Forumi Horizont | Gjithsej 7 faqe: « 1 [2] 3 4 5 6 7 » Trego 62 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS. Dinamo (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2261)
Mesfushori i bluve mendon se ekipi do të ndryshojë totalisht në ndeshjet e ardhshme
Dalipi: Na duhet vetëm përqendrim
Kur kanë kaluar pesë javë nga fillimi i kampionatit, Dinamoja e sheh veten në vendin e katërt të tabelës së renditjes, me 10 pikë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Andrea Marko ka zhgënjyer në dy javët e fundit, ku ka arritur të marrë vetëm një pikë. Tashmë blutë janë të shkëputur pesë pikë nga kreu i renditjes. Pas barazimit 1-1 me Teutën në "Selman Stërmasi", pakkush mund të besojë se Dinamoja do të jetë një pretendente e denjë në luftën për titull. Në takimin e fundit me durrsakët, ekipi ka hasur vështirësi jo vetëm në shënimin e golit, por edhe në mbrojtje. Kanë munguar plotësisht rastet për shënim, ndërsa goli i vetëm ka ardhur pas ekzekutimit të një goditjeje standarde.
Për mesfushorin me eksperiencë të Dinamos, Edmond Dalipi, gjithçka ka ardhur si rezultat i mospërqendrimit të skuadrës në fushën e lojës. Lushnjari është aktivizuar në pjesën e dytë të ndeshjes me Teutën, por nuk ka mundur ta ndihmojë skuadrën e tij për të fituar.
Ai pohon se ekipi ishte konfuz në lojë, sidomos pas pësimit të golit të barazimit. Sipas mesfushorit, nëse Dinamoja do të kishte ruajtur qetësinë e duhur, mund të kishte shënuar golin e fitores, pasi koha për ta bërë një gjë të tillë ishte e mjaftueshme. Në deklaratën e tij për "Sportin shqiptar", Dalipi u shpreh:
"Dinamoja ishte përgatitur për ta fituar ndeshjen me Teutën. Në të vërtetë, ekipi kishte një ngarkesë psikologjike që pas humbjes së derbit me Partizanin. Shënuam një gol dhe mund ta kishim dyfishuar rezultatin, por ndodhi e kundërta. Goli i barazimit të Teutës e goditi rëndë skuadrën, e cila e humbi qetësinë në fushë. Kjo bëri që në 30 minutat e mbetura të takimit Dinamoja të mos e shënonte dot golin e fitores. Besoj se, po ta kishim ruajtur përqendrimin, mund të kishim bërë diçka. Kështu, mendoj se para ndeshjes së radhës në kampionat skuadra duhet të fitojë para së gjithash përqendrimin dhe besimin në vetvete. Për këtë mund të na ndihmojë më shumë takimi i sotëm me Pogradecin, ku duhet të fitojmë bindshëm."
Dalipi pohon se skuadra duhet të marrë maksimumin e pikëve në ndeshjet e mbetura të fazës së parë për t'iu afruar kreut të renditjes. Ndërkohë, për sa i përket takimit me Lushnjën, mesfushori shprehet se nuk ka alternativë tjetër veç fitores. Dalipi e përfundon deklaratën e tij duke thënë: "Nuk na lejohen më hapa false. Në ndeshjet e mbetura të fazës së parë, Dinamoja do të synojë vetëm fitoren."
Sulmuesi i bluve mendon se ekipi do të fitojë në ndeshjen e nesërme me Lushnjën
Ziambo: Futbolli kërkon edhe fat
Tre gola në tri ndeshje. Ky është bilanci i bluve në tri ndeshjet e fundit me Partizanin, Teutën dhe Pogradecin. Kështu, duket se sulmi dinamovit ka përgjegjësitë e veta në paraqitjen jo të mirë të skuadrës në takimet e fundit. Nëse Qorri e ka justifikuar veten e tij, pasi deri tani ka shënuar plot 6 gola, sulmesit e tjerë nuk po e gjejnë ende formën më të mirë. Kur dukej se ata do të shpërthenin në ndeshjen e së martës me Pogradecin, ka qenë mesfushori Dalipi ai që ka shënuar golin e kualifikimit në kupë. Pas një fillimi të mirë të kampionatit, me 9 gola në tri javët e para, duket se tashmë sulmi dinamovit e ka shumë të vështirë ta gjejë rrugën e rrjetës. Rastet për shënim nuk mungojnë, por finalizimi i tyre është ende i dobët.
Sulmuesi kryesor i bluve, Jonuari Ziambo, në këto pesë javë ka shënuar vetëm dy gola në takimin me Vllazninë. Ai mendon se gjatë këtyre javëve reparti ku ai bën pjesë ka punuar shumë, por nuk ka qenë rezultativ. Afrikani shprehet se, në ndeshjet e fundit, sulmit dinamovit i ka munguar edhe fati, që, sipas tij, është pjesë përbërëse e lojës së futbollit. "Mendoj se kemi qenë vërtet të pafat,- thotë Ziambo.- Në javët e fundit kemi shënuar vetëm nga një gol për ndeshje, ku, si unë ashtu edhe Xhihani, nuk kemi mundur të shënojmë. Kemi punuar shumë në këtë drejtim, duke krijuar raste të pastra shënimi dhe hapësira për lojtarët e tjerë. Është një moment paksa i vështirë për ne, por në futboll këto gjëra janë të pranueshme. Besoj se me ndihmën e fatit gjithçka do të kalojë shumë shpejt. E filluam mjaft mirë kampionatin, me fitore bindëse, sepse 9 gola në tri ndeshje nuk janë pak. Qorri është në formë, pasi ka shënuar 6 gola, ndërsa të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne. Me Ishkën kemi vetëm dy ndeshje që luajmë në vijën e parë të sulmit dhe ndoshta nuk e kemi gjetur ende gjuhën e përbashkët. Unë do të thosha se rikthimi i Tikos do të jetë shumë i rëndësishëm për Dinamon. Ai është një sulmues shtatlartë, i fortë në luftën në ajër dhe në zotërimin e topit. Megjithatë, të gjithë lojtarët e sulmit janë të mirë dhe mund të kombinojnë saktë me njëri-tjetrin. Shpresoj që në takimet e ardhshme fati të jetë në anën tonë."
