Sabian
Bukuran
Regjistruar: 15/08/2005
Vendbanimi: Rrugeve
Mesazhe: 66
|
Rubaira te Shqiperuara nga Fan Noli.
1.
Natën kur flija, më tha shpirti: "Pi!
Në gjumë dhe në Varr s'ka lumturi.
Ngreju! Sa rron, zbras Kupa dhe puth çupa;
se ke shekuj që të flesh në qetësi".
2.
Në ëndërr, kur Agimi zbardhëllonte,
Një zë që nga Taverna po gjëmonte:
"Cohuni, djema, e Verë sillnani,
Se Fati na e tha lëngun sonte".
3.
Dhe posa në tavernë këndoi gjeli,
Besnikët jashtë thirrën "Portat çelni!
E shkurter është Jeta, ja, u mplakmë
Dhe mbetmë si kofini pas së vjeli".
4.
A di përse këndesi po këndon
Dhe menatë nga gjumi po të zgjon?
Që shkoi një ditë po të lajmëron,
Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron.
5.
U gdhi! Me verë zëmrën e zbardhëlloj
Përdhe çdo Fe të Natës e dërmoj:
Në Djall dërgoj Parajsën e përpjetë,
Gërshetin me lahutën lavdëroj.
6.
Kur Diellin me zjarr kurorëzuar,
E pret me gas Natyra faqeshkruar,
Shoqen me mall po shoh në gjumë shtruar
Dhe foshnjën buzëqeshur më të zgjuar.
7.
Ja, Kup' e Qiellit skuqet prej Agimit,
Bilbili nisi këngën e dëfrimit
Me trëndafilin: Eja, Faqepjeshkë,
Natyra qesh; nem Qelqin e Rubinit.
8.
Zgjo-hu! Mëngjezi me shigjet' e grisi
Perden e Natës, Yjt' i arratisi,
Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi
Cdo majë mali, pallati e lisi.
9.
O Engjëll faqedritë, ja u gdhi,
Shtjer Verë dhe këndo me ëmbëlsi!
Xhamshidi e Khosroj qysh lulëzuan,
Qysh dimërojnë sot në Varrverri.
10.
Ja, Mars'i ri dëshirat na valon,
Cdo shpirt i mënçur në Gërmadhë shkon
Ku dor' e Moisiut zbardh nga degët
Dhe frym' e Krishtit tokën gjelbëron.
11.
Mbi lulet po pikojnë vesë retë,
Dhe me një zë qiellor Bilbili shkretë:
Ah, Verë! Verë! Trëndafilit
I lyp t'i skuqë faqëzën e zbehtë.
12.
Bilbili nëpër kopshtet në Pranverë
Sheh Lilin Kup' e Trëndafilin Verë
Dhe thotë: "Puthuni e pihuni!
S'e gjeni këtë ditë tjatër herë".
13.
Shiko luadhe, lule, bukuri,
Lumenj kristali, kronj e brohori:
Nga dimri Ferr pranvera Qiell na ndriti,
Gëzo mi Dhe Parajsën me Huri.
14.
Desh Trëndafili e thotë: "Lulëzoj
Dhe botës bukurinë po ia shtoj:
Pastaj e hap kuletën e mëndafshtë
Dhe përmbi kopsht thesarin po e shtroj".
15.
"Jam, thotë, lulja e Josefit t'ri
T'Egiptes, xhevahir, zëmërflori:
Ja edhe rrob' e kuqe gjak, e çjerur
Prej vllezërve dhe gruas Petefri.
16.
Tufani kopshtin kur ma çkatërron
Dhe Rrot' e Fatit shpresat m'i dërmon,
Pështillem si burbuq' i Trëndafilit,
Po zemra gjak përbrenda më pikon.
17.
U dogja dhe u përvëlova: Verë!
Nga vrer'i lotëve u shova: Verë!
Në Qelq rubin, e Dashur, dhe Luten
Dhe nga ky zjarr shpëtova: Verë!
18.
Me Ver' e Vajza, me Lahut e Valle,
Me Fyell e me Këngë po s'u çmalle,
Jeta s'vlen hiç: Se pa këto nuk është
Veç pemë helmi, pus e tym vërdalle.
19.
Nga njëra dorë Trëndafil e Grua,
Nga dora tjatër patsha Rrush e krua:
"Zotit - po thoni - i ardhtë keq për mua!"
Po as m'a fal pendimin, as ia dua.
20.
Një Engjëll më tërhiqte në Xhami,
Një Djall po më zvarrniste në Dolli;
Po Ver' e kuqe e fitoi davanë:
Gërshet këtej - edhe andej Hardhi.
21.
Në prehërin e Hurisë kur gëzohesh
Veten humbet, e veten gjen, bekohesh:
Kur pi kungatën shpirtrëmbenjëse,
Përsipër Jetës, Vdekjes lartësohesh.
22.
Te Shpell' e Verës kemi hedhur mendjen,
Dehemi, puthim për të mbledhur mendjen:
C'pyet? Gjykim e tru na kanë rrjedhur,
Se Vajzat na e kanë vjedhur mendjen.
23.
"Pse s'pi më pak?" më thonë njerëzia,
"Për ç'arësye s'ka kufi Dollia?"
Një: Faq'e Vajzës; dy: Rubin'i Verës,
Ja shkaqe si kristal nga qartësia.
24.
Drit' e Kungatës vlen çdo mbretëri
N'Evropë dhe n'Afrikë dhe n'Azi:
Rënkim'i Vajzës mallëngjen më rëndë
Se çdo shamat' e turmës në Xhami.
25.
