qershor13
Vagabonding

Regjistruar: 05/02/2003
Vendbanimi: Rio
Mesazhe: 2547
|
Amik Kasoruho,nga Mesagjeria në lindjen e mbrame
Përkthyesi në jetën e dytë larg Shqipërisë, megjithëse në moshën 71- vjeçare, por përjeton ditët më të mira me letërsinë. Kthimi tek dorëshkrimet e humbura kur ishte “i padëshiruar” në atdhe, krijimtaria origjinale në gjuhën italiane, përkthimi i letërsisë shqipe, deri tek vëllimet magjike “Harry Potter”
Kishte një vend në burgun e ri të Tiranës i quajtur Mesagjeria. Prej vitit 1946 kur ndodhën arrestimet e para nga regjimi komunist e deri në fillim të viteve ’60 kur nisën të hapen fronte të reja burgjesh, kryesisht në provincat me një minierë në zemër, Mesagjeria rekrutonte pa pushim përkthyes. “Një burg i vogël ku kishte një liri relative.” Kjo ishte Mesagjeria për përkthyesin, asokohe 17-vjeçar, Amik Kasoruho.
Vendi ku shfrytëzohej aftësia e njerëzve për të sjellë në shqip gjuhët e ndaluara të botës, historitë, biografitë e njerëzve të mëdhenj, shkencën dhe dijen për të cilën regjimi kishte aq shumë nevojë në vitet e pasluftës, kohë e injorancës në masë dhe dhelpërisë për ta shfrytëzuar padijen gjithmonë e pambrojtur, nga pushtetarët e rinj.
Kasoruho po shkonte drejt burgut me gjuhët perëndimore, italisht e frëngjisht. Meqë pjesa më e madhe e literaturës që përkthehej ishte në rusisht, Amiku mësoi aty edhe këtë gjuhë. “Kuptohet që “universitetin” e tij Amik Kasoruho e kreu gjatë viteve të burgut, sidomos në Burrel”,- do të shkruante miku i tij Robert Shvarc, në vitin ’96, në parathënien e librit “Një ankth gjysmëshekullor – Shqipëria e Enver Hoshës”. Mesagjeria ishte i pari institucion i përkthimit të organizuar.
Ai kujton edhe atë fabrikën e kartonit, një brumatriçe e madhe ku me mijëra libra të rrezikshëm hidheshin aty për t’u bërë brum i asaj që do të gatuante për kuranët e vet regjimi oriental i Hoxhës dhe byrosë së tij politike. “Shfrytëzohej aftësia e njerëzve. Në vend që të vlerësohej puna e njerëzve si Mihal Sherko, Mitrush Kuteli, Mirash Ivanaj, Jusuf Vrioni, Gjon Shllaku, ata i degdisën në të tjera burgje. Nuk mund të kujtoj vuajtje më të madhe. Të tjerat treten si kripa në ujë.”
Janë shtatë a tetë vëllime nga shqipja në italisht, veprat që Kasoruho përkthen deri para vitit ’90. Por asnjë prej tyre nuk mund të botohej. Megjithëse ka pasur miq që janë bërë copash për të, por që nuk iu eci fjala, edhe pse në moshë të shtyrë, regjimi vazhdonte të tregonte kokëfortësinë e tij. Një intelektual si Kasoruho, ishte në indeksin e atyre që s’duhej t’iu dilte emri në Itali, vendi që do të bëhej atdheu i tij i dytë kur falë një pasaporte dhënë nga Ramiz Alia, vendosi të nisej dhe të mos kthehej më.
Në një qytet të vogël, pranë Barit, ku iu desh ta niste jetën nga e para në moshën 60- vjeçare, Amik Kasoruho ishte mërgimtari që fatin e zi të jetës së deriatëhershme e ktheu në përfitim të tij, të krijimtarisë, publicistit, studiuesit, përkthyesit.
Ai është sot një nga përkthyesit e preferuar të botuesve shqiptarë. Sjell në shqip autorin e zemrës Pirandelo, tregimet e tij, Blasko Ibanjezin i botuar së fundi, një pëkthim i 40 vjetëve më parë, katër vepra nga Harold Robbins, mes të cilave dhe suksesi i këtij autori “Mos dashuro kurrë një të huaj”, “Kështjella” të Franc Kafkës. Pastaj janë autorë që gjithmonë i kanë rezistuar njohjeve të tij të kohëpaskohshme: sërish Pirandelo, Cronin, Steinback, Hans Falada. Të tjerat që vijnë më pas nuk janë aq sugjerime që kanë të bëjnë me intutitën e tij si përkthyes se sa porosi të botuesit. Megjithatë ai i përmbahet parimit të përkthimit “dinjitoz në shqip”. Përkthimi, 71- vjeçarin sot e ndihmon të jetojë, jo se i zgjidh problemet. “Për të bërë një përkthim të mirë, duhet harxhuar më shumë kohë se çdo duhej të përkthesh për të fituar”,- thotë ai.
Kasoruho këto vite të fundit do të bëhej mik i përkthimit i një kryevepre botërore të letërsisë për fëmijë “Harry Potter”. Janë pesë vëllime që vijnë prej tij nga anglishtja. Megjithëse kritika e ka vlerësuar përkthimin e sprovuar të tij për “shqipen e pasur dhe të rrjedhshme, e cila e ka nxjerrë faqebardhë edhe prej botës së errët të magjisë”,- do ta përkufizonte Virgjil Muçi, “Harry Potter-in e kam të vështirë ta shijoj, t’i mbush mendjen vetes. Kam në duar vëllimin e pestë me 770 faqe, njëlloj si të përkthesh “Ana Kareninën” apo “Lufta dhe paqja”, thotë Kasoruho duke ndezur një pas një cigaret, që duket se i mbushin trupin e brishtë dhe imcak.
