volter
shpirt artisti
Regjistruar: 19/11/2003
Vendbanimi: Moscow
Mesazhe: 4646
|
Postuar nga tresh
Shtjefen Konstantin Gjeçov*
Ndoc Kamsi
Tue qenë Shtjefen K. Gjeçov i njoftun si shkrimtar e atdhetar i vlefshëm dhe i pari intelektual shqiptar, që i fali popullit një vepër të çmueshme siç asht Kanuni i Lek Dukagjinit, kushtuem vetëm së drejtës kanonore të vendit tonë, po i rreshtojmë këtu pak fjalë përmbi jetën e tij.
Ky lindi në Janjevë të Kosovës me 12 korrik 1874. Mësimet fillore i kreu në vendlindjen e tij. Aty u dallue si nxanësi ma i mirë e për një zgjuetësi të rrallë, prandaj qe çue prej Krye-Ipeshkvit të Shkupit në kolegjin françiskan në Troshan, ku kreu klasët e para të gjimnazit. Në vitin 1888 qe çue në Bosnjë, ku vijoi mësimet liceale, e nën mësim e drejtim profesorësh të përmendun, kreu teologjinë.
Mbasi mbaroi mësimet (1896) kthei menjëherë në Shqipni, ku sherbeu si famullitar në Pejë, në Laç të Kurbinit, në Gomsiqe të Mirditës, pra jetoi në afërsi të vazhdueshme me shtresa të vorfna malësore, ku u nda në shej gjithëherë për zell e mësime patriotike që i jepte popullit, i cili i ishte lanë në kujdes e tue i dalë zot kundrejt padrejtësive të pushtuesve.
Qyshë ndër vitet e para ai e kuptoi ma së miri programin e misionit të vet e pa humbë kohë, nuk la rast as të përpjekun pa kapë diçka prej visarit të pashkruem të popullit, si përsa i përket gjuhës si edhe gojëdhanave, zakoneve, kanunit e folklorës në përgjithësi. Këtu fillon veprimtaria e tij kulturale e kombëtare.
Gjeçovi qe ai, i cili nga viti 1900 çoi zanin për me kërkue lirinë me një thirrje të fortë Ngreu Shqypni! Ngrehuni burra, çonju trima! Për Shqypni ta derdhim gjakun! Në luftë shqyptarë porsi vetima, liri të lypim, të lypim hakun!
Nga Laçi u transferua në Durrës, ku i ra rasa me u përpjekë me atdhetarë të Toskënisë, me të cilët muejti me shëndrrue e me zhdrivillue mendimet e veta kombëtare për një Shqipni të përbashktë e të pamvarun.
(Mjaftonte një herë me folë me te, pse të bante për vehte. Miqësia e tij ishte e njëmendtë dhe e qëndrueshme. Kjo shifet edhe ma qartë prej korespondencës që mbante me njerëz të ndryshëm të viseve të largëta të Shqipnisë. Në çdo shkrim a letër nuk lente pa e shti një mendim, një nxitje, një lavdi për atdhe.)
Në kohën e Xhemijetit u gjet në Gomsiqe dhe ai i kuptoi planet e turqve të ri, po ashtu edhe konsitucionin e Sulltanit e quejti si maskë për të shtypë ma shumë popullin tonë. Ai qe një ndër ma të mirët këshilltarë të komitës, aq sa shpesh vuni edhe kryet e vet në rrezik, pse donte ma fort popullin e atdheun se sa jetën e vet.
Në kohën e luftës ballkanike, në atë periudhë të vështirë të luftës për vendin e popullin tonë, Gjeçovi qëndroi krah për krah malësorëve luftëtarë të lirisë në kryengritjen e madhe në Veri më 1912. Pas shpalljes së pamvarësisë ai trajtohet keq prej serbëve, italjanëve, austrijakëve.
Më 1920 dërgohet famullitar në Vlonë, ku vihet menjëherë në opozicion me forcat italjane. Ata banë shpifje të ndryshme për ta mënjanue, por i patundun bashkë me priftin tjetër patriot Mark Vasa, ndihmuen luftëtarët e lirisë për dëbimin e italjanëve. Në lamën e veprimtarisë për me përhapë idenë e pamvarësisë e të dashunisë për atdhe ka ba përtej fuqive e mjeteve që kishte për dorësh. Ka qenë i palodhn e smund të paraqitet me pak fjalë ashtu si duhet në një biografi të shkurtë si asht kjo e jona.
Gjeçovi asht i njoftun edhe në lamën e letërsisë. Si intelektual u vu me zell me studiue gjuhën shqipe, tue mbledhë nga goja e popullit fjalë e fraza, shprehi popullore dhe sidomos ligjë të pashkrueme. Pra në këtë kohë literatura e gjuhës sonë ishte në fillim të vet. Gjeçovi qe nder ata shkrimtarë që ma së miri me shkrime të veta indihmuen letërsisë.