Fito një Zemër, puthe dhe rrëmbeje,
Dhe adhuroje si Altar prej Feje:
Një qind Qabera s'vlejnë sa një Zemër;
Zemër kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje.
26.
Si mjer' ay që Dashuri s'ka ndjerë
Dhe zemra s'i ka ndritur në prënverë:
Pa Ver' e Dashuri çdo dit' e shkuar
Prej meje s'nëmërohet asnjëherë.
27.
S'ka hir apo shëmtim në Dashuri,
Për Ferr e për Parajsë s'ka mërzi,
As për pallate a kasolle a shpella
As për mëndafsh a rrecka a stoli.
28.
Kjo zemr' e marr' e mbytur në mjerime
Pa prerë vuan e lëshon rënkime:
Kur më dha Zoti Verë Dashurie,
Ma mbushi kupën gjak prej zemrës sime.
29.
E prisja! Si rrufeja më tronditi!
E Dashura më shkoi, më neveriti:
S'e çmoja kur e kisha... Ah, çma priti!
Në Ferrin nga Parajsa më vërviti.
30.
Rënkoj e psherëtij, se s'të kam pranë,
M'u çuar zëmra, vojtjet mënt s'më lanë,
Askujt s'ia qaj dot hallin, djall' o punë:
Vrermjalt' e flagëves' e qiellhapsanë!
31.
Nga hidhërim'i ndarjes jam përpirë,
Sa e sa herë zemra m'është grirë:
Ty natën të kujtoj e psherëtij,
Nga malli digjem, si qiriri kam shkrirë.
32.
Kur s'dhëmp e s'shëmp nuk është Dashuri,
Pa Ferr s'gjen dot Parajsë dhe Huri:
Kur zjarr' e ke në gji, me nat' e ditë
Sot ndrit me gas e nesër ndes më zi.
33.
Te rrug' e Trëndafilit plot me gjëmba
Pikova gjak, u çora dhe u shëmba:
Pa qindra plag' e çpojtje s'qepeht krehri
Në flokët e së Dashurës me dhëmba.
34.
Zemrën me sy e dashura ma ndes,
Zemraqiri me flakën rron e vdes:
Te flak' e bukur zemraflutur turret,
Kurban e tëra digjet pa kujdes.
35.
Me syrin bukuri e dritë çpall,
Në zemrën Dashuri e zjarr më kall:
Ti s'më vë re aspak ose më tall,
Kur unë pshërtij për ty me mall.
36.
Zefire, fryre, syri im të pa,
Nga gjoksi zemra m'iku dhe më la
Dhe dyke fluturuar pas të ra:
Banesën sot në gjoksin tënt e ka.
37.
Selvia që më bëri skllav e mbret
Tani më nisi prapë muhabet;
Më qesh me buz' e sy, se shpirti i thotë:
"Bëje të mirën dhe e hith në det".
38.
E dashura shkëlqeu, më vërboi,
Zemra më fliste gjuha më pushoi:
Kush pa me sy torturë kësisoj?
Nga etja u dogja, u shova mun te kroj.
39.
Kush në Gërmadhen të ka prurë, kush?
Kush ta ka çfaqur natën mirë, kush?
Kush të ka fryrë të më ndezësh furrë
Nga Dashuria të sëmurë, kush?
40.
Në këtë Dhe pa prehje, pa pushim,
Jam lodhur me kërkim e udhëtim:
Të bukur Qiparis si ti s'kam parë,
S'të kapërcen as hëna në shkëlqim.
41.
O ti mbi Dhe m'e zgjedhura Selvi,
M'e shtrenjtë je se shpirt dhe syt' e mi:
Gjë më të çmuar se sa jeta s'ka;
Një qind herë më e çmuar më je ti!
42.
Si në mëngjes burbuqi i vesuar
Me rrezet buzëqesh i ngushëlluar,
Më ndrit me gas fytyra e përlotur
Kur zemrën ti ma ngroh me syt' e shkruar.
43.
Ti, që me faqe Rrushin e kapërcen,
Dhe që me zë Bilbilin e gënjen,
Një sy i luan Mbretit t'Babilonës
Dhe mbretëresh' e kulla ia rrëmben.
44.
Për ty bëj be të hedh në det dhe nderin;
Në shkelça fjalën, shkelmin nem dhe vrerin:
Në mos mjaftoftë jeta ime e zezë,
Laj borxhin në të Funtmin Gjyq me Ferrin.
45.
Sa kohë munt, e Dashur, ngushëllomë,
Nga barr' e vrerit zemrën lehtësomë;
Se bukuria jote s'rron për jetë;
Shpejt! Nesër zbresim që të dy në Llomë.
46.
Me buzët gjak, Sirenë, dehm' e mpimë,
Me dhëmbët e me thonjtë çirm' e grimë:
Me krah' e me gërshetë mbytm' e shtrimë,
Me syt' e tu të zjarrtë tretm' e shkrimë!
47.
Me Bukë sa për shpirt, me Hën' e Zanë,
Me Ver' e Harp' e Vjersha dhe ty pranë
Në Pjergull të Gërmadhës jam m'i lumtur
Se në pallat a fron një qint Sulltanë.
48.
"Sa bukur të jesh Mbret!" disa mendojnë;
"Sa ëmbël në Parajsë!" ca besojnë:
Ah, merr trumpetat e ler kusurin,
Daullet, pompat lark le të gjëmojnë.
49.
Në botë kotësira mos lakmo
Të mirat e të ligat ia harro:
Kthjelloje zemrën si ky Qiell i kaltër,
Si Yll më ndrit, si Diell perëndo.
50.
Shpirti për ku m'u bë prej Perëndie?
