Dido°
sempre triste

Regjistruar: 10/04/2003
Vendbanimi: Aty ku kam humbur endrrat
Mesazhe: 55
|
padrejtesia e pare
Ragazziiiiiiiiiiiiiiiiiii! pas nje muaji del ne shitje libri im me poezi dhe ne vere libri tjeter me tregime. meqe akoma nuk kam vendosur mbi titullin qe do i ve librit me poezi me jepni nje mendim, duke lexuar dhe ndonje poezi kehstu mund te kuptoni me mire se per cfare behet fjale. ah nuk dua ti ve nje titull poezie sepse me duket e njejta gje qe bejne te gjithe dhe nuk do kishte kuptim dhe sepse kam botuar gia dy libra me titujt e poezive.
-
Padrejtesia e pare (TREGIM)
--------------------------------------------------------------------------------
Kam hequr përfundimisht dorë nga ndryshimi i kësaj
bote të ndyrë dhe kam hequr dorë prej plot 23 vjetësh.
Dikush mund të pyesë se sa vjeçe je, si për të kuptuar
se sa kohë ka që kam hequr dorë nga ndryshimi i botës,
dhe unë, ndonëse një femër nuk duhet të pyetet dhe as
të tregojë moshën e saj, do përgjigjem 23. Po, po,
23 , s'ka asgjë për t'u habitur, jam 23 vjeçe dhe kam
plot 23 vjet që kam hequr dorë nga ndryshimi i botës,
jo sepse doja apo dua të ndryshoj lindjen e diellit,
lojën lozonjare të dashurisë së yjeve me hënën, apo
vendosjen dhe harmoninë mes meridianeve dhe
paraleleve, se ato në fund të fundit janë në rregull
dhe nuk prishin asnjë punë dhe as nuk shkaktojnë as
ndonjë të keqe.
Por, çfarë doja t'i ndryshoja botës?
Gjithçka mes njerëzve apo gjërave që krijuan ato, por
duke lënë ato që krijoi zoti ashtu në mënyrë perfekte,
të paktën për kohën kur u krijuan.
Por për të mos dalë nga tema, që askush të mos
mërzitet dhe të thotë se kjo nuk është gjë e mirë apo
e zgjuar, po filloj të tregoj se përse plot 23 vjet më
parë kam hequr dorë nga ndryshimi i botës, ndonësë nuk
jam as më shumë e as më pak se 23 vjeçe.
Kam hequr dorë nga ndryshimi i botës, kur ndaj meje
është bërë padrejtësia e parë, pikerisht para 23
viteve, dhe kjo jo se unë linda në një kasolle dhe
kashta ishte gjëja e parë që preku trupin tim të
brishtë dhe të imët, sepse nuk ka ndodhur kështu;as
sepse linda e varfër dhe nuk kishte ujë të ngrohtë
për të larë trupin tim sepse varfëria nuk i kishte
lejuar prindërit e mi të blenin një furnelë apo sobë
(jo elektrike), sepse ky do të ishte lluks varfërie,
por as dru, sepse kjo nuk është e vërtetë; as se unë
linda dhe nëna ime nuk më deshi, sepse isha fryt i një
aventure apo dashurie të saj qe nga ana tjetër i ishte
përgjigjur një aventurë dhe më dërgoi në një jetimore
apo më braktisi duke mos menduar se kishte sjellë në
botë mes vuajtjesh, një fëmijë të destinuar për të
vuajtur dhe për të jetuar gjithë jetën me një nofkë
aspak të këndshme:kopile, e thënë në gjuhën popullore
apo e thënë në gjuhën moderne, bastarde, sepse nuk
është e vërtetë; as sepse prindërit e mi nuk më deshën
se isha vajzë dhe se ata donin një trashëgimtar të
pasurisë së varfër dhe jo trashëgimtare të vuajtjeve,
sepse nuk është e vërtetë, sepse donin vajzë.
Padrejtësia e parë ndaj meje, që më detyroi të heq
dorë nga ndryshimi i botës që këtu e 23 vjet më parë,
sigurisht nuk ka qënë fakti që unë linda me sy të
shtrembër, sepse në fakt janë madje edhe shumë të
bukur, apo se linda raketike apo njeri me bisht,
monstër a kushedi se çfarë, sepse nuk është e vërtetë.
Por për të mos u zgjatur që të mos ju mërzis dhe për
të mos e lënë mendjen e shkretë të ndonjë të shkreti
njeri, të shtrydhet për të gjetur padrejtësinë e parë
të bërë ndaj meje para 23 viteve, ose edhe e dikujt
tjetër, por që kujtesa e tij apo e saj nuk e ka
fokusuar në një nga rrudhat e trurit apo në lëngun e
plazmës se trurit( kushedi se ku fokusohet memoria),
po filloj të tregoj dëshminë e parë, ose për tu
shprehur më qartë dhe për t'i qëndruar besnike idesë
që kisha në fillim dhe natyrisht fillimit të tregimit
tim, nuk po humb kohë; sepse në fund të fundit kjo do
të thotë të të bëj ty që do ta lexosh një padrejtësi,
që nuk është e para dhe sigurisht nuk do jetë e
fundit, sepse nuk ka kush ta ndryshojë botën dhe as ta
zhdukë këtë fjalë nga fjalori dhe nga kujtesa( kur
bëhet fjalë për veti apo vese si dreqin quhen,
asnjëherë nuk humb, majde në këtë pikë truri punon
100%), duke të humbur kohën e çmuar apo duke të lënë
në mes një punë më të vlefshme, ndoshta jo aq
argëtuese se sa vënia në pah e çmendurisë time, por të
paktën më frytdhënëse, sepse mund t'u shërbejë për të
blerë një furnelë dhe që të mos i bëni një padrejtësi
fëmijës tuaj duke e lindur në të ftohtë, sepse do të
më mallkonit duke më bërë një padrejtësi tjetër dhe do
të më vinte keq e do detyrohesha të ju bëja edhe unë
një padrejtësi e kështu me rrallë, kështu që për të
mos vazhduar rrugën e padrejtësive, sepse po denoncoj
para jush një padrejtësi, nuk po humb kohë.
