Veshtrusja
e thjeshte
Regjistruar: 14/01/2006
Vendbanimi: diku
Mesazhe: 23
|
Kapitulli 1 - "Dhe pastaj..."
1
Ka njerëz që lindin të mëdhenj…
dhe të tjerë që e pushtojnë madhështinë…
Shakespeare
Manhattan
Në ditët tona
9 dhjetor
Si çdo mëngjes, Nathan Del Amico qe zgjuar nga dy zile të njëkohshme. Ai programonte gjithmonë dy zile : njërën të lidhur në prizën elektrike, tjetrën me bateri. Mallory e quante këtë qesharake.
Pasi përcolli teposhtë gjysmën e një tasi me corn-flakes, dhe pasi kapi një veshje sporti dhe një palë Reebok të ngrëna, ai doli për vrapin e tij të përditshëm.
Pasqyra e ashensorit i dërgoi atij pamjen e një njeriu ende të ri, me fizik të pëlqyeshëm por me fytyrë të lodhur.
Nathan, ti ke nevojë për ca pushime të mira, mendoi ai duke vëzhguar nga më afër ca hije të holla blu që ishin strukur nën vështrimin e tij përgjatë natës.
Ai mbylli zinxhirin e bluzës deri në qafë dhe pastaj futi një palë dorashka të ngrohta prej lëkure dhe një kapuç prej leshi me stemën e Yankees.
Nathan banonte në katin e 23-të të San Remo Building, një nga ndërtesat luksoze të Upper West Side, që dilte drejpërdrejt mbi Central Park West. Sapo ai vuri hundën jashtë, një avull i bardhë dhe i ftohtë shpëtoi nga buzët e tij. Bënte ende natë dhe ndërtesat rezidenciale që ngriheshin nga të dyja anët e rrugës fillonin mezi të dukeshin nga bryma. Mbrëmjen e kaluar, parashikimi i kohës kishte thënë që do të binte borë por deri tani asnjë flok.
Ai iu ngjit rrugës me hapa të vegjël. Ngado, ndriçimet për Krishtlindje dhe kurorat e beronjës të ngjitura në hyrje të shtëpive i jepnin lagjes një pamje festive. Nathan kaloi përpara muzeut të Historisë natyrore dhe, pasi eci nja njëqind metra, ai hyri në Central Park.
Në këtë orë të ditës dhe duke patur parasysh të ftohtin që bënte, aty kishte fare pak njerëz. Një erë e akullt që frynte nga gjiri Hudson fshinte pistën e vrapit përreth Rezervuarit, liqenit artificial që shtrihej mu në mes të parkut.
Edhe pse nuk ishte vërtetë e këshilluar të bridhje mbi këtë pistë kur dita nuk kishte zbardhur ende, Nathan u fut aty pa ndonjë frikë të veçantë. Ai vraponte mbi këtë pistë prej shumë vitesh dhe asnjëherë nuk i kishte ndodhur ndonjë gjë e pakëndshme. Nathan filloi të vraponte me një ritëm jo dhe aq të ngadaltë. Ajri i ftohtë i përplasej në fytyrë por as që bëhej fjalë që ai të hiqte dorë nga ora e tij e sportit të përditshëm.
Pas treçerek orësh vrapim, ai bëri një ndalesë afër Traverse Road dhe pasi shoi etjen mirë e mirë u ul për disa çaste mbi lëndinë.
Këtu, ai mendoi për dimrat e butë të Kalifornisë dhe për bregdetin e San Diegos i cili ofronte dhjetëra kilometra plazhe ideale për ecje në këmbë. Për një çast, ai e la veten të pushtohet nga shpërthimet e të qeshurave të vajzës së tij Bonnie.
E kishte marrë malli shumë.
Fytyra e gruas së tij Mallory dhe sytë e saj të mëdhenj blu i kaluan gjithashtu nëpër mend por ai bëri një përpjekje për të mos u ndalur shumë mbi to.
Boll e rrotullove thikën në plagë.
Megjithatë, ai qëndroi i ulur mbi bar, ende i humbur në këtë zbrazëti që ai kishte ndjerë kur ajo kishte ikur. Një zbrazëti që e hante së brendshmi prej shumë muajsh.
Ai nuk kishte dyshuar kurrë që dhimbja do të mund të merrte këtë formë.
Ai e ndjeu veten të vetëm dhe të mjerë. Për një çast të shkurtër, sytë e tij iu mbushën me lotë përpara se era e akullt t’ia fshinte tutje.
Ai ktheu edhe një gllënkë tjetër ujë. Qëkur ishte zgjuar, ai ndjente një therje të çuditshme në gjoks, paksa mënjanë si në një pikë, që e pengonte për të marrë frymë rregullisht.
Flokët e parë filluan të bien. Atëherë ai u ngrit dhe u rikthye në San Remo duke iu kaluar përbri turmave ngaqë i duhej të bënte një dush të shpejtë përpara se të shkonte në punë.
Nathan përplasi derën e taksisë. Në kostum të errët dhe i saporruar, ai u fut në kullën e xhamtë që strehonte zyrat e kabinetit Marble&March në kryqëzim të Park Avenue dhe Rrugës 52.
Ndër të gjitha kabinetet e avokatisë të specializuar në çështje biznesi, në këtë qytet Marble ishte kabineti që ecte më së miri Ai punësonte më shumë se nëntëqind vetë në të gjithë SHBA-ës, ku gjysma e tyre ishin veçse në New York.
