sarandaebukur
Veteran ne forum
Regjistruar: 21/06/2003
Vendbanimi: New-York
Mesazhe: 817
|
Hakmarrja e Jozefines
Andrea Stefani
Gazeta Shqip
30 Shtator 2007
Një shkresë e Jozefina Topallit, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, është shembulli më i fundit i arrogancës dhe kërcënimit autoritarist të mazhorancës së sotme mbi institucionet e pavarura të shtetit. Shkresa hijerëndë i drejtohet Komisionit të Shërbimit Civil (KSHC) dhe bart të gjithë tonalitetin e rreptë të një urdhri gati ushtarak: Ju kërkoj marrjen e kompetencave dhe përgjegjësive si kryetare e këtij komisioni deri në zgjedhjen e kryetarit të ri - urdhëron Topalli. Dokumenti i drejtohet nënkryetares së KSHC, por ngjason më shumë me një urdhër që një kryegjeneral u jep vartësve të tij për të kapur pikat kyçe para një beteje ose një grushti shteti.
Dhe në fakt ngjashmëria nuk mungon, sepse jemi në situatën kur Kryetarja e Kuvendit po urdhëron nënkryetaren e një institucioni të pavarur, sesi ti bëjë puç kryetarit të sapozgjedhur të po këtij institucioni, duke marrë të gjithë kompetencat dhe përgjegjësitë e tij. Me çtë drejtë, bazuar mbi çligj kryetarja Topalli trazohet në punët e një institucioni të pavarur? Dhe më tej, përse ajo e urren kaq shumë kryetarin e sapozgjedhur, Saimir Mani, dhe përse kërkon ta zëvendësojë me çdo kusht me dikë tjetër?
Eshtë vështirë të gjesh ndonjë shkak ligjor për konfliktin e Topallit me KSHC, por nuk është e vështirë aspak të zbulosh në rrënjë të tij, ambicien tashmë të afishuar të shumicës së sotme demokrate dhe qeverisë së saj, për të kontrolluar të gjitha institucionet e pavarura, duke vendosur në krye të tyre, qoftë edhe me forma puçiste, shërbëtorë të bindur të pushtetit. Nuk mund të ketë skandal më të madh politik dhe alarm më të madh për një demokraci të brishtë si kjo shqiptare, kur vetë kreu i tempullit të demokracisë, organizon sulme antikushtetuese mbi një institucion të pavarur që është krijuar për të mbrojtur nëpunësit civilë nga padrejtësitë, arroganca dhe tirania e pushtetit të shumicës. Shqetësimi rritet kur konstaton se është pikërisht realizmi me besnikëri i këtij misioni nga Komisioni i Shërbimit Civil, që e ka zemëruar Topallin aq shumë, sa ka urdhëruar që ti pritet koka kryetarit të tij. Dhe guxojnë e flasin për demokraci!
***
Një nga plagët më të rënda të shtetit në tranzicion është dhunimi i të drejtave të nëpunësve civilë sa herë ndërrohen pushtetet dhe qeveritë. Flakja e specialistëve dhe mbushja e administratave me militantë të paaftë është bërë prej vitesh burim korrupsioni, paaftësie qeverisëse dhe politizimi të skajshëm të administratës publike. Pikërisht si barrierë ndaj këtyre abuzimeve të pushteteve me njerëzit dhe postet e administratës publike, është krijuar pak vite më parë, sipas përvojës Perëndimore Komisioni i Shërbimit Civil. Dhe që në krye të punës ky institucion (ndryshe nga shumë institucione të tjera që kanë mbetur të squllur nga presionet politike) i është kundërvënë padrejtësive të qeverisë në kurriz të nëpunësve publikë.
Ekzistojnë statistika të plota të hedhjes poshtë nga KSHC të vendimeve të padrejta, deri për përjashtimin nga puna, të marra në kurriz të nëpunësve të administratës publike në nivel qendror apo lokal. Komisioni ka kundërshtuar edhe shumë raste emërimesh jo të ligjshme në formë favorizimesh në administratën publike. Kjo mbrojtje e nëpunësve dhe e ligjit është zhvilluar për disa vjet nën qeverinë socialiste dhe po vazhdon prej dy vjetësh, edhe nën qeverinë e sotme. Po pikërisht qeverisja e demokratëve nga e cila shumëkush (për shkak të asaj që emri demokrat sugjestionon) mund të presë të shfaqë më respekt për institucionet e pavarura, nuk po e përmban dot urrejtjen ndaj tyre, si dhe epshin për ti vënë ato sa më shpejt nën tutelë.