Më 1905 përfundoi tragjikomedinë Mark Kuli Kryeqitas po atë vit, kur Esat Toptani si komandant i forcave turke sulmoi krahinat e Veriut për ti çarmatosë, por populli i kundërshtoi. Asht një vepër e rrallë me një frymë të lartë patriotike. Një nga kryeveprat e tij asht Agimi i Gjytetnisë (1910). Botimi i saj pati një jehonë si mbrenda dhe jashtë shtetit. Aleksander Xhuvani nga Aleksandria i uronte me gjithë zemër për dobinë, që po i sillte gjuhës e literaturës sonë.
Atil Reguli (1912) dramë tri pamjesh, i përpunue prej Gjeçovit, tue vune në dukje ma tepër anën patriotike.
Joana dArk (1915) mbas A.P. prej Bergamos. Qëllimi i këtij libri asht me e mësue popullin me e dashtë atdheun.
Në këto kohë të vështira ai shkroi dramën mbi Skenderbeun, Mojsi Golemi etj.
Pas veprave origjinale e të përkthyeme, Gjeçovi shkroi edhe shumë artikuj në Albania të Brukselit e të Londonit, në Hylli i Dritës etj.
Por vepra ma e çmueshme e Gjeçovit asht Kanuni i Lek Dukagjinit, të cilin Gjeçovi me shumë cenë e duresë të pashoqe e mblodhi prej gojës së popullit.
Një pjesë e këtyne dorëshkrmeve u botue për të parën herë në Hylli i Dritës (1913). Materiali mbi kanunin qe aq i randësishëm dhe interesant sa shkrimtarë të huej e përdorën për studime në veprat e veta si Thaloscy etj., por kanuni shfrytëzohet edhe nga juristat vendas.
Mbas vdekjes së Gjeçovit dorëshkrimet e tij u mblodhën, u rradhitën dhe u shtypën nga shtypshkronja françeskane ose në shtyqpshkronjën e Shkodrës (1933) në një vëllim të vetëm së bashku me shumë ndodhje, që janë porsi kazuistika e kanunit, me titull Lekë Dukagjini.
Claudius Schwering, profesori i fakultetit të drejtësisë në Universitetin e Mynçenit ka dhanë gjykimin e vet mbi kanunin si tagre zakonesh. Ai i konsideron si ligjë krejt të interesantshme, ndoshta ma të vjetrat në Europë, dhe Europa le ta njohë se çka ka përftue kombi i vogël shqiptar për veprimet e mëdha të kulturës.
Me këto fjalë të bukura që u shpreh ai mbi kanunin i ban një nder krejt të veçantë kombit tonë shqiptar dhe auktorit të kryeveprës.
Gjeçovi u muer edhe me arkeologji që në kohë të sundimit turk (1900). Ai hapi (zbuloi) tumula ilire, mblidhte objekte të lashta, ka mbledhë monedha të periudhës ilire me një shije e kujdes të posaçëm eruditi. Vjetërsitë që ai mblodh nepër Shqipni, qenë çmue fort prej arkeologëve si Ugolini, Marucchi, Nopsçka etj.
Meritë e posaçme e tija asht gëdhënja në dru, se shkopi i tij asht i njoftun si punim artistik i jashtëzakonshëm e gjindet në Muzeumin e qyetit të Shkodrës.
Që nga 1926 Gjeçovin e gjejmë në vende të ndryshme të Jugosllavisë, i ndjekun jo vetëm nga shovinistët serbë, por edhe nga tradhëtarët shqiptarë. Më së fundi Gjeçovin e çojnë prift në fshatin Zymb, ku ai nuk la pa shftrytëzue kohën tue punue për mbledhjen e folklorit e tue vertetue lashtësinë e popullsive shqiptare në ato krahina.
Gjeçovi u vra me 14 tetor 1929 për shkak të veprimtarisë së tij patriotike. Lajmi i vrasjes së Gjeçovit theku zemrat e gjithë shqiptarëve, pse të gjithë e patën dashtë e çmue si letrar të vlefshëm e atdhetar të flaktë.
Por i miri nuk vdes kurrë. Kujtimet që len mbas vedi marrin hapët e përcillen gojë më gojë. Fëtyra e Gjeçovit, fëtyrë burrit e punëtorit, fëtyrë e atdhetarit të flaktë, asht edhe sot e gjallë e terheqëse për të gjithë njata që e duen atdheun që skursehen për me i vleftë. Sa ma fort të studiohet veprimtaria e Gjeçovit, aq ma shpesh na mbushet mendja se ai mund të jetë shembull punet e vetmohimit e një nxitës i palodhun në çdo degë që synon madhninë e naltësimin e atdheut, tue qitë në dritë visaret e panjoftuna të folklorës, të etnografisë, të arkeologjisë e të historisë sonë të lashtë.
* shkëputur nga revista Shkodra (1965)
__________________
Poets were the first teachers of mankind. Horace
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|