Ndërkohë, nesër, blutë do të luajnë ndeshjen e radhës në stadiumin "Selman Stërmasi". Përballë do të kenë Lushnjën, e cila drejtohet nga dyshja dinamovite e sezonit të kaluar, Cikleanu-Canaj. Për sulmuesin afrikan të Dinamos, ndeshja parashikohet tepër e vështirë, por fitorja nuk mund të vihet në diskutim. Sipas Ziambos, skuadra është përgatitur të bëjë një paraqitje dinjitoze në takimin me Lushnjën, duke bindur me lojë dhe rezultat. Afrikani shpreson të shënojë nesër në "Selman Stërmasi".
"Jemi përpara një ndeshjeje shumë të vështirë. Lushnja është skuadër e fortë, që di ta qarkullojë mirë topin dhe të shfaqet rrezikshëm në portën kundërshtare. Dinamoja nuk ka rrugë tjetër veç fitores në këtë ndeshje dhe besoj se do ta kalojë me sukses. Jemi pesë pikë prapa dhe duhet t'i afrohemi kreut të renditjes, duke shpresuar në një barazim te derbi Tirana-Partizani. Me Lushnjën pritet kthesa, kështu që mendoj se fitorja jonë do të jetë bindëse si nga rezultati, ashtu edhe për sa i përket lojës. Shpresoj që në këtë takim të shënoj, por më e rëndësishme është fitorja." Kështu e ka përfunduar fjalën e tij sulmuesi dinamovit, Jonuari Ziambo.
Trajneri i bluve kërkon qetësi nga skuadra e tij, sidomos përpara portës kundërshtare
Marko: Me Lushnjën të shënojmë sa më shpejt
Dinamoja do të luajë sot takimin me Lushnjën, i vlefshëm për javën e gjashtë të kampionatit. Ndeshja do të luhet në orën 15.00, në stadiumin "Selman Stërmasi". Në kampin dinamovit duket gjithçka e qetë, ndërsa sot të gjithë presin fitoren, e cila mungon që prej dy javësh, pas humbjes me Partizanin dhe barazimit me Teutën. Për stafin teknik të Dinamos, ndeshja parashikohet mjaft e vështirë, duke pasur parasysh se të dyja skuadrat vijnë pas disa rezultatesh jo të mira në javët e fundit.
Trajneri i Dinamos, Andrea Marko, kërkon qetësi dhe përqendrim nga skuadra e tij në takimin e sotëm. Si rrugën më të mirë drejt fitores ai sheh shënimin e golit që në minutat e para të ndeshjes. Një gjë e tillë, sipas Markos, do t'i lejojë ekipit të dalë plotësisht në lojën e vet dhe të shfaqë të gjitha vlerat që ka. Për trajnerin dinamovit, fitorja ndaj Lushnjës, përveç tripikëshit, do të ketë më shumë vlera morale për ekipin. Në deklaratën e tij në lidhje me takimin e sotëm, trajneri Marko është shprehur: "Është një ndeshje që Dinamoja duhet ta fitojë patjetër, sepse dihet që nuk po fitojmë në kampionat që prej dy javësh. Lushnja është një skuadër e fortë, me një staf të mirë, dhe mund të na vërë në vështirësi, por ne jemi përgatitur për gjithçka. Do të kërkohet me çdo kusht tripikëshi dhe loja e bukur. E rëndësishme është që skuadra të jetë e përqendruar në fushën e lojës dhe lojtarët të japin maksimumin e tyre. Mendoj se duhet të shënojmë sa më shpejt, në mënyrë që ekipi të çlirohet nga ana psikologjike. Për ta arritur këtë gjë, duhet që lojtarët sulmues të tregohen të qetë para portës kundërshtare, duke shfrytëzuar me efikasitet rastet që do të krijohen. Do të jetë një fitore që do të ketë më tepër vlera morale për Dinamon."
Formacioni i parë për ndeshjen e sotme nuk është përcaktuar nga stafi teknik, ndërkohë që Ahmataj është mungesa e konfirmuar për blutë. Të gjithë futbollistët e tjerë janë të gatshëm për trajnerin Marko, i cili, në përfundim të deklaratës së tij, shprehet: "Nuk kemi probleme për sa i përket gjendjes së lojtarëve, sepse nuk ka asnjë të dëmtuar. Mungesa e vetme është ajo e Ahmatajt. Dihet që ai është një mesfushor tepër cilësor, por Dinamoja ka një kontigjent të mirë lojtarësh, që mund të luajnë në formacionin e parë."
Blutë do të kërkojnë fitoren me Lushnjën për t'iu afruar disi kreut të renditjes. Një shans më shumë për ta arritur një gjë të tillë është derbi i nesërm midis Partizanit e Tiranës. Dinamoja shpreson te një barazim i mundshëm për të shkurtuar diferencën e pikëve që ka me kryesuesit e tabelës së renditjes.
-----------------------------////////////////////------------------------
Drejtuesit e klubit i kërkojnë skuadrës të arrijë dy fitore në dy ndeshjet e radhës
Lushnja: Dinamo-Shkumbini, 6 pikët e kërkuara
Dy ndeshjet e radhës në kampionat do të jenë javët e sulmit për ekipin lushnjar. Fjala është për ballafaqimin e sotëm me Dinamon, në "Selman Stërmasi", dhe për ndeshjen e javës së ardhshme, me Shkumbinin. Sikurse dihet, drejtuesit më të lartë të klubit verdhejeshil i kanë kërkuar skuadrës së tyre 6 pikë të plota në këto dy ndeshje. Madje, këto janë kushtet që i janë vënë skuadrës edhe nga stafi presidencial në analizën e fillimjavës, për humbjen me Besën. Stërvitja intensive që ka aplikuar trajneri Cikleanu gjatë kësaj jave ka pasur në axhendën e saj edhe ndeshjen e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, e cila u zhvillua ditën e martë ndaj Memaliajt. Lushnjarët kanë kryer një formalitet ndaj memaliotëve, duke fituar me rezultatin e thellë 10-0.