Qeveria Berisha jo vetëm nuk ka përfillur vendimet e KSHC që kanë shpallur të padrejta shumë përjashtime nga puna të nëpunësve civilë (rreth 90 për qind e këtyre vendimeve janë shpallur të drejta edhe nga Gjykata e Apelit), por tashmë po përpiqet, këtë herë nëpërmjet Kryetares së Kuvendit Topalli, të pushtojë bolshevikisht këtë institucion, duke shkarkuar paligjshmërisht një kryetar të ligjshëm dhe duke emëruar ligjshmërisht një kryetar të paligjshëm. Përse? Sepse qeveria do që KSHC të heshtë për dhunën që qeveria ushtron mbi nëpunësit civilë, qeveria do që KSHC të ekzistojë, por njëkohësisht edhe të mos ekzistojë. Qeveria do që KSHC të jetë vetëm fasadë perëndimore prej kartoni e një realiteti gjithnjë e më despotik, të jetë sa për të mashtruar ndërkombëtarët për reformën institucionale, por jo institucion aktiv dhe i lirë që mbron nëpunësit dhe meritokracinë nga abuzimi sa politik aq edhe korruptiv i pushtetit me postet e administratës publike.
***
Anëtarët e KSHC janë 5 dhe emërohen nga Kuvendi i Shqipërisë për një mandat 7-vjeçar. Komisioni i raporton Kuvendit për punën e tij, por është krejtësisht i pavarur dhe organizon vetë zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarit me një shumicë unanime të përbërë prej jo më pak se 3 anëtarësh. Në këtë kuptim, Kryetarja e Kuvendit Topalli nuk ka asnjë të drejtë të diktojë (a nuk rrjedh nga kjo folje emri diktatori?) se kush duhet të jetë kryetar i KSHC. Incidenti shpërtheu në momentin kur Roland Përmeti, kryetar i këtij komisioni që nga krijimi i tij, dha dorëheqjen në muajin gusht të këtij viti. Sipas Përmetit, dorëheqja është shkaktuar, ndër të tjera, edhe nga fakti që qeveria po shpërfill thuajse të gjithë vendimet e KSHC duke mos treguar asnjë dëshirë për bashkëpunim.
Por cilado qofshin motivet e kësaj dorëheqjeje, ajo u pasua nga një mbledhje e rregullt e KSHC, ku 3 anëtarë (dy të tjerë mungonin) zgjodhën, sipas ligjit dhe rregullave, kryetarin e ri. Ky zhvillim e ka zemëruar shumë Topallin, e cila duket priste që me mbarimin e mandatit të Përmetit dhe të një anëtari tjetër të komisionit, shumica dhe për rrjedhojë edhe kryetari i ri që do të zgjidhej prej saj, të ishin mbështetës të qeverisë, që në këtë rast do të thotë jo mbështetës të nëpunësve civilë dhe padrejtësive që mund ti bëhen atyre nga qeveria. Shihet se demokratja Topalli nuk mund të durojë dot, edhe kur është në pushtet, që kryesia dhe shumica e një institucioni të pavarur si KSHC, të mos jetë e përbërë nga njerëz të mazhorancës. Prandaj, në mënyrë krejt të kundërligjshme dhe arrogante, urdhëroi zëvendëskryetaren e KSHC që të mos u bindet vendimeve të ligjshme të KSHC, të mos njohë kryetarin e zgjedhur, por të marrë kompetencat dhe përgjegjësitë e kryetarit.
A nuk duhej të qe e kundërta, a nuk duhej të ndodhte e kundërta pra, që kryetarja e Parlamentit të ishte e interesuar për ekzistencën e institucioneve të forta, të lira dhe të pavarura që kontrollojnë dhe baraspeshojnë qeverisjen dhe shumicën e saj? Ndryshe nga kjo pritshmëri, produkt i urdhrave të Kryetares Topalli është dhe shpërthimi i zyrës së kryetarit aktual (ndërsa ai nuk ndodhej në Shqipëri) dhe ndërrimi i bravës së derës së saj. Opinioni vendas është bërë para disa ditësh, nëpërmjet Fiks Fare dëshmitar i tragjikomedisë, kur kryetari i sapozgjedhur i KSHC, Saimir Mani, përpiqej më kot të hapte derën e zyrës së tij. Mani nuk po e kuptonte që ndërsa ai fluturonte për në Spanjë për një trajnim a tryezë të rrumbullakët, njerëzit e Jozefinës i kishin lënë atij në dorë vetëm çelësin e kashtës dhe ai vetë, ishte shkarkuar nga detyra si dikur ministri sovjetik i Mbrojtjes (edhe ai ndërsa largohen nga Shqipëria) Zhukovi. Dhe hajde mos prano se demokratët tanë të sotëm nuk kanë mësuar shumë nga bolshevikët!
-----------------------------------------
Nga pamja e jashme duket goxha zonje.....
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|