Nathan e kishte filluar karrierën e tij në zyrat e San Diegos, ku ai ishte kthyer shpejt më i dashuri i firmës, aq sa Ashley Jordan, bashkëpronari kryesor, kishte propozuar kandidaturën e tij si bashkëpronar. Kabineti i New York ishte asokohe në zhvillim të plotë, aq mirë saqë në moshën tridhjetë e një vjeç Nathan kishte mbledhur bagazhet e veta për tu rikthyer në qytetin që e kishte parë të rritej dhe ku e priste posti i ri i ndihmës-përgjegjësit të departamentit të shkrirje-blerjeve.
Një arritje e shkëlqyer për moshën e tij.
Nathan e kishte realizuar ambicjen e vet : të bëhej një rainmaker, një ndër avokatët më të njohur dhe më të rinj të profesionit. Ai ia kishte dalur mbanë jetës së tij. Jo duke bërë përfitime parash në Bursë apo duke shfrytëzuar marrëdhëniet familjare. Jo, ai kishte fituar para me punën e vet. Duke mbrojtur individë dhe kompani dhe duke bërë për të respektuar ligjet.
I shkëlqyer, i pasur dhe krenar.
I tillë ishte Nathan Del Amico
I parë së jashtmi.
Nathan e kaloi tërë mëngjesin duke takuar bashkëpunëtorët të cilëve ai u mbikqyrte punën, për të vënë pikat mbi ‘‘i’’ në dosjet në vijim. Rreth mesditës, Abby i solli atij një kafe, bretzel me sezam dhe cream cheese.
Abby ishte ndihmësja e tij prej shumë vitesh. Me origjinë nga Kalifornia, ajo kishte pranuar ta ndiqte atë ngaqë ato kuptoheshin përsosur. E pamartuar, diku andej nga mesi i të tridhjetave, ajo ishte e përkushtuar në punën e saj dhe kishte besimin e plotë të Nathan i cili nuk nguronte për t’i besuar përgjegjësi të ndryshme. Duhet thënë që Abby zotëronte një aftësi pune si rrallë kush tjetër, aftësi e cila e lejonte për të ndjekur – madje përshpejtuar – ritmin e vendosur nga padroni i saj, edhe sikur asaj t’i duhej për këtë të fryhej në lëngje frutash të pasuruara në vitamina dhe kafeinë.
Meqë Nathan nuk kishte takim të parashikuar në orën që vinte, ai përfitoi të zgjidhte paksa kollaren e tij. Çudi, kjo dhimbje në gjoks vazhdonte. Ai u bëri pak masazh tëmthave dhe e spërkati fytyrën me pak ujë të ftohtë.
Boll mendove për Mallory.
- Nathan ?
Abby sapo kishte hyrë pa trokitur siç e kishte zakon kur ato gjendeshin vetëm. Gruaja e re dha hollësitë e programit të tij të pasdites, pastaj shtoi :
- Një mik i Ashley Jordan ka thirrur në mëngjes, dhe donte një takim të ngutshëm. Njëfarë Garrett Goodrich…
- Goodrich ? Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë.
- Mendova që ishte ndonjë prej miqve të tij të fëmijërisë, një mjek i njohur.
- Dhe ç’mund të bëj për këtë zotëri ? pyeti ai duke rrudhur vetullat.
- Nuk e di, nuk tha asgjë. Tha vetëm që, sipas Jordan, ju ishit më i miri.
Dhe kjo është e vërtetë : asnjë proces të humbur gjatë gjithë karrierës sime. Asnjë.
- Përpiquni të më thirrni Ashley, ju lutem.
- Ai është nisur për Baltimore para një ore. Ju e dini, dosja Kyle…
- Ah ! po, vërtetë… Në ç’orë duhet të vijë ky Goodrich ?
- I kam propozuar orën shtatëmbëdhjetë.
Ajo e kishte braktisur tashmë zyrën kur kaloi kokën edhe një herë në derën gjysmë të hapur.
- Duhet të jetë për ndonjë gjë përndjekjesh mjekësore, hamendësoi ajo.
- Padyshim, miratoi ai duke u zhytur përsëri në dosjet e tij. Nëse është kështu, ne do ta dërgojmë atë në departamentin e katit të katërt.
Goodrich arriti pak para orës shtatëmbëdhjetë. Abby e futi në zyrë pa e bërë të priste fare.
Ishte një burrë në forcën e moshës, i madh dhe i mbushur. Palltoja e tij e gjatë e prerë bukur dhe kostumi ngjyrë hiri theksonin dhe më tej shtatin e tij të madh. Ai hyri në zyrë me një hap të sigurtë. I ngulur ashtu rëndë në mes të zyrës, shtati i tij prej mundësi i jepte një prani të fortë.
Me një lëvizje të gjerë të dorës, ai e shkundi pallton e tij përpara se t’ia zgjaste Abby-it. Ai kaloi gishtat në flokët e tij të thinjur gri të shpupurisur me kujdes – me siguri i kishte kapur të gjashtëdhjetat por flokët mbaheshin ende mirë – pastaj ledhatoi ngadalë mjekrën e tij të shkurtër, duke ngulur në të njëjtën kohë sytë e tij të gjallë dhe shpues në ato të avokatit.
Me të kryqëzuar vështrimin e Goodrich, Nathan e ndjeu veten jo mirë. Frymëmarrja e tij u përshpejtua dhe, për një çast, mendimet iu mjegulluan.
Perkthyer nga U. Nerguti
__________________
"Trajtoji të tjerët ashtu sic do doje që ata të të trajtonin ty."
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|