Ndërkohë, në stërvitjen e ditës së sotme (djeshme), trajneri rumun i Lushnjës, Aurel Cikleanu, e ka ulur ndjeshëm tempin e ngarkesës fizike, në krahasim me ditët e tjera të javës. Ai ka aplikuar disa variante taktike me mesfushorët dhe sulmuesit, duke kërkuar "rrugë" për t'i nxjerrë të lirë para portës kundërshtare. Në trasfertën e vështirë ndaj Dinamos, Cikleanu do t'i ketë në dispozicion të gjithë lojtarët, që konsiderohen të domosdoshëm prej tij. Kështu, edhe sulmuesi rumun, Sorin Kornea, do të jetë i gatshëm për të luajtur ndaj bluve, edhe pse ka marrë karton të kuq ndaj Besës javën e shkuar të kampionatit. Mosaktivizimi i tij ndaj Memaliajt ka shërbyer si vuajtje e dënimit 1-javor për shkak të kartonit të kuq të marrë. I vetmi shqetësim i momentit për drejtuesit teknikë të skuadrës është ana psikologjike. Pas humbjes me Besën, futbollistëve u janë vënë kushte të forta nga stafi presidencial për t'i fituar të dyja ndeshjet e radhës. Kjo ka bërë që në kampin lushnjar të krijohet një klimë e lartë mobilizimi, e shoqëruar edhe me një mbingarkesë psikologjike. Këtë e pranon edhe sulmuesi gjirokastrit Nora, që luan për ngjyrat e Lushnjës: "Humbja që pësuam në Berat, ndaj Besës, ishte një gabim i pafalshëm për ne. Për mua, ai ishte 90-minutëshi më i dobët që kemi zhvilluar kohët e fundit," - gjykon Nora. Më tej, gjirokastriti e pranon faktin se diçka nuk po shkon në ekip. Megjithatë, ai është optimist se gjithçka do të ndryshojë për mirë: "Pa diskutim, në asnjë nga ndeshjet e zhvilluara deri tani nuk e kemi shfaqur forcën tonë të vërtetë. Diku çalojmë dhe ky është fakt tashmë. Rëndësi ka fakti që të dimë të dalim nga kjo gjendje tensioni e krijuar."
Dinamo, një tjetër pikë e humbur me Lushnjen
Një tjetër pikë e humbur për Dinamo në javën V të kampioinatit shqiptar të futbollut. Blutë e trajnerit Andrea Marko nuk kanë mundur të shkojmë më shumë se një barazim 0-0 përballë Lushnjes në stadiumin “Qemal Stafa”. I pranishëm në tribunën VIP ka qenë dhe trajneri i Kombëtares shqiptare, gjermani Hans Peter Brigel, i cili menjëherë pas rinovimit të kontratës deri në 2006, i është rikthyer evidentimit të elemntëve të rinj që mund të ofrojë kampionatit shqiptar për Kombëtaren. Por nga ndeshja e djeshme, nuk ka pasur shumë për të vëzhguar trajneri gjerman, pasi në fushë janë parë dy skuadra, të cilat ka në zhvilluar një ndeshje të një niveli jo të mirë, pa gola, pa shumë emocione dhe për më tepër pa asnjë fitues. Pritej më shumë nga Dinamo, e cila renditet mes pretendentëve që do të rivalizojnë për titull kampion. Por gjithçka është diktuar nga rutina. Të dy skuadrat kanë zbritur në fushë me 11-shet më të mira që kanë pasur në dispozicion. Gjatë gjithë ndeshjes, kanë qenë kryeqytetasit ata që kanë diktuar me një epërsi të lehtë. Por rastet për shënim nuk kanë qenë të shumta. Ndërkohë që kundërshtarët e tyre më shumë janë mbrojtur, duke përdorur kundërsulmin. Edhe pse më pak se Dinamo, dhe lushnjarët kanë rrezikuar portën e Likës, madje për ta ishte dhe rastim më i pastër për të shënuar në këtë takim. Pas barazimit 0-0, Dinamo mund të thuhet se ka hedhur një hap të përgjysmuar përpara, duke mbetur akoma larg kreut të renditjes që mbahet nga Tirana, e cila do të presë sot në ndeshjen derbi Partizanin.
Ish-futbollisti i famshëm i bluve merr tani drejtimin e skuadrës
Demollari, "timonieri" i Dinamos
Sulejman Demollari është trajneri i ri i skuadrës së Dinamos. Ai e ka bërë prezantimin e tij me ekipin dje pasdite, në një takim të zhvilluar në mjediset e klubit "Dinamo", ku merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të skuadrës, të gjithë futbollistët dhe përfaqësues të mediave të ndryshme sportive. Ka qenë presidenti i bluve, Mihal Delijorgji, ai që e ka konfirmuar ardhjen e Demollarit në krye të ekipit vetëm pak ditë pas largimit të Andrea Markos. Kjo zgjedhje e presidentit dinamovit është mbështetur unanimisht dhe është vlerësuar shumë edhe nga shefi i klubit, Gjergj Ruli, drejtori teknik Mujo Targaj etj. Demollari ka një karrierë të pasur si futbollist, ndërsa si trajner më parë ka drejtuar vetëm ekipin tonë përfaqësues. Ai ka qenë një nga futbollistët më cilësorë të Dinamos dhe të kombëtares sonë. Demollari është një ndër të parët futbollistë shqiptarë që ka luajtur edhe në kampionate të huaja, ku mund të përmendim atë rumun, grek, hungarez, dhe italian. Kohët e fundit, Demollari ishte emëruar nga presidenti i Dinamos, Delijorgji, në postin e menaxherit të skuadrës. Në takimin e zhvilluar dje, Demollari ka falënderuar drejtuesit e Dinamos për besimin që kanë treguar ndaj tij. Ai e ka quajtur kënaqësi të qenit trajner i një skuadre, më të cilën ka kaluar momentet më të bukura të karrierës së tij futbollistike. Në fjalimin e tij të shkurtër, trajneri i ri është shprehur se Dinamoja do ta kalojë shumë shpejt momentin e vështirë në të cilin ndodhet aktualisht. Për këtë, ai ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithë futbollistëve me stafin teknik dhe vlerësim maksimal nga ana e tyre në ndeshjet e ardhshme të kampionatit. Trajneri Demollari do të zhvillojë sot seancën e parë stërvitore, duke filluar përgatitjet për takimin e së mërkurës, me Elbasanin. Ndërkohë pritet që gjatë kësaj jave të zgjidhet edhe ndihmëstrajneri i Dinamos, vend që për momentin është ende bosh.