Për Qiell a Ferr? S'e di, po veresie
S'lë gas të saktë, Ver' e Vajz' e Këngë,
Për profka, ëndrra, prralla shenjtërie.
51.
Se save që për Dhenë bëjnë rragë
Dhe save që për Qiell hedhin flagë,
Nga Kull' e Natës Korbi u bërtet:
"Të çmëndur! S'ka as lart as poshtë çpagë!"
52.
Me vajzën në prënver' e në lëndinë
Me Këngën, me Lahutën, me Dollinë
Dëfrej: le të më shajnë; s'më ha malli!
Këtu e gjej Parajsën, Perëndinë.
53.
Me Ver' e Valle, me Huri - në pastë,
Te vija në lëndin' u shtri - në pastë,
Dhe humbi fare Ferr'i zi - në pastë,
Dhe ja, Parajsa na u gdhi - në pastë.
54.
Një kupë Verë, mor Saki - ta puth!
Vajzën e bukur si selvi - ta puth!
Atë gërshet si lak të zi ku kapet
I urti plak e djal'i ri - ta puth!
55.
Nem kupën dhe këndo një melodi,
Me Engjëj dhe Bilbilë simfoni:
Se Vera qesh, këndon, kur rrjeth nga shishja
Dhe s'duhet pirë veç me brohori.
56.
Me gjithë Trëndafijt' Irami u shua,
Qelqi magjik Xhamshid u çduk në prrua,
Po prapë Vreshta Rrush rubin na nxjerr
Dhe kopshti lulëzon ku rrjeth një krua.
57.
Shih, mijëra burbuqe lulëzojnë
Dhe erët mijëra përdhe rrëzojnë;
Dhe ditët që na sjellin Trëndafilin
Xhamshid e Kaj-Kobad na i çkallmojnë.
58.
Po eni me Khajamin dhe ia shtroni
Dhe Kaj-Kobad e Kas-Khosro harroni:
Rustemi le t'ju ftojë në kushtrim
E Taji në zijafet, mos i dëgjoni.
59.
Eja, mbush Kupën e në zjarr gëzimi
Vërvit çdo vrer e helm të zi pendimi:
Se Shkab' e Kohës Jetën na shkurton,
Dhe shih se sa shpejton nga fluturimi.
60.
E Dashur, mbushma Kupën që kthjellon
Të sotmen nga vreri q'ikën, tmerr q'afron:
Po nesër? nesër ndofta fryra, humba
Në shqotën ku e djeshmja fluturon.
61.
Na fryri dita, mor Saki: sill Verë!
Jetën s'e shohim përsëri: sill Verë!
Bota një her' u mbyt në kataklizmë,
Ashtu u mbytshim me Dolli: sill Verë!
62.
U bëra prapë djal' i ri: sill Verë!
Kërcej me flag' e lumturi: sill Verë!
S'ka gjë, në qoftë e hidhur, mor Saki,
Si jeta ime në Persi: sill Verë!
63.
Sakinjtë derdhin Ver' e vala rrushi,
Në zemra shuajn' afsh' e avull prushi:
Lavdi, o Zot, se dhe këtë ballsam
Që na shëroi e me shëndet na mbushi.
64.
Si merimanga vallë pse ta tjerim
Perin e Jetës, kur pastaj e çtjerim?
C'do të fitojmë kur aspak s'e dimë
Frymën që marrim jasht' a do ta nxjerrim?
65.
Në Nishapur ose në Babilon,
Me Kupën që tharton e ëmbëlson,
Fletët e Jetës një nga një na bien
Dhe lëngu i saj pa reshtur na pikon.
66.
Ah, mbushini Kupat! Zemra na thërret,
Se Koha nëpër këmbë po na shket:
E djeshmja vdiq, e nesërmja s'na gjen;
C'mërziti kur e sotmja ka lezet?
67.
Ditën e shkuar fare e harro
Dhe për të nesërmen mos u mendo:
Gëzo një çast të lumtur, faqebardhë,
Dhe Jetën n'erë mos e çkatërro.
68.
Për nesër mos u verdh sa pa e parë,
Të sotmen e gëzo, mor djal' i mbarë:
Shpejt ikim nga ky Han e hasim shokët
Që shkuan shtatë mijë vjet më parë.
69.
Me Buzët trëndafilen shtatselvi
Këndo e nat' e ditë zbras Dolli:
Se nesër Vdekja fryn, te çthurr si lule
Dhe fletët t'i përmbledh në Dhe të zi.
70.
Të shkuarat mos i kujto me lot
Dhe për të pritmet mos u loth më kot:
Sa kohë në luadhin je, kullot;
Nga drapr' i Vdekjes nukë shpëton dot.
71.
Buza që puth e Vera që po pi
Vërtet mbarojnë dhe ato si hi:
Po sot të paktën je një hi i gjallë,
Gëzohu sa s'kalon në Hiç të zi.
72.
Sa kohë po vazhdon kjo Jet' e ngratë
Për qafe kape Qiparisn' e gjatë.
Se nesër Mëmë-Dheu do t'të kapë
Dhe posa të pushtoi s'të lëshon prapë.
73.
Sa nga të dashurit mbi këtë bar
Që m'emëruan për trashëgimtar
I zbraznë Kupat rrotull nja dy herë
Dhe heshtn' e zbritnë një nga një në varr.
74.
Më shkuan shokët! Vdekja pa mëshirë
M'i shtrydhi një nga një si Rrush në Tirë:
Festuam, pim' e biseduam bashkë,
Pastaj u shtrin' e thanë: "Lamtumirë!"
75.
