Forumi Horizont | Gjithsej 404 faqe: « E parë ... « 200 201 202 203 204 205 206 207 208 [209] 210 211 212 213 214 215 216 217 218 » ... E fundit » Trego 404 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Politika Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=45)
-- Sali Berisha, komunisti i veshur tani me petkun e Demokracise?! (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=14943)
Kuraje
Kurajë!
Sokol Shameti
Nga bjerrakohësi më i thjeshtë tek intelektuali më i ndërlikuar, gjithsecili në këtë vend e ka kuptuar tashmë në mënyrën e vet se prej tyre po kërkohet të ndiejnë frikë. Frikë nga trazirat politike, frikë nga një ‘97 e dytë, frikë nga marshi indietro, frikë nga dhuna policore, kallashët nëpër duar, terrori i bardhë, arrestimet, atentatet, gjendja e luftës civile, e gjithë ato të tjerat. Kjo është një ndjenjë kërcënimi e cila po injektohet në mënyrë të pamëshirshme, konstante dhe cinike, a thua ndjellësit e saj janë mjekë me grada shkencore, ndërsa masa së cilës i destinohet kjo gjendje janë kavie për motive eksperimentale. Gjithë çështja tani është nëse njerëzit e arsyeshëm të këtij vendi, do të pranojnë t‘i dorëzohen këtij shantazhi arrogant dhe të tërhiqen në gjeratoren thithëse të konsumit politik apo do të organizojnë qëndresën e tyre. Një rezistencë të fortë morale për të cilën ka sot kaq shumë nevojë që të zhvillohet në forumet e mendimit, faqet e publicistikës dhe kudo ku emocioni ka për detyrë t‘i ulet në gjunjë logjikës.
Përtej britmave luftarake, kanosjeve me shkulje dhëmbësh, hakërrimeve për escalation të situatës, guerilje urbane, thirrjen në ndihmë të figurave letrare nga Adolf Hitleri e deri te Mikhail Shakashvili, përtej atyre që dështimin personal kërkojnë ta kthejnë në përshpirtje evangjelizmi kombëtar, ka për mendimin tim, disa arsye pse kjo psikozë e re paniku nuk do të ngjisë në mendjen e shqiptarëve. Arsyeja kryesore është se ajo po gjenerohet nga njerëzit e gabuar. Liderët politikë të vendit, të cilët janë angazhuar në këtë fushatë frikësimi social, janë tashmë thjesht dy kokat simetrike të së njëjtës kartë të diskredituar bixhozi. Si një ndër nxitësit kryesorë të klimaksit pseudorevolucionar, Edi Rama, i cili deri para pak kohësh mund edhe të merrej si një krijesë kurioze dhe e pazakontë e politikës, tashmë s‘është gjë tjetër veçse "njëri prej tyre". Ndaj për këtë arsye kuotat e tij kanë rënë ndjeshëm. Me një seri sjelljesh të tijat, si refuzimin violent për të pranuar humbjen, tutkallizimin mbi kolltukun e kryetarit të partisë apo eliminimin politik të kundërshtarëve, ai i ka dhënë gjatë këtyre muajve dorën kryesore transformimit të tij në krijesën e urryer që simbolizon sot në mendjen e shqiptarit të zakonshëm figura e politikanit tradicional. Nga ana tjetër, me sulmin e fundit banal ndaj Edi Ramës, Kryeministri i vendit dhe kryetari i partisë në pushtet i bëri atij edhe shërbimin e parë pas kaq kohësh. Edi Rama u certifikua dhe u njoh në këtë mënyrë si kundërshtari i tij legjitim. Një njeri që është sjellë sipas normave që pranon sot politika në Shqipëri dhe që meriton për këtë arsye t‘i jepet betejë. Fantazma e Fatos Nanos, apo orvatja e Ben Blushit quhen tani kapituj të mbyllur, rekluziviteti i gjatë, injorimi, tallja, mosmarrja seriozisht dhe karnevalizmi ndaj Edi Ramës mbaruan, dhe përmes një pagëzimi në baltë, ashtu siç e do zakoni i lashtë i politikës shqiptare, ai u emërua nga e djathta në postin e nderuar të armikut zyrtar të kryetarit. Ky shërbim kaq i shumëpritur që Sali Berisha bëri ndaj Edi Ramës duke kryer legalizimin e tij faktik si kryesues i opozitës, si dhe hyrja e këtij të fundit në mënyrë fare të parashikueshme dhe me dëshirë në lojën e gërr-mërrit, është në anën tjetër edhe një nga dëmet më të mëdha që ai nuk e kupton se sapo iu bënë imazhit të tij. Një imazh deri dikur interesant sepse kontroversial. Për shumë aparatçikë, xhaketa gri, kope partiakësh apo servilë fondesh/ ai tashmë mund të ketë fituar staturën definitive të shefit. Për miliona të tjerët që takimin me politikën e kanë një temë përherë e më të bezdisshme, ai është tashmë një gur më shumë në koleksionin e tyre personal të skepticizmit. Qindra mijëra të rinjtë apolitikë të këtij vendi - të cilëve edhe pse ai s‘i pati kurrë, të paktën mund t‘u zgjonte shkëndija të rralla interesi - ai i humbi përfundimisht dhe për këtë duhet t‘ia dijë për nder kolegut Berisha. Për këtë arsye, tromboni i rebelimit që Rama po sforcohet kaq shumë për t‘i fryrë ditët e fundit, do të kumbojë si një tingull i trashë, i vjetruar dhe komik për veshët e tyre. Ai nuk do të arrijë të zgjojë kurrë atë vrull përndezës, atë frymë "uprising" dhe atë efekt spektakolar që gjenitë e kreativitetit afër Ramës e kanë parë në youtube nga protestat e Otpor-it serb apo Pora-s ukrainase.