Presidenti dhe shefi i klubit "Dinamo" analizojnë me skuadrën situatën e vështirë të javëve të fundit
Delijorgji dhe Ruli "shkundin" blutë
Nuk ka qenë prezantimi i trajnerit të ri shkaku i vetëm i mbledhjes së djeshme midis drejtuesve të skuadrës dinamovite dhe futbollistëve të saj. Presidenti Delijorgji ka prezantuar edhe Pëllumb Shullazin si zëvendëspresident të Dinamos. Ky i fundit do të jetë më afër skuadrës, duke pasur parasysh që presidenti Delijorgji në pjesën më të madhe të kohës është i impenjuar në aktivitetin e tij privat.
Presidenti i ekipit, Mihal Delijorgji, është ndalur më gjatë në paraqitjen e dobët që po bën skuadra e tij në javët e fundit të kampionatit. Sipas presidentit blu, rezultatet e arritura në tri ndeshjet e fundit nuk përputhen aspak me objektivat e ekipit për këtë kampionat. Ai u ka kërkuar lojtarëve të flasin hapur nëse ka diçka që nuk shkon, në mënyrë që të gjendet një rrugëzgjidhje për të dalë sa më shpejt nga kjo situatë. Më pas, presidenti Delijorgji ka deklaruar se është i gatshëm të sjellë në skuadër futbollistë të tjerë, që mund t'i kërkohen nga trajneri i ri. Ai ka përfunduar duke thënë se tani duhet parë vetëm përpara, në mënyrë që Dinamoja t'i përmbushë synimet e saj për këtë sezon.
Më i ashpër në fjalimin e tij është treguar shefi i klubit, Gjergj Ruli, i cili mendon se përgjegjësitë për paraqitjen e dobët të skuadrës nuk bien vetëm mbi trajnerin Marko. Ai ka vlerësuar startin e mirë të ekipit, por është shprehur i pakënaqur me impenjimin e lojtarëve në tri javët e fundit, madje i ka quajtur këta të fundit të vetëkënaqur. Megjithatë, shefi Ruli ka pohuar se ekipi, me ardhjen e trajnerit të ri, ka mundësi për ta rimarrë veten në dy ndeshjet e ardhshme me Elbasanin dhe Tiranën.
Në emër të skuadrës kanë diskutuar dy nga lojtarët me më shumë përvojë, kapiteni Arjan Pisha dhe mbrojtësi Alpin Gallo.
Të dy këta futbollistë e kanë konsideruar paraqitjen në javët e fundit një moment krize, të cilin mund ta kalojë çdo skuadër. Midis të tjerash, ata janë shprehur se ndoshta Dinamos, në ndeshjet e fundit, i ka munguar edhe fati. Më pas, Pisha dhe Gallo kanë deklaruar se do të kërkohet menjëherë kalimi i kësaj situate të vështirë, sidomos me ardhjen e trajnerit të ri, Demollari. Në fund është vendosur që ekipi të grumbullohet një ditë përpara çdo ndeshjeje, gjë që deri tani ka munguar.
Në takimin e djeshëm ishin të pranishëm edhe disa nga tifozët më fanatikë të Dinamos, që kanë premtuar një mbështetje të fuqishme në ndeshjet e ardhshme për ta ndihmuar skuadrën e tyre drej suksesit.
Blutë do të vazhdojnë sot përgatitjet për ndeshjen e radhës me Elbasanin, e cila do të luhet ditën e mërkurë.
Mbrojtësi dinamovit ndihet i kënaqur për atë çka ka dhënë deri tani në shërbim të skuadrës
E. Xhafa: Derbi, shansi për vendin e tretë
Ka munguar vetëm në një nga ndeshjet e këtij kampionati për shkak kartonësh, ndërsa në gjashtë ndeshjet e tjera ka qenë titullar i padiskutueshëm. I aktivizuar si stoper në të dyja krahët e mbrojtjes, gjithmonë ka treguar saktësi dhe siguri në veprimet e tij. Është fjala për mbrojtësin e Dinamos dhe të ekipit tonë Shpresa, Erion Xhafa, i cili është rikthyer te blutë gjatë merkatos së verës, pas dy vjetësh aktivizimi me Erzenin e Shijakut. Me paraqitjen e tij mjaft të mirë në këto javë, ai ka bindur si trajnerin e mëparshëm të Dinamos, Andrea Marko, ashtu edhe atë aktual, Sulejman Demollari. Xhafa ka treguar një formë të mirë në takimet e deritanishme, duke justifikuar plotësisht besimin që stafi teknik ka pasur ndaj tij. Tashmë lojtari 21-vjeçar mund të konsiderohet një nga pikat më të forta në mbrojtjen blu.
