lopa...
Më dukej se më shikonte përmes xhamit të vetrinës dhe se donte të më thoshte... Nuk e di, nuk e merrja vesh se ç'farë donte të më thoshte.. diçka... diçka si një premtim... Prandaj më tërhiqte ai portret në atë fotografi. Sa herë ndaloja para asaj vetrine, sepse fillova të shkoj më shpesh, filloj të më krijohej përshtypja se tanimë ai burri aty në fotografi (në fakt ai nuk ishte burrë, por një djalë i ri) dhe unë, ishim bërë miq të mirë. Mbushesha me energji dhe vrapoja si i çmendur drejtë shtëpisë. Ai portret kishte aftësinë të më trazmetonte energji të brëndëshme.
Për shumë kohë kam menduar se vetëm mua më ndodhte kështu me atë portret oficeri në vetrinën e fotografit Jakova.
Sot jam i bindur se ai portret me kapele oficeri në vetrinën e fotografit Jakova, kishte një forcë të jashtëza- konshme shprehse, jam i bindur se edhe të tjerëve ashtu si mua që rrija si guak para tij, do tu jetë dukur se diçka donte tu thoshte...
... Dhe vertetë vite më vonë, ai portret u tha të gjithëve gjithshka me një forcë të jashtëzakonshme. Gjithshka nga shpirti i tij i fortë, i papërkulur, nga shpirti i tij i mirë, nga shpirti i tij polemik, nga shpirti i tij i mbrujtur me legjendat e fisit të malit që e lindi, nga shpirti i tij i dlirë dhe pafundësisht i lirë.
Zoti i kishte falë me bollëk këtij njeriu dhunti që shumë kush ëndërron ti ketë.
Në një prej ditëve, kur unë fëmijë kundroja përtej xhamit të vetrinës së foto Jakovës atë portret që tashmë kisha krijuar një intimitet të fshehtë me te, mora guximin dhe pyeta dikë.
- Kush ësht ky oficeri?
Më thanë një emër: NDREK LUCA.
Pasi mora vesh emrin, shpejt mësova se ishte me origjinë nga Dukagjini, se ishte rritur në Shkoder në shtëpinë e Gjonajve (si qiraxhi) perkarshi Kishës së Ma- dhe, se kishte qenë e ëma që kishte ngulur këmbë që të gjenin një shtëpi perkarshi Kishës së Madhe kur kishin zbritur nga Dukagjini prej urisë që kishte pllakos atë krahinë të vorfën, të egër dhe krenare, se ëma dhe ati ishin rropatë ta rrisnin, ta shkollonin, se të zotët e shtëpisë perkarshi Kishës së Madhe ishin njerëz shumë të mirë, dhe se njëri prej tyre me mbiemrin Gjonaj ishte aktor në teatrin e Shkodrës...
Më thanë që Ndreka njihej mirë në rrethet e djemve të rinjë të asaj kohe që merreshin me lexime dhe dije, se kishte qenë në Beograd në Akademinë e Aviacionit, se mëqë ishim prishur me Jugosllavët, ishte kthyer në Shqipëri si gjithë studentët e tjerë, se tashti ishte në Tiranë dhe se nuk donte më të ishte oficer, por donte të bëhej aktor i Teatrit Popullor.
Në Shkoder, kur një njeri binte në sy për mirë, merrej vesh gjithshka përnjëherë. Peripecitë që hoqi për tu larguar nga ushtria dhe për tu bërë pjestar i Teatrit Popullor, nuk mi tha njeri. Me siguri nuk kanë qenë të vogla.
(vazhdim...)
__________________
__________________
"UNE, TI DHE VDEKJA!
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|