Por ndodh që botuesit për arsye krejtësisht materialiste shkojnë kundër erës së shijeve të përkthyesit apo dhe të letërsisë serioze qoftë. Kasoruho thotë se ka në duar 400 faqe nga Pirandelo, por ende nuk po del ai përkthyesi shqiptar. e njëjta gjë qëllon t’i ndodhë edhe me botues italianë. Pasi kishte përkthyer me porosi “Shqipëria midis dy luftërave” të Fischer-it, vepra e përkthyer në italisht është refuzuar për pjesën “e errët” italiane të historisë që shkruhet aty. Ndërkohë Kasoruho ka përcjellë në këtë gjuhë autorë nga Shqipëria dhe Kosova si Viçens Prenushi, Petro Çerkezi, Azem Shkreli, Sefedin Fetiu, Fatos Kongoli, Ylljet Aliçka.
Në Itali, ku nisi të jetojë si refugjat politik dhe tani ka shtetësinë italiane, Kasoruho është më tepër i njohur ai autor, sesa si përkthyes. Letërsia, eseistika apo publicistika e tij më e rëndësishme është në veprat “Midis burgut dhe dritës”, “Çmimi i një ëndrre”, “Fluturimi i gjatë i një ore”. Apo “Një ankth gjysmëshekullor – Shqipëria e Enver Hoxhës”,- ku autori sipas përkthyesit Robert Shvarc “ka ditur ç’të rrëfejë: përmes historisë, jo të asaj historie, që, zakonisht, e shkruajnë “fitimtarët”, por përmes historisë së vërtetë që mund ta njohin ashtu siç duhet vetëm të mundurit, viktimat…Eshtë dëshmia jo e një, por e disa “brezave të humbur” dhe, çështë më tragjikja është dëshmia e një kohe fatalisht të humbur…”
Shvarc ishte njeriu që ia ndau në dysh kujtimet e një jete, pasi u ndaj prej saj. Ishte ai që e ka futur në shtëpi Kasoruhon kur ky nuk kishte të drejtë banimi në Tiranë. Ajo ku do të bashkohej sërish me mikun e tij Shvarc, edhe pse nuk jetonte më, ndodhi në një libër. Shtëpia botuese “Bargjini” mbledh në një vëllim tregime të zgjedhura përkthyer nga Shvarc e Kasoruho.
Nëse miku i tij Shvarc kishte zgjedhur ta largonte vuajtjen duke u rebeluar e duke u vetmuar ditë më ditë, ai Kasoruho që u fut në rrethin e kuq të të padëshiruarve në atdhe të vet, në kohën kur njerëzit i ndanë në të shtypur dhe shtypës, nuk e quan veten, as martir, as apostull. Ndëshkimi që mori në jetë ishte një fakt, një shenjë, pjesa tjetër e rrugës është ajo që zgjodhi vetë.
Robert Shvarc: Kështu e njoha Kasoruhon
Unë që po mundohem – me shumë mallëngjim dhe hidhërim njëherësh - të hedh në letër këto pak rreshta, jam njëri prej shokëve të tij më të afërt të adoleshencës. Dhe kur e rikujtoj atë ditë të zezë të 1948-ës, kur e arrestuan mu në rrugë tek po shkonim bashkë në shkollë (në Politeknikumin 7 Nëntori), pastaj atë ditën tjetër të vitit 1949, kur e pashë ta nxirrnin të prangosur por kryelartë nga gjykata, bashkë me 17 -vjeçarë të tjerë, midis tyre edhe një vajzë…pra, kur i rikujtoj ato pamje edhe sot që jam i thinjur, më ngjethen mishtë. I gjithë grupi i atyre adoleshentëve akuzohej se kish dashur “të përmbyste pushtetin popullor me violencë” (!!!) Amikun e dënuan me 10 vjet burgim! Dhe i gjithë shkaku ishte një hartim shkolle, brilant, por tepër guximtar për atë kohë, për “Shqipërinë e Skënderbeut” dhe jo për atë të Titos e Stalinit…
Qysh në atë moshë, Amiku zotëronte frëngjishten e italishten. Ne të gjithë nja pesë a gjashtë shokë, ishim të marrosur pas librave; kishim krijuar edhe një shoqëri “letrarësh” dhe, fill pas çlirimit të vendit, kërkuam leje të botonim vetë një revistë për rininë. Merret me mend që kjo leje nuk na u dha kurrë. Por ne ishim vetëm 15- vjeçarë, çiliminj, dhe kishim vetëm ëndrra – asgjë tjetër! Ishim edhe idealistë, rrëmbeheshim nga “fryma e re” që asokohe na dukej vërtet si fllad i ëmbël, shkonim edhe vullnetarë në hekurudhat e para, pa na çuar askush me zor…Ku vanë e shkuan ëndrrat tona?! Shokun më të mirë na e burgosën; ne të tjerët u përjashtuam nga të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe emrat tanë e patën gjithmonë nga një rreth të kuq me vete…
Marrë nga parathënia
“Një ankth gjysmëshekullor – Shqipëria e Enver Hoxhës”
__________________
Lo scopo della nostra vita è di servire la Forza che ci ha creati,e dalla cui misericordia o approvazione dipende il nostro stesso respiro,servendo con lealt_ le Sue creature.Questo significa amore,che dovrebbe sostituire l'odio che si vede ovunque.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|