Dhe ne, që sot dëfrejmë në lëndinë,
Ku pleqtë na bekuan me Dollinë,
Dhe ne në shtrat të dheut do të zbresim
Dhe do ta zbrazim vendin për risinë.
76.
Si lot pikon nga Qiell'i mvrojtur shiu
Sis' i jep lules si një çilimiu;
Nga varri bukën ia mëkon njeriu:
Bga pluhr'i tij kjo lul'e bukur mbiu.
77.
M'i kuqi Trëndafil i çdo behari
Nga toka mbin që piu gjak Qesari:
Në gji të kopshtit manushaqja shket
Prej faqes Vajzës me ulli nga Varri.
78.
Dhe kjo lëndin' e njomë që po çel
Bregun e lumit ku tani po ngel,
Ah, pshtetu leht' e but' e mos e shkel,
Se s'di nga cila buz' e bukur del.
79.
Ah, Trëndafili me prënverën shkon
Vjeshta risisë fletët ia rrëzon:
Bilbili, që në degët i këndon,
Ikën - e kush e di ku fluturon?
80.
Ah, pini dhe Khajamit shtjerini!
Profetët le të flasin, lerini!
Një gjë ësht' e vërtetë: Lulja vdes,
Si lulëzon, - dhe profkat prejini!
81.
Cdo shpresë që në flakë na përfshin
Shuhet e bëhet hi; a shkrepëtin
Mbi kum të shkretëtirës si dëbora
Një or' a dy - dhe menjëherë shkrin.
82.
Në Dhe, o shpirt, të mirat si për Mbret
Dhe gazet e dëfrimet plot lezet
S'të janë veç si ves' e lulevet,
Që ndrit menatë dhe pastaj humbet.
83.
Edhe ay që mbleth e shin flori
Edhe ay q'e heth, e derth si shi,
Kur vdesin nukë bëhen ar e mjaltë:
Po kalben, myken nënë Dhe të zi.
84.
Te ky Karvan - Saraj faqekëmbyer,
Që netët edhe ditë ka për dyer,
Sulltanë pas Sulltanëve u shtruan
Sa ish' e thën' - e iknë të pakthyer.
85.
Ja, sot gas paske dhe shëndet: pastaj?
Ja, mot të patshim si simvjet: pastaj?
Ja, qofsh i lumtur një qint vjet: pastaj?
Ja, për çudi, dy qint si mbret: pastaj?
86.
Dhe tre qint vjet të rrosh e plot me dritë,
Këtejza do të shkosh me lot një ditë,
Qofsh Mbret i lart' a lipës i ngratë
Në trap do të mbarosh pa mot i mpitë.
87.
S'banojnë veç luanë dhe zhapi
Në sallat ku Xhamshidi u shtri, u pi:
Bahrami, që me lak onagre kapte,
U lak, u kap në llom' e pellgpusi.
88.
Kështjella gjer në Qiell një herë ndriti
Dhe Mbretër e Qesarë brënda priti:
Përmbi gërmadha tani qyqja qan:
"Ku vajti, ah! ku? ku, ku zbriti?"
89.
Nga mur'i Tusit Korbi po vë re
Kafkën e Kaj-Kavusit tej përdhe
Dhe kujës ia kërcet: Kaj, Kral i Ngratë,
Daullet dhe trumbetat ku m'i ke?
90.
C'fitova nga të gjith' andrallat? Hiç!
Dhe nga mundimet e vërdallat? Hiç!
Sa para bën se sot jam Yll e Dritë
Kur shuhem nesër, shkoj me prrallat? Hiç!
91.
Aristotel ndriçofsh, ngrysesh e hump!
Qesar çdo fron zaptofsh, përmbysesh, hump!
Qelqin Xhamshid kungofsh, thyhesh e hump!
Bahmar u lavdërofsh, mbytesh e hump!
92.
Ah, Rrot' e Qiellit vrasëse, mizore,
Sa shtyp e shtrydh në Tirën shekullore:
Ah, Dhe i zi, në gji sa xhevahire,
Përpin, e sa dafina prej kurore!
93.
Ah, Zot, që botën me një urdhër themelove,
Sa e sa zemra copëtove e shove:
C'burbuqe buzëkuqe, flokëzeza,
Pa lulëzuar në qivur m'i shtrove!
94.
O Racë Njerëzore e verbuar,
O Hiç, mbi Er' e Pluhër e ndërtuar,
O Hiç, e korkolitur mbi Avushën,
Përball' e pas prej Hiçit e rrethuar!
95.
Apo mos e harruat Historinë
Që Botës i dha Dritën, Diturinë,
Se Zoti me ca Llom' e Baltovinë
Sipas fytyrës s'Tij gatoi Njerinë?
96.
Krijesa zbardhëlloi, Parajsa leu,
E para krijatyrë del nga Dheu:
Po pak qëndroj! Një drapër Vdekja këreu,
Adamn' e shkret' e korri, e rrëmbeu.
97.
Si en' e bën me mend e thellësi,
Kuror' i thur me nder e me lavdi:
Pastaj Poçari Kryeveprën kap
Dhe e dërmon përtokë, e bën hi.
98.
Pse pra mërziti për mjerimn' e zinë?
Kështu e bëri Zoti Njerëzinë:
Krijesa llome, mbrujtur vrer e helm,
Vajtojnë pak e çduken në Greminë.
99.
Njeri, Margaritari i Krijesës,
Q'u shove nga tortyrat e Jetesës,
Pi Kupën e harrimit e të prehjes,
Ckulu nga pellgu i frikës dhe i shpresës.
100.
Përulu Fatit tiranik e vrer,
Pi Verë, mos përfill Parajs' e Ferr:
Linde nga Pluhuri, në Pluhur kthehesh,
Sa je mbi Pluhër, lagu, mos u ter.
