Forumi Horizont | Gjithsej 62 faqe: « E parë ... « 7 8 9 10 11 12 13 14 15 [16] 17 18 19 20 21 22 23 24 25 » ... E fundit » Trego 62 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS. Dinamo (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2261)
Mbrojtësi dinamovit ndihet i kënaqur për atë çka ka dhënë deri tani në shërbim të skuadrës
E. Xhafa: Derbi, shansi për vendin e tretë
Ka munguar vetëm në një nga ndeshjet e këtij kampionati për shkak kartonësh, ndërsa në gjashtë ndeshjet e tjera ka qenë titullar i padiskutueshëm. I aktivizuar si stoper në të dyja krahët e mbrojtjes, gjithmonë ka treguar saktësi dhe siguri në veprimet e tij. Është fjala për mbrojtësin e Dinamos dhe të ekipit tonë Shpresa, Erion Xhafa, i cili është rikthyer te blutë gjatë merkatos së verës, pas dy vjetësh aktivizimi me Erzenin e Shijakut. Me paraqitjen e tij mjaft të mirë në këto javë, ai ka bindur si trajnerin e mëparshëm të Dinamos, Andrea Marko, ashtu edhe atë aktual, Sulejman Demollari. Xhafa ka treguar një formë të mirë në takimet e deritanishme, duke justifikuar plotësisht besimin që stafi teknik ka pasur ndaj tij. Tashmë lojtari 21-vjeçar mund të konsiderohet një nga pikat më të forta në mbrojtjen blu.
Vetë Xhafa duket i kënaqur nga vlerësimi që i është bërë dhe falënderon të dy trajnerët për besimin e dhënë. Ai pohon se është përshtatur mjaft mirë me lojtarët e tjerë të repartit të mbrojtjes, ndërsa mundohet të përfitojë sa më shumë nga eksperienca e kapitenit Pisha apo e kolegëve të tjerë, si Gallo e Dervishi. Në deklaratën e tij për "Sportin shqiptar", Xhafa do të shprehej:
"Natyrisht, jam i kënaqur me paraqitjen e deritanishme. Më është dhënë mundësia të luaj titullar dhe besoj se e kam shpërblyer besimin e trajnerëve. Jam përshtatur pa problem në pozicionet ku jam aktivizuar, ndërsa më ka ndihmuar shumë edhe eksperienca e mbrojtësve me përvojë, si Pisha dhe Gallo. Shpresoj që të vazhdoj të eci në këtë rrugë. E ndiej që më duhet shumë punë në të ardhmen për të ngritur nivelin e lojës. Gjithmonë, çdo lojtar synon të bëjë më të mirën e tij, në mënyrë që realizojë ato objektiva që i ka vënë vetes. Dinamoja është një skuadër që të jep mundësi për të fituar trofe, ndaj shpresoj që të fitoj të paktën një të tillë."
Ndërkohë, mbrojtësi dinamovit duket optimist për derbin e kësaj jave me Tiranën. Sipas tij, Dinamoja duhet të fitojë patjetër për t'iu afruar kreut të renditjes dhe njëkohësisht për të thelluar krizën e Tiranës, një nga rivalet më të forta në luftën për titull. "Nëse synojmë të fitojmë titullin, duhet të fitojmë sa më shumë derbi, sepse ato do të jenë përcaktuese. Kemi gabuar në derbin e parë të këtij kampionati me Partizanin, prandaj do të përpiqemi ta shlyejmë atë gabim duke fituar me Tiranën. Do të jetë hera e parë për mua që luaj një derbi me Tiranën dhe shpresoj që të jem me fat. Dihet që Tirana është një nga rivalet tona kryesore dhe fitorja ndaj saj do të kishte vlera të dyfishta. Dinamoja synon vetëm fitoren, e cila do ta ngjiste në vendin e tretë të tabelës së renditjes. Është një shans i mirë, që Dinamoja besoj se do të dijë ta shfrytëzojë." Këto kanë qenë fjalët e Xhafës në lidhje me kryendeshjen e javës së tetë të kampionatit.
Portieri Lika, shqetësimi i vetëm i bluve
Trajneri Sulejman Demollari ka filluar dje pasdite "fushatën" anti-Tirana. Seanca e djeshme ka shënuar fillimin e përgatitjeve intensive për takimin e së shtunës, ku blutë do të luajnë derbin e dytë të kampionatit me Tiranën. Dje, skuadra ka zhvilluar ushtrime të ndryshme të karakterit fizik. Ndërkohë, shqetësimi i vetëm për trajnerin Demollari është dëmtimi i portierit Ilion Lika. Ky i fundit pësoi një dëmtim në kioskat e legenit gjatë ndeshjes me Elbasanin. Në minutën e 34-t të takimit, Lika u detyrua të linte fushën e lojës. Ai grumbullua më pas me ekipin tonë kombëtar për miqësoren me Portugalinë, por nuk mundi të aktivizohej asnjë minutë pikërisht për shkak të dëmtimit. Dje, portieri dinamovit është lënë pushim nga mjeku i skuadrës, ndërsa sot pritet që të fillojë stërvitjen në fushë. Mjeku i skuadrës, Asllan Kasa, shpjegon se goditja që Lika ka marrë gjatë ndeshjes me Elbasanin ka qenë e fortë, kështu që edhe dëmtimi nuk është i lehtë. Por, si mjeku Kasa ashtu edhe trajneri i portierëve të Dinamos, Ilir Bozhiqi, mendojnë se Lika do të jetë i gatshëm për derbin me Tiranën. Megjithatë, një vendim më i qartë mund të merret në ditët e ardhshme. Gjithsesi, të gjithë futbollistët e tjerë janë të gatshëm për trajnerin Demollari. Nuk ka asnjë lojtar të pezulluar, ndërsa mesfushori Ishka duket se e ka kaluar plotësisht dëmtimin.
Gjithsej 62 faqe: « E parë ... « 7 8 9 10 11 12 13 14 15 [16] 17 18 19 20 21 22 23 24 25 » ... E fundit » Trego 62 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.