Vetë Xhafa duket i kënaqur nga vlerësimi që i është bërë dhe falënderon të dy trajnerët për besimin e dhënë. Ai pohon se është përshtatur mjaft mirë me lojtarët e tjerë të repartit të mbrojtjes, ndërsa mundohet të përfitojë sa më shumë nga eksperienca e kapitenit Pisha apo e kolegëve të tjerë, si Gallo e Dervishi. Në deklaratën e tij për "Sportin shqiptar", Xhafa do të shprehej:
"Natyrisht, jam i kënaqur me paraqitjen e deritanishme. Më është dhënë mundësia të luaj titullar dhe besoj se e kam shpërblyer besimin e trajnerëve. Jam përshtatur pa problem në pozicionet ku jam aktivizuar, ndërsa më ka ndihmuar shumë edhe eksperienca e mbrojtësve me përvojë, si Pisha dhe Gallo. Shpresoj që të vazhdoj të eci në këtë rrugë. E ndiej që më duhet shumë punë në të ardhmen për të ngritur nivelin e lojës. Gjithmonë, çdo lojtar synon të bëjë më të mirën e tij, në mënyrë që realizojë ato objektiva që i ka vënë vetes. Dinamoja është një skuadër që të jep mundësi për të fituar trofe, ndaj shpresoj që të fitoj të paktën një të tillë."
Ndërkohë, mbrojtësi dinamovit duket optimist për derbin e kësaj jave me Tiranën. Sipas tij, Dinamoja duhet të fitojë patjetër për t'iu afruar kreut të renditjes dhe njëkohësisht për të thelluar krizën e Tiranës, një nga rivalet më të forta në luftën për titull. "Nëse synojmë të fitojmë titullin, duhet të fitojmë sa më shumë derbi, sepse ato do të jenë përcaktuese. Kemi gabuar në derbin e parë të këtij kampionati me Partizanin, prandaj do të përpiqemi ta shlyejmë atë gabim duke fituar me Tiranën. Do të jetë hera e parë për mua që luaj një derbi me Tiranën dhe shpresoj që të jem me fat. Dihet që Tirana është një nga rivalet tona kryesore dhe fitorja ndaj saj do të kishte vlera të dyfishta. Dinamoja synon vetëm fitoren, e cila do ta ngjiste në vendin e tretë të tabelës së renditjes. Është një shans i mirë, që Dinamoja besoj se do të dijë ta shfrytëzojë." Këto kanë qenë fjalët e Xhafës në lidhje me kryendeshjen e javës së tetë të kampionatit.
Portieri Lika, shqetësimi i vetëm i bluve
Trajneri Sulejman Demollari ka filluar dje pasdite "fushatën" anti-Tirana. Seanca e djeshme ka shënuar fillimin e përgatitjeve intensive për takimin e së shtunës, ku blutë do të luajnë derbin e dytë të kampionatit me Tiranën. Dje, skuadra ka zhvilluar ushtrime të ndryshme të karakterit fizik. Ndërkohë, shqetësimi i vetëm për trajnerin Demollari është dëmtimi i portierit Ilion Lika. Ky i fundit pësoi një dëmtim në kioskat e legenit gjatë ndeshjes me Elbasanin. Në minutën e 34-t të takimit, Lika u detyrua të linte fushën e lojës. Ai grumbullua më pas me ekipin tonë kombëtar për miqësoren me Portugalinë, por nuk mundi të aktivizohej asnjë minutë pikërisht për shkak të dëmtimit. Dje, portieri dinamovit është lënë pushim nga mjeku i skuadrës, ndërsa sot pritet që të fillojë stërvitjen në fushë. Mjeku i skuadrës, Asllan Kasa, shpjegon se goditja që Lika ka marrë gjatë ndeshjes me Elbasanin ka qenë e fortë, kështu që edhe dëmtimi nuk është i lehtë. Por, si mjeku Kasa ashtu edhe trajneri i portierëve të Dinamos, Ilir Bozhiqi, mendojnë se Lika do të jetë i gatshëm për derbin me Tiranën. Megjithatë, një vendim më i qartë mund të merret në ditët e ardhshme. Gjithsesi, të gjithë futbollistët e tjerë janë të gatshëm për trajnerin Demollari. Nuk ka asnjë lojtar të pezulluar, ndërsa mesfushori Ishka duket se e ka kaluar plotësisht dëmtimin.
Trajneri i bluve mendon se defekti kryesor i skuadrës në derbin me Tiranën ishte te reparti i sulmit
Demollari: Dinamos i duhej më shumë iniciativë
Java e tetë e kampionatit nuk ka sjellë asnjë ndryshim për blutë për sa i përket vendit që ata kanë në klasifikim, por tashmë diferenca e pikëve me ekipet kryesuese ka shkuar në pesë. Në derbin me Tiranën, blutë kanë marrë vetëm një pikë, ndërsa i kanë kushtuar më shumë rëndësi mbrojtjes sesa sulmit. Sulmuesit e ekipit, Ziambo dhe Qorri, kanë qenë në hije gjatë takimit dhe asnjëherë nuk kanë mundur ta rrezikojnë seriozisht portën kundërshtare. Dukej se ishte një takim i zgjidhur taktikisht nga të dy trajnerët, të cilët i druheshin një humbjeje të mundshme.
Trajneri i Dinamos, Sulejman Demollari, i cili ka vetëm dy javë që ka marrë drejtimin e skuadrës, i është gëzuar vetëm rezultatit pozitiv, i dyti ky pas fitores në Elbasan. Për trajnerin e bluve, rezultati ishte krejtësisht i drejtë dhe ekipet morën atë çka dhanë në fushën e lojës. Sipas trajnerit Demollari, Dinamoja duhet të ishte treguar më kërkuese në lojën e saj, duke i kushtuar më shumë rëndësi fazës sulmuese. "Ne vinim në derbi me synimin për të fituar, - thotë Demollari. -Por nga mënyra sesi u zhvillua loja, mund të them se barazimi ishte rezultati më i drejtë dhe njëkohësisht i pranueshëm për një ndeshje derbi. Mendoj se skuadra jonë duhet të kishte më shumë iniciativë dhe duhet ta kishte kërkuar më shumë golin. Nëse do të tregoheshim më kërkues, mund të kishim marrë diçka më shumë në atë ndeshje."