101.
Ah, kap e kap çdo gas e çdo dëfrim
Në Pluhër sa pa zbritur për pushim,
Pluhër në Pluhër, nënë Pluhurin shtrirë,
Pa Ver' e Këng' e Grua - pa mbarim!
102.
Pi, pi sa kohë ligjëron Bilbili,
Puth, puth sa ësht' i çelur Trëndafili,
Dhe Kupën plot shafran pa drithm' e zbras
Kur të ta japë natën Xhebraili.
103.
Një çast nga Pus'i Jetës të ngjërojmë
Dhe para se të vdesim ta gëzojmë:
Se Yjt' u shuan dhe Karvani u gdhi
N'Agimn' e Hiçit! - Oh, le të nxitojmë!
104.
Pra, si Zambaku që me sy përpjetë
Pret vesën gojëhapur lart nga retë,
Ashtu dhe ti, se nesër u përmbyse
Si Kupë bosh me kokën tatëpjetë.
105.
Kur të gjesh Verë, pije pa mejtuar,
Kur të gjesh Vajzë, puthe pa pushuar,
Se as për mjekrën tënde as për timen
S'kujdeset Zot'i Math i lavdëruar.
106.
Rrot' e çkujdesur po vërtit Dynjanë,
Shenjtorët nuk ja shqitnë dot Davanë:
Kij mendjen, nesër vdes, merr ëndrra fund,
Të piu varri, krimbat do t'të hanë.
107.
Lëviz, Khajam, se Kup' e Vdekjes vjen,
Se Fati nënë Rrotë të mbërthen:
Pi Lënk, puth Lule! Lart në Qiell s'i gjen!
Se Feja me Parajsën të gënjen.
108.
Mos u mërzit me punë Perëndie,
As me andrralla e profka Njerëzije:
Mbyti të gjitha në duman të Verës
Dhe loj me Trëndafij e Rrush Hardhie!
109.
Munxosi Qiejt' e shurdhër që shkelmuan
Cdo lutje që të mjerët u drejtuan
Dhe kap Dollin' e përqafo Selvinë:
Kush na u kthye nga ata që shkuan?
110.
Gjer kur, gjer kur do të përpiqemi,
Me Fe e sherr Sheri të piqemi?
Më mirë lagemi me Lënk prej Rrushi
Se sa me vrer për hiç të ligemi?
111.
Me mjekrën çdo Tavernë ta kam fshirë,
Parajsës i kam thënë: "Lamtumirë!
E bukur je, po nukë bën për mua!"
Kërkomëni në Vreshtë dhe në Tirë.
112.
Për Ligjë kam për ditë të dëfrej,
Për Besë kam çdo Fe ta kapërcej;
Kur mora nuse Jetën, s'deshi pajë;
Më tha: "Gas pafsh, atë pagesë vlej".
113.
E dini, o miq, se në kasollen time
Dasmë të re kam bërë me dëfrime:
Tri her' e ndava Fen' e Arësyen
Dhe mora nuse Rrushkën Serafine.
114.
Për Qënien dhe Mosqënien jam munduar
E Qiell e Dhe kam matur e peshuar:
Po që të gjitha i hodha n'erë! S'jam
I thellë veç në Verën e Kulluar.
115.
Kur isha i ri, kujtoja se e gjeta
Pallatin ku shkëlqente e Vërteta:
Tani q'u mplaka di që s'dija gjë
E që s'di hiç nga Bota dhe nga Jeta.
116.
Kur isha i ri, me zell, me mall po milja
Doktorë me Shenjtor' e trobolitja
Të thella argumente: po përherë
I marrë hyja dhe m'i marrë dilja.
117.
Me ta të Lartën Urtësi e mbolla,
Me dorën tim'e rrita, e pështolla,
Dhe kjo ish tërë pema që m'u fal:
"Si ujë zbrita, dhe si erë dolla!"
118.
Në Botë, dhe pa ditur as përse
As nga, po rrjedh pa dashur si rrëke,
Dhe jashtë saj si er' e shkretëtirës,
Pa ditur ku, po fryj te Nat' e Re.
119.
Si zok nga pylli sterr' u arratisa,
Për një fole në ferr' e driz' u grisa:
Po prinjës që di Udhën gjëkunt s'gjeta,
Nga dera q'u vërsula jashtë krisa.
120.
Me Ujë hiçi Balta m'u gatua,
Zemra me zjarr e vrer m'u përvëlua:
Fryja në Botë si një flak' e marrë
Dhe shkrumbi im në tym u çkatërrua.
121.
C'fitoi me ardhjen time Gjithësia?
Me ikjen a m'i prishet Bukuria?
Përse me kaqë lot po vijm' e ikim?
Pyes më kot, - s'përgjigjet Perëndia.
122.
Kur shoh një faqelule bukuri
Syengjëll, erëmyshk, e shtatselvi,
Pyes: Pse, Zot, këtë Huri e çove
Në këtë fushë plot me lot e zi?
123.
Si flagë digjemi: Ku shuhemi?
Si tym vërtitemi: Ku turremi?
Si fishkemi e shtrydhemi, kufoma
Në Llomë kllitemi: Ku mbruhemi?
124.
Të kthjellët lindim dhe të mvrojtur vdesim,
Me gas ia nisim dhe me vaj ia presim:
Me lot e zjarr e vrer të përvëluar
Në tym shpirt japim e në Varr po zbresim.
125.
Këtu që nga padashur po kërcasim
Dhe që këtej pa dashur ku po shkasim?
Kupë mbi Kupë Verë sillnani
Këtë mallkim ta mbytim e ta vrasim.