Kështu, padrejtësia e parë e bërë ndaj meje ka ardhur
nga nëna ime, po jo vetëm nga ajo, sepse meqë thashë
se kujtesa nuk punon dhe aq mirë, nuk e mbaj mend,
(për këtë ju betohem), se kush ka qënë tjetër afër
meje në dhomën e ftohtë të maternitetit, përveç mamasë
time.
Po si filloi; jo si zakonisht na ishte njëherë, sepse
ajo që po tregoj nuk është një përrallë, sepse unë
ekzistova para 23 vitesh dhe ekzistoj edhe në momentin
që po shkruaj, pas 23 vitesh.
Mirë pra, që të mos dal nga tema, unë në barkun e
nënës, (bëhet fjalë këtu para 23 vitesh dhe 5 muajsh,
sepse katër muajt e parë nuk merrja dot frymë dhe as
mendoja dot), PRA, UNË MENDOJA SE SI TË NDRYSHOJA
BOTËN dhe të mos i lija të mbyllur dhe në errësirë,
ashtu siç isha lënë unë prej katër muajsh; dhe ky
mendim më bëri të shpejtoj daljen time në dritë që
fatkeqët më në fund të ngushëlloheshin me faktin se
ata që do vinin në botë pas tyre nuk do quheshin më të
tillë, që në muajin e tetë dhe të quhem tetanike.
Kështu që unë desha të lindja për të ndryshuar botën
dhe ngaqë u habita aq shumë nga ato që pashë, nga ajo
bardhësi e egër e dhomës së maternitetit që më vrau
sytë, nga ato gërshërë të mëdha që janë për të qethur
delet dhe që i mbante në dorë dikush që do më priste
kërthizën apo kordonin siç quhet në gjuhën e
mjekëve,(sa të ngatërruar janë edhe këta me bluza të
bardha); nga gjaku, që në fakt në atë kohë nuk e
kuptoja dot se çfarë ishte, por vetëm dija qe sa nuk
më kishte zënë frymën për tetë muaj me rrallë dhe do
më mbyste sikur të mos kisha një si lloj tubi apo gypi
që e kishte lidhur nëna ime nga fyti i saj me fytin
tim, nga ku falë hapjes së gojës së saj për të ngrënë,
folur e bërtitur,-se gratë shtatëzëna janë shumë
nevrike, sa për dy veta, pra për vete dhe për atë që
kanë në bark-,hynte një çikë ajër, duke menduar se as
jashtë nuk po më linte të qetë, mbylla sytë.
Por kur i mbylla sytë, dëgjova të qeshurën e nënës
time që për mua do të thoshte lëndim; sepse edhe të
porsalindurit lëndohen, mendojnë, llogjikojnë, mos
t'ju duket e habitshme;i hapa dhe nga inati fillova të
qaj, por prapë dëgjova të qeshurën e gruas që më
kishtë dhënë jetë dhe ajër,( e cila sikur më thoshte
se po të trëmbesha me kaq pak gjera të frikshme, që
asaj i dukeshin normale, do të thoshte që kot më
kishte lindur, sepse do shihja dhe do provoja në
kurriz akoma më keq), e cila nuk e kuptonte se unë
kisha ardhur për të ndryshuar botën, i mbylla sytë
përsëri dhe duke skërmitur me vete sepse nuk më
kuptonte nëna ime, si mund të më kuptonin të tjerët
dhe po të mos më kuptonin nuk i ndryshoja dot as ato
dhe për pasojë as botën, vendosa të shpaguaj
padrejtësinë e parë, të mos qaj, të hap sytë dhe të
heq dorë nga ndryshimi i botës sepse nuk ia vlente
dhe se njerëzit nuk donin të ndryshonin.
Dhe që atëherë edhe pas 23 vitesh, duke kërkuar
shpagim ndaj padrejtësisë se parë të bërë ndaj meje;-
dhe që akoma nuk e kam shpaguar tamam, por edhe sikur,
më janë bërë edhe shumë padrejtësi të tjera për të
cilat sigurisht do shpagohem;- vendosa të mos bëj
asnjë përpjekje për të ndryshuar botën e cila nuk më
kupton!
-----------------------------------------------------------------------------
Poezit qe ndodheshin me pare ne kete teme ndodhen tek nen-ndarja Bota e re e poezise ne linkun e meposhtem.
http://www.forumihorizont.com/showt...p;threadid=7780
Modifikuar nga iliriusa datë 10/06/2006 ora 05:51
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|