Defektin kryesor te skuadra e tij në derbin e së shtunës, trajneri dinamovit e shikon te reparti i sulmit. Mendimin e teknikut blu e përforcojnë më shumë edhe statistikat e katër ndeshjeve të fundit, sipas të cilave i takon që Dinamoja të ketë shënuar vetëm dy gola. "Problemi ynë kryesor, - vazhdon trajneri Demollari, - ishte sulmi. Një gjë e tillë u pa qartë, sepse Dinamoja, thuajse gjatë gjithë ndeshjes, nuk mundi ta godiste portën e Tiranës. Mendoj se duhet të punojmë shumë në këtë drejtim, pasi për të fituar duhet të shënosh sa më shumë gola. Sulmuesit tanë duhet të jenë më të përqendruar në konkludimin e aksioneve." Ndërkohë, për sa i përket diferencës së pikëve që Dinamoja ka me dy ekipet kryesuese, Partizanin e Teutën, trajneri Demollari mendon se ajo do të eliminohet në javët e ardhshme. Në mbyllje të deklaratës së tij, numri 1 i stolit të Dinamos do të shprehej: "Për Dinamon nuk ka ndryshuar asgjë pas kësaj jave, sepse ne mbetemi tek ato synime që kemi pasur që në fillim të sezonit. Aktualisht jemi pesë pikë prapa dy ekipeve kryesuese të kampionatit, por kam besim se Dinamoja, në javët e ardhshme, do t'i ngjitë gradualisht shkallët e klasifikimit."
Sot, blutë do t'i rikthehen fushës stërvitore për të filluar punën për ndeshjen e radhës me Flamurtarin e Vlorës.
Dinamo, 3 pikët që fundosën Flamurtarin
Në Vlorë, kuqezinjtë humbasin 3-2 ndaj bluve dhe mbeten pa trajner
Flamurtari-Dinamo 2-3
Flamurtari
Dine 6
Resuli 6
Daiu (Skënderi 25') 6
Lila 5.5
Sejfullai 5.5
Çela (Liçaj 50') 5
Sakaj 6.5
Bedini (Fakaj 77') 5
Vito 6
Serjani 6
Çerçizi 6
Trajner: A. Bozhani
Dinamo
Lika 6
Pisha 6.5
Gallo 6.5
E. Xhafa 7
Ahmataj (Dalipi 56') 6.5
Dhëmbi 7
Deliallisi 6.5
Bakalli 7
Qorri (Tiko 75') 6.5
Ziambo (Xhihani 88') 6.5
Ishka 6.5
Trajner: S. Demollari
Shënues: Ziambo 29', Qorri 35', Xhafa 43', Serjani 60', Çerçizi 65'
Gjyqtarë: S. Jareci, G. Maloku (Tiranë), E. Miho (Durrës)
Kartonë të verdhë: Lila, Skënderi, Xhihani
Kartonë të kuq: Lila, Vito.
Radiografia
3'- Qorri në një aksion individual shmang nga e majta e sulmit dinamovit Resulin, gjuan tokazi, por pret me vështirësi Dine.
8'- Kros i Sejfullait nga e djathta e sulmit vlonjat në zonën e kundërshtarit. Vito gjuan fort, topi prek duart e një mbrojtësi dinamovit dhe kthehet në fushë. Gjyqtari vazhdon lojën.
15'- Një asist i dhënë nga Vito për Serjanin, por ky i fundit ka gjuajtur me kthesë, afër shtyllës pingule, në krah të majtë të portierit Lika.
20'- Inkursion i Bakallit nga krahu i majtë. Ky i fundit driblon një mbrojtës vlonjat, futet në zonë, gjuan fort, por Çela e devijon topin në fundore.
22'- Gallo, pasi ka marrë një harkore nga shokët e tij, gjuan shumë fort afër portës, por portieri Dine e ka kthen topin me këmbë në fushën e lojës.
29'- Një asist i dhënë nga Ahmataj për Ziambon. Vlonjatët e konsiderojnë pozicion jashtë loje afrikanin, por ky i fundit shmang edhe portierin Dine dhe shënon. 1-0 për Dinamon.
33'- Çela jep një harkore brenda zonës dinamovite, aty ku ndodhet Skënderi, i cili, pasi e stopon topin me gjoks, gjuan fort me kthesë, por topi pritet me vështirësi nga Lika.
35'- Vlonjatët ndëshkohen përsëri. Dhëmbi fut një top brenda zonës kundërshtare, atje ku Qorri u shpëton mbrojtësve vendës dhe shënon golin e dytë për Dinamon.
40'- Pas i shkurtër i Ziambos për Qorrin, i cili gjuan fort, por pret Dine.
43'- Ishka me Xhafën vallëzojnë mes mbrojtësve vlonjatë. Xhafa shmanget bukur, duke përfituar edhe nga gabimi në rreshtim i mbrojtësve vlonjattë, gjuan fort dhe shënon golin e tretë për Dinamon.
47'- Në një aksion në ballë të gjerë të vlonjatëve Skënderi-Çela-Serjani, ky i fundit gjuan fort, por Lika pret me vështirësi.
52'- Serjani, pasi ka marrë një asist nga Vito, ka dribluar një mbrojtës kundërshtar, është futur në zonë, ka gjuajtur bukur, por topi devijohet nga Xhafa jashtë vijës anësore.
58'- Qorri, pasi ka marrë një asist nga Ziambo, gjuan fort, por topi përfundon mbi traversën e portës së Dines.
60'- Serjani ka marrë një top të gjatë nga mesfushorët e tij, ka hyrë në zonë, ka gjuajtur fort në ecje e sipër dhe ka shënuar golin e parë për Flamurtarin.
65'- Shpërthen Çerçizi nga krahu i majtë i sulmit vlonjat, futet në zonën kundërshtare, gjuan në ecje e sipër dhe shënon. Rezultati shkon në 2-3.
72'- Asist i dhënë nga Qorri për Ziambon, që gjuan nga 18 metra largësi, por topi përfundon disa centimetra mbi shtyllën e sipërme të portës së Dines.
82'- Liçaj ka humbur rastin më të volitshëm për ta barazuar rezultatin. Në momentin kur portieri Lika kishte dalë nga porta në distancën 15 metra, ai ka gjuajtur me portën e boshatisur, por topi ka përfunduar mbi shtyllën e sipërme të portierit dinamovit.
85'- Gjuan Ishka, por topi përfundon paksa mbi shtyllën e sipërme të portës së Dines.
Thanë pas ndeshjes
Ardi Bozhani, trajner i Flamurtarit:
"Rezultatet negative të skuadrës më kanë detyruar disa herë të japë dorëheqjen, por drejtuesit e Flamurtarit dhe të pushtetit vendor nuk ma kanë pranuar një gjë të tillë. Megjithatë, gjendja e sotme e skuadrës nuk ka nevojë për koment."
Sulejman Demollari, trajner i Dinamos:
"Fitorja jonë qe e merituar. Kërkova në pushim të pjesës së parë nga lojtarët që të mos përfshiheshin nga euforia dhe ta lëshonin lojën në pjesën e dytë. Por e vërteta ishte se skuadra nuk u paraqit në nivelin e cilësinë e lojës së pjesës së parë. Angazhimi i lojtarëve të Flamurtarit në pjesën e dytë ishte i dukshëm, për pasojë shënuan me meritë edhe dy gola. Dinamo është një skuadër që pretendon, prandaj shënon e fiton. Sidoqoftë, sot m'u duk se çaloi paksa mbrojtja. Flamurtari nuk ishte në nivelin e skuadrës së dikurshme."
Komenti
Flamurtari ka pësuar humbjen e radhës në fushën e tij ndaj Dinamos. Vlonjatët u kanë rezistuar bluve të Dinamos vetëm gjysmën e pjesës së parë. Deri në minutën e 29-të loja midis dy skuadrave ka qenë e ekulibruar dhe me aksione të herëpashershme nga të dyja skuadrat. Në këto minuta, Vito e Serjani për Flamurtarin, dhe Qorri e Gallo për Dinamon, kanë qenë shumë afër golit. Në 18 minutat e fundit të pjesës së parë ka qenë një "stuhi" e furishme e sulmeve të dinamiovitëve, çka ka shkaktuar një çoroditje totale të mbrojtësve vendës. Dinamovitët në këto minuta kanë shënuar 3 gola me anë ZImabos, Qorrit dhe Xhafës. Dëmtimi i Daiuit dhe dalja me të kuqe e Lilës e kanë detyruar trajnerin Bozhani të bëjë "arnime" të momentit, duke e plotësuar skuadrën me lojtarë mbrojtës. Pjesa e dytë ka filluar e shpejtë për vlonjatët, ndonëse në përbërjen e tyre ka mjaft lojtarë të rinj. Dinamo, në këto minuta të fillimit të pjesës së dytë, ka bërë njëfarë lëshimi ndoshta nga euforia e rezultatit të pjesës së parë. Eshtë vënë re një tërheqje e pajustifikueshme e mesfushorëve në mbrojtje. Për pasojë mbrojtja dinamovite është ngjeshur shumë dhe ka bërë gabime të njëpashnjëshme. Këto momente pasigurie të bluve i kanë shfrytëzuar Serjani dhe Çerçizi, të cilët kanë shënuar dy gola. Rezultati edhe mund të barazohej, në rast se Liçaj do të ishte treguar më i saktë në konkludim, i ndodhur vetëm për vetëm me portën bosh. Rezultati i dobët i Flamurtarit në këtë fund faze të fazës së parë e ka detyruar trajnerin Bozhani që të dalë nga dhomat e zhveshjes i mërzitur dhe të deklarojë për gazetërt e pranishëm në këtë ndeshje dorëheqjen. Mirëpo ka qenë kryetari i ri i bashkisë, Shpëtim Gjika, në prani edhe të mjeshtrit Sokol Kushta dhe të trajnerit të Dinamos, Demollari, që ia ka kthyer mendjen trajnerit të ri.
Të veçanta
- Në tribunën VIP të stadiumit "Flamurtari" ndodheshin presidentët Selami, Deligjorgji, kryetari i ri i bashkisë, Gjika, dhe mjeshtri Sokol Kushta.
- Trajneri Bozhani dje paradite u ka shpërndarë lojtarëve premion prej 3 milionë lekësh të vjetra, të dhëna nga kryebashkiaku i ri i Vlorës, Shpëtim Gjika.
Demollari: Fitoren e kontrolloi Dinamo
Trajneri i bluve mendon se dy golat e pësuar erdhën si rezultat i nënvlerësimit të mbrojtjes
Blutë e kryeqytetit, pas fitores të së shtunës 3-2 ndaj Flamurtarit, kanë arritur të fitojnë vendin e tretë të klasifikimit, duke kaluar me një pikë Tiranën. Dinamoja ka zhvilluar një pjesë mjaft të mirë në Vlorë, ku përveç tre golave të shënuar nga Ziambo, Qorri e Xhafa, ka zhvilluar edhe një lojë bindëse. Ndërsa në pjesën e dytë ekipi ka vazhduar me të njëjtin ritëm loje, duke krijuar raste të tjera shënimi, por ka qenë ekipi i Flamurtarit ai që ka shënuar dy herë në portën e bluve. Trajneri i Dinamos, Sulejman Demollari, ka arritur të arkivojë kështu fitoren e dytë pas ardhjes në krye të skuadrës. Ndërkohë, në lidhje me takimin e kësaj jave, ai pohon se skuadra e meritoi plotësisht fitoren dhe për asnjë moment nuk u vuri në dyshim. Trajneri i bluve mendon se Dinamoja mori atë çka kërkoi në takimin e fundit të fazës së parë, kështu që mbetet i kënaqur nga paraqitja që të tijtë bënë në Vlorë. Në një koment më të hollësishëm të takimit, trajneri Demollari do të shprehej: "Ishte një fitore tepër e rëndësishme ajo ndaj Flamurtarit të shtunën, sepse për vetë pozicionin që ka ekipi në klasifikim ato që na interesojnë më shumë janë pikët. Megjithatë, unë do të thosha se Dinamoja e kontrolloi totalisht lojën, duke e merituar plotësisht fitoren. Kemi zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë, ku arritëm të shënonim tri herë në portën kundërshtare. Ekipi ruajti të njëjtin ritëm loje dhe në fraksionin e dytë të ndeshjes, por rastet e krijuara për shënim nuk u shfrytëzuan si duhet nga sulmuesit tanë. Megjithëse pësuam dy nga gola brenda pesë minutash, mund të them se fitorja e Dinamos nuk u vu asnjëherë në dyshim. U pa qartë që skuadra jonë ishte superiore në të gjitha drejtimet."
Trajneri i Dinamos nuk harron të flasë edhe për atë moment shpërqendrimi të mbrojtjes në pjesën e dytë të ndeshjes, ku brenda pesë minutash vlonjatët shënuan dy gola në portën e Likës. Për numrin 1 të stolit blu, ishte nënvlerësimi i mbrojtësve ai që solli një situatë të tillë, pasi u pa qartë se në të dy rastet e golave, lojtari që shënonte gjendej i lirë brenda zonës. "Mund të them se të dy golat e pësuar erdhën si rezultat i nënvlerësimit që mbrojtja jonë i bëri kundërshtarit për një moment. Them kështu, sepse vura re se në të dy rastet u pa qartë që kundërshtari gjendej i pambuluar nga mbrojtësit tanë. Duhet theksuar se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë në ndeshje të tjera, sepse mund të na kushtojë shtrenjtë." Me këto fjalë e ka përfunduar deklaratën e tij trajneri dinamovit, Sulejman Demollari. Ndërkohë, dita e diel ka qenë, si zakonisht, pushim për Dinamon, ndërsa sot ekipi do të fillojë përgatitjet për ndeshjen e radhës.
Dhëmbi: Titulli fitohet kur mund "të voglat"
Korçari i bluve mendon se Dinamoja s'duhet të gabojë më, duke lënë pikë me ekipet e fundit në renditje.
Dinamoja do të luajë nesër ndeshjen e radhës në kampionat, ku përballë do të ketë Shkumbinin e vendit të fundit. Fitorja është alternativa e vetme për blutë, të cilët nuk kanë asnjë mungesë për këtë takim. Ekipi i drejtuar nga trajneri Demollari shpreson që nesër të tregojë një tablo krejtësisht të kundërt me atë të ndeshjes së fundit me Besën, ku Dinamoja mori një barazim pa gola.
Paulin Dhëmbi, një nga titullarët e bluve, duket optimist për një sukses të padiskutueshën ndaj peqinasve. Për mesfushorin e djathtë të skuadrës, ndeshja e nesërme duhet vlerësuar maksimalisht nga të gjithë, pavarësisht se kundërshtari vjen nga vendi i fundit i klasifikimit. Ai pohon se të gjitha ndeshjet e kampionatit janë të vështira, kështu që impenjimi duhet të jetë në shkallën e duhur. Korçari i bluve thekson se ndeshjet me ekipet e ashtuquajtura të vogla, janë tepër vendimtare për fitimin e titullit kampion. Sipas Dhëmbit, një skuadër e tillë është edhe Shkumbini, që Dinamoja e ka mundur 4-1 në fazën e parë të kampionatit, por të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe nesër në "Qemal Stafa". Futbollisti, në deklaratën e tij për gazetën "Sporti shqiptar", do të shprehej:
"Takimi i nesërm me Shkumbinin kërkon vlerësim maksimal nga të gjithë, sepse Dinamos i duhet fitorja me çdo kusht. Dihet që synimi ynë kryesor për këtë sezon është titulli kampion, ndaj dhe në ndeshjet e ardhshme duhen fituar pikët e plota. Unë mendoj se, që të fitosh titullin kampion, më parë duhet të fitosh të gjitha takimet me ekipet e ashtuquajtura të vogla. Në këtë drejtim, Dinamoja ka gabuar disa herë në ndeshjet e deritanishme, çka na ka bërë që aktualisht të mbajmë vendin e katërt. Mund të përmend rastin më të fundit, kur humbën dy pikë tepër të rëndësishme me Besën, si dhe disa ndeshje të tjera të luajtura në Tiranë, kur Dinamoja nuk shkonte më shumë se barazimi. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë kurrsesi në të ardhmen, sepse atëherë do të ishte shumë e vështirë t'i realizonim objektivat që kemi. Natyrisht, edhe ndeshjet me rivalët e drejtpërdrejtë kanë rëndësinë e tyre, por nëse nuk fiton me skuadra e gjysmës së dytë të renditjes, vështirë të fitosh me pretendentët për titull."
Mesfushori dinamovit mendon se një nga problemet kryesore të ekipit në javët e fundit ka qenë sulmi. Sipas korçarit, skuadra ka hasur vështirësi në shënimin e golit. Këtë gjë e vërtetojnë më së miri tri barazimet me rezultatin 0-0. Megjithatë, lojtari është i bindur se Dinamoja i ka mundësitë për t'u ngjitur në kreun e tabelës së klasifikimit. Ai mendon se skuadra është në rritje të vazhdueshme dhe pritet që në javët e ardhshme të ketë më shumë qëndrueshmëri si në lojë ashtu dhe në rezultat. Dhëmbi pohon se prova më e mirë për ta demonstruar një gjë të tillë është ndeshja e nesërme me Shkumbinin, ku Dinamoja parashikohet të arrijë një fitore bindëse.
Gjithsej 7 faqe: « 1 [2] 3 4 5 6 7 » Trego 62 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.