126.
Në Botë s'ndisja, po s'më ke pyetur!
Në varr s'kërcisja, po s'më ke pyetur!
Zot, më zvarrisni me pahir, se s'lintja
As rroja as vdisja, po s'më ke pyetur!
127.
Në Vijën që përshkruaj në Jetim
S'gjej Pikënisje, s'gjej Pikëmbarim:
Nga arthmë s'pamë dhe ku vemi s'dimë,
Hiç krej, Hiç mezi, Hiçi përfundim.
128.
Një Qark, si un' e ti, po përvijojmë,
Që jemi lark e s'piqemi vajtojmë:
Po në një Pikë po e mbyllim Qarkun
Dhe puthemi në Varr, në hiç pushojmë.
129.
Nga qëndr' e Dheut në Qiell të Shtat' u ngjita
Në fronin e Saturnit u avita
Dhe shume lithma e kolla zgjidha udhës
Po Fatin e Njeriut nuk e shqita.
130.
Një derë ka që Celësin s'ia gjejmë
Dhe ka një vel, me sy s'e kapërcejmë:
Pak muhabet këtu, jo ti, jo unë,
Pastaj dhe un' e ti në tym kërcejmë.
131.
S'përgjigjet Dheu as Deti që mban zi
Me vala t'errëta për Perëndi,
As Dit' as Nat' as Hën' as Yjt' as Qielli,
S'përgjigjemi e heshtim un' e ti.
132.
Dhe Qiellit rrotullonjës i thërrita
Dhe e pyeta: "Cila është Drita
Për djemt' e tu të humbur në errësirë?"
"Një mendje e verbër!" tha një zë nga prita.
133.
Ahere Poçen po rrëmbej si burrë
Dhe Zjarr e Shenjt' e gjej në këtë furrë;
Ajo më pëshpëriti buzabuzës:
"Pi, puth, se posa vdiqe, s'ngrihesh kurrë!"
134.
Dhe Poçja e skalisur dhe e larë
Ka rrojtur e ka bërë qef me barrë:
Dhe buz' e saj e ftohtë dhe e njomë
Sa puthje mund të japë dhe të marrë!
135.
Kjo Poçe, si dhe unë, qe njeri
Q'u doq për një Gërshet e një Selvi:
Kjo dorëz ishte krah; e përqafonte
Vajzën e rrallë plot me Dashuri.
136.
Një ditë, më të ngrysur në pazar
Një poçe po artonte një Poçar;
Dhe poçja gjuhëmpirë murmuriti:
"Ngadalë, vlla, e mos mer aqë zjarr!"
137.
Punonte në dyqan të tij Poçari,
Një Poçe po artonte nga pazari:
Lëfyti ish një kok' e një Qezari
Dhe dorëza nga dor' e një lipsari!
138.
Dëndroje dorën, mor Poçar mizor,
Që garbe bën me trupin njerëzor:
Shiko, Khosroit me çark ia shtype zemrën,
Dhe gishtin Feridunit mbretëror.
139.
Njëndizaj në qoshen jam penguar
Dhe ah! e theva Poçen e bekuar;
Më tha: "Si je, kam qenë; dhe si jam,
Ashtu dhe ti je nesër i dërmuar".
140.
Dhe mos kujto se Jeta rregullon
Hesapin tënt e timin dhe mbaron;
Flluska si ne ka Dete dhe miriade,
Saki-Vigani derdh e s'nëmëron.
141.
Kur un' e ti të prehemi të mekur
Do të vazhdojë Bota e pavdekur,
Që ardhjen ton' e ikjen i përfill
Si val' e detit rërën e përpjekur.
142.
Pas nesh kjo Botë tutje shkon një soj,
Dhe ty dhe mua na harron një soj:
S'e vuri re që diç mungon, kur s'ishim,
Kur vdesim, s'ndrron e s'ngel, vazhdon një soj.
143.
Mi Dhe e nënë Dhe gjum' i paprerë,
Mi Dhe e nënë Dhe trupa të nderë;
Ah, Hiç kudo, e shkretëtir' e Hiçit!
Si hije vijm' e shkojmë në Skëterrë.
144.
Dhe kur më kot mbi Tokën e pakapur
Apo mbi Qiell, mbi derën e pahapur,
Sheh sot kur ti je ti, po nesër ç'bën
Kur s'je më ti, po hi në Hiç përhapur?
145.
Do t'ikim doemos! Përse pra rrojmë
Dhe shpirtin me dëshira kot mundojmë?
Mbi Dhe pa punë kur na arratisi
Në Qiell shpëtim prej Tij si të shpresojmë?
146.
Cudi, asnjë i vdekur s'dha një shenjë,
Asnjë s'u kthye Udhën të rrëfenjë
Për Ferrin, për Parajsën a për Hiçin,
Po vet' u dashka cilido t'a gjenjë!
147.
I varfëri nga mendja po beson
Që Shpirti krejt nga Trupi po ndryshon:
Po Vera e përgënjeshtron e para,
Se Shpirt e Trup në Dehje i bashkon.
148.
Kur Shpirti muntka veten ta çlirojë
Nga Trupi dhe në Qiell të fluturojë,
Nuk është trup e turp që Baltovina
Ta ndyj' e ta burgos' e ta verbojë?
149.
Si në një çergë ku pushon një grimë
Sulltani i drejtuar në Greminë:
Sulltani ngrihet, ikën, tenda çthurret
E thurret përsëri për më të rinë.
150.
Shpirt, i dënuar gjak për të pështyrë,
Për të duruar kot e kot tortyrë,
Në këtë Trup të ndyrë pse ke hyrë
Kur prapë jashtë paske për të fryrë?
151.
Dërgova Shpirtin lart në Qiell mbi retë
Dhe n'Errësirën posht' e tatëpjetë:
M'u kthye pasi e zbuloi Mysterin;
Më tha kështu: "Parajs e Ferr jam vetë".
152.
Diell. vizion dëshire të mbaruar,
Ferr, hij'e zez' e Shpirtit përvëluar,
E hedhur n'Errësirën nga po dalim
Dhe ku po zbresim për të perënduar!
153.
Kjo botë: Endrr' e shkurtër që shikojmë;
Ky lumë; Gjyrm' e lotit që lëshojmë;
Ferri: Shkëndij' e zjarrit që kalojmë;
Parajsa: çast'i prehjes që gëzojmë.
154.
Shenjtorët dhe Doktorët, që bërtitnë
Më kot për të dy Botët, u vërvitnë
Në Pluhur: fjalët ua mori era,
Me Baltën e me Llomën u nemitnë.
155.
Zbulimet, që Profetët na zbërthyen
Dhe për këto mbi Kryqe u mbërthyen,
S'janë veç ëndërra që na rrëfyen
Pas gjumit - dhe pastaj në gjum' u kthyen.
156.
Arrinë gjer në kulm të Diturisë,
I ndrinë si pishtarë Njerëzisë:
Po n'Errësirën Udhë s'çanë dot,
U mbytnë nëpër gropa t'arratisë.
157.
Mysterin sa e sa më kot po tarrë
Gjer sot asnjë përgjigje s'kanë marrë;
C'gojë memece, Evë, puthe vallë
Që na ke bërë shurdhër e të marrë?
158.
Një Vel Mysteri kemi për kufi,
Ta çpojë syri ynë s'ka fuqi:
Në gjoks të Dheut jemi si në burg;
Ajme! Sa e gjat' e hidhur histori!
159.
Nga Qielli e Vërteta nukë zbret,
Me Dij'e Shkencë Udha nuk iu gjet:
Se Udhë s'ka, se s'na e kap dot truri
Dhe syri ynë gjurmën e humbet.
160.
C'e shtyri këtë Qiell të rrotullojë
Dhe ç'dorë më në fund do ta dërrmojë
S'gjendet në Botë kurrë kut ta masë,
S'gjendet asnjë kandar që ta peshojë.
161.
Natyra ësht' e mbetet një çudi,
Enigmat nuk ia zgjidh dot asnjeri:
Askush s'del dot nga qarku i forcës s'tij,
Dhe mbetet mjeshtri plak çirak i ri.
162.
Darkove tërë Tokën? S'është hiç!
Gërmove tërë Botën? S'është hiç!
Thellove dokrra Feje, kokrra Shkënce,
Ia çmove Fatit Rrotën? S'është hiç!
163.
Në Hapësirën Dheu: koqe lumi!
Dija dhe Shkënca jonë: fjalë lumi!
Njeriu, kafshët, lulet: flluska brumi!
Jeta dhe lufta jonë: ëndrra gjumi!
164.
Kjo Botë me shkëlqime s'është hiç!
Ky Qiell me Serafime s'është hiç!
Ky fron i Jetës plot me ëndërrime
Na varret mbi një qime, s'është hiç!
165.
Nga Rrot e Fat e Zot s'kuptova hiç
Dhe veç dyshimeve s'fitova hiç:
Për Dijen shtatëdhjetë vjet luftova,
Më kot i humba, nuk zbulova hiç!
166.
Të paskan parë ca të shenjtëruar
Kur unë me qiri të kam kërkuar:
Bëj ç'mund, po je dhe mbetesh i mbuluar:
S'të gjej gjëkunt: më ndje, Zot i Bekuar!
167.
Ah, këtë copë rrojtje mos e nxi
Rrotull Mysterit - shpejt, mor djal' i ri:
Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta -
Dhe përmi ç'gjë, të lutem, varesh ti?
168.
Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta
Dhe Celës një Elif të vetëm gjeta:
Gjeje dhe ti, si un' i verbëri -
Dhe ndofta shkojmë drejt te Vetë Jeta.
169.
Rrjeth tinës në çdo dell, në çdo krijesë,
Dhe shkel si hidrargjir nga çdo kërkesë:
Cdo formë merr; të gjitha format shuhen,
Ay s'po vdes - S'ka funt e s'ka mbaresë!
170.
Posa e devinojm' e na shpëton
Prapa kurtinës ku dramatizon
Të vjetrën lodër të përjetëshme,
Që vet' e vepëron, Vet' e shikon.
171.
Gazmorët që me Kupën po festojnë,
Shenjtorët që Xhamive vigjëllojnë
Në Det humbasin pa liman, pa funt;
Një rron e s'fle, të tjerët flen' e shkojnë.
172.
Me mall e tërë bota e kërkon,
As kamës as i varfër s'e zbulon:
Bërtet, po vesh'i shurdhër s'e dëgjon,
Shndrit, po syr'i verbër s'e shikon.
173.
Dan pika: "Ah! Sa lark nga Deti jam!"
Dhe Det'i jetës qesh: "Më kot po qan;
Se tok të gjithë jemi Perëndia;
Një qime vetëm, Koha, po, na ndan.
174.
Parad' e zbrazët, ëndërr është Bota,
Dhe s'gjëndet nga e qysh i kthehet Rrota:
Me Dehje dhe me Gas i zbukurohen
Illuzionet, gjepurat e kota.
175.
Nga vallë lint kjo Fantazmagori?
S'tregohet dot, e vetëm kaqë di:
Ngrihet si re nga Det'i Gjithësisë,
Kthehet si shi në Detin pa kufi.
176.
Se lart e posht' e rreth sa po shikojmë,
Të gjitha një fener magjik formojnë
Me Diellin si një qiri në mest
Dhe ne përqark fantazma vijm' e shkojmë.
177.
Jemi një lodër shah me net' e dit'
Ku Fati njerëzit si gur' i qit:
Andejkëtej i lot, i vret' i ther -
Dhe një nga një t'i hodhi në kutit.
178.
Dhe topthi as për po as jo s'pyet,
Po fluturon për ku Lodrari e nget:
Ay q'e heth në lëm' e di përse -
Ay e si - Ay e di vërtet.
179.
E Madhja Dorë shkruan me shkëndijë,
Dhe fletën kthej: dhe asnjë fjal' e vijë
Nuk ësht' e mundur kurrë që të shihet
Me lotë a me lutje a me dijë.
180.
Doktorët, fillosofët le të flasin, -
Nga thonjt' e Fatit nukë do të shkasin;
S'jemi veç hallka në Zinxhir e s'mundim
As t'ikim as ta thyejm as ta ngasim.
181.
Dhe ky çetur përmbys, ky Qiell i vrarë
Ku të burgosur rrojm' e vdesim zvarrë:
Mos i kërkoni ndihm' e sypërpjetë,
Se rop si ju vërtit, mor të marrë!
182.
Njeriu i funtm' u mbrujt nga Balt' e Parë,
Të korrët sot del nga e Para Farë:
Mëngjez'i parë i krijesës shkroi
E funtmja ditë ç'gjë ka për të parë.
183.
Qëkurse Gjithësia u krijua
Dhe Qielli me gjith' Yj kur u gatua,
Një kopsht për Trupn' e Shpirtin m'u caktua,
Ashtu sikundër u predestinua.
184.
Cdo dell m'u tor prej Zotit me Hardhi;
Ah! le të llomotit ay Sufi:
Un' e kam gjetur Celësin për Derën
Ku leh ay me buj' e patërdi!
185.
C'm'u dirse e ç'm'u thave si skeleti
Për Pus Mysteri e Labyrinth Kësmeti!
Në dorën tënde s'mbeti plan i Votës;
Allahu, kur e vëri, s'na pyeti.
186.
C'kërkon të gjesh nga rrodhi Bota?
Gëzo të sotmen, let belat' e kota:
C'më qahesh? Zaret s'munt t'i loç
Veç se ashtu si t'i ka hedhur Rrota.
187.
Kur vete mirë, lavdi pastë Zoti!
Kur vete keq, më kot po derdhet loti:
S'pyetesh as për gaz as për vajtim;
Durim! - Kështu i Urti tha qëmoti.
188.
Ka vetëm për të marrët lumturi,
Për t'Urtët s'ka veç vrer e qesëndi,
Pi Verën pra, e cila të maron
Me motrat Lumturi e Cmenduri.
189.
Shigjetat m'i pusho, o Fat, aman!
Për plagët e miplagët nem derman!
Posa të marrë mbron, Baba, tamam,
Jam fjesht Yt bir, i urt' i mënçur s'jam.
190.
Dinaku Fat po buzëqesh, kij mendjen!
Se befas me kamçik ta ngjesh, kij mendjen!
Helm si sheqer të kllet në gojë shpesh,
Mos e gëlltit, të vret rrebesh, kij mendjen!
191.
Jetesa rregullisht pas Urtësisë
Si ësht' e mundur kurrë Njerëzisë:
Se Zoti Fat me një kamçik në dorë
Na prin nëpër hendeket t'arratisë.
192.
Muzikën Qiellit nuk ia kam dëgjuar,
Buzën e qeshur nuk ia kam shikuar:
Pa marrë frym' i lumtur për një çast
N'Avushën prapë më ka qethulluar.
193.
Me vrer për ditë Fati po na des,
S'jep gas që s'na e vjeth me interes:
Ta dinte i palinduri s'na lintte,
I linduri më mirë bën kur vdes.
194.
Pa prerë më ndjek këmba-këmbës nëma
Me lot vjen dita dhe pa prehje mbrëma:
Ta dinte ç'flamur helmi kish në bark,
S'më nxirte në mejdan askurrë mëma.
195.
Dritën ma nxive, Zot, zemrën ma theve,
Gazin ma çore, shpresën ma rrëmbeve,
Ujën që pi ma bëre vrer dhe erën
Që respiroj në zjarr ma ktheve.
196.
Khajam, që Tendën e Mësimit rrite,
Në Furrën e Greminës ja ku zbrite;
Ta pret gërshër' e Vdekjes pen' e Jetës,
Nga thonjt' e Fatit me tërbim u shqite.
197.
U çqepa e u rropa, Zot, shëromë!
Nga Rrot' e Kryq u ngopa, Zot, shpëtomë!
Një her' e mir' e tok, jo copra-copra,
Si top me vrap te gropa sot shkelmomë!
198.
O Zot, më mirë shuaj nga tefteri
Shpirtin e një të ziu e të mjeri
Sa sa ta rritësh pikë-pikë prruan
Ku rrjedhin njerëzit si vala vreri.
199.
Sikur të merrte Engjëll'i bekuar
Librën, që Fat'i shkretë më ka shkruar,
Për ta rishkruar, për ta mirësuar
Ose më mirë fare për ta shuar!
200.
Të gjendej ah! Luadhi i Mëshirës,
Ku t'arratisurit e Shkretëtirës
Të preheshin, dhe qindra vjet pastaj
Të ngjalleshin, si lulet, pas dëshirës.
__________________
Mundohem te te harroj por harroj te te harroj.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|