Këtu dalim vetvetiu te një arsye tjetër përse psikoza e frikës që po mundohen të mbjellin liderët politikë, nuk do të gjejë një truall miqësor në asnjë mendje tjetër përveçse atyre të militantëve të thekur. Kjo nuk është një frikë reale, por plagjiatura e një frike. Sikurse e gjithë platforma zgjedhore e Partisë Socialiste ishte një masë boshe e lyer me varak retorike impresionuese të kopjuar nga interneti (për të cilën tani madje edhe indinjohen pse nuk fitoi mbështetje), po kështu edhe metodat e marketimit të indinjatës, madje dhe indinjata vetë, janë një mall i importuar konsumi, tërësisht i huaj për shqiptarët. Deri para pak kohësh mund të ndodhte që të gjendeshin mjaftueshëm njerëz në Shqipëri që t‘u bënte përshtypje një fjalim i flaktë me figuracion të pasur. Por ja që shqiptarët e sotëm nuk janë më ata të dikurshmit dhe kërkesa e tyre është paksa më e lartë nga sa mendojnë shpërfillshëm ata që prodhojnë ofertën politike sot në këtë vend. Skepticizmi siç shkruante në një artikull të vetin Fatos Lubonja, mund të jetë veç të tjerash edhe ilaç. Nuk ka sesi të jetë gjenuine indinjata e lidershipit socialist për vjedhjen e votës dhe as kërkesa e tij për hapje kutish. Kjo është një kërkesë që nuk vjen aspak si një nevojë organike për demokraci, pasi nëse do të ishte e tillë do të kishte ardhur menjëherë pasi rezultati i zgjedhjeve tregoi se "politikës së re" i vodhën fitoren. Dhe vërtet, ndonëse nuk thuhet, ndihet ngërçi që kanë agjitatorët socialistë për të mobilizuar masat, të cilave është vështirë sot gjysmë viti pas zgjedhjeve t‘u thuhet se duhet të revoltohen që kryetari socialist të mos ndihet i vetmuar. Se ata duhet të shpenzohen si mish për top, pasi kryetari socialist që e hartoi vetë Kodin Zgjedhor, që e hartoi vetë barsoletën me programin 1000 faqësh për zgjedhjet të cilin askush nuk e pa kurrë, që i emëroi vetë komisionerët në qendrat zgjedhore, që i quajti këto zgjedhje si më të mirat në histori dhe që tani, pas larjes së hesapeve me çdo zë kritik brenda partisë, gjashtë muaj pasi këto zgjedhje mbaruan, deri edhe pas pushimeve verore siç thotë një mik sindikalist italian "abbronzato ed arrabiato", kujtohet të ndihet i ofenduar.
Prandaj, skenat teatrale të Berishës nga foltorja e Kuvendit, janë dhurata më e mirë që njëra gjysmë e kartës së bixhozit i bën siamezit të vet. Janë thjesht një lojë mes dy ortakësh ku njëra dorë ndyn tjetrën në emër të një partneriteti të ri që duket se do të vazhdojë gjatë. Një partneritet të ngjashmish, që shqetësimin e vet real nuk ka aspak akuzat personale, por jetëgjatësinë e një sistemi të padrejtë që e ka katandisur Shqipërinë në vendin më të varfër, më të shfrytëzuar, më të korruptuar dhe më të padëshiruar të Europës. Një partneritet i cili kujdeset që ky sistem i paskrupullt ekonomik që i detyron fëmijët të shërbejnë si qentë e gjahut të të huajve, të mbetet pa opozitë. Dhe që politika të mos ofrojë kurrë një alternativë shprese, por thjesht spektakël televiziv me sharje nga "robt e shpisë". Është koha kur shqiptarët të kuptojnë se nuk mund të trajtohen më si masa pa tru, se ka një atdhe për ata që nuk dorëzohen dhe se po rilind Shqipëria që refuzon shantazhin. Prandaj, kurajë!
Gjithsej 404 faqe: « E parë ... « 200 201 202 203 204 205 206 207 208 [209] 210 211 212 213 214 215 216 217 218 » ... E fundit